AKTUALITET

Kryepeshkopi Janullatos në 30-vjetorin e fronëzimit/ Rrugë e mundimshme në kryq, por me zjarr dashurie për zotin, shqiptarët

10:00 - 08.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ferdinand Samarxhi  – “NDERI I KOMBIT  – NË VEND TË PROLOGUT… 6 prill 1967. Ora e Zotit për shqiptarët ndaloi. Apoteozë për Zotin e ndalur nuk thirrej e nuk dëgjohej më. Kambanat vajtueshëm lajmuan frikshëm të Premte të Zezë. Psalte vajtuese, të zymta. Krishti u mbyll në varr. Tokë e namun, terri komunist, popull i përvuajtur. Ideal ateist i injektuar.




“Vargonjtë e vdekjes na kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit na kishin pushtuar, fatkeqësia dhe dhembja na kishin vënë përfund”, Shkrimi i Shenjtë. Kobshëm tashmë, ky psalm përcillej në Tokën e djegur, në zemrat e zhuritur të njerëzve. Lutje, qirinj të ndezur! Njerëz të etur drejtuar altarëve të shenjtë. Të gjithë prisnin çlirimin e Zotit nga varri.

Premtimi i Zotit, nga zemrat e njerëzve nuk qe shkulur. “Mos kini frikë! Ja, unë jam me Ju, gjithë ditët e jetës tuaj (Math. 28:20)”. Prisnim çlirimin e vdekjes nga shpëtimtari (Shën Joan Gojëarti). Të gjithë, në çastet më të vështira të jetës, përpiqemi të jetojmë me Ungjillin. Sa pllakosur, lënduar, të tunduar jemi, përsëri, besimi tek Ungjilli, Zoti i Ngjallur, jepte shpresë. Fuqia e Zotit te ne po ngjallej. Mundimet, persekutimet e inkuizicionit, si pjesëmarrje në vuajtjet e Krishtit, ishin për ne, afrimi në kryq, përqafimi i Tij, kryqëzim, pa të cilën nuk mund të arrinim mposhtjen e vdekjes, në ngjalljen tonë.

Kjo ishte pavdekësia, triumfi, shenja që ngjallja tashmë, ishte afruar te ne. Himnet, troparët, po ftonin tashmë, në ftesën paskale të Zotit. Kjo është pavdekësia që nuk mbaron të Premten e Zezë, por me ringjalljen e Tij.

 

Në kushtet sado dëshpëruese ftesa e ngjalljes së ndritshme, siç mundi Krishti të dërrmojë pushtetin e vdekjes dhe ndriçoi gjininë njerëzore, do të ndryshonte edhe vuajtjet, tmerret e jetës së shqiptarëve. Kishte ardhë e diela e Zotit. Kambanat, himnet dhe troparet ftonin të gjithë, në psaltët e tyre të dritës. Zoti ishte ngritur nga varri.

Nuk ishte më i vdekur. Ishte ngjallur për ta, ishte mes tyre. Luginë e shkretë, e vdekur. Shqipëria përjetonte dritën e ngjalljes. Ngjallja ishte tashmë, simfonia jetëdhënëse, që drita të mposhte errësirën, dashuria të mposhte urrejtjen, jeta të mposhte tashmë vdekjen. Shqipëria, një lëndinë në hijen e vdekjes, kishte nevojë, më shumë se kurrë, të ndizte llambadhen e dritës, llambadhen e ngjalljes. Kishte nevojë Shqipëria për barinj që të ndiznin këtë llambadhe. Të thërrisnin njerëzit në grigjën e Zotit, t’i udhëhiqnin ata. Të lindnin në zemrat e tyre një Zot, një Krisht të ngjallur.

