AKTUALITET

Nafta ra me 30% në dy muaj, por pse në Shqipëri nuk reflektohet ulja e çmimit

21:41 - 10.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Çmimet e naftës kanë rënë në nivele më të arsyeshme pas rritjes së tyre fillestare për shkak të luftës në Ukrainë.




Çmimi i naftës së papërpunuar WTI amerikan ka rënë 28% nga nivelet maksimale të qershorit në 90 dollarë/fuçi sot të mërkurën 10/8. Në të njëjtën kohë, çmimi i Brent ka shënuar një rënie prej rreth 30% nga niveli më i lartë i marsit prej 140 dollarë/fuçi, në 95 dollarë/fuçi, sipas Business Insider.

Por pse po bien çmimet e naftës?

Ekspertët theksojnë se arsyet e uljes së çmimit janë frika e një recesioni, stabiliteti i tregut rus dhe kërkesa e kufizuar. Megjithatë, askush nuk e di ende se çfarë do të ndodhë më pas.

Drejtuesi kryesor i rënies së çmimeve është frika e një recesioni në ekonomitë më të mëdha të botës në vitin 2023. Ngadalësimi i ekonomive çon në një ulje të kërkesës për energji.

Të dhënat e fundit makroekonomike tregojnë për një tkurrje të ekonomisë amerikane për dy tremujorët e parë të vitit. Britania dhe Eurozona pritet të përjetojnë një recesion ekonomik.

“Shqetësimi për shkaktimin e një recesioni tani ka filluar të ndikojë edhe në çmimet e naftës së papërpunuar, duke shkaktuar një korrigjim në rritjen e pakontrolluar”, tha analisti i Oanda, Craig Erlam.

Disa analistë theksojnë se rritja e vlerës së dollarit ka ndikuar edhe në kërkesën globale, duke frenuar çmimet.

Pse nafta është më e shtrenjtë në Shqipëri tashmë që bursa ka çmime më të ulta se në mars?

Çmimi i naftës së papërpunuar në bursa, treguesi Brent, ka rënë së fundmi në rreth 94 dollarë për fuçi, duke arritur në nivelet e para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, pas të cilit, Brent arriti deri në 130 dollarë për fuçi (shiko grafikun e treguesit Brent në fund).

Në tregun vendas nafta aktualisht po tregtohet me 221 lekë për litër, nga rreth 190 lekë për litër që ishte në fund të muajit shkurt, përpara se të fillonte lufta, ndonëse në bursa treguesi Brent është në nivelet e fund shkurtit. Që prej fillimit të muajit mars, çmimi tavan i naftës, benzinës dhe gazit caktohet nga Bordi i Transparencës së krijuar nga qeveria, bazuar në një formulë që merr parasysh kostot e blerjes së produktit, taksat, shpenzimet administrative dhe një marzh fitimi. Çmimi i naftës në vend ka shënuar luhatje të forta gjatë kësaj periudhe, deri në maksimumin e 260 lekë për litër në fillim të marsit, por nuk ka rënë asnjëherë nën 217 lekë për litër (shiko grafikun: Ecuria e çmimit të naftës me pakicë në tregun vendas).

Mos rënia e naftës në tregun vendas me të njëjtat ritme si treguesi Brent në bursat ndërkombëtare ka krijuar shqetësim te konsumatorët dhe shoqatat e biznesit, që kërkojnë transparencë dhe reflektim të çmimeve në tregun vendas.

Në Shqipëri çmimi i naftës vijon të mbetet 40 lekë më i shtrenjtë nëse e krahasojmë me periudhën e para luftës.

Tashmë një fuçi naftë po shitet nën 94 dollarë i cili rezulton se është niveli më i ulët i regjistruar që prej nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë.

Ulja e çmimit të naftës ka ardhur si pasojë e shtimit të prodhimit nga OPEC me gati 100 mijë fuçi në ditë. Ky vendim ka ardhur pas frikës për rritje të mëtejshme të nivelit të inflacionit dhe një recesioni tjetër ekonomik pas atij të COVID.

Nafta ishte rritur në mbi 120 dollarë për fuçi në fillim të vitit. Një rikthim i papritur i kërkesës pas pandemisë COVID-19 përkoi me ndërprerjet e furnizimit që rrjedhin nga sanksionet ndaj prodhuesit kryesor Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.

OPEC-u, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë treguar të gatshme të ofrojnë një “rritje të konsiderueshme” të prodhimit të naftës nëse bota përballet me një krizë të rëndë furnizimi këtë dimër.

Por pavarësisht uljes së çmimit të naftës në bursë në Shqipëri një litër naftë vijon të shitet më shtrenjtë se periudhën para agresionit rus në Ukrainë.

Vendimi i fundit ka përcaktuar se një litër naftë do të shitet me 221 lekë i cili rezulton se është 40 lekë më shtrenjtë se çmimi me të cilin nafta shitej në vend në muajin shkurt.

Gazeta Shqiptare 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.