DOSSIER

Analiza e letrës së lënë nga Mehmet Shehu: Pikëpyetjet pse përdori fletë me kuadrata dhe jo të bardhë, si u përmend Fiqireti si autore e vrasjes

07:57 - 30.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Qemal Lame




Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Dyshimet e bazuara në kriteret ligjore dhe shkencore për origjinalitetin e letrës

Në analizën në këtë libër mendoj se merr rëndësi sqarimi i problemeve kryesore:

– Pretendimi se letra origjinale i është dorëzuar në dorë Enver Hoxhës.

Pretendohet se letra është marrë dhe i është dorëzuar direkt Enver Hoxhës. Kështu, thuhet se letra është lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike, më 18 dhjetor 1981, nga vetë Enver Hoxha.

Jepen argumente se letra e lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike është me përmbajtje të ndryshme nga letra që publikohet në media.

Nga disa anëtarë të Byrosë Politike jepen argumente se letra e publikuar në media është e ndryshme nga letra që është lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike ditën që u mor dijeni për vdekjen e Mehmet Shehut. Mendimet e tyre u referohen të dhënave që ata kanë dëgjuar direkt nga leximi që iu bë letrës në mbledhje. Enver Hoxha i vuri në dijeni për letrën e lënë nga Mehmet Shehu dhe ia ka dhënë Ramiz Alisë për ta lexuar.

Mendimet e këtyre anëtarëve që japin të dhëna për përmbajtje të ndryshme nga ajo e botuara, janë me rëndësi se hedhin dritë mbi pasaktësitë, mundësinë e ndryshimeve të përmbajtjes, futjes apo heqjes së të dhënave që vënë në dyshim në tërësi letrën dhe origjinalitetin e saj. Mendimet e këtyre anëtarëve të udhëheqjes që kanë qenë të pranishëm dhe theksojnë me argumente kundërshtimet e tyre, nuk mund të nënvleftësohen.

Së pari, ata mbeten nga personat që japin të dhëna direkte për mbledhjen.

Së dyti, deklarimet e tyre, të bëra publikisht, me rastin e botimit të letrës në media, tërheqin vëmendjen për thënie objektive, të cilat argumentohen me kohën menjëherë pas ngjarjes. Për vetë karakterin e rëndë të ngjarjes dhe mënyrën se si u menaxhua ajo, ata rikujtojnë detaje që vënë në dukje ndryshime në tekstin e botuar në krahasim me përmbajtjen që ata mendojnë se nuk është e njëjtë me atë që kanë dëgjuar direkt në mbledhje. Me rëndësi janë edhe shpjegimet që jep Sokol Hoxha për origjinalitetin e letrës.

Për mendimet e deklaruara prej tij janë dhënë argumente edhe nga disa studiues, duke iu përgjigjur problemeve të ngritura nga djali i Enver Hoxhës.

Dyshimet për ndryshime në përmbajtjen e letrës argumentohen direkt për Ramiz Alinë. Ai ka qenë personi pranë Enver Hoxhës. Ramizi ka drejtuar gjithë hetimin e çështjes së komplotit. Me porosinë e tij është bërë arkivimi i tekstit të gjetur e të publikuar më vonë.

Letra e Mehmet Shehut nuk është gjetur në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor dhe operativ

Hetuesit dhe punëtorët operativë të caktuar dhe të dërguar në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet hetimore për vdekjen e Mehmet Shehut nuk kanë gjetur ndonjë dokument apo letër në vendin e ngjarjes. Në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes nuk është përmendur dhe nuk është shkruar ndonjë e dhënë në përmbajtjen e këtij veprimi procedurial për letrën. Hetuesit, punëtorët operativë, ekspertët kriminalistë dhe mjekoligjorë nuk kanë bërë veprime që të fiksojnë në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes të dhëna për origjinalitetin e kësaj letre.

Evidentimi i saj ka pasur rëndësi pasi ka qenë një nga provat e rëndësishme që lidhet me ngjarjen, motivin zyrtar të vetëvrasjes dhe dyshimet e lindura për manipulimin e provave dhe fshehjen e krimit të vrasjes dhe fajësisë së autorëve të saj. Dy personat që akuzohen më shumë në letër: Jagua dhe Hrushovi. Në letër përmenden dy emra që në mënyrë ironike dhe me urrejtje të dukshme referojnë te persona të caktuar të cilëve nuk ka dashur t’u përmendë emrin: – Jagua është Kadri Hazbiu. – Hrushovi është Ramiz Alia. Personat që epitetohen me këtë emër e kanë pranuar vetë dhe kanë dhënë shpjegimet e tyre. Këtë sqarim kanë bërë edhe pjesëtarët e pyetur të familjes, si Skënder Shehu, i cili pohon se: “Hrushovi ishte Ramizi. Jago ishte Kadri Hazbiu.”

