DOSSIER

Kujtimet e Qemal Lames: Pse diktatori i besonte më shumë Ramizit si pasardhës!

07:40 - 12.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Qemal Lame




Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Më 11 shtator 1981.

Biseda prej tri orësh në studion e Enverit me Mehmetin, më 11 shtator 1981, njihet pjesërisht, kryesisht përmes kujtimeve të Bashkim Shehut, si dhe të Nexhmije Hoxhës. Për të kuptuar dhe njohur më nga afër situatën e zhvillimit të ngjarjeve të asaj dite, ndihmon edhe e dhëna nga mjeku personal i Enverit, i ndodhur atë ditë në rezidencë. Ai ka bërë të njohur se motra e pamartuar e Enverit, Sanoja, u kishte folur me dëshpërim dhe zhgënjim disave prej atyre që ndodheshin në një nga dhomat ndihmëse atë ditë: “Si të mos mërzitet Enveri, kur ia kanë me hile edhe shokët më të ngushtë të zemrës së tij!”

Deklarata e motrës Sano tregon për mendimin e përgjithshëm të familjes Hoxha, e cila është zemëruar me pabesinë dhe armiqësinë e vendimit të Mehmetit. Por në fakt ajo ishte pranuar prej tyre dhe më pas u ndryshua qëndrimi dhe u përdor si shkak për të akuzuar kryeministrin. Miqësia do të prishej për arsye politike, duke u kthyer në armiqësi të egër dhe hakmarrje, me tronditje të mëdha personale dhe familjare, kundërvënie zyrtare, masa të shoqëruara me akuza të rënda tradhtie, represioni të drejtpërdrejtë politik dhe të zbatimit të hapur të dhunës shtetërore, njëlloj si edhe në rastet e armiqve të mëparshëm.

Miqësia midis udhëheqësit dhe pasardhësit do të tregonte publikisht se ajo ishte në të vërtetë false dhe një manovër propagandistike. Miqësia e idealizuar do të demaskohej me demonstrimin me tiparet më negative të karaktereve të imponimit e forcës së pushtetit, linçimit të personalitetit dhe dinjitetit, të fajësimit, megjithëse pa faj, duke iu nënshtruar eliminimit me gjyqin politik në Byronë Politike. Siç kishte treguar gjithë periudha e socializmit, gjykimi politik ishte forumi më i lartë i ndëshkimit larg opinionit shoqëror.

Ai do të vihej në fokusin e politikës së përditshme zyrtare, për t‘u legalizuar dhe solidarizuar nga populli duke u shoqëruar me masat shtetërore e ligjore, hetimin, gjykimin e dënimin me vrasje nga gjykata dhe më pas në fshehtësi dhe në kundërshtim me normat njerëzore, me zhdukjen e kufomave dhe të varreve të viktimave. Në rast se Mehmeti do të ishte me të vërtetë më i besuari, personi më i aftë i preferuar dhe i parashikuar si pasardhës, Enveri do të vepronte me kujdes për të sqaruar të dhënat e pretenduara si të panjohura më parë dhe do të gjente mënyrën më dinjitoze për t’i dhënë zgjidhje duke ruajtur edhe dinjitetin, miqësinë, vlerësimet për rolin dhe kontributin e tij historik.

Kështu do të ruante edhe figurën e tij dhe do të mbështeste pa lënë dyshime dhe pasoja për pasardhësin. “Të dhënat” që u konsideruan si tronditëse kishin qenë përgjithësisht në atë kohë të njohura nga Enveri. Ato nuk kishte asnjë arsye që të përdoreshin si pretekste për të vënë në provë miqësinë dhe të shfrytëzoheshin me arrogancën e pushtetit absolut për të imponuar nënshtrimin, dënimin dhe eliminimin e figurës më të rëndësishme pas tij, të Mehmetit. Masat e ritualeve të njohura për shpalljen e personaliteteve të larta si tradhtarë, komplotistë, spiunë, poliagjentë etj., si dhe dënimin e tyre me gjithë ashpërsinë e mundshme të forcës së represionit shtetëror, do të viheshin në lëvizje me shpejtësinë më të madhe të makinës politike që do të inskenonte në mënyrën më të perfeksionuar, por edhe më banale, ngjarjet dramatike që demonstruan publikisht ndarjen përfundimtare midis dy personaliteteve më të rëndësishme të asaj kohe.

