DOSSIER

“Fejesa e Skënderit me Silva Turdiun si gabim i rëndë politik”, kujtimet e ish-kryehetuesit të diktaturës

07:45 - 10.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mehmet Shehu ka marrë mendimin e ministrit të Punëve të Brendshme për fejesën e djalit të tij!? “Ç‘do të bëje ti në këtë rast?” Ai i është përgjigjur: “Do të vija të të pyesja ty.” Nga këto thënie kuptojmë se kryeministri kërkon edhe një mendim nga ministri në kohën e dilemës së marrjes së vendimit përfundimtar. Pas kërkesës për informacionin për biografinë e familjes Turdiu, ai do të dijë edhe mendimin personal të vartësit të tij, pasi e kishte të qartë procedurën që do të ndiqej, pasi ministri do të pyetej pa diskutim edhe nga udhëheqësi.




Interesimi i pritshëm i udhëheqësit është edhe arsyeja që shpjegon përse kryeministri mori mendimin për fejesën e djalit të tij edhe nga ministri i Punëve të Brendshme. Marrja e mendimit të ministrit të Punëve të Brendshme nga kryeministri kuptohet se është bërë në bisedë e sipër. Nuk ka të dhëna për ndonjë qëllim të paramenduar. Megjithatë, ky fakt mund të interpretohet edhe si një veprim që do ta ndihmonte atë për të ditur më konkretisht edhe mendimin personal të ministrit, si personi zyrtar që ishte kompetent për të dhënat që disponoheshin.

Marrja e mendimit personal të ministrit nënkupton edhe interesimin e kryeministrit që të dinte edhe qëndrimin e tij zyrtar kur të raportonte në Komitetin Qendror. Për kryeministrin ishte e qartë se ministri do ta raportonte me iniciativën e tij këtë fakt, si dhe do t‘i kërkohej edhe zyrtarisht nga udhëheqja në Komitetin Qendror të PPSH-së, ku ai ishte i detyruar të raportonte menjëherë dhe periodikisht problemet më të rëndësishme të ditës, si dhe ato që dilnin në dinamikën e realizimit të detyrave.

Ngjarjet e mëvonshme vërtetuan edhe përgjegjësinë që iu kërkua Feçorr Shehut për qëndrimin e mbajtur për këtë fejesë, e cila u bë edhe pjesë e akuzave penale ndaj tij, si bashkëpunëtor me rëndësi me Mehmet Shehun. Pas informacionit për biografinë, Mehmeti ka marrë vetë vendimin dhe ka dhënë mendimin e tij duke e miratuar fejesën e djalit me vajzën e Turdiut dhe ka vendosur që fejesa të kryhej menjëherë, brenda javës. Mehmeti nuk ka marrë mendimin e Enverit, siç mendohej dhe ishte e pritshme në kushtet e riteve që zbatoheshin në atë kohë në udhëheqjen e lartë të Partisë dhe të shtetit.

Nga shpjegimet e bëra në hetuesi nga të dy djemtë e mbetur gjallë, Skënderi dhe Bashkimi, si dhe nga kujtimet që janë publikuar prej këtij të fundit, mësohen rrethanat komplekse në të cilat Mehmeti ka vendosur për të dhënë miratimin e tij për fejesën. Fejesa u zyrtarizua në familje më 31 gusht 1981. Lajmi i mirëpritur për fejesën e djalit të dytë dhe i kërkuar prej kohësh prej tij, krijoi shqetësim, frikë e pasiguri tek të gjithë; pas diskutimeve, këshillimeve, reagimeve të papritura, hezitimeve impresionuese, më në fund u miratua nga e gjithë familja Shehu, përfshirë së fundi edhe babanë, Mehmetin.

Pas këtij miratimi unanim, sipas traditës shqiptare të krijimit të miqësive të reja, u vu në dijeni familja e vajzës për të ardhur dhe për të festuar bashkërisht fejesën. Qazim Turdiu erdhi me familjen e tij për të bërë bashkërisht me familjen e Mehmetit ceremoninë e fejesës së Silvës me Skënderin. Enver Hoxha nuk u njoftua dhe nuk ka marrë pjesë në këtë ceremoni familjare të pasardhësit të tij. Ai ndodhej me pushime në vilën e tij në Pogradec në kohën që u vendos dhe u realizua fejesa. Janë dhënë mendime të ndryshme përse Mehmeti nuk mori më parë mendimin e tij.