Ngjarjet politike dëshmuan se këto epitete të vëna nga Mehmet Shehu kanë tipizuar këta dy persona dhe kanë ide e parashikime të vërtetuara edhe në zhvillimet politike që pasuan. Mendimet e dhëna për këta të dy janë vërtetuar si një parashikim i drejtë për qëndrimet që ata kanë mbajtur realisht. Pa nënvleftësuar mendimet konservatore të Mehmetit, të qartësuara edhe në këtë letër, qëndrimet e këtyre personave që ai i cilëson fajtorë për gjendjen dhe të rrezikshëm në të ardhmen, janë dokumentuar në zhvillimin e mëvonshëm të ngjarjeve në udhëheqjen politike, masat drastike të marra, manipulimet e politikës dhe dramat që përjetoi vendi duke kaluar deri në prag të katastrofës ekonomike, financiare, rrënimit të nivelit të jetesës dhe në shfaqjen e rrezikut të anarkisë, mungesës së sigurisë dhe qetësisë.

Analiza në disa plane e letrës së gjetur në Arkivin e Shtetit

Për të njohur origjinalitetin dhe përmbajtjen e letrës ndihmojnë disa përfundime që dalin nga leximi dhe interesimi për të kuptuar përmbajtjen dhe qëllimi që ka studiuesi për të depërtuar në evidentimin e së vërtetës, duke pasur parasysh panoramën e përgjithshme të ngjarjeve politike dhe të qëndrimeve të Mehmetit në raport me Enverin, Kadriun, Ramizin dhe anëtarët e tjerë të udhëheqjes së asaj kohe.

Analiza vizuale:

Tërheq vëmendjen letra me kuadrate. Mund të ketë qenë një bllok për shënime. Një bllok të ngjashëm ka përdorur edhe Enver Hodha për ditarin e shënimet e tij. Në këtë rast kemi një situatë të veçantë që duhej të shoqërohej me një dokument të shkruar edhe në një format zyrtar të përdorur nga ai si drejtues i qeverisë. Me të drejtë ka vend për t‘u sqaruar përse ai si kryeministër nuk shkruan në një letër me format zyrtar që ishte në përdorim. Ai shkruan letrën e fundit të lamtumirës, me përmbajtjen e një testamenti. Për vetë rëndësinë që do të kishte, më e natyrshme do të ishte që ajo të ishte fletë e bardhë dhe me cilësi të lartë, me të cilën furnizoheshin institucionet më të larta shtetërore, posaçërisht anëtarët e Byrosë Politike. Një kryeministër prej një kohe të gjatë, një ish-ministër i Punëve të Brendshme si Mehmeti shkruan dhe dokumenton, i ndërgjegjshëm edhe për rëndësinë historike të dokumentimit të dëshmisë së tij me shkrim dhe në formën më të mirë të mundshme të formatit të letrës si dokument.

Analiza gramatikore:

Shkrimi dhe drejtshkrimi pranohen në pamje të parë se janë të Kryeministrit. Mendimet janë të rrjedhshme. Ka shumë pak gabime drejtshkrimi. Mënyra se si është shkruar të jep përshtypjen e një shkrimi me fraza të menduara mirë dhe të shkruara me qetësi. Intensiteti i shkrimit, dendësia e fjalëve, shkronjave etj. nuk lënë përshtypjen për një shkrim në kushtet e gjendjes së brendshme të rënduar nga tronditja psikologjike e mendore e situatës që përjetoi ato ditë dhe natën që shkroi letrën, duke bërë të njohur arsyet dhe vendimin ekstrem të ndarjes nga jeta me dëshirën e tij.

Analiza logjike:

Në letrën e fundit të lamtumirës evidentohen rrethanat politike, ideologjike, shoqërore, personale e familjare dhe arsyet që e kanë shtyrë, detyruar kryeministrin të marrë vendimin ekstrem për t‘u vetëvrarë. Por nuk shkruhet konkretisht për gjendjen e tij psikike që ai mund ta kishte vlerësuar se e kishte nxitur për të marrë atë vendim. Vazhdimësia e mendimeve të shkruara tregon për një shkrim në kushte normale dhe jo në kushte të rënda psikike apo tronditjeje të thellë mendore. Letra ka formën e një diskutimi dhe nuk merr karakterin e formulimit të një lamtumire, në momentet e fundit të jetës, me gjithë porositë që lë me tiparet e një testamenti dhe të një kërkese shoqërore e miqësore të fundit për udhëheqësin, që ai të kishte nën kujdes në të ardhmen familjen e tij. Nuk jepet asnjë e dhënë përse nuk ka komunikuar, biseduar, sqaruar shkaqet dhe arsyet e marrjes së vendimit kapital për jetën e tij, e cila do të kishte pasoja direkte dhe të menjëhershme për gruan, djemtë, pjesëtarët e tjerë të familjes dhe të afërmit e tij! Nuk ka asnjë të dhënë që mund të vlejë si dyshim për të menduar se vrasja mund të jetë kryer nga ndonjë pjesëtar i familjes së Mehmet Shehut. Të dhënat përjashtojnë mundësinë e vrasjes së tij nga vetë gruaja Fiqireti, siç është hedhur me qëllime të paramenduara një version mashtrues dhe zhurmues kundër së vërtetës.