Të ndërtonte një kishë, një faltore, në zemrat e tyre. Kishte ardhur koha që njerëzit, si dikur në Iliri, të kishin një Apostull, dishepull të Krishtit, si Apostull i kombeve, Shën Pavli, që këmba e tij të shkelte dhe goja e tij të fliste, për paraardhësit tanë në viset e Ilirisë, që Ptolomeu (100-168 pr. K) i quante “albanë”, të përhapte krishterimin, siç thotë në letrën drejtuar romakëve, nga Jerusalemi deri në Iliri, u kam përhapur Ungjillin e Krishtit (Romakëve 15:19). Të ndërtonte, si arkitekt, themelues i krishterimit, kishën Apostolike të Ilirisë, shek. I, viti 58 ps. K, ashtu siç thotë vetë:

“Sipas hirit të Perëndisë që më është dhënë, si arkitekt i ditur, unë kam hedhur themelin dhe një tjetër ndërton mbi të, por secili të ketë kujdes sesi ndërton mbi të, sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti”. (1 Kor 3:10-11). Të dorëzonte barinjtë, siç thotë tradita, siç dorëzoi Episkop Marinin, një nga shtatëdhjetë dishepujt e Krishtit, gjatë udhëtimit të tij për në Iliri, në stacionin Romak Caudiana (Peqini i sotëm)- veprat 17:1.

Të vendoste, siç besohet në traditën e krishterë, Peshkopin e parë të Durrësit, Shën Qezari, ku kishte një komunitet të përberë nga disa familje të krishtera që formonin kishën apostolike në këtë qytet. Sipas Farlatit, në veprën e tij “Illyrikum Sakrum”, që ndodhet si dokument në një dorëshkrim të vjetër në kishën e Jerusalemit. Të nderohej si ndriçues i Durrësit, siç thotë përlëshorja e shenjtorit: “Predikues të kombeve dhe ndriçues të madh, mësues të Durrësit, mburrje të botës, me gëzim të quajmë.

Nderojmë përpjekjet dhe mundimet për Krishtin, martirizimin tënd të çmuar. O Shën Pavël, apostull, ndërmjetëso përpara Krishtit Perëndi të shpëtohen shpirtrat tona”. Themeli i Kishës apostolike në Iliri, që vendosi apostull Pavli së bashku me bashkëpunëtorët, mbetën të palëkundur, sepse u themelua mbi shkëmbin që është Krishti, ashtu si vetë Ai e tha: “Dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë”. ( Matheu 16 -18)

TË GJITHË THIRRËN: “HOSANA, I BEKUAR ËSHTË AI QË VJEN NË EMRIN E ZOTIT” (JN 12:13).

Si paradoks, historia do të përsëritej, si në Ilirinë e hershme. Kishte ardhur tashmë koha që llambadhen e pashkës duhet ta ndizte një Kryebari, një dhuratë Perëndie, siç thotë Patriarku i Patriarkanës Ekumenike të Stambollit, Bartholomeu i Parë: “Kryepeshkopi Anastas është dhuratë që Zoti i bëri njerëzimit”. Grigja, të gjithë njerëzit kërkonin një Kryebari që t’i udhëhiqte, të ndiznin llambadhen e dritë, të ngjalljes: – Hosana, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit”, (Jn 12:13).

FATLUM KRISHTËRIMI SHQIPTAR, FATLUMË SHQIPTARËT…

17 korrik 1991. Kishte ardhur më në fund në Shqipëri Kryepeshkopi Anastas si dhuratë Perëndie, si bekim i Zotit, si ngjallje për shqiptarët, për ortodoksinë, ashtu si kuptimi i emrit të tij, Anastas, që do të thotë ngjallje. Kryebariu, me dashuri Perëndie, do të mblidhte grigjën, do ta ftonte atë, me urtësi dhe ngazëllim. Erdhi ora e Zotit, Krishti u ngjall! Zoti është me ne, edhe ne me Zotin! Nuk do të na braktisë Perëndia! Dhe Kryebariu ynë do të lutej me shpresëtari për shqiptarët: “O Zot, o Zot, shtjer syrin prej qiellit, edhe shiko, edhe vizito, edhe rregullo këtë vresht, të cilën e ka mbjellë dora jote e djathtë”.

Me kërshëri dhe besim të fortë Perëndie, kudo filloi të dëgjohej fjala e Zotit të ngjallur. Në kushte varri dhe agonie Episkopi i Andrusës, Anastasi, me plot patos dashure për Krishtin që kish në zemër, do të pranonte në heshtje kryqin dhe vuajtjet e tij: “Kushdo që të më vijë pas, le të marrë kryqin e tij dhe të më ndjekë”, Mk.8:34. Dhe hapja e ungjillit në perikopenë e së Premtes të Zezë ishte prolog i udhës së mundimshme të kryqit, që ai do të përjetonte në Shqipëri.

