DOSSIER

“Nuk po vras veten, më vrau këlyshi i Koçi Xoxes”, ish-kryehetuesi i diktaturës: Letra e fundit për Mehmetit për Enverin, amanetet që i la

08:00 - 29.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Qemal Lame




Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

LETRA E MEHMET SHEHUT

Letra e fundit e Mehmet Shehut, pavarësisht nga problemet që mbart për origjinalitetin e saj, ka në përmbajtje thelbin e politikës zyrtare, bindjeve, qëndrimeve, konflikteve, eliminimit për shkak të vullnetit të udhëheqësit për pushtet të përjetshëm. Lufta e ashpër për pushtet u qetësua me largimin nga jeta dhe nga politika të Mehmet Shehut. Enver Hoxha realizoi qëllimin e njohur për trashëgimin e pushtetit të tij ashtu siç dëshironte ai dhe familja e tij.

Grupi hetimor dhe operativ që ka shkuar në vendin e ngjarjes nuk ka gjetur ndonjë letër të lënë nga Mehmet Shehu. Në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes nuk është shkruar për ndonjë letër pasi nuk është gjendur. Edhe nga personat e pyetur nuk është bërë e njohur ndonjë letër e shkruar. Nga të dhënat e mëvonshme bëhet fjalë se thellohet shqetësimi i udhëheqësit pas marrjes dijeni për letrën që u gjet dhe është propaganduar se është shkruar vetë nga Mehmet Shehu!?

Udhëheqësit kryesorë, Enveri dhe Ramizi, pretenduan duke deklaruar padijeninë e mëparshme të tyre për vdekjen e kryeministrit. Ata kërkonin të vinin në dukje se janë vënë në dijeni më vonë, pas ngjarjes dhe kanë mësuar se Mehmet Shehu kishte shkruar vetë një letër për Enver Hoxhën dhe e kishte lënë atë mbi komodinën e dhomës së gjumit të tij, para se të vetëvritej. Letra u përmend shpeshherë në mbledhjet e mbyllura të Byrosë Politike, si dhe në disa njoftime të kontrolluara për medien.

Referimet bëheshin kryesisht në komentet e përmbajtjes që referoheshin dhe citoheshin nga anëtarët e Byrosë Politike. Merreshin të mirëqena të dhënat që ata vetë kishin dëgjuar nga përmbajtja e letrës së lexuar nga Ramiz Alia në mbledhjen urgjente, më datë 18 dhjetor 1981, ku është njoftuar për vdekjen dhe është përcaktuar qëndrimi zyrtar ndaj Mehmet Shehut dhe masave që do të merreshin për njoftimin publik dhe varrimin e tij pa ceremoni zyrtare.

Asnjëri nuk ishte në gjendje të jepte të dhëna më të plota për përmbajtjen e letrës. Përgjithësisht theksohej se letra ishte e mbushur me akuza për Ramiz Alinë dhe Kadri Hazbiun. Letra u gjet në Arkivin e Shtetit, ku ishte depozituar ish-arkivi i KQ të PPSH-së dhe u publikua në vitin 2003. Kjo letër është administruar si dokument në arkivin e udhëheqjes politike. Letra tregon përmbajtjen e tekstit të lexuar 30 vjet më parë në mbledhjen e Byrosë Politike, që thuhet se nuk është lexuar më parë nga asnjeri tjetër, qoftë edhe anëtarët e Byrosë Politike.

Letra ka po atë përmbajtje të lexuar, me idenë që të bën të besosh për një njeri që ka vendosur të ikë me dorën e vet nga kjo botë. Letra është e ngjashme me ato që janë administruar dhe arkivuar si letra të lëna nga Koçi Xoxe, Nako Spiru dhe të tjera personalitete të kohës të eliminuar dhe larguar nga pushteti. Origjinaliteti i këtyre dëshmive është një detyrim që qëndron mbi shtetin dhe drejtësinë, për të dokumentuar dhe saktësuar historinë e shtetit dhe të popullit shqiptar.

Me rastin e botimit, për t‘u njohur më mirë dhe më gjerësisht, letra është publikuar pasi është rishkruar, duke u zbardhur në mënyrë integrale, sipas kopjes së marrë nga letra e arkivuar, me vlerën e një dokumenti origjinal, në Arkivin Qendror të Shtetit.

Teksti i letrës së Mehmet Shehut Letra fillon me këtë shënim: “Ta hapi personalisht vetëm sh. Enver Hoxha e kërkush tjetër”.