Duke qenë Enveri me pushime, Mehmeti drejtonte faktikisht gjithë veprimtarinë e partisë dhe të shtetit. Kështu, kishte më shumë siguri në vetvete në krahasim me rrethanat që imponoheshin kur Enveri nga shtëpia interesohej dhe i raportohej menjëherë për problemet më të rëndësishme. Por nuk mund të arrihet në përfundimin se këto rrethana do të kenë qenë një nga arsyet kryesore të mosvënies në dijeni dhe mosftuarja për të marrë pjesë në një rast të rëndësishëm të mikut të tij të ngushtë. Në vendimin e marrë nga Mehmetit është analizuar me kujdes edhe mosvënia në dijeni e mikut të tij të ngushtë. Ishte e domosdoshme që udhëheqësi të informohej më parë, megjithatë ai e ka tejkaluar duke mos e respektuar këtë rregull që karakterizonte mentalitetin dhe stilin e metodës së drejtimit të shtetit nga Enveri.

Në marrjen e këtij vendimi te Mehmeti do të ketë ndikuar ndjenja prindërore dhe dobësia shpirtërore për të plotësuar dëshirën e djalit të tij, me gjithë rrezikun e dukshëm të pasojave politike, të cilat, pa i gjykuar shumë thellë, si në rastet e tjera, nuk i ka vlerësuar mirë dhe nuk ka parashikuar intensitetin e përkeqësimit të situatës në dëm të tij, hakmarrjen dhe pasojat fatale që do pasonin së shpejti. Ndikim do të ketë pasur edhe një prirje e tij për të vlerësuar disa shije perëndimore. Ai kishte edhe mendime ku vihej re një ndikim liberal, megjithëse ishte më i ashpri dhe më i dalluari që mbronte dhe zbatonte politikën e Enverit kundër armiqve të brendshëm dhe atyre të jashtëm, imperializmit dhe revizionizmit, përgjithësisht kundër sistemit politik në shtetet e demokracive perëndimore.

Mehmeti në disa raste shprehte mendime që linin të kuptohej për nevojën e hapjes dhe të fillimit të bashkëpunimit me shtetet perëndimore. Në disa fjalime ai është referuar në një thënie që e argumentonte si citat të Leninit, se: “Komunizmi është idealizmi sovjetik plus pragmatizmin amerikan”.

Për zgjidhjen e problemeve të mëdha që dolën pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, ai mbante qëndrime, parashtronte masa dhe merrte vendime të cilat në disa raste referoheshin indirekt në praktikën dhe teorinë në shtetin dhe ekonominë perëndimore. Në fillim të viteve 1970 u blenë në Francë dy makina sportive “Reno”, për Mehmetin dhe Hysniun. U përfol për këtë modë të re të makinave dhe pëshpëritej për shijet perëndimore të kryeministrit. Mehmeti dallohej edhe për qëndrime të tepruara kundër pronës private. Kjo u reflektua edhe kur po bëheshin përgatitjet, diskutimet dhe argumentimi i parimeve dhe neneve për formulimet që do kishin në Projektin e Kushtetutës së Re, në vitin 1972, Mehmeti insistoi në mendimet e tij kundër pronës private. Ai shkroi edhe një shënim, me mendimin që të shkruhej shprehimisht në Kushtetutë: “Ndalohet mbajtja e makinave private nga shtetasit shqiptarë.” Përfundimisht ky formulim nuk u pranua gjatë diskutimeve dhe marrjes së mendimeve në Byronë Politike. Kështu, ai u tërhoq nga ky qëndrim.

Propozimi për t’u fejuar me mbesën e Nexhmije Hoxhës, por i parealizuar.