 

 

ME GURËT QË NA SULMONIN, FILLUAM TË RINGRINIM MURET E SHTËPIVE, SI NJËHERË E NJË KOHË TË DHIATËS SË VJETËR…

Të ndiqte gjurmët e udhës së Krishtit, teksa ai po shkonte drejt Tij. Kryebariu ynë do të shkelte dhe do të udhëtonte në të gjithë vendin e djegur, ku asgjë nuk mbretëronte, as fron, siç thotë edhe ai vetë, nuk kishte asnjë fron Kryepiskopal për t’iu ngjitur, por ishte një stol i thyer plot gozhdë, që kishte lënë persekutimi i egër ateist.

As hierarki, as sinod, as institucione, çdo gjë e paralizuar dhe e vdekur. Nga tri episkopatet, 19 zëvendësit hieratikë, 330 enoritë dhe 25 manastiret që kishte Kisha në administrim para 1967, nuk kishte mbetur asgjë. Pasuritë kishtare ishin të konfiskuara, kisha të transformuara në depo, stalla, reparte ushtarake dhe shtëpi kulture.

Nga të gjithë klerikët kishin mbetur vetëm 12 priftërinj, asnjë episkop dhe madje shumica ishin të moshuar. Kjo ishte therëse, trishtuese, madje, pa një gjurmë shprese. Pikërisht në këtë kohë, kur shpresa dhe besimi dukeshin të venitur, Perëndia i mrekullive zgjedh një person, si enë e tij të zgjedhur, si bari për popullin e tij të vuajtur. Misioni i Kryebariut tonë ngjasonte me misionin e 12 apostujve të Krishtit, të cilët predikuan ungjillin e dashurisë dhe të paqes, në kohën e persekutimeve të egra, ashtu si Shën Pavli, që ndërtoi Kishën Apostolike, të Ilirisë së hershme, edhe Kryebariu Anastas do të ecte në gjurmët e tij dhe nuk do t’i trembej piskamës së vdekjes së Kishës, për ta ringjallur, rindërtuar atë, nga varri.

Kudo filluan të ringriheshin muret e shtëpive të tij, si njëherë e një kohë të Dhiatës së Vjetër: “Hyni në portat e tij me falënderim, me lavde kremtojeni, bekoni emrin e tij”. Duhej meshuar pa pushim. Duhej shpresë për shpirtra të pashpresë. Kryebariu ynë duhej të lutej për ata që nuk ishin lutur kurrë prej vitesh, duhej të lutej për ata që e kishin mohuar besimin, të detyruar për të mos u lutur. Pesha e rëndë e kryqit tashmë ishte dashuri për Perëndinë, për rrugëtimin që kishte filluar kryepeshkopi ynë.

POPULLI QË ECTE NË ERRËSIRË PA NJË DRITË TË MADHE…

“Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe”. Fjalët e Isaias po zbatoheshin nga Kryebariu ynë:

“Kush do të shkojë për Mua, tha Zoti? Ja ku jam, dërgomë mua”. Kjo ishte psalmodia që shoqëroi Kryepeshkopin në bindje të vullnetit të Perëndisë, për t’i shërbyer rrugës së Golgothasë që tani mbante mbi shpatulla. Shqipëria, rast unik në historinë botërore. Hera e parë dhe e vetmja kishë që gjendej e shkatërruar, rrënuar, pa infrastrukturë, pa hierarki të saj. Pyetjes së shumë skeptikëve se Autoqefali e Kishës Shqiptare tashmë nuk ekzistonte, sepse nuk kishte një hierarki dhe strukturë që të ushtronte këtë autoqefali, Kryebariu Anastas nuk do të ndalej, por me vullnet të hekurt dhe dashuri të thellë Perëndie do të fillonte me vetëmohim të paparë punën për ringritjen e saj. Psalmi 123 u bë lutja e tij e vazhdueshme:

“NË QOFTË SE ZOTI NUK DO TË KISHTE MBAJTUR ANËN TONË, ATËHERË UJËRAT DO TË NA KISHIN MBULUAR… NDIHMA JONË ËSHTË TEK EMRI I ZOTIT…”

Me dashuri Perëndie, me dorën e djathtë të përqafimit të vreshtit të Zotit, me frymë urtësie dhe paqeje, bashkimi dhe vëllazërimi do të formojë Sinodin e Shenjtë të Kishës prej katër anëtarësh, me hierarkët: mitropoliti i Beratit, hirësi Ignati, mitropoliti i Korçës, hirësi Joani, Episkopi i Apolonisë, hirësi Kozmai dhe kryesekretar atë Jani.

