DOSSIER

“Ramizi do trashëgonte pushtetin, Kadriu do bëhej kryeministër”, libri i ish-kryehetuesit të diktaturës

07:33 - 23.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Qemal Lame




Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Familja Hoxha me mendime, argumentime e vlerësime të ndryshme!

Liljana dhe Sokoli kanë mendime të ndryshme nga pjesëtarët e tjerë të familjes, për vetë distancimet që kanë ndodhur gjatë një periudhe të gjatë kohe. Familja që ishte e idealizuar, pas vdekjes së Enverit nuk ruajti unitetin e mëparshëm. Ndodhën ndarje që tregojnë për mosmarrëveshje dhe grindje familjare. Nexhmija dhe Iliri e Teuta vazhduan jetesën e përbashkët. Sokoli dhe Liljana veçohen.

Pranvera dhe i shoqi i saj, Klement Kolaneci, po kështu të veçuar. Të gjithë pjesëtarët e familjes Hoxha ruajnë mendimin e përbashkët se Mehmet Shehu vrau veten në kushtet e tronditjes së fortë psikike. Te shkaqet e vetëvrasjes veçohen Sokoli dhe Liljana, të cilët akuzojnë Ramizin dhe Kadriun për presionin e madh që kanë ushtruar ndaj Mehmetit. Nga kjo ngjarje do të përfitonte Ramizi, që do të trashëgonte pushtetin dhe Kadriu do të bëhej kryeministër. Ramizi do të ndante pushtetin me Nexhmijen.

Enverin e fokusojnë në pasivitet, të shqetësuar për ngjarjen, ka vënë në provë Ramizin për të kuptuar qëndrimin e tij. Mehmeti duhet të kuptonte se Enveri do ta falte si edhe në rastet e tjera të gjaknxehtësisë etj. Analiza e mendimeve të deklaruara nga Sokoli dhe Liljana tregon për qëndrime subjektive që nuk mund të jenë bazë për vlerësimin e ngjarjeve dhe zgjidhjen përfundimtare të enigmës së vrasjes ose vetëvrasjes: Sokoli dhe Liljana, të dy janë të bindur për vetëvrasjen dhe shkaqet i adresojnë te Nexhmija e Ramizi; Enveri ka mbajtur qëndrime zyrtare në “Tablonë sinoptike” dhe ka drejtuar me rreptësi mbledhjet e Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror; Vetëm Enveri dhe vetëm ai vendoste edhe për fatin e Mehmetit.

Asnjë vendim nuk merrej nga personat e tjerë për qëndrimin ndaj Mehmetit; Nuk mund të pranohet se Ramizi e Kadriu do të guxonin të vrisnin Mehmetin me iniciativën e tyre; Në rast se do të pretendohet se Enveri do ta falte Mehmetin, ky do të ishte një mendim që as mund argumentohet bindshëm për vetë rrethanat e kohës dhe qëndrimet në vazhdimësi të Enverit, i cili ka eliminuar bashkëpunëtorët e tij të ngushtë për interesat e ruajtjes së pushtetit të tij absolut deri në vdekje; Plani për ndërhyrjen ushtarake ndaj Jugosllavisë për mbrojtjen e Kosovës, si dhe shqetësimet e Enverit për ngjarjet e asaj kohe në Kosovë, mbivlerësuar dhe legjenduar pas tridhjetë vjetësh për të mbrojtur Enverin dhe larguar përgjegjësitë e fajet e tij, si dhe për të ndikuar në vlerësimin e tij si nacionalist, por ai vetë mbrojti pushtetin personal si në rastin e kërkesës që i bëri Titos që Shqipëria të bëhej një nga republikat e Jugosllavisë.

Mendimet e pjesëtarëve të familjes Hoxha është e nevojshme të analizohen në këndvështrimin e dijenive të tyre, të përgjegjësive që dyshohen ndaj Enverit, si dhe të provave të njohura. Ramiz Alia pas 30 vjetësh deklaron “mendimet” e tij dhe fsheh përgjegjësinë për dyshimet e bëra publike për vrasjen e Mehmetit. Ramizi vazhdon të propagandojë se edhe Enver Hoxha ishte i mendimit që Mehmetit t’i jepej ajo masë dënimi që u propozua në Byro.

Enveri më tha: “Edhe unë jam dakord me propozimin që bëre ti, “vërejtje në kartën e regjistrimit”. Ai ka shpjeguar se: “Edhe E. Hoxha ishte i mendimit që Mehmetit t’i jepej ajo masë dënimi që u propozua në Byro. Këtë unë e di mirë, sepse pas mbarimit të pjesës së parë të mbledhjes më 17 dhjetor, kur po shkonim më këmbë në shtëpi, Enveri më tha: “Edhe unë jam dakord me propozimin që bëre ti, “vërejtje në kartën e regjistrimit”. Këtë do ta them edhe në diskutimin tim nesër”, kur do të mbahej seanca e fundit e mbledhjes së Byrosë. Por të nesërmen Mehmeti kishte vrarë veten.”

Këto deklarime të Ramizit nuk mund të vlerësohen objektive. Vetë masa e vërejtjes që ai pretendon, tregon për një justifikim që nuk mund të pranohet si justifikim për arsye se justifikimi nënkupton maskimin për masat e rënda.