Shoku Enver, në librin “Kur lindi Partia”, në pjesën e shkruar me dorën tënde, ndër të tjera, më shkruaje: “Ti, i dashur Mehmet ke qenë dhe je një nga udhëheqësit e lavdishëm të Partisë, kurdoherë në ballë të çdo lufte, në çdo moment i gatshëm, i papërkulur e parimor për të mbrojtur popullin, Atdheun socialist, Partinë që na rilindi e na kaliti si udhëheqës revolucionarë, luftëtarë të papërkulur për komunizmin, shërbëtorë të devotshëm për popullin, për luftën e madhe që ti ke bërë e po bën si bir dhe si ushtar besnik i tyre. Partia dhe populli do të jenë mirënjohës. Unë shoku yt i afërt i halleve dhe i fitoreve të përqafoj. Enver, 11 qershor 1981”.

Por unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve, gabova politikisht dhe ideologjikisht kohët e fundit, duke pranuar fejesën e djalit tim, Skënderit, me vajzën e Qazim Turdiut, fejesë të cilën, me ndërhyrjen tënde të drejtë, unë e prisha. Arsyet pse e bëra unë këtë gabim politik i shpjegova në autokritikën që bëra. Asaj autokritike të datës 12 nëntor, prej 39 faqesh, nuk i heq “asnjë presje”, sepse është autokritikë e sinqertë, absolutisht e sinqertë. Kjo autokritikë, në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 17 nëntor, u hodh poshtë nga gjithë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike dhe, më në fund, ju e quajtët “alibi”, duke kërkuar që unë sonte të reflektoja dhe të pranoja të gjitha kritikat që m’u bënë në Byronë Politike dhe për të rrëzuar krejtësisht autokritikën time, që ju e quajtët “alibi”, domethënë gënjeshtër, mashtrim.

Në një shënim që më dërgove më 28 tetor 1981, në lidhje me projektautokritikën time që ta kisha dërguar, më thoshe që t’u bëja analizë elementëve negativë në karakterin tim, se aty do të gjeja edhe arsyen e vërtetë të gabimeve. Dhe i quajte “… disa elementë negativë të karakterit (tim), që shfaqen shpeshherë në punën shumë të frytshme që bëj për interesin e Partisë, që ti (unë) e do (dua) dhe lë jetën për të”. Po, shoku Enver, unë gjithmonë kam qenë i gatshëm për të lënë jetën për Partinë. Dhe pikërisht këtë po e bëj tash: po lë jetën për Partinë, për të të dhënë rastin e vetëm që më mbeti, ty, shokut, mësuesit dhe vëllait tim të dashur, unë shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve, siç më ke quajtur me të drejtë, që të mësosh të vërtetën.

Unë po lë jetën për Partinë pa hezitim dhe gjakftohtësi, se s’më latë rrugë tjetër për të mbrojtur Partinë. Nga kush? Nga Jaguagjarpër dhe Hrushovët që arritën, për fat të keq të Partisë, të të rrethonin, të manovronin për të shkëputur përgjithmonë nga shoku yt i halleve dhe i fitoreve. Cilët janë këta (Jagua dhe Hrushovi shqiptar), të takon ty t’i gjesh, ata dihen, njihen. Unë nuk heq “asnjë presje” nga gjithçka kam shkruar e thënë për ty si shok, si mësuesi im marksist-leninist dhe si vëlla. Por tash, që po ndahemi fizikisht, të them atë që nuk mund të ta thosha gjer sot, sepse kurrë s’më krijove kushtet të të thosha të vërtetën për ta.

Unë nuk po vras veten, por më vrau Jagua intrigant, këlyshi i Koçi Xoxes e nxënës i tij, që me intrigat e tij të pështira, duke hyrë në aleancë tradhtare me Hrushovin që juve e konsideroni “të sinqertë”, të dy së bashku e me fijet e tyre do t’i bëjnë varrin Shqipërisë socialiste, atë që s’e bëri dot tradhtari Beqir Balluku e banda e tij, do ta bëjë nesër Hrushovi ynë, i cili, siç kam dëgjuar me veshët e mi, por që kurrë nuk kam mundur të ta them se, ndërsa për gjithshka më kishe krijuar kushtet për të biseduar, për këta dy (Jagon-gjarpër, intrigant e karrierist dhe Hrushovin e ri), – pra siç e kam dëgjuar me vesh tha, kur u prishëm me Moskën: “Pse vetëm ne qenkemi të vetmit marksistë-leninistë?”