Sinodi i sotëm numëron në gjirin e tij tetë anëtarë dhe sot janë formuar dhe funksionojnë 6 mitropoli. Me kujdesin e kryepeshkopit u arsimua dhe u hirotonis një brez i ri klerikësh, nënshtetas shqiptarë, në Akademinë Teologjike Shën Vlash Durrës dhe në shkolla të larta teologjike jashtë shtetit. Në gjurmë të Shën Kozmait të Kolkondasit të shek.

XVIII, që luftonte për dije dhe arsim, kryepeshkopi ynë si mbjellës i dashurisë dhe dijes përgatiti 150 priftërinj me arsim të lartë që shërbejnë si klerikë në të gjithë vendin, që përcjellin mesazhin e Ungjillit: “Duaj Zotin tënd me gjithë zemrën tënde… dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde” dhe luten në meshën e Shën Joan Gojartit:

“Lutemi për Republikën e Shqipërisë”… Ndërtoi Akademinë Teologjike në Shën Vlash, që sot njihet si Fakulteti i Shkencave Religjioze, 2 shkolla profesionale, 7 gjimnaze jopublike, 4 shkolla 9- vjeçare, universitetin “LOGOS” etj. Puna këmbëngulëse shkencore kishtare ideuar nga kryepeshkopi Anastas, bëri të rregulloheshin statutet e mëparshme, si atë të vitit 1929, kur Shqipëria ishte monarki dhe të dytin 1950, ku në vend ishte imponuar pushteti ateist. Statute, të cilat nuk kishin principet e parimeve kishtare bazë, por ishte një ndërhyrje e brendshme në jetën e kishës.

Me nismën, bekimin, punën dhe përkushtimin e tij, u ndërtua një kishë ku u riorganizuan 460 enori ortodokse, u ngritën nga themelet 150 kisha të reja, të mëdha dhe të vogla, u restauruan 60 kisha, manastire dhe monumente kulture. U riparuan 160 kisha të tjera. Çdo gjë që ua keni bërë këtyre më të vegjëlve, ma keni bërë mua, – thotë Zoti. Ky urdhërim e udhëhoqi kryebariun Anastas që të rindërtojë një infrastrukturë të kishës në më shumë se 70 godina për kopshte, shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, selitë mitropolitane, shtëpi pritjeje, punishte, mensë për të varfrit. 450 objekte ndërtuese sot portretizojnë një kishë me infrastrukturë, që ekziston dhe përcjell mesazhin e dashurisë te të gjithë. Asnjë qenie nuk mund të jetë krejtësisht jashtë përkujdesjes hyjnore, – thotë kryepeshkopi Anastas.

Këto nuk janë vetëm fjalë se jeta e tij ka vërtetuar në praktikë ndërtimin e një kishe të gjallë ndërvepruese, por ajo çka do mbetet në piedestalin e hyjnizimit të rrugës së kryepeshkopit është katedralja e madhe: “Ngjallja e Krishtit, që u shenjtërua në 1 qershor 2014 nga Tërëshenjtëria e tij, patriarku Ekumenik Bartolomeu I dhe nga primatët e të gjitha kishave të Europës”.

SOT, KISHA ORTODOKSE ËSHTË THEMEL I SHPRESËS, SIÇ SHPREHET KRYEPESHKOPI ANASTAS: “LAVDIA E PERËNDISË SHPËRNDAHET NË MBARË KRIJzSËN NJERËZORE”…

Kryepeshkopi Anastas është sot një nga zërat më të dëgjuar të krishterimit të kohës sonë, të globalizmit dhe një nga zërat me të fuqishëm të dialogut mbarëbotëror. Është zgjedhur Zv.Presidenti i Konferencës së Kishave Europiane, President i Këshillit Botëror të Kishave, President Nderi i Konferencës së Feve për Paqe, 2006 e në vazhdim.

