KULTURË

Pse shkatërrohen objektet muzeale në Shqipëri?

10:00 - 26.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Alarmi për kushtet e ruajtjes. Qindra perla të trashëgimisë janë dëmtuar e rrezikojnë të humbasin përgjithmonë. Shembuj në muze të ndryshme të vendit ku kushtet e ruajtjes shënojnë nivel skandaloz




Pse shkatërrohen objektet muzealeFaktorët që çojnë në prishjen e objekteve janë tre: 1)ekspozimi i gabuar, 2) ruajtja e gabuar dhe 3)trajtimi i gabuar nga personeli i muzeut. Këto bëjnë të mundur transformime kimike e fizike të objektit që çojnë drejt zhdukjes së pashmangshme. Që të trashëgosh objektet në një muze duhet që detyrimisht të ndëpresësh këto zhvillime në jetën e objektit. Pra, duhet të ndërpresësh transformimet kimike, fizike, dëmtimet biodegraduese dhe ato mekanike. Ky është konservimi. Shkurtimisht, konservimi i objekteve mundësohet në sajë të ruajtjes dhe ekspozimit të tyre në mjedise ku ndërpriten transformimet dëmtuese, pra ku ruhet statusquo-ja dhe në sajë të trajtimit në laboratorë specialë të konservimit. Nga të dyja këto mjedisi ku ruhen edhe ekspozohen objektet ka një rol madhor.
Vërtet që laboratori ka një rol shumë të rëndësishëm në ciklin e trashëgimisë së objekteve, por ky rol mbetet pas mjedisit, i cili, në rast se nuk është i përshtatshëm do të çvleftësojë punën e laboratorit, duke lejuar zhvillimin, apo edhe më keq, duke përshpejtuar reaksionet e prishjes.
Shembuj që tregojnë rëndësinë absolute të mjedisit ku ruhen, e ekspozohen objektet në muzeumet e Shqipërisë kemi plot. Për ta bërë sa më reale këtë paraqitje po sjellim disa raste.

Në muzeun e Durrësit
Për shembull, ish-Muzeu arkeologjik i Durrësit. Ky muze ndodhej ngjitur me fabrikën e cigareve “Telat Noga”. Kjo fabrikë digjte çdo vit mbi 400 T mazut, nga djegja e të cilit në fund të fundit formohej si rezultat i transformimeve kimike acid sulfurik, që shuhej ndër të tjera, në skulpturat e ekspozuara në oborrin e muzeut. Sipërfaqja e tyre e transformuar dhe e bërë e tretshme rrodhi së bashku me ujin e shiut, duke humbur konturet në shumë ekzemplarë dhe duke treguar nën të një strukturë kristaline të thërmuar, që do të vazhdojë të dëmtohet më tej edhe tani kur skulpturat janë hequr nga ajo zonë. Ose sipërfaqja e disa relieveve ra copa-copa, duke u dëmtuar përgjithmonë. Ajo që ndodhi nuk mund të ndreqet më, kurse shpenzimet për të ndërprerë atë që nisi dikur do të jenë të krahasueshme me financimet që merr Instituti Arkeologjik për një vit, e që nuk janë pak.

Ose ajo që ndodhi me afreskët e Kishës aq impresionuese të Rubikut, afreske unikalë të shek XIII, që u venitën gradualisht, e u shuan përgjithmonë nga veprimi i përbërësve acidë të tymit që dilte nga oxhaku i fabrikës së rafinimit të bakrit.
Ndonëse këta janë ndër shembujt më të dukshëm, e të kufizuar në ndikimin e ndotjes atmosferike, ka shumë, e shumë shembuj të tjerë të dëmtimit të objekteve, proces i cili nuk mund të ndalohet nga trajtimet laboratorike, të cilat çvleftësohen.

Parametrat e ruajtjes
Mjedisi i përshtatshëm i mbajtjes dhe i ekspozimit të objekteve në muze nënkupton këto parametra: lagështinë relative, temperaturën, ndotjen e mjedisit, pluhurat, dritën, kotrollin ndaj sulmit biodegradues. Të kontrollosh këto parametra do të thotë të aplikosh ata parametra ku ndërpritet bashkëveprimi i objektit me mjedisin.
Realizimi i një mjedisi të tillë është çështje teknike, domosdoshmëri absolute për një muze.
Si është realizuar kjo në Shqipëri? Nuk është realizuar fare. Madje as në Muzeun Historik Kombëtar, ku është bërë jo i plotë. Madje as që ekziston ky koncept. Nuk është arritur që të futet. Pse? Ndoshta se nuk na e ka thënë asnjeri, as nuk e kemi kuptuar.
Kështu ne kemi vepruar gabim. Ky gabim nuk është parandaluar me ligj. Në legjislacionin shqiptar çështja e konservimit muzeal ose nuk është trajtuar fare, ose është trajtuar përciptazi. Kjo historikisht.
Le të marrim rregulloret e para që trajtojnë çështjet e muzeumeve. Kuptohet menjëherë se rregulloret janë përpiluar nga specialistë ligjesh që nuk janë specialistë të problemeve të konservimit, që nuk e kanë ditur se ka një shkencë të veçantë që trajton këtë problem, se ka një strategji.