Domethënë s’ishte dakord që u ndamë me revizionistët hrushovianë. Ju mos besoni këtë që po ju them, po të doni, kjo është puna e juaj, por unë, duke mos pasur mundësi tjetër të zbuloj këtë komplot Jago-Hrushov, po veproj siç veprova. Këta sot hiqen si komunistë “të kulluar”, por nesër nuk do të jeni ju, Hrushovi do të kthehet nga Moska hrushoviane … Jo, shoku Enver, unë gabova për arsyet që thashë në autokritikë, unë kam edhe të meta në punë, por që të kem punuar për “dualizëm” (me ju), për të vënë veten mbi Partinë etj., akuza të kësaj natyre që m’u bënë, këtë kurrë nuk e kam bërë, kjo ishte një akuzë e përbindshme që unë kurrë nuk e pranoj.

Dhe autokritika ime nuk ishte alibi, por e sinqertë. Unë kam punuar gjithë jetën për Partinë, për popullin, kurrë nuk kam luftuar e punuar për “karrige”, për “nam”, për t’u quajtur “strateg”, për të dalë përpara Enver Hoxhës (dualizëm), për privilegje personale. Akuza më e rëndë që m’u bë nga Jagua e nga Hrushovi e nga të tjerë nën ndikimin e tyre ishte se unë gabimin e bërë “për të vënë veten time mbi Partinë”, se unë kultivoj “unin” për t’u dukur, domethënë kundër Partisë. Kaq shpejt u harruan luftërat që bashkë kemi bërë kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm?

Ju personalisht, nuk më quajtët armik, por Jagua, Hrushovi e edhe të tjerë, duke më akuzuar se e vë veten mbi Partinë, praktikisht më kanë akuzuar armik. E jo, shoku Enver, unë nuk jam armik, armik është Jagua. A e mbani mend kur bisedonim një herë për fejesën e Skënderit në shtëpinë tënde, ku kisha ardhur të qanim hallin e atij gabimi politik që bëra unë, e të shoh se armiku gjithmonë është përpjekur për të futur pykat midis ne të dyve, domethënë për të përcaktuar udhëheqjen, e të përmenda Koçi Xoxen, Liri Berishovën e Çu En Lain? Ata s’mundën t’ia arrinin qëllimit. Edhe Beqir Balluku bëri të njëjtën orvatje, por s’ia doli dot në krye të komplotit.

Këtë herë ia doli në krye Jagua. Ju mund të më quani si të doni, e keni vetë në dorë. Por unë po vdes për Partinë, për të të thënë amanetin e fundit: Ruaje Partinë dhe socializmin nga Jagua dhe Hrushovi se, ndryshe, pas teje këtu do të sundojnë hrushovianët dhe socializmi do të marrë fund. Po e dekonsiderove këtë që po them për Jagon dhe Hrushovin tani, aherë unë s’të kam faj, i dashur Enver, aherë e gjithë përgjegjësia do të bjerë mbi ty. Unë e bëra detyrën time me të vetmen mënyrë, me të cilën m’u dha mundësia – vetëvrasja.

Edhe një herë Amanet Partinë nga Jagua e Hrushovi! Partia jonë ka kuadro plot besnikë plot të tjerë. Rroftë Partia jonë e lavdishme, me vijën e saj kurdoherë të drejtë, marksiste-leniniste! Rrofshi ju, të paktën sa të siguroni Partinë e socializmin nga Jagua dhe Hrushovi, dy komplotistët e sotshëm më të rrezikshëm dhe shumë e shumë vjet të tjerë! Poshtë imperializmi, me imperializmin amerikan në krye! Poshtë revizionizmi, me social-imperializmin (dhe atë kinez) në krye! Rroftë komunizmi! Poshtë reaksioni! Amanet familjen time – Fiqiretin, djemtë (përfshi dhe Skënderin dhe Bashkimin), fëmijët e nuset e djemve! Po të shihni se është interesi i Partisë, thoni se “Mehmeti vdiq aksidentalisht, duke manipuluar armët!” ose si të doni. Edhe armik po më quajtët, kam besim se asgjë s’mbetet pa u zbuluar nga koha, e vërteta s’vdes kurrë. Po vdes i pafajshëm, më vrau Jagua i Shqipërisë!

Mehmet Shehu 17 dhjetor 1981”.

Letra, e mbyllur në një zarf me inicialet “M. SH.”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.