AKTUALITET

Reciprociteti me Serbinë përplas Albin Kurtin me Ramush Haradinaj: Do e bëjmë me mbështetjen e ndërkombëtarëve

08:44 - 05.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, janë përplasur në seancën e së enjtes të Kuvendit, lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat në veri dhe reciprocitetin me letërnjoftime me Serbinë.




Haradinaj e ka quajtur Kurtin ‘good guy’ (djalë i mirë) dhe tha se i njëjti po vepron vetëm sipas direktivave të Bashkimit Evropian.

I pari i AAK-së tutje iu drejtua kryeministrit me fjalët “tregona çka po bëhet me Rakiqin tënd?”, raporton Telegrafi.

E në replikën e tij, Kurti tha se nuk është radikal në karakter, por vetëm ka bërë veprime radikale në të kaluarën kur sipas tij, situata ishte shumë e rrezikshme për shtetin.

“Nuk e kuptoj se çfarë vlerë paska mos me qenë ‘good guy’. Kur është situata tejet e rrezikshme për shtetin kam bërë veprime radikale. Unë nuk jam radikal për nga karakteri, por nga situatat. Kur Kosova rrezikohet për shkëmbim territorial, Zajednica e ndarje, normalisht që jam radikal. Nëse e keni fjalën për atë”.

Sa i përket ministrit serb, Goran Rakiq, Kurti u shpreh se “unë s’kam koalicion me Listën Serbe, por është obligim kushtetues”.

Siç raporton Telegrafi, Albin Kurti, i është përgjigjur opozitës, të cilët e kritikuan për vendimin që të shtyjë deri më 1 shtator implementimin e vendimeve për reciprocitetin me Serbinë, për letërnjoftimet dhe targat.

Duke iu drejtuar opozitës, Kurti ka thënë se “s’mund të aktrojmë nxitimin për një gjë që është tash e 11 vjet”.

“Tash kur po diskutojmë për reciprocitetin, më mirë është të kishte ndodhur më 1 gusht. Por, unë them se më mirë është më 1 shtator se fare. A më së mirti kishte me qenë në vitin 2011 kur jeni marrë vesh në Bruksel”, është shprehur kreu i ekzekutivit, raporton Telegrafit.

Tutje, ka thënë se vendimi është marrë pasi fushata dezinformuese e Beogradit ishte e egër.

“Për shkak të fushatës së madhe të dezinformimit, kemi marrë kërkesë nga SHBA-ja që ta shtyjmë ekzekutimin e vendimit deri më 1 shtator. Pra, për shkak të fushatës së egër të Beogradit e jo për shkak të mungesës së fushatës tonë informuese”.

“Ne nuk besojmë që s’kemi bërë fushatë të mirë e të mjaftueshme. Për 10 minuta u ngritën 9 barrikada dhe u dëshmua edhe njëherë se janë të organizuara nga regjimi i Beogradit. Në rrethanat që ndodhemi, kemi marrë vendimin e duhur. Jemi të vendosur në atë që bëjmë dhe kemi mbështetjen e faktorit ndërkombëtar”.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës gjatë seancës të së enjtes ka miratuar në lexim të dytë 19 projektligje, ndër të cilat edhe atë për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit dhe atë për përkujdesjen ndaj kafshëve. Disa prej projektligjeve janë mbështetur edhe nga deputetë opozitar.

Me 62 vota për deputetët kanë miratuar edhe projektligjin për arkivat shtetërore.

Kuvendi ka miratuar edhe projektligjin për inspeksionin bujqësor dhe atë të produkteve për mbrojtjen e bimëve, më 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kuvendi i Kosovës me 64 vota për ka miratuar në lexim të dytë edhe Projektligjin për financimin e subjekteve politike.

Kuvendi të enjten në orët e pasdites në mungesë kuorumi për vendimmarrje mbylli punimet, ndërkaq kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca bëri të ditur se deputetët do të shkojnë në pushim deri në fillim të muajit shtator.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.