 

 

“DUAJINI ARMIQTË TUAJ, BEKOJINI ATA QË MALLKOJNË, U BËNI MIRË ATYRE QË JU URREJNË DHE LUTUNI PËR ATA QË JU KEQTRAJTOJNË DHE JU PËRNDJEKIN”…

Mesazhi i tij i madh “duajini armiqtë tuaj, bekojini ata që mallkojnë, u bëni mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin”, janë motot udhëheqëse të Kishës Ortodokse. Vetëm mbi këtë themel hyjnor, thotë kryepeshkopi Anastas, mund të ndërtohet një shoqëri e shëndoshë dhe njerëzore.

Askush të mos guxojë të përdorë vajin e kandilit për të ndezur zjarrin e urrejtjes fetare. Me këtë postulat, në vitin 2000, me propozim të 33 akademikëve të Athinës dhe Shqipërisë, është nominuar për kandidat për Çmimin Nobel për Paqen.

Ndaj, kryepeshkopi ynë që mban dhe ka emrin Anastas, do të thotë Ngjallje – Ngjallje e Krishtit në Shqipëri, ngjallje e besimit, Ngjallje e Ortodoksisë, Ngjallje e shqiptarëve në këtë përvjetor të 30-të, të Fronëzimit të tij. Për shumë vjet, o Kryezot!

NGA PËRMBLEDHJA E FJALËS SË PËRFAQËSUESIT TË KISHËS ORTODOKSE, IMZOT JOAN PELUSHI, NË CEREMONINË E 30- VJETORIT TË FRONËZIMIT…

Imzot Joan Pelushi tha se, në këtë 30-vjetor, në këtë ngjarje të madhe, duhet të kthejmë kokën mbrapa dhe të kujtojmë gjendjen e kishës para tre dekadash. Kishat, manastiret, ndërtesat kishtare, si edhe e gjithë infrastruktura e Kishës ishte e shkatërruar dhe e rrënuar tërësisht. Hierarkia kishtare ishte asgjësuar. Kishin mbijetuar vetëm disa priftërinj në një moshë të thyer.

Ringritja e saj nga themelet ishte një sipërmarrje shumë e madhe dhe e guximshme, e cila në fillimet e saj gati dukej e pamundur. Pak njerëz do të kishin pasur forcën dhe kurajën për të marrë përsipër një nismë të tillë. Prandaj vepra madhështore e Kryepeshkopit Anastas, në rindërtimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri është e jashtëzakonshme dhe e pashoqe, për të cilën ne të gjithë, jemi mirënjohës përjetë.

Nën drejtimin e tij, me fondet e siguruara po prej tij, janë ndërtuar nga themelet dhe janë restauruar e riparuar me qindra kisha. Janë ngritur, blerë dhe rikonstruktuar shumë ndërtesa, të cilat krijuan strukturën logjistike për funksionimin e jetës kishtare. Nën kujdesin e tij u ngrit Akademia Teologjike Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, ku janë përgatitur dhe vazhdojnë të përgatiten klerikët dhe punonjës të tjerë.

Ringritja nga gërmadhat e Kishës Ortodokse në Shqipëri u realizua, jo thjesht vetëm në kufijtë e saj të mëparshëm, por në një dimension dhe në një nivel shumë më lartë dhe shumë më të gjerë.

Kontributi i Kryepeshkopit Anastas nuk ishte vetëm thjesht në rikonfirmimin e autoqefalisë, por në forcimin dhe konsolidimin e saj, duke ngritur hierarkinë kishtare, autoqefalinë financiare me klerikë dhe teologë të përgatitur. Nëpërmjet kontributit të jashtëzakonshëm në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor, i njohur jo vetëm në rajonin tonë, por në të gjithë botën, ai i ka dhënë prestigj ndërkombëtar Kishës dhe vendit tonë, duke na bërë ne, të ndihemi para botës.

RRUGËTIMI YNË VAZHDON…

Sigurisht, përshëndeti të pranishmit në ceremoni, Kryepeshkopi Anastas, ecuria, rrugëtimi ynë vazhdon përsëri dhe përvoja apostolike qëndron gjithmonë para nesh, për të na udhëhequr në këtë rrugë.

Lutja jonë e thellë është që të ecim në këtë linjë që na ka përcaktuar apostull Pavli, kjo është lutja dhe nxitja që ai na ka dhënë: “Të ecim siç është e denjë për Zotin, për t’i pëlqyer atij në të gjitha” (Kol. 1:10). Duke dhënë fryte në çdo vepër vazhdimisht dhe duke u rritur në njohjen e Zotin Krisht.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.