Vila në dispozicion të Enverit për banim ishte në fakt edhe selia e tij zyrtare, por edhe si klinikë personale për mbajtjen nën kontroll të gjendjes së tij shëndetësore që shkonte drejt përkeqësimit të pamundur për t‘u ndalur, me gjithë kujdesin maksimal të mundshëm të shëndetësisë shqiptare dhe këshillave të specialistëve të njohur në botë. Ajo ishte realisht selia ku ideoheshin dhe merrnin fuqinë masat më të rëndësishme të detyrueshme për zbatim nga institucionet partiake dhe ato shtetërore. Pas tetë ditësh udhëheqësi dhe pasardhësi do të takoheshin dhe do të bisedonin në dhomën e punës të Enverit. Për tri orë rresht do të diskutohej për gabimet e mëdha politike të bëra me miratimin e bërë nga Mehmeti për fejesën e djalit të tij dhe do të imponohej fati i prishjes së dashurisë së ndaluar.

Enveri do t‘i jepte goditjen përfundimtare e shkatërrimtare Mehmetit, duke e ndëshkuar dhe eliminuar përfundimisht. Hakmarrjen e tij ai e dëshmoi me akuzat e maskuara për fejesën si shenjë të pabesisë dhe si devijim i rëndë ideologjik dhe i ndëshkueshëm politik. Të dhënat tregojnë se në brendësi të ndërgjegjes të dyja këta personalitete që në fillim kanë pasur vlerësime për njëri-tjetrin të bëra zyrtarisht në konfidencë dhe publikisht. Por janë vërejtur edhe distancime, presione në vetvete nga ndjenja të rivalitetit dhe të konsolidimit të pushtetit personal. Enveri e kishte vlerësuar dhe mbështetur pasi Mehmeti ishte i përgatitur dhe i aftë për çdo detyrë, duke treguar dhe dëshmuar besnikëri.

Megjithatë, Enveri kishte edhe mendimin se me kokëfortësinë, mendjemadhësinë dhe pavarësinë e tij, Mehmeti bëhej edhe një rrezik për pushtetin dhe vazhdimësinë e sundimit të tij. Situata e ngarkuar me akuzat politike dhe insistimi për t‘u thelluar në autokritikën e tij ka shtuar presionin psikologjik te Mehmeti, i cili nuk kishte zgjidhje tjetër, veç të priste përfundimin e ritualit të njohur të eliminimit të tij si kundërshtar politik i rrezikshëm. Enver Hoxha ka imponuar bindjen te Mehmet Shehu për të vendosur prishjen e fejesës Enveri me autoritetin e tij të padiskutueshëm ishte në realitet idhull edhe për Mehmetin.

Megjithëse kryeministri njihej si shumë i rreptë në qëndrime dhe i vendosur në vendimet që merrte, dëshmonte në çdo rast dhe për çdo problem bindje të plotë dhe nënshtrim ndaj çdo mendimi dhe vendimi të Komandantit të idealizuar deri në hyjnizim! Biseda e mbetur misterioze midis Enverit dhe Mehmetit nuk është gjetur në AQSH, në Komitetin Qendror, në Këshillin e Ministrave, zyrat dhe kasafortat e tyre zyrtare dhe personale, fondin arkivor të Enver Hoxhës dhe atë të Mehmet Shehut. Nexhmije Hoxha nuk ka dhënë shpjegime për këtë bisedë dhe nuk ka dhënë as sqarime për fatin e kasetës së incizimit apo të dorëshkrimit të vendosur në kasafortë, siç ka deklaruar vetë Enveri në Ditarin e tij personal.

Kaseta e incizimit mendohej se ndodhej në materialet që Nexhmije Hoxha mori nga kasaforta pas vdekjes së tij. Por as nuk e publikoi. Ky fakt tregon edhe interpretime të ndryshme në situata të caktuara politike. Enver Hoxha, në shtator të vitit 1972, përballej me pasojat e situatës politike të krijuar pas goditjes prej tij të grupit armiqësor të komplotit në ushtri, të kryesuar nga Beqir Balluku. Në atë kohë ai ka pësuar një infarkt të rëndë në zemër dhe gjendja e tij shëndetësore ishte e rëndë për një periudhë të gjatë. Veprimtaria e tij zyrtare ka qenë e kufizuar në problemet më të rëndësishme dhe vendin e drejtonin faktikisht në organizmin partiak, Hysni Kapo, dhe në atë shtetëror, Mehmet Shehu.

Këta persona dhe në përgjithësi udhëheqja, përfshirë edhe Nexhmijen, viheshin në dijeni nga informimi zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe nga lajmet e kategorizuara si tepër sekrete të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, të njohura si “Axhanse”, të përgatitura dhe shpërndara vetëm për Byronë Politike. Në formën zyrtare, apo nga informimi i vazhdueshëm nga Nexhmija, në kohën më të përshtatshme, Enveri është njoftuar ose ka pasur dijeni për përmbajtjen e kësaj vjershe. Natyrshëm edhe ai ka dhënë mendimet e tij.