Analiza politike:

Mbledhjet maratonë të Byrosë Politike evidentojnë se si zhvillohej lufta politike në forumin më të lartë të Partisë së Punës, në Byronë Politike, pas kongresit dhe mbledhjeve të plenumit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, në bazë të kritereve të Statutit të Partisë së Punës të Shqipërisë. Në opinionin publik ekzistonte mendimi se në udhëheqjen e partisë, që ishte edhe udhëheqja e shtetit, diskutohej dhe merreshin vendime me unitet të plotë të dhënies së mendimeve, diskutimeve dhe sqarimeve të ideve të ndryshme, kulturës së fjalës dhe komunikimit, mirëkuptimit dhe dashamirësisë së idealizuar etj. Në këtë letër, siç është vërtetuar më vonë edhe në shumë dokumente, filmime, incizime etj., kuptojmë ashpërsinë, banalitetin, primitivitetin dhe egërsinë e kulturës dhe etikës qytetare e personale të personave të idealizuar.

Ata paraqiten lakuriq, në nivelin e njerëzve më ulët se ai mesatar. Udhëheqja, posaçërisht Enver Hoxha, kishte vendosur përfundimisht eliminimin e Mehmet Shehut. Për realizimin e këtij qëllimi, ai me autoritetin e tij të padiskutueshëm, pa qenë e nevojshme që të shprehej vetë i pari, kishte mbështetjen e gjithë anëtarëve të Byrosë Politike që i kishte parazgjedhur dhe faktikisht emëruar me pushtetin e tij.

Në udhëheqjen e lartë politike po luftohej për marrjen e pushtetit pas vdekjes së Enver Hoxhës: Jagua dhe Hrushovi ishin hedhur në sulm për jetë a vdekje, duke u përleshur me Mehmetin. Me akuzat për “dublim”, “unin”, luftën për “karrige”, përparësinë që kishte në krahasim me anëtarët e tjerë të udhëheqjes si “strateg”, argumentohet akuza politike për dënimin politik dhe më pas penal me anë të një gjykimi formal, siç ishte vepruar edhe në rastet e tjera për ata që ishin deklaruar si “tradhtarë”, “armiq”, “agjentë” etj.

Jagua, Hrushovi i ri dhe gjithë anëtarët e tjerë të udhëheqjes, të cilët me rreptësi dhe padrejtësisht dënuan në mbledhje Mehmetin, kërkonin të dëshmonin para Enver Hoxhës se cili ishte më besniku ndaj tij dhe më armiqësor ndaj Mehmetit, i cili nga shoku më i ngushtë, miku më i madh u distancua papritur dhe u cilësua papritur si armiku më i rrezikshëm. Mehmeti tërheq vëmendjen për komplot në udhëheqjen e lartë të Partisë dhe ndryshimin e kursit politik pas vdekjes së Enver Hoxhës: “Këta sot hiqen si komunistë “të kulluar”, por nesër nuk do të jeni ju, Hrushovi do të kthehet nga Moska hrushoviane …” Këto mendime Mehmeti i parashtron duke u bazuar në përvojën e njohur dhe dokumentet që vetë Enveri ka pasur në administrim dhe ruajtje.

Analiza juridike:

Analiza juridike përmbledh të gjitha faktet, provat direkte e indirekte, qëndrimin subjektiv, motivet, qëllimet, mendimet dhe idetë e shfaqura në letër. Zakonisht personat që vetëvriten lënë një shënim të shkurtër për të njoftuar vendimin përfundimtar apo për të dhënë lamtumirën e fundit. Në këtë rast autori parashtron disa probleme të cilat vlerësohen edhe si arsye për vendimin e vetëvrasjes, por njëkohësisht janë theksuar edhe si akuza për kundërshtarët e tij politikë të njohur prej kohësh edhe nga udhëheqësit e tjerë dhe kuadrot kryesorë të institucioneve qendrore të partisë e të shtetit. Kështu, Mehmeti nënvizon qartë se vrasësit janë personat që e kanë kritikuar atë më rëndë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.