Kryesore

Mbyllet protesta për Jonadën para Kryeministrisë: Peticion në gjithë Shqipërinë për shkarkimin e ministrave!

21:21 - 08.08.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Raundi i dytë i protestës, në të cilën qytetarët kërkuan dorëqeqjen ose shkarkimin e Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, por edhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano pas ngjarjes së tmerrshme ku humbi jetën vogëlushja në Himarë ka përfunduar mbrëmjen e kësaj të hëne.




Gjatë grumbullimit, qytetarët e vendosur para Kryeministrisë kanë provuar të telefonojnë ‘live’ kryeministrin Edi Rama, për t’i kërkuar dorëheqjen e ministrave si prindër, por megjithëse zilja ra, nuk pati përgjigje.

Më pas ata kanë deklaruar se do të vijojnë të kërkojnë drejtësi për Jonadën dhe paralajmëruan një peticion për shkarkimin e dy ministrave.

“A duhet të mbahet përgjegjësi nga dikush në këtë vend. Ne do vazhdojmë duke kërkuar drejtësi për Jonadën. Ne do të ndërmarrim një peticion në gjithë Shqipërinë, online dhe fizikisht duke i kërkuar kryeministrit të shkarkojë Kumbaron dhe Çuçin. Këtë e bëjmë për Jonadat e tjera”, tha e afërmja e 7-vjeçares.

Protestuesit janë mbledhur para Ministrisë së Brendshme nën moton “Drejtësi për Jonadën”, e cila humbi jetën ndërsa pushonte me familjen në plazhin e Himarës, kur skafi i komisarit Arjan Tase e përplasi dhe i mori jetën në vend. Protestuesit kanë lëshuar thirrje për drejtësi e kundër qeverisë në dyert e ministrisë. Më pas kanë lyer me bojë të kuqe muret e ministrisë së Brendshme.

Një prej protestuesve u shpreh se kjo ngjyrë e kuqe simbolizon gjakun e shkaktuar nga kryeministri Edi Rama si dhe ministrat Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro.

“Sot këtu me ne po shikohen disa protestues që nuk po lënë asgjë pa sharë këtë qeveri. A mund t’i vëmë faj këtyre, kur qeveria nuk merr asnjë përgjegjësi. Si mund të mos i shajmë nga familja.Po i paguajmë me gjak krimet e këtij shteti, vjedhjet që po na bëjnë çdo ditë, shtypjet dhe arrogancën. Sot prindërit shqiptarë keni frikë të kaloni rrugët. Sa prej jush kanë guxim të lënë fëmijët e vegjël që të luajnë në lagje”.

“Po na shkatërrohet jeta të gjithëve nëse nuk reagojmë. Kush e ka rradhën, unë apo ndonjë tjetër, ndonjë fëmijë tjetër. Po na vrasin fëmijët, u kërkojmë ndjesë gazetarëve, motrave për përdorimin e një fjalori të caktuar. Ky është gjaku që ka shkaktuar Edi Rama, ministrja Kumbaro”, tha një qytetar.

Pas protestës, për rreth 30 minuta te Ministria e Brendshme qytetarët janë drejtuar te Kryeministria me thirrjet “Drejtësi për Jonadën”. Ata janë ulur këmbëkryq në bulevard para Kryeministrisë.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, por edhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Demonstruesit vendosën një afat prej 72 orësh, ku kanë kërkuar nga Kryeministri Rama shkarkimin e dy ministrave dhe drejtorit, por duket se ky afat ka skaduar. Protesta mbështetet edhe nga opozita.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.