LAJMI I FUNDIT

Votimi i emigrantëve/ Flet Ilirjan Celibashi: Regjistrimi do jetë online, të dhënat në “dorë” të sigurt! Në shtator diskutojmë me partitë dhe qeverinë…!

15:30 - 15.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në shtator, partitë politike dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisin diskutimet për draft-vendimin që i ka vendosur përpara kryekomisioneri Celibashi për regjistrimin e votuesve nga jashtë. Në një intervistë për gazetën “Panorama” kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi u shpreh se regjistrimi i shqiptarëve që dëshirojnë të votojnë për zgjedhjet e përgjithshme të 2025 nga vendi ku jetojnë jashtë Shqipërisë do të bëhet përmes një aplikacioni që do administrohet nga KQZ-ja.




Ndërkohë para se të bëj regjistrimin për të votuar nga jashtë, qytetari shqiptar do duhet të çregjistrohet dhe të heq emrin nga lista e votuesve në Shqipëri. Sakaq, kryetari i KQZ-së sqaroi se drafti ka të bëj vetëm me krijimin e një indeksi te votuesve nga jashtë, ndërsa do të jetë një fazë tjetër vendimmarrje nëse do kemi të bëjmë me një qark të posaçëm për emigrantët apo votat e tyre do të llogariten atje ku kanë gjendjen civile. Sakaq në lidhje me zgjedhjet lokale të 2023, Celibashi tha se në shtator do të nis diskutimi edhe për shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik në bashkitë kryesore të vendit.

I keni dërguar një draft partive politike për regjistrimin e fituesve nga jashtë, si do procedohet për votuesit e diasporës?

Ky është drafti i katit të parë që synon që procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë ta vendosin në kuadrin e një kuadër rregullator në përputhje me parashikimet e kodit zgjedhor. Është akti që përcakton rregullat në lidhje me regjistrimin e atyre votuesve shqiptar që kanë vendbanim të përhershëm jashtë territorit jashtë Republikës së Shqipërisë dhe duan të votojnë atje ku kanë vendbanimin. Në vlerësimin tonë të shprehur në përmbajtjen e draftit, akti garanton nga njëra anë të gjithë transparencën e procesit, por edhe sigurinë e procesit të regjistrimit të votuesve. Është hapi i parë konkret mbi gjithë procesin e ndërtimit të arkitekturës, rregullatorë të votimit nga jashtë.

Po për procesin e votimit do të ketë një akt tjetër?

Të gjitha aspektet e tjera të procesit të votimit nga jashtë do të normohen nga aktet që do miratojë KQZ-ja. Përfshirë këtu jo vetëm mënyrën e votimit apo të llogaritjes së rezultatet e zgjedhjes por edhe aktet e tjera që e rregullojnë këtë proces. E formojnë nga pikëpamja rregullatore dhe në fund të fundit krijojnë të gjithë atë premisën juridike rregullatorë që ky proces të zhvillohet i sigurt dhe i besueshëm nga të gjitha palët, por edhe transparent.

Z. Celibashi, e keni marrë vështirësinë e emigrantëve për t’u regjistruar, adaptimin e tyre me teknologjinë?

Mendoj që në tërësi procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë përfshirë edhe aspektin teknik, është i thjeshtë dhe lehtësisht i përdorueshëm nga kushdo dhe nga cilado kategori, gjini apo moshë e votuesve nga jashtë. Do të jetë një aplikacion i thjeshtë nëpërmjet, të cilët votuesi që banon jashtë ka interesin për të votuar e plotëson me të dhënat e tij identifikuese. Këto të dhëna kryqëzohen me të dhënat e tij në regjistrin themeltar të gjendjes civile në territorin e Shqipërisë. Ka disa mënyra verifikimi që lidhen nëpërmjet ose të dhënave biometrike apo mënyrat e tjera që ne na provojnë se ai që po bën aplikimin është shtetasi real që ka interesin për të votuar atje ku ka vendbanimin. Aplikacioni është i thjeshtë nuk është i ngarkuar. Besoj që nuk do ketë probleme. Megjithatë ky është një draft dhe është në fazën e draftimit dhe duhet thënë që ky proces i draftimit është bërë në konsultim me përfaqësues të organizatave që përfaqësojnë shqiptarët me vendbanim të përhershëm jashtë Shqipërisë. Ja kemi dërguar edhe partive politike pasi përpara se ta fusim në një proces institucional ua kemi shpërndarë edhe subjekteve të tjerë të interesuar për këtë proces. Natyrisht që koha nuk është shumë e përshtatshme tani sepse shumica e të interesuarve janë me pushime por me fillimin e muajit shtator, drafti do i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimesh.

Në procesin që përmendet në draft për regjistrimin e votuesve nga jashtë, thuhet se aplikantët do të dërgojnë edhe një foto të kartës së identitetit, pas edhe atyre se çfarë ndodhën rreth një vit më parë ku dolën databazat, sa të sigurta do të jetë në këto të dhëna të votuesve?

Qytetarët do tu duhet të japin të dhëna edhe më sensistive sesa karta e identitetit sepse nëse ne do vendosim që identifikimi dhe verifikimi i identitetit të votuesit nga jashtë të bëhet përmes dhënies nga ana e tij të të dhënave biometrike, janë më shumë sensitive sesa ngarkimi në platformë i kopjes së dokumentit të identifikimit. Duke qenë se janë të dhëna personale të karakterit sensitiv, KQZ-ja është përpjekur që të tregojë të gjithë kujdesin nga ana teknike që këto të dhëna qoftë edhe në mënyrë të pakujdesshme të mos rrjedhin jashtë sistemeve të cilat administrohen nga KQZ-ja, por eventualisht edhe nga institucione të tjera. mbajtur në vëmendje edhe eksperiencat jo shumë të mira në këtë çështje na ka bërë që të kemi kujdes të shtuar në administrimin e të dhënave personale të votuesve që gjenden jashtë Shqipërisë. Por, kjo vlen edhe për votuesit brenda territorit. Sepse edhe për ata ka të dhëna sensitive. Të gjithë ne si institucione shtetërore publike do duhet të tregojmë të gjithë kujdesin e duhur nga pikëpamja teknike por edhe nga pikëpamja normuese që të mos kemi asnjë problem dhe të mos cenohet integriteti i këtyre të dhënave.

A kanë shpallur interes partitë politike deri më tani, sepse në email-in që u keni dërguar përfaqësuesve keni thënë që deri në fund të gushtit mund të ketë një mbledhje shqyrtuese?

Nuk besoj se do jetë fundi i gushtit për shkak të situatës së pushimeve, por fillimi i pushimeve do të na gjejë me një proces konsultimi intensiv. Ne ua kemi nisur në këtë periudhë, sepse e kemi pasur vendosur si objektivin tonë që fundi i muajit korrik të kishim draftimin e projekt-aktit të parë në lidhje me procesin e votimit nga jashtë. Me siguri muaji shtator do jetë ai i cili do të na përfshij të gjithëve në proces konsultimi real. Ka pasur interes nga përfaqësues të partive politike edhe më herët sesa të dërgohej drafti.

Regjistri që do krijohet, do jetë një i vetëm apo emrat do të shpërndahen në bazë të zonave ku votuesit janë të regjistruar në gjendjen civile?

Kjo lidhet me faktin si do llogaritet vota e tyre. Ajo që ka rëndësi në procesin e parë ka të bëj me evidentimin e qartë të vullnetit të atyre që duan të votojnë atje ku kanë vendbanimin. Emrat e tyre do hiqen nga lista e zgjedhësve të njësive vendore ku ata kanë regjistrin e gjendjes civile. Pra, nëse një votues banon në mënyrë të përhershme në Romë dhe ka deklaruar (se ky është kusht që ti nuk mund të votosh atje ku ke vendbanimin nëse më përpara s’ke bërë deklarimin e vendbanimit të përhershëm). Për t’u kthyer te përgjigja e pyetje: regjistrimi i tyre sjell thjesht dhe vetëm çregjistrimin nga lista e zgjedhësve që votojnë brenda territorit. Pastaj si do llogaritet vota e tyre është një çështje që i takon një diskutimi tjetër.

Ka bërë KQZ-ja ndonjë përllogaritje se si do të ishte më e barabartë vota e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë. Pra do të ketë një qark të posaçëm për ta apo të shpërndara atje ku kanë jetuar në Shqipëri, atje ku kanë regjistrin civil?

Vlen e njëjta përgjigje sikur pyetja se cili sistem zgjedhor garantonin barazinë e votës. Të gjitha sistemet zgjedhore janë të tilla që sigurojnë shprehjen e qartë të vullnetit të qytetarëve për zgjedhjet e tyre politike. por në kushtet e caktuara historike e sociale, vende të ndryshme synojnë të zgjedhin vende të ndryshme zgjedhore. Nuk mendoj që janë sistemet zgjedhore ato që në njërin version i japin peshë më shumë votës së qytetarëve dhe në versionin tjetër i ulin peshën. Janë thjesht dhe vetëm zgjedhje të përmbushjes së interesave të politikës së momentit, por lidhen edhe me natyrën e shteteve të qeverisjeve, karakteristikave historike sociale që përcaktojnë.

Jo shumë larg, Presidentit të ri do duhet që të caktoj datën e zgjedhjeve lokale, ndërkohë komisioni i reformës zgjedhore është mbledhur vetëm për konstituimin, ndërsa po punohet për reformën territoriale. A jemi vonë dhe mund ta vendos KQZ në vështirësi një produkt në këto kohë?

Jemi vonë, por është një çështje që i takon partive politike, i takon Kuvendit nëse ata e vendosin që të bëhen ndryshime të ndarjes administrative, do bëhen dhe askush prej nesh të paktën në pikëpamjen institucionale s’i ka rezervuar të drejtën vetes të shprehin konsideratat pozitive apo negative. Mbesin shqetësim dyshimet që lidhen me normimin e procesit zgjedhor, ndodhin në momentin e fundit e duke qenë të tilla, nuk kanë impakt pozitiv në cilësinë teknike të përgatitjes së procesit zgjedhor.

Mund të na çojnë në një raport kritik nga ODIHR?

Jo domosdoshmërish sepse nëse ka vullnet nga të gjitha palët për të zbatuar rregullat që janë në fuqi edhe nëse këto të fundit në pikëpamjen numerike ato që do duhet të ishin. Nëse ka vullnet edhe një Kod Zgjedhor me një faqe mund të garantoj zgjedhje të ndershme dhe të barabarta. /Gazeta Panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.