Në rast se Enveri dhe Ramizi do të kishin si qëllim marrjen e masës së vërejtjes, ata do të kishin reaguar me kohë për dhënien e mendimit për masën me vërejtje. Në qëndrimet e tyre dhe të anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, që i mbështesnin pa asnjë rezervë, nuk do të ishin reflektuar të njëjtat qëndrime të rrepta, deri edhe agresive kundër Mehmetit. Kërkesa ultimative për t’u thelluar në gabimet dhe në autokritikën nënkuptonte se ata nuk mjaftoheshin me masën e vërejtjes. Ata kërkonin që Mehmeti të deklaronte ashtu siç donte Enveri, ashtu siç kishte paragjykuar, vendosur në mbledhjen e Byrosë Politike më 16 dhjetor 1981 pa praninë e Mehmetit. Siç dëshmuan ngjarjet e mëvonshme, ai u shpall menjëherë armik, tradhtar, poliagjent.

Vetë Mehmeti do ta ndiente veten në kushtet normale të diskutimit në pozita të barabarta dhe me qëllimin konstruktiv të kritikës për gabimin dhe marrjen e masave për të mos u përsëritur në të ardhmen. Midis shokëve të udhëheqjes do të ishin normale komunikimi dhe ndëshkimi i gabimeve ndaj cilitdo, kur ato të bëheshin me masë dhe të kuptohej se qëllimi do të ishte fenomeni dhe përgjegjësia e personit fajtor në mënyrë të barabartë.

Fryrja e tejskajshme e gabimit politik dhe ideologjik me fejesën e bërë tregoi qartë tendencën për eliminimin me çdo kusht të Mehmetit. Për këtë arsye, Mehmeti ka ndier presionin e madh politik dhe ideologjik ndaj tij, qëndrimin e ashpër dhe realisht qëllimin për ta eliminuar. Mehmeti nuk kishte dijeni për mbledhjen e një dite më parë, më 16 dhjetor 1981, pasi nuk ishte ftuar dhe nuk e kishte njoftuar njeri për qëllimin dhe vendimet e mbledhjes, pasi ishte zhvilluar në fshehtësi dhe ishin marrë vendime pa u dëgjuar më parë vetë ai.

Çështja e kryeministrit ishte gjykuar në mungesë të tij, ai ishte akuzuar dhe dënuar si tradhtar dhe poliagjent i shërbimeve të huaja borgjeze e revizioniste. Kërkesa e përsëritur dhe me ton të rreptë i linte Mehmetit të kuptonte se ai do të ishte viktima e radhës dhe po zbatohej e njëjta procedurë si edhe me personat e tjerë të deklaruar armiq e tradhtarë dhe të dënuar me vdekje apo që ishte deklaruar se kishin vrarë veten. Ramiz Alia njihet si politikani që ka vepruar me zgjuarsi për të përballuar e për t‘u dhënë rrugëzgjidhje situatave e problemeve në favorin e tij duke mënjanuar përgjegjësitë e kohës dhe ato që mund të diskutoheshin në të ardhmen.

Karakteri dhe qëndrimet e tij të njohura tregojnë se edhe në këtë rast ai flet pas tridhjetë vjetësh për të lehtësuar veten. Në fakt duhet kuptuar se ai flet se si duhej të kishte menduar dhe vepruar para tridhjetë vjetësh që të mbetej pozitiv në vlerësimet e mëvonshme të ngjarjeve të rënda e të pasqaruara që kanë tronditur politikën shqiptare në socializëm.

Vito Kapo shpjegon pas 45 vjetësh. “Ishte i dhimbshëm ai fund. Ishte e turpshme ajo mbledhje dhe qëndrim i ashpër kundër Mehmetit në dhjetorin e 81-shit. Kryeministër si Mehmet Shehu nuk ka për t’i ardhur kurrë Shqipërisë… Ishte e trishtueshme përbërja e Byrosë Politike në vitet e fundit. Enveri nuk kishte thuajse asnjë shok të shquar të kohës së luftës dhe me merita të spikatura që nga koha e luftës në Byro më pas. Atëherë bëhej politika e ngritjes në përgjegjësi të kuadrove nga klasa punëtore. Përjashtim nga të gjitha ngritjet që u bënë në ato vite mund të bëj vetëm për Themie Thomain. Kemi qenë bashkë ministre dhe ia kam çmuar gjithnjë aftësitë dhe intelektin. Për të tjerët nuk di ç’të them…” Deklarimet e Vito Kapos sqarojnë qëndrimin e njohur të eliminimit dhe të masave drastike të Byrosë Politike për të spastruar kupolën me dhunë udhëheqëse nga personalitetet e njohura politike dhe të afirmuara të kohës. Shokët e luftës, ndaj të cilëve kishte humbur besimi dhe vlerësoheshin të rrezikshëm për Enverin dhe së fundi pengesë për kurorëzimin e Ramizit si pasardhës, ishin eliminuar fizikisht dhe një pjesë e mbetur ishin internuar e dënuar duke vuajtur dënime pothuajse të përjetshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.