Janë bërë diskutime për propozimin e Nexhmije Hoxhës drejtuar Skënder Shehut që të fejohej me një mbesë të saj. Fakt është që kjo mblesëri ishte diskutuar dhe nuk u realizua për shkak se ai nuk shprehu interesimin e pritshëm. Me këtë propozim bie edhe pretendimi se Enveri nuk donte që të kishte mblesëri midis familjeve të anëtarëve të Byrosë Politike. Djali i madh i tij u martua me vajzën e vëllait të Ramizit që u bë përfundimisht trashëgimtari i zgjedhur në vend të Mehmetit. Ka pasur mendime se po të ishte realizuar kjo mblesëri, kishte mundësi që të mos ndodhnin pasojat e mëpasshme tragjike për familjen Shehu dhe ngjarjet do të kishin marrë orientim tjetër. Ndoshta Mehmet Shehu do të kishte pasur mundësinë të trashëgonte efektivisht e konkretisht pushtetin e Enver Hoxhës.

Këto mendime mbeten ideale për arsyen e qartë se Enveri nuk ka pasur besim te Mehmeti dhe nuk ka dashur që t‘i kalojë pushtetin pas vdekjes. Për këtë qëllim ka mbledhur dokumente akuzuese ndaj tij dhe ka pritur rastin për ta eliminuar. Në kohën që bëhej fjalë për këtë mblesëri të parealizuar, Enveri kishte vendosur përfundimisht pasardhësin e tij, Ramizin.

Vizita e Enverit dhe Nexhmijes për të uruar Mehmetin për fejesën e djalit të tij.

Ishte e natyrshme dhe e pritshme që Nexhmija dhe Enveri do të ishin të parët që do të shkonin për urim te Mehmeti për vetë marrëdhëniet e ngushta shoqërore dhe traditën e zakoneve popullore. Në ditarin e tij Enveri ka shkruar: E enjte, 3 shtator 1981. “Vamë uruam Mehmetin dhe Fiqiretin për Nelin që u fejua.” Bisedën e zhvilluar në këtë vizitë e ka publikuar të riprodhuar 12 vjet më vonë në librin e tij Bashkim Shehu, që kishte shkuar bashkë me familjen dhe ishte i pranishëm: “… E njoh babanë tënd, profesor Turdiun, – i tha Enver Hoxha Silvës me një të folur të ngadalshme e me zë të thellë. – Kam shumë respekt për profesor Turdiun. M’i bëj të fala. Jam shumë i gëzuar që Mehmeti e bëri këtë fejesë. – Edhe unë e njoh shumë mirë nënën tënde, – i tha Nexhmija. – Kemi qenë shoqe shkolle në kohën e luftës. i bëj shumë të fala nga unë!” Silva shihej dhe takohej për herë të parë me Enverin dhe Nexhmijen. Ky çast i paharruar i kënaqësisë do të ishte më pas edhe fillimi i dramës së dashurisë së saj dhe të dy familjeve që u lidhën me krushqinë që krijuan… Skënder Shehu ka deklaruar në hetuesi pothuajse të njëjtin përshkrim të publikuar nga Bashkimi për vizitën e Enver Hoxhës pas shpalljes së fejesës: “Për urim erdhi Enver Hoxha së bashku me Nexhmijen dhe fëmijët. Në ato vizita, ku ishte e pranishme edhe Silva, dolëm të gjithë së bashku edhe në fotografi. Fotot i ka bërë Sulo Gradeci, i cili shoqëronte gjithmonë Enver Hoxhën dhe dokumentonte momentet më të rëndësishme. Më pas nga këto fotografi Suloja na dha dhe neve nga një kopje, të cilat i mora me vete kur u nisa për në Suedi.

Vizita e udhëheqësit me bashkëshorten e tij do të analizohet e komentohet fillimisht si gjest miqësor midis dy shokëve të ngushtë. Ndryshe nga herët e tjera kur bënin vizita te njëri-tjetri, fotografitë e kësaj vizite aq të mirëpritur nga familja Shehu i ka bërë Sulo Gradeci dhe jo fotografi i familjes. Ky fakt komentohet më vonë sikur parandihej një fund tragjik i familjes numër dy në hierarkinë e asaj kohe, jo më shumë se pak ditë pas atij takimi të dy familjeve më të rëndësishme. Pas disa ditësh ngjarja do të merrte përmasa politike dhe do të fillonte tragjedia e familjes Shehu.

Shoku i ngushtë do të vepronte me gjithë rreptësinë e pushtetit për ta likuiduar si rrezik për pushtetin e tij. Pak ditë pas vizitës së tij të urimit ka ndodhur përplasja e parë e hapur midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Brenda një intervali kohe të shkurtër do të ndodhin ngjarje që tronditën thellë politikën zyrtare dhe treguan se në udhëheqjen e lartë të partisë dhe të shtetit ka probleme të mëdha, ka luftë të ashpër për pushtet dhe do të ndëshkoheshin tradhtarët. Opinioni shoqëror do të vazhdonte të manipulohej me demagogjinë e unitetit në udhëheqjen e partisë.

Në emër të mbrojtjes së parimeve politike të vendosura do të vihej para përgjegjësisë së rëndë shoku më i ngushtë dhe pasardhësi. Me goditjen e pamëshirshme të tij Partia do të dilte më e fortë dhe do të vazhdonte me sukses rrugën e ndriçuar nga mësimet e udhëheqësit të madh marksist-leninist të kohës. Shoqëria dhe miqësia do të degjeneronin në armiqësi dhe viktima do të ndëshkohej me gjithë forcën e propagandës dhe makinës shtetërore të diktaturës. Mendimet e Enverit dhe Nexhmijes në këtë vizitë familjare dëshmojnë se ata kanë qenë të informuar dhe kanë pasur dijeni të hollësishme për biografinë e qëndrimin politik të Turdijve, kanë njohur personalisht Qazim Turdiun, kanë miratuar fejesën e vajzës së tij me djalin e kryeministrit.

Asgjë nuk mund të ndodhte pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre në familjet e personaliteteve kryesore e veçanërisht të anëtarëve të Byrosë Politikë që jetonin në ndërtesat pranë njëra-tjetrës në Bllok. Enveri dhe Nexhmija kanë shpejtuar dhe kanë qenë edhe të parët që vendosën të shkojnë për të uruar Mehmetin për fejesën e djalit të tij, Skënderit me Silvën, vajzën e familjes Turdiu. Me këtë gjest normal miqësor dhe familjar të njohur dhe të respektuar si karakteristikë e popullit shqiptar ata tregojnë se “janë shumë të gëzuar” dhe e miratojnë këtë fejesë. Enveri dhe Nexhmija kanë njohur më parë familjen Turdiu. Ata janë shprehur me vlerësime dhe me respekt për Qazim Turdiun dhe gruan e tij.

Njëkohësisht, është e nevojshme të analizohen edhe nënkuptimet e vizitës dhe vlerësimeve të bëra nga Kreu i Shtetit dhe nga bashkëshortja e tij për pasardhësin e afirmuar, por që do të gijotinizohej më pas. Ata që e vlerësuan fillimisht në mënyrë të dukshme, do të vepronin aktivisht më pas për ta ndëshkuar këtë akt rebelimi të cilësuar si tradhti e shokut më të ngushtë, që do të shërbente edhe si pretekst për akuzën politike dhe eliminimin fizik të kryeministrit, të bashkëshortes dhe djalit të tij. Deklarimi pa rezerva i Enverit dhe Nexhmijes mbi njohjen prej kohe me Qazim Turdiun dhe gruan e tij është një e dhënë që demaskon qëndrimet e mbajtura prej tyre më vonë. Kjo ka vlerën e të dhënave për të akuzuar dhe dyshuar edhe ata vetë për qëndrimet publike e ato të fshehta, për manipulimet e bëra më pas me qëndrimin politik të familjes Turdiu dhe për akuzat politike të bëra ndaj Mehmetit për lejimin e kësaj fejese, cilësimin e këtij qëndrimi si akt tradhtie nga miku më i ngushtë që ishte afirmuar si më i besuar dhe pasardhës i parazgjedhur për të trashëguar pushtetin e tij.

Reagimet për fejesën në opinionin shoqëror kanë qenë të menjëhershme. Lajmi i kësaj fejese të pazakontë nga djali i kryeministrit u përhap me kuriozitet në gjithë qytetin e Tiranës. Në shumë mjedise familjare dhe shoqërore flitej dhe komentohej me tone habitjeje, në disa raste mosbesimi, deri edhe pasigurie nëse lajmi ishte i vërtetë. Të dyja familjet ishin të njohura në kryeqytet për qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre. Ky afrim midis dy botëkuptimeve të ndryshme vlerësohej si respektim i dëshirës së dy të rinjve, por edhe si një dukuri e ndryshimit të mendësive dhe bindjeve që po krijonte praktika të reja të moralit dhe të martesës.

Befasues dhe surprizues ishte ndryshimi i qëndrimeve dhe shembulli që po jepej nga udhëheqja e shquar për qëndrimet në mbrojtje të parimeve ideologjike komuniste dhe traditave të vendosura në shoqërinë socialiste, por që papritur u demonstruan me një fejesë në kundërshtim me kriteret dhe praktikën e vendosur. Kryeministri i njohur për qëndrimet e rrepta në zbatimin dhe mbrojtjen e mësimeve të marksizëm-leninizmit dhe të Enver Hoxhës kishte lidhur një krushqi në kundërshtim me kriteret, u kundërvihej atyre hapur, tregonte për ndryshimin e pikëpamjeve të tij. Ky ndryshim, krejt i pamenduar se mund të vinte prej tij, shkakton edhe kuriozitetin se si do të reagonte udhëheqësi dhe si do të veprohej prej tij në të ardhmen.

Kishte edhe nga ata që me kurajë arrinin të jepnin mendimin e tyre në biseda në rreth të ngushtë shoqëror dhe familjar, se po ndodhnin ndryshime të mëdha në udhëheqje. Për ata që njihnin mirë qëndrimet e rrepta të kryeministrit në respektimin dhe zbatimin me përpikëri të normave të partisë, diskutohej se si kishte mundësi të realizohej fejesa me pëlqimin e tij, duke mos u respektuar parimi biografik i qëndrimit politik të familjes, i vendosur nga normat morale të imponuara nga ideologjia komuniste që ishte bërë edhe normë etike e sjelljeve dhe e mënyrës së jetesës së asaj kohe. Familja Hoxha kuptohet se ndihet e pakënaqur dhe kundërvepron me gjithë forcën e pushtetit që dispononte për të hequr dyshimet për dijeninë e biografisë së Turdijve dhe për të ndëshkuar kryeministrin “rebel”.

Miqësia e re e krijuar papritur midis familjeve Shehu dhe Turdiu bëhet objekt i diskutimeve dhe thashethemeve. Është e natyrshme që lajmi të ishte temë e ditës dhe kudo në Tiranë e gradualisht në gjithë vendin të bëheshin diskutime familjare dhe shoqërore. Por këto diskutime dhe komente tërhoqën menjëherë vëmendje dhe shkaktuan interesim, duke nxitur përgjegjësinë dhe rrezikun për politikën dhe pushtetin absolut. Gjendja morale dhe politike e opinionit shoqëror të tronditur nga ky lajm kërkonte rivlerësim më serioz, studimin e masave dhe reagimin energjik që situata të mos merrte zhvillime të pakontrolluara. Realiteti i ndryshuar krijoi gjendjen e veçantë në familjen Hoxha.

Filluan menjëherë të demonstrohen shqetësimet për diskutimet dhe komentet për mendimet, vërejtjet, kritikat, pakënaqësitë dhe idetë e ndryshme të bëra të njohura në reagimet publike, të cilat kishin ardhur direkt në familjen më të rëndësishme nga të afërm dhe të njohur, apo punonjës të shërbimit me të cilët komunikohej më shumë për shkak të raporteve miqësore të krijuara për një kohë të gjatë. Problem serioz midis familjarëve dhe personave që sillnin të rejat e ditës, komentet me përmbajtje politike dhe ideologjike që bëheshin në Tiranë dhe gjithë vendin për këtë fejesë në Bllok, duke u thyer hapur normat e moralit dhe etikës komuniste të atëhershme që ishin imponuar, vendosur dhe bërë përcaktuese për shoqërinë.

Po diskutohej dhe dëmtohej publikisht politika e partisë dhe po cenohej direkt autoriteti i Enverit. Isuf Kalo, mjek i familjes Hoxha, ka bërë të njohur disa të dhëna që hedhin dritë për reagimet e familjes Hoxha. Ai tregon se menjëherë pas kthimit nga vizita në familjen Shehu, më 3 shtator 1981, një i afërm i gjendur në shtëpinë e tyre i foli Nexhmije Hoxhës për zhurmën që fejesa kishte shkaktuar në qytet. Kur kjo grua, krushkë e familjes, kishte sqaruar se e gjitha kjo vinte nga biografia e vajzës, Nexhmije Hoxha pati kryer vetëm një veprim: kishte thirrur me ngut Sulo Gradecin dhe i kishte kërkuar të dhëna të plota për Silva Turdiun. Urdhri ishte i prerë: informatat duheshin që atë mbrëmje.

Sulo Gradeci ia vuri ato mbi tryezë, bashkë me njoftimin se kishte marrë po ato të dhëna të servirura nga ministri i Punëve të Brendshme, që i kishte pasur në dorë para fejesës edhe Mehmet Shehu. Nexhmije Hoxhës i janë dhënë pothuaj të gjitha dokumentet zyrtare që disponoheshin për Mehmet Shehun dhe familjen Turdiu. Është bërë e njohur se me urgjencë u kërkuan të dhënat biografike për qëndrimin politik. Por në fakt janë marrë të gjitha burimet e disponueshme arkivore. Të dhënat e shumta dhe karakteri i këtij dokumentacioni tregojnë se është kontrolluar dhe analizuar në detaje çdo e dhënë që ka pasur rëndësi për qëllimin e eliminimit përfundimtar të Mehmet Shehut.

Dokumentet dhe të dhënat e tjera me karakter sekret janë marrë nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nga Komiteti Qendror. Ato ndodhen, janë të arkivuara në Arkivin Qendror të Shtetit. Ky qëndrim është komentuar si një situatë e papritur për Enverin. Ai duhej të reagonte energjikisht për rrethanat e reja të krijuara, si dhe për distancimin e mëtejshëm zyrtar nga Mehmeti. Megjithatë, është e domosdoshme të mbahet parasysh se Enveri shkruante dhe dokumentonte fakte e ngjarje me mendimin e tij dhe kishte përherë kujdes në interpretimet që do të bëheshin në të ardhmen. Prandaj nuk mund të jetë e saktë se “Enveri duhet të ketë mbetur tej mase i befasuar nga shënimet e ministrit të Punëve të Brendshme dhe njëherësh nga veprimi i Shehut. Me gjasë, ai është orvatur të kuptojë atë që po ndodhte. Nuk dihet se sa i sinqertë është ditari personal i Enver Hoxhës për këto ditë, por ai hedh dritë disi mbi shkallëzimin e mërisë së Hoxhës ndaj Shehut dhe rolin që kanë luajtur drejtuesit e tjerë komunistë në të.”

Kritika e bërë me këto arsyetime është përgjithësisht një përfundim i drejtë. Por arsyetimi do të ishte edhe me efekt po të mbështetej edhe në të dhënat e njohura për ato ngjarje të zhvilluara edhe me pëlqimin e tyre në urimin e bërë për fejesën nga Enveri dhe Nexhmija. Të dhënat, megjithëse të pakta, tregojnë se nuk ka qenë gjendja e papritur për të arritur në përfundimin se ka qenë një moment që mund të vlerësohet si befasues. Duke u bazuar në rrethanat e zhvillimit të ngjarjeve para dhe pas fejesës, do të ishte më kuptimplote që të vlerësohet qëndrimi i rreptë, distancimi, ashpërsimi në rritje i marrëdhënieve të Enverit me Mehmetin.

Ndarja dhe armiqësia konstatohej dhe thellohej çdo ditë e më shumë, duke vënë në veprim gjithë pushtetin që kishte Enveri. Me këtë këndvështrim del përfundimi logjik se komentet dhe të dhënat zyrtare përdoreshin me qëllim për të argumentuar, motivuar dhe justifikuar reagimin zyrtar, kanë krijuar situatën, momentin që nxiti veprimet e hapura që u shoqëruan me masat drastike zyrtare për deklarimin e qëndrimeve të rrepta për shpejtimin e eliminimit të Mehmet Shehut. Ka rëndësi të nënvizohet se të dhënat e njohura më parë, të pranuara në fakt, morën rëndësinë e kundërt dhe shërbyen për reagimin zyrtar për ndëshkime, duke iu dhënë interpretimin e ri po vetë udhëheqësi kryesor.

