Intervista

Theofil Haxhijani, artisi që fshikulloi me humor të shëmtuarën për 30 vite me radhë

10:17 - 31.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fitim Çaushi – Ka qenë një periudhë kur Theofil Haxhijani ka qenë epiqendra e jetës kulturore në Sarandë, Delvinë dhe rrethinat pranë tyre. Ai u përket tyre artistëve që me atë çfarë kanë performuar në artin e humorit dhe satirës, por jo vetëm, do t’u mungojë gjatë këtyre komuniteteve. Theofil Haxhijani bën pjesë në plejadën e korifenjve të humorit shqiptar, që erdhi dhe shkëlqeu në skenë pa shkollë të mirëfilltë arti sikundër: Tano Banushi, Luftar Paja, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Ramazan Ngjala, Aleko Prodani, e shumë të tjerë. Ai me artin e tij origjinal u ngrit në staturën e artistit profesionist, nga radhët e klasës punëtore. I lindur në lagjen “Llakë” të qytetit Delvinë, pasi mbaroi shkollën e mesme mekanike, punoi disa vite elektricist. E prej aty, për gati 30 vite punoi si aktor profesionist në estradën e Sarandës. Në vitin 1978 u pranua anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Në vitin 1979 mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 2014 iu dha titulli “Mjeshtër i Madh”. Një jetë në skenë, një jetë me humor dhe muzikë para popullit nga Saranda në Tropojë, e bëri Theofil Haxhijanin të fitonte nderimin e mijëra shikuesve në skenë. Gjatë karrierës 30- vjeçare, përveç disa dhjetëra skeçeve e pjesëve me një akt të muzikuara, ka interpretuar edhe mbi 100 kuplete e parodi dhe tri komedi muzikore. Ai ishte mjeshtër i karaktereve. Me nivelin e lartë artistike dhe origjinalitetin e tij, Theofili mbeti modelsi i artistit të humorit në vitet ‘60-‘70, duke interpretuar materiale që fshikullonin të meta të karakterit njerëzor. Theofil Haxhijani u ngjit në Panteonin e Kulturës Kombëtare dhe mbeti pikë reference për një interpretim mjeshtëror veçanërisht në kupletet, paroditë dhe komeditë muzikore.
Zoti Theofil! Fillimisht le të prezantohemi seriozisht për lexuesin, çfarë kujtoni nga fëmijëria dhe fillesat e profesionit tuaj?
Unë kam lindur në lagjen “Llak”, në Delvinë, një lagje e qytetëruar, me tradita kulturë e intelektualë të shqua. Me shtëpi të bukura. Kishte vreshta dhe ullinj të shumtë. Në fëmijërinë time nuk i harroj netët e dimrit dhe flakën që lëshonin kërcunjtë e trashë në oxhak. Ndiznim llambën e vajgurit, që në disa raste xhamin e kishte të thyer ose të krisur dhe lexoja Abetaren. Babai na mësonte këngë popullore, na lexonte edhe vjersha të poetëve të ndryshëm. Ndërsa mamaja, përveç zërit të mirë, kishte repertor të pasur me këngë popullore përmetare, korçare etj.




Page00sssss07 asdasadsadsadsads asdassdasaas saassaassa6 17 faqsssse 16 17 faqe 16 17
<
>

Pra, keni pasur prirje për muzikë…
Përkundrazi, askush nuk arriti të zbulonte gjatë shkollës zërin tim melodioz, edhe lëndën e muzikës ma nxorën katër, përkundër pesës që ishte maksimalja. Më pëlqente mandolina e Janit, i vetmi që kishte një vegël muzikore, më pëlqenin edhe dasmat, se kishte gërnetë dhe violinë, luanin bukur. Tuli Bajrami me shokë ishin ustallarë të mirë, që ndikonin në edukimin tim muzikor, sikurse edhe karnavalet e qytetit.
Cili ishte profesioni bazë me të cilin e filluat jetën?
Mbarova shkollën elektromekanike dhe shkova për të punuar në minierën e Kërrabës. Pas ushtrisë në Korçë, ushtrova zanatin e elektricistit në Delvinë. Në kohën e lirë shkoja në Shtëpinë e Kulturës së qytetit. Këndonim dhe bënim humor. Një herë na lindi dëshira të bënim një estradë të udhëhequr nga Enver Isufi. U paraqita me këngën spanjolle “Karmeniçita” dhe me kupletin “Lipe more Lipe, ç’janë këto tertipe”. Qysh atëherë profesioni i aktorit u bë për mua profesioni im më i çmuar. Në qershor 1965 më propozuan të më merrnin në estradën profesioniste të Sarandës. Ky ishte gëzimi i madh i jetës sime. Regjisori i talentuar Thoma Milaj ishte mësuesi im i parë. Artist me shije estetike dhe artistike, që i vuri në themelin e suksesit tonë si kolektiv estrade.
Keni ndonjë trashëgimi familjare që të jetë marrë me art?
Në fisin tonë e kanë dashur artin, veçoj këtu Serafin Fankun, të cilin e kam pasur djalin e tezes. Ai ka qenë krenaria e fisit jo vetëm për aktrimin.
Jeni shprehur se mirëkuptimi dhe gjendja emocionale e kolektivit është përcaktuesi kryesor i suksesit?
Është patjetër domosdoshmëri, se arti skenik është art kolektiv. Këtë mirëkuptim estrada e Sarandës e kishte siguruar të plotë. Isha 25 vjeç, më pëlqenin shakatë dhe i ngacmoja shokët. Në provat gjenerale të një shfaqjeje, përveç këshillit artistik, erdhi kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe shefi i Seksionit të Arsim Kulturës. Mua mu shkrep të krijoja një situatë komike me shumë zarar. Dhjetë minuta para shfaqjes, mora partiturën e trombistit Barba Ilos dhe i fshiva disa masa muzikore nga marshi i çeljes së programit, duke ia zëvendësuar me nota të tjera. Filloi orkestra, por tingëllonte false. Dirigjenti i hoqi vërejtjen Barbës. U përsërit, por stonatura përsëri ishte e theksuar. Anëtarët e këshillit artistik mbetën të befasuar. Barba i thotë dirigjentit: ‘Kështu është shkruar këtu’! Dirigjenti e kuptoi se një dorë ngatërrestari kishte ndërhyrë. Të pranishmit e kuptuan se kjo ishte bërë me humor dhe jo për qëllim të keq. Kolektivi e kuptoi, se përveç meje, asnjë tjetër nuk do të bënte të tilla gjëra. Partitura u rregullua dhe shfaqja filloi rregullisht. Të nesërmen drejtori më thërret me të qeshur. “Pa hajde këtu ti ngatërrestar. Ku të vajti mëndja?! Ku e gjete këtë guxim?! S’pate frikë nga gjithë ata të ftuar”? “Shoku drejtor, këshilli artistik dhe kuadrot e komitetit nuk janë gogol. Njerëz janë edhe ata, e duan humorin e sajuