DOSSIER

“Kadri Hazbiu e parandjente eliminimin që e priste”, kujtimet e ish-kryehetuesit të diktaturës: Plani për dënimin e tij pasi i’u hoq Ministria e Mbrojtjes

07:31 - 26.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Qemal Lame




Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Për interes të pushtetit të tij, Enveri evidenton edhe faktin se Kadriu mbajti qëndrim ndaj Mehmet Shehut, ashtu si edhe shokët e tjerë të Byrosë Politike: “Mehmet Shehun ai nuk e donte, e dënon si të gjithë ne si armik që ishte. Kadriu dhe në qeveri mbante, kur e gjykonte të gabuar, qëndrim kritik kundër Mehmetit. Dhe mua shpeshherë më kish vënë në korrent se nuk i kuptonte disa gjëra si shtroheshin dhe si zgjidheshin nga Mehmeti […]”. Pra dokumenton edhe një përkrahës të idesë për fajet dhe përgjegjësitë e kryeministrit dhe të vdekjes së tij të cilësuar si vetëvrasje. Kadriu u përdor duke u shfrytëzuar deri në fund dhe kur nuk kishte më vlerë, u konsiderua i rrezikshëm dhe ishte e domosdoshme që të eliminohej me të njëjtën metodë si edhe të tjerët që kishin plotësuar misionin për të cilin ishin shfrytëzuar.

Vihet në dukje roli aktiv i Kadriut kundër shkeljeve të Mehmetit dhe të Fiqiretit: “Kadriu ka ardhur dhe më ka thënë se Mehmeti dhe Fiqiretja në mënyrë demonstrative i ftonin pushimtarët të kalonin në zonën e ndaluar. Kadriu e kishte kundërshtuar këtë veprim dhe kish shkuar te Mehmeti. Vendimi i Byrosë nuk lejon të shkelet, i tha Kadriu. Mehmeti i qe përgjigjur “dakord, por mos e ekzagjeroni!” […] Fiqiretin s’e honepste dot dhe shumë herë e shfaqte […]”.

Rregullave dhe masave për ruajtjen e Bllokut, të vetvetes, u jepte rëndësinë ligjore duke kërkuar edhe përgjegjësinë e kryeministrit për mosrespektimin e tyre, duke lënë të lirë qytetarët të kalojnë në bregun e detit, të cilët nuk kishin asnjë mundësi të krijonin shqetësime për vetë banuesit në Bllok.

Së dyti, Enveri pohon me gojën e tij se është personi që vendoste për arrestimet dhe dënimet. Nën drejtimin e tij janë bërë edhe ndjekja agjenturore, hetimet dhe gjykimi i komplotistëve. Kjo del qartë edhe në shënimet e tij. “Dhe është shok që i ka mendimet, i shtrin dhe i diskuton. Kur vendosëm për arrestimin e Feçorr Shehut, përpara Ramizit dhe Hekuranit ai sikur hezitoi në fillim, duke thënë se mos na fut Fiqiret Shehu në qorrsokake […] Mua më tha “duhet me pa se mos Hekurani nxitohet dhe në këto situata punonjësit e sigurimit pas kësaj ngjarje mund t’i ketë rënë ndopak morali”.

I thashë Kadriut se Hekurani vepron drejt e me kujdes. Ai këshillohet vazhdimisht me mua dhe me ti e me Ramizë […]”. Merr në mbrojtje ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isain, vë në dukje aftësitë e tij dhe i vlerëson pa baza dyshimet e Kadri Hazbiut, duke theksuar se: “Dyshimet e Kadriut janë pa baza, pa prova, pa të dhëna.”

Enveri i jep përgjigje po vetë kësaj pyetjeje, duke vënë me qëllim në dukje përgjegjësinë e rëndë të Kadriut për moszbulimin e komplotistëve. “Pse i krijon?! […] Kadriu është e vërtetë që erdhi dhe më tha që e vriste ndërgjegjja që propozoi Feçorrin si ministër të Brendshëm dhe se kur ka qenë ai (Kadriu) në Ministrinë e Brendshme nuk ka qenë shumë vigjilent dhe të zbulonte armiqësinë e puçistëve dhe të tjerë […]”.

Enveri vë në dukje kontributin e tij për ta qetësuar Kadriun, për ta evidentuar e përdorur edhe si një provë, kur dokumenton dhe thekson mendimet se ai ka dashur ta ndihmojë që të thellohet në autokritikën e tij. “Kurdoherë (3 herë) e kam qetësuar, e kam inkurajuar dhe i kam thënë se puna tënde në Ministrinë e Brendshme është e gjatë, e frytshme, me rezultate, por në punë dhe mund të gabojë njeriu […] i kam thënë me vendosmëri dhe bindje të plotë që ndërgjegjen ta ketë të qetë: “Partia dhe unë dhe shokët kemi besim tek ti. Vuri gjoksin punës se punët janë të mëdha dhe armiku është tërbuar dhe na godet. Duhet të shtrëngojmë radhët”.

Një ditë pas këtyre Kadriu erdhi dhe donte të më jepte një autokritikë të tinë me shkrim. i thashë: “Ti autokritikë ke bërë dhe të gjithë po bëjnë çdo ditë, pra s’është nevoja”. Ai më tha: “Të lutem, të ta lexoj”. Insistoi, e dëgjova. “Mirë, – i thaçë. – Por unë nuk e gjej të domosdoshme ta mbajmë këtu në KQ”. Ndonjë gjë të veçantë autokritika nuk kish. E këshillova dhe e qetësova përsëri. Kadriu është shok i mirë dhe punën. Këto gjëra i shënova si kujtesë për veten time”.

Ky veprim është një manovër për të fshehur masat drastike që ishin paragjykuar për eliminimin e Kadriut. Nga ana tjetër, mësohet se Kadriu ka nuhatur dhe parandier prapaskenat që po përgatiteshin për ta eliminuar dhe shpejton të reagojë, të verifikojë direkt shqetësimet e tij me kontekstet, sqarimet për qëndrimet e mbajtura më parë, për të lexuar autokritikën e përgatitur, me insistimin për t‘u depozituar si dokument në Komitetin Qendror etj.

Së treti: Qartë, haptazi dhe me tendenciozitet përgatiten provat për ta arrestuar, dënuar dhe eliminuar si armik. Ky qëllim fshihet sipas mënyrës së tij, duke theksuar “shkruar për kujtesë”. Kjo kujtesë e shkruar merrte karakterin e urdhrit që do të transmetohej menjëherë për t’u marrë dhe realizuar në fshehtësi masat për arrestimin e tij. Ministri i Punëve të Brendshme do të ngarkohej për të urdhëruar hetuesinë, prokurorinë dhe gjykatën për manipulimin e provave për akuzën, dënimin dhe eliminimin e tij si armik, si bashkëpunëtori kryesor në komplotin e Mehmet Shehut.

Kadri Hazbiu parandiente eliminimin e tij si personalitet politik dhe me funksion të lartë shtetëror, deri edhe dënimin penal me vdekje për ta eliminuar edhe fizikisht. Ai e kishte të qartë se kritika nga Enver Hoxha në forumin më të lartë të partisë ishte urdhri për të vepruar mekanizmi i fshehtë agjenturor i Sigurimit të Shtetit dhe mekanizmat ligjorë të drejtësisë: gjykata, hetuesia e prokurori, të cilat ishin organet ligjore që legalizonin procedurialisht urdhrat për arrestim, hetim, gjykim dhe dënim. Kështu do të veprohej edhe ndaj tij.

Kadriu e kishte të qartë skenarin e përsëritjes së eliminimit të personave të udhëheqjes sipas përvojës që ai vetë kishte në asgjësimin e personaliteteve të larta, duke qenë personi që kishte marrë direkt urdhrat si ministër i Punëve të Brendshme dhe për vënien në lëvizje të procedurës ligjore për hetime, gjykime dhe dënimin e tyre. Për këtë qëllim ka dashur edhe të parandalojë, po të ishte e mundur, eliminimin e tij, duke paraqitur me shkrim autokritikën e tij për mendimin e emërimit të Feçorr Shehut si pasardhës i tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Enver Hoxha nuk donte që të kishte prova dokumentare në Arkivin e Komitetit Qendror. Prandaj ka dashur të ndikojë në mendimet dhe insistimin e Kadriut që të mos depozitohej letra si dokument. Për këtë qëllim Enveri i ka tërhequr edhe vëmendjen duke i theksuar disa herë mendimin e tij, se nuk ishte e domosdoshme që të mbahej atje, me argumentin se autokritika nuk kishte ndonjë gjë të veçantë. Kadri Hazbiu ishte përcaktuar më parë nga vetë Enver Hoxha si viktima e radhës për t’u eliminuar. Për këtë qëllim, për të krijuar mundësinë për vënien në lëvizje të mekanizmit të fshehtë të agjenturës dhe manipulimin e të dhënave dhe provave dokumentare me rëndësi ligjore për fillimin e ndjekjes penale, Kadriu u largua fillimisht nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme, ku ai ushtronte kontrollin e plotë si ministër, ishte i besuar dhe kishte mbështetje nga të gjithë punonjësit e Sigurimit të Shtetit, të policisë, kufirit, Gardës Kombëtare, gjithë strukturave të organeve të punëve të brendshme.

Për të maskuar motivin e vërtetë të largimit nga Ministria e Punëve të Brendshme, ai u emërua në detyrën e ministrit të Mbrojtjes Popullore, duke i bërë vlerësim si pasardhës i Mehmet Shehut në atë detyrë të rëndësishme. Emërimi i Kadriut në Ministrinë e Mbrojtjes bëhej edhe për të larguar Mehmet Shehun nga drejtimi i Forcave të Armatosura. Ndryshimet bëheshin sipas planit të parapërgatitur të eliminimit të Mehmet Shehut dhe pas tij të Kadri Hazbiut e mbështetësve të tyre me ndikim në organet e partisë e të pushtetit, për të garantuar masat për kalimin e pushtetit te pasardhësi i parazgjedhur, Ramiz Alia.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.