Muzetë e komunizmit
Nuk thuhet gjëkundi se si duhet organizuar puna për projektimin e një muzeumi, në mënyrë që ai të realizojë konservimin. Kështu, pa dashur për projektimin e një muzeu u lejua që të ngriheshin grupe pune me historianë, ndërtues, arkitektë, por asnjëherë me specialistë të konservimit.
Kjo çoi në ndërtimin e muzeumeve pa u marrë fare parasysh se si do të realizonte muzeu detyrën më të vështirë, të kushtueshme, e me rëndësi absolute, për trashëgiminë e objekteve historikë dhe të kulturës. Galeria e arteve në Tiranë, Muzeu Arkeologjik i Durrësit, Muzeu i armëve në Gjirokastër, pjesërisht Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu i Artit mesjetar shqiptar në Korçë, të gjithë muzeumet anë e mbanë Shqipërisë, lëre pastaj ekspozitat etnografike, u ndërtuan pa siguruar konservimin në asnjë nga parametrat: as lagështi relative, as temperaturë, as ndriçim, as pastërti nga pluhurat, as mbrojtje nga ndotja atmosferike, nga insektet, as sistemet e ruajtjes së objekteve, e kjo u thellua më tepër me moskualifikimin e personelit të muzeut në drejtim të konservimit të objekteve. Por kjo do të jetë temë e një shkrimi tjetër. Cilat janë pasojat në objekte? A e lëmë këtë çështje, e nuk e trajtojmë për të mos u hallakatur në ndryshime kimike e fizike? Po çvleftësimi i objektve? Ekziston teorikisht dhe praktikisht. Fakte, do të thotë kushdo. Unë që punoj në këtë fushë di shumë fakte anë e mbanë Shqipërisë. Që të bëhen të dukshme duhen dokumente, e dokumentet në këtë rast janë fotot që tregojnë transformimet e objekteve në kohë. Po a ekzistojnë fotografi të tilla në muzeume, fotografi profesionale që të demonstrojnë transformimet? Jo. Atëhere le ta lëmë këtë çështje deri këtu. Dhe askujt nuk mund t’i thuash as edhe një fjalë. Me ligj nuk bën dot askënd përgjegjës, përderisa një ligj që sanksionon funksionimin e muzeumeve në drejtim të konservimit shkencor nuk ka ekzistuar.
Në këtë pjesë të shkrimit tim që është thjesht teknik dhe jo propogandistik, dëshiroj të shpreh një opinion timin për ndërtimin e muzeumeve në kohën e komunizmit. Respekt të sinqertë për të gjithë ata që mundësuan ndërtimin e muzeumeve, pavarësisht nga të metat që i ngrita me forcë, e që duhen rregulluar. Muzeumet shërbyen ndër të tjera për të grumbulluar objektet më përfaqësues, e më të rëndësishëm të kulturës dhe të historisë sonë, punë që u bë me përkushtim e sakrifica. Gjithashtu u punua shumë për propagandimin e këtyre vlerave në funksion të detyrave të muzeut.

Boshllëqet në “Ligjin për muzetë”
E tani, le të vazdhoj me anën teknike të problemit.
Ishte një situatë që nuk shkonte. Kjo u ndje. Atëhere Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sporteve hartoi ligjin Nr.9386 dt 04.05.2005 “Për Muzetë”, i cili u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë, që u shpall me dekretin Nr.4592, dt 1.6.2005 nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu. Pa dyshim është një hap përpara, por që përsëri nuk trajton siç duhet çështjen më delikate të muzeumit, konservimin.
Sot në literaturën e specialistit termi “konservim” ka marrë një kuptim të gjerë, duke përfshirë edhe restaurimin, duke nënkuptuar se restaurimi kryhet në shërbim të konservimit, pra të ruajtjes dhe trashëgimisë. Për më tepër, këto tetë-nëntë vitet e fundit, gjithnjë e më tepër po gjen miratim koncepti i shkencëtarit të konservimit, pra po predominon shkenca dhe vetëm shkenca, si domosdoshmëri për zgjidhjen e problemve teknike të trashëgimisë kulturore.
Që të realizohet konservimi, pra trashëgimia, në rradhë të parë duhet krijuar një muze, i konceptuar si reanimacion, ku zbatohen parametrat në të cilët ndërpriten reaksionet prishëse. Këta parametra nuk mbahen kollaj, ata projektohen. Pra muzeu duhet të projektohet për të realizuar parametrat e domosdoshëm lagështi relative, temperaturë, filtrim nga ndotja atmosferike e pluhrat, ndriçimi, projektohet mundësia e kontrollit të infeksionit të insekteve, fondet (magazinat ku mbahen objektet), kujdesi etj. Të rregullohen mbrapa është e vështirë, shumë më e kushtueshme, e ndonjëherë e pamundur. Pra, një koleksion vlerash kulturore e historike mund të dënohet me zhdukje që në momentin kur projektohet muzeu.
Prandaj, domosdoshmërisht, konservimi, si kërkesa më themelore e muzeut, duhet të pasqyrohet qartë dhe pa lënë asnjë mundësi neglizhimi në ligj.
Në ligjin 9386 në Nenin 3, pika 1, thuhet:
“Muzeu” është institucioni i ruajtjes së kujtesës, i ngjarjeve dhe dëshmive të shkruara e materiale të njeriut dhe të zhvillimit të shoqërisë, që ndërmerr kërkime, administron, ruan dhe ekspozon pasuritë muzeore për qëllime studimore, edukuese dhe argëtuese, në shërbim dhe i hapur ndaj publikut.
Në këtë pikë përmendet fjala “ruajtje”. Ruajtje është një term shumë i përgjithshëm. Fare mirë mund të nënkuptosh ruajtjen si inventar. Konservimi është tjetër gjë. Një objekt muzeal mund ta ruash në dollap, pa u vjedhur, e ai të tjetërsohet, apo të prishet nga faktorë të ndryshëm. E prapë se prapë e ke në ruajtje. Kurse konservimi nuk të lejon të mos marrësh masat parandaluese ndaj prishjes.
Disa ditë më parë pata rastin të vizitoj Muzeun Historik të Rrëshenit. Apo më mirë, atë që ka mbetur nga ai muze. Shkoni e shifeni që të kuptoni fare mirë se si veçohet ruajtja nga konservimi, e ç’do të thotë të mos kesh në ligj konservimin!
Mund të gjendet ndonjë arsyetim justifikues, p.sh. që gjatë projektimit të shihet edhe konservimi, të thërriten specialistët, etj. Të paktën përvoja ime ka treguar se një linjë e tillë konceptimi nuk funksionon.
Një histori në Muzeun
Kombëtar
Po sjell si shembull se si u veprua për Muzeun Historik Kombëtar.
U ngrit shtabi i punës, grupet e historianëve, të arkitekturës, projektuesit etj por jo grupi që do të projektonte në harmoni me projektuesit e ndërtimit, çështjen e konservimit.
Kur ndërtesa e muzeut hidhte shtat, më thërriti Prof. Stefanaq Pollo dhe më pyeti se ç’duhej bërë për ndonjë laborator modest në muze. I shpjegova se primar ishte mjedisi i muzeut, parametrat e konservimit, sidomos për një ndërtesë në qendër të Tiranës. Mbas dy ditëve më tha se këtë ide ta shtjelloja me shkrim. Dhjetë ditë më vonë më thërriti Prof. Aleks Buda. U zhvillua e njëjta bisedë. Çështja iu kalua Zv. Kryetarit të Këshillit të Ministrave Manush Myftiu. Mbas një muaji e gjysëm u miratua që në Muzeun Historik Kombëtar të vendosej sistemi i ajrit të kondicionuar.
Projekti i ajrit të kondicionuar u realizua në një nga institutet e projektimit. Punën e drejtonte Ing. Pëllumb Nishani. Një të shtunë kisha shkuar për një punë në atë institut. Në korridor takova Pëllumbin.
– More Frederik,- më tha,- si do të jenë parametrat në muze?
– A nuk t’i ka dhënë ministria?
– Jo! Dhe nesër ne nisemi jashtë shtetit për të berë kondicionerët! Çfarë do bëjmë?
Mora një letër dhe shkruajta parametrat e ajrit të kondicionuar. Ishte drekë. Vrapova në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës për të ndjekur problemin zyrtarisht. Nuk takova njeri nga ata që duheshin takuar.
Grupi i punës vizitoi për një muaj e ca muzeume e kondicionerë në disa shtete të Europës. Ata u blenë në Suedi. Jam i bindur për një punë të mirë të bërë nga projektuesit por kondicionimi nuk u bë i plotë. P.sh. mungojnë filtrat kundër ndotjes, e cila aty përqark muzeut është shumë herë më e lartë nga maksimalja e lejuar, nuk është parashikuar mbajtja e parametrave gjatë kohës së shërbimeve në kondicionerë, etj. Lëre pastaj që nuk ka asjë lloj harmonizimi midis asaj që realizojnë kondicionerët dhe kompensimit që do të realizonte ekspozimi.
Pra, edhe njëherë, këto nuk janë punë që bëhen me më tha, e i thashë, por vetëm me ligj.
Si duhet të jetë ligji
Mendimi im është se kjo çështje kaq delikate duhet të pasqyrohet në ligj, e ndarë në dy fazat e aplikimit të saj:a- në projektim të muzeut, e zbatim dhe b- në kohën e funksionimit të muzeut. Prandaj edhe duhet të përfshihet në një nen më vete, apo pikë të ligjit 9836, ligj në të cilin janë parashikuar disa vogëlsira teknike, që teknikisht nuk paraqesin thelbin e problemit. Psh. Neni 19, Financimi i muzeve publikë, Pika 1, ku thuhet:”Muzetë publikë financohen nga buxheti i Shtetit, miratuar nga organet përkatëse, që i kanë në varësi këta muze, duke i dhënë fonde për: Pika ç) pajisjet për kontrollin e temperaturave të mjedisit të muzeut për ruajtjen dhe restaurimin e objekteve muzeore.
Kontrolli i temperaturës bëhet me termometër dhe një termometër kushton sa një e njëqindta e pajisjeve që duhen për sistemin e klimatizimit të muzeut. Kjo, pra termometri, është e shkruar në ligj, korse kondicionimi, pra mbajtja e regjimit të një muzeu, jo. Madje në ligj përcaktohet edhe forma e biletës, sa kushton, kush e miraton, por nuk sqarohet çështja më themelore e muzeut.
Kushdo mund të thotë se ky diskutim sot është pa vlerë, se sot nuk ndërtohen më muzeume.
Sot, vërtet që nuk ndërtohen më muzeume, por unë do ta shikoja veprimin e këtij ligji të plotësuar në drejtimin e organizmave përgjegjëse për të vepruar në drejtim të konservimit të pasurive muzeore. P.sh. duhen rivënë në punë kondicionerët e Muzeut Historik Kombëtar, duhet parë mundësia e kondicionimit të Galerisë së Arteve, e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, është thënë në shtyp se do të transferohet Muzeu i Artit Mesjetar Shqiptar i Korçës në një ndërtesë tjetër, e po qe se fondi i ikonave do të ruhet në të njëjtat kondita të papërshtatshme siç ndodhet në muzeun aktual, atëhere kjo pasuri do të vazhdojë të dëmtohet me ritmin që do të diktojë mjedisi, po kështu, po bëhen përpjekje për krijimin e fondit të Galerisë së Arteve në Tiranë, për organizimin e Muzeut Etnografik kombëtar në Tiranë, po ashtu është çështja e Muzeut arkeologjik të Butrintit, Apoloninë, e Muzeut të Armëve në Gjirokastër etj.
Mirëpo konservimi i objekteve nuk përfundon vetëm me parametrat e mjedisit. Ka edhe shumë aspekte të tjera, siç është ekspozimi, mbrojtja nga dëmtimet mekanike, dëmtimet e pavullnetshme nga personeli i muzeut, (që këto lind domosdoshmëria e kualifikimit të punonjësve të muzeut, e cila mungon në mënyrë absolute, aq sa mund të themi popullorçe se nuk kemi gjë në këtë drejtim), transporti, trajtimi laboratorik etj, çështje të paparaqitura në ligj dhe që kërkojnë vëmendje të veçantë dhe shqyrtim, që të mund të vemë në vijë çështjet e konservimit të objekteve muzealë.

RIBOTIM/ Nga suplementi kulturor i “Gazeta Shqiptare” “Milosao”. 13 Gusht 2006

Ditë pas dite do të gjeni në “Gazeta Shqiptare”  PRINT shkrime me foto të vecantat nga arkiva jonë e pasur ndërvite, Suplementet që kanë shoqëruar gazetën në ditë të ndryshme të javës. Shkrime nga autorë dhe vepra të ndryshme! Na lexoni!

Gazeta Shqiptare” e gjeni në çdo pikë shitje të gazetave! 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.