Përderisa nuk reagoi para se të shkonte për vizitë në familjen e Mehmetit për të uruar për fejesën, mund të thuhet se në ato çaste nuk është penguar nga kjo e dhënë, por të cilën e ka shfrytëzuar mirë menjëherë sapo u shkaktuan reagime në opinionin e popullit dhe iu dorëzuan zyrtarisht të dhënat nga Sigurimi i Shtetit, me kërkesën e tij, për biografinë e familjes Turdiu. Më datën 3 shtator 1981, pas vizitën në familjen Shehu, në mbrëmje, me anë të shënimit të bërë “me porosi të udhëheqësit kryesor” (formulim konciz, i njohur zyrtar, i vendosur në rastet përkatëse në dokumentet “sekrete” dhe “tepër sekrete”, që i referohej Enver Hoxhës), është kërkuar dhe është marrë nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dosja e Arshi Pipës. Me këto të dhëna agjenturore Enveri ka siguruar edhe dokumentet që do të përdoret në bisedën e datës 11 shtator 1981 me Mehmetin.

Këto të dhëna janë bërë objekt i diskutimit dhe kanë shërbyer si prova për të vërtetuar veprimtarinë armiqësore dhe tradhtinë. Në bazë të tyre është motivuar edhe marrja e vendimeve në mbledhjen sekrete më 16 dhjetor 1981, në mbrëmje, në Pallatin e Brigadave, ku Mehmeti nuk u njoftua, për t’u dënuar në mungesë. Kjo mbledhje ka shërbyer edhe për të përgatitur dhe nxitur edhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike për mbledhjen e nesërme, më 17 dhjetor 1981. Enver Hoxha është vënë para dilemës së alternativës që kërkonte zgjidhje të detyrueshme dhe përfundimtare: Të vazhdonte që të pranonte formalisht rritjen e mëtejshme të pushtetit të Mehmet Shehut si pasardhës, apo t‘i jepte goditjen përfundimtare dhe të zyrtarizonte si pasardhës Ramiz Alinë që ishte futur thellë në familjen e tij dhe kishte arritur të ndikonte tek Enveri për të rishikuar dhe vendosur përfundimisht për njeriun që do të zgjidhte dhe vendoste si pasardhës dhe garantues të dinastisë që vendosi për afro 45 vjet me pushtetin e tij të hekurt.

Tek Enveri, Nexhmija dhe pjesëtarët e tjerë kuptohet se ishte konsoliduar mendimi i tyre për t‘u mbështetur te Ramizi, me të cilin kishin edhe lidhje familjare, në krahasim me Mehmetin që nga karakteri ishte më i ashpër, më i distancuar dhe u largua më tej me vendimin e pavarur për fejesën. Marrja e këtij vendimi kushtëzohej nga motive të sigurisë për vendimin përfundimtar dhe të garantimit të vazhdimësisë së pushtetit të tij. Edhe populli e kishte kuptuar rolin e madh të Nexhmijes për ruajtjen e pushtetit dhe vazhdimin e sundimit të dinastisë Hoxha.

Kundërshtimi dhe zemërimi u dukën qartë më vonë, në vitin 1990, kur filloi lëvizja për demokraci me parullën: “Poshtë Nexhmija dhe dinastia”. Në këtë situatë të marrjes së vendimit përfundimtar për pasardhësin pas vdekjes, ishte e nevojshme edhe përgatitja e kushteve për ta bërë fakt dhe legalizuar në mënyrë zyrtare. Për këtë qëllim u propagandua se u gjetën të dhëna të reja biografike. Ky ishte një manipulim për të përligjur përdorimin e një preteksti që do të kishte më shumë efekte për propagandën që do të vihej në funksionim për dënimin e Mehmet Shehut. Në bazë të këtij pseudoargumenti filloi të tensionohej qëllimisht situata politike kundër Mehmet Shehut dhe të viheshin në zbatim masat për eliminimin e tij.

Me paramendim u mbivlerësuan të dhënat biografike me qëndrimet e njohura politike, u shfrytëzuan, në radhë të parë, dokumentet që posedoheshin prej kohësh për qëndrimin politik të familjes Turdiu, si dhe të të afërmit të tyre Arshi Pipa. Me këtë bazë të dhënash të vlerësuara edhe si prova Mehmet Shehu do të akuzohej se kishte devijuar nga vija e Partisë, kishte bërë me qëllim të paramenduar një gabim politik, kishte lidhur miqësi me një familje me qëndrime dhe veprime aktive armiqësore, të cilat kishin arritur deri edhe në njollosjen e figurës së Enver Hoxhës. Me këtë akuzë Mehmeti do të cilësohej armik, do të goditej autoriteti i tij si personi më i rëndësishëm pas Enverit, do të vihej në dyshim qëndrimi i tij në të ardhmen, nuk do të besohej më tej në të si pasardhës i afirmuar i udhëheqësit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.