AKTUALITET

Stërvitja ushtarake e Kinës në det, Tajvani: Janë provokime për një sulm të mundshëm

16:54 - 06.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Autoritetet në Tajvan njoftuan të shtunën se stërvitjet ushtarake të Kinës duket se po simulojnë një sulm ndaj ishullit të vetëqeverisur, pasi sipas tyre, shumë anije luftarake dhe avionë kinezë kishin kaluar kufirin mesatar ndarës të ngushticës së Tajvanit. Zhvillimet vijnë pas vizitës në Taipei së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, një vizitë që ka nxitur zemëriminn e Pekinit.




Ministria e Mbrojtjes Kombëtare tha se si përgjigje ndaj stërvitjeve të Kinës, forcat e armatosura të Tajvanit kishin dhënë alarmin, kishin dërguar patrulla ajrore dhe detare rreth ishullit, si dhe kishin aktivizuar sistemet e raketave me bazë tokësore.

Në një deklaratë të shtunën ministria e Mbrojtjes e Kinës tha se kishte kryer stërvitje ushtarake ashtu siç ishte planifikuar, në det dhe hapësirat ajrore në veri, jugperëndim dhe lindje të Tajvanit, duke u përqendruar tek vënia në provë e aftësive të sistemeve goditëse tokësore e detare.

Kina nisi stërvitjet ushtarake me armë luftarake pas ndalesës së zonjës Pelosit në Tajvan në fillim të kësaj jave, duke thënë se vizita e saj binte në kundështim me politikën e “një Kine” të vetme. Kina e sheh ishullin si një provincë të shkëputur që kërkon ta aneksojë me forcë nëse është e nevojshme dhe i konsideron vizitat në Tajvan nga zyrtarë të huaj, si njohje të sovranitetit të ishullit.

Pekini i nisi stërvitjet ushtarake të enjten dhe pritet të zgjasin deri të dielën. Deri më tani, ato kanë përfshirë sulme me raketa ndaj objektivave në det, në veri dhe në jug të ishullit. Ato shihen si jehonë e stërvitjeve të fundit të mëdha ushtarake kineze në vitet 1995 dhe 1996, që synonin frikësimin e udhëheqësve e popullit të Tajvanit ndërsa në vend zhvilloheshin zgjedhje.

Tajvani ka vënë ushtrinë në gatishmëri dhe ka organizuar stërvitje të mbrojtjes civile, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar mjete të shumta detare në zonë.

Administrata Biden dhe zonja Pelosi kanë thënë se SHBA-të mbeten të përkushtuara ndaj politikës së “një Kine”, por mban marrëdhënie jozyrtare dhe në fushën e mbrojtjes me Taipein.

Zonja Pelosi bëri të ditur të premten në Tokio, ndalesa e fundit e turneut të saj në Azi, se Kina nuk do të jetë në gjendje të izolojë Tajvanin, duke penguar zyrtarët amerikanë të udhëtojnë atje./ Marrë nga VOA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.