Informacioni i ardhur nga Ministria e Punëve të Brendshme ka qenë i njëjtë me dijenitë e mëparshme të Enverit dhe të Nexhmijes. Informacioni me shkrim kuptohet se është dokumenti ku pasqyrohen të dhënat që diheshin, por që nga momenti kur u kërkuan me forcën e pushtetit ato do të merrnin vlerësim më serioz zyrtar, duke u vënë në shërbim të dokumentimit të qëndrimit politik kundër Mehmet Shehut. Duke e analizuar situatën në të gjithë gjerësinë e saj, marrin rëndësinë e tyre edhe faktet e tjera të njohura publikisht, pasi familja Turdiu njihej në Tiranë, përfshirë edhe Enverin e Nexhmijen.

Interesimi i posaçëm i Nexhmijes dhe Enverit për informimin me shkrim për biografinë e familjes Turdiu shpjegohet:

– Me jehonën dhe reagimet në opinionin shoqëror për një fejesë në kundërshtim me parimet që propagandonte politika e tyre zyrtare.

– Enveri dhe figura e tij do të diskutohej gjerë në popull për faktin që e miratoi edhe vetë këtë fejesë.

– Enveri kërkoi për qëllime të caktuara politike dhe mori një dokument zyrtar nga shefi i grupit të tij të shoqërimit, truproja e tij personale, si dhe nga ministri i Punëve të Brendshme. Informimi zyrtarisht e vuri para një fakti, dokumentit zyrtar që kërkonte edhe reagime të studiuara zyrtare.

– Me faktin se një veprim i tillë dëshmonte pavarësinë e Mehmetit në marrjen e vendimeve të rëndësishme pa e pyetur dhe pa marrë paraprakisht mendimin e tyre. Kjo do të thoshte se Mehmeti po distancohej dhe në mënyrë të rrezikshme, duke dëmtuar figurën dhe pushtetin absolut të Enverit në kohën që ai ishte akoma në jetë. Vendimi u vlerësua se ishte i paparashikueshëm dhe ishte një provë që nuk garantonte më besimin e tij në të ardhmen, pas vdekjes së Enverit.

– Mehmeti nuk mund të ishte më pasardhësi i tij, pasi dëmtoi dhe rrezikoi pushtetin absolut të Enverit, megjithëse Mehmeti me kontributin e dhënë ishte afirmuar natyrshëm dhe në mënyrë të merituar si pasardhësi i tij.

– Ramizi, i njohur për qëndrimet e tij, i afruar dhe lidhur familjarisht, vlerësuar si i besueshëm për të ruajtur figurën, vazhdimësinë dhe fatin e familjes Hoxha, doli si domosdoshmëri që sa më shpejt dhe me të gjitha mjetet propagandistike dhe mbështetjen e hapur të Enverit të afirmohej publikisht si pasardhësi.

– Enveri vetë do të shprehej hapur dhe qartë për Ramizin, që të demonstrohej publikisht si pasardhësi, për t‘u dhënë fund diskutimeve dhe për të imponuar bindje dhe nënshtrim, të pranoheshin norma të reja në piramidën e hierarkisë së partisë-shtet, të ambientoheshin me figurën e udhëheqësit të ardhshëm, të nënshtroheshin dhe të mësoheshin të gjithë që ta nderonin, vlerësonin dhe mbështesnin.

– Enveri do të vinte personalisht Ramizin në qendër të vëmendjes së udhëheqjes dhe politikës zyrtare që t‘i rritej autoriteti, të vlerësohej dhe nderohej si pasardhësi, si reprezantuesi i vetëm i partisë-shtet, si personi me pushtetin më të lartë në marrëdhëniet zyrtare dhe ato publike, të vihej në fokus të opinionit shoqëror të brendshëm dhe të jashtëm si Kryetari i ri i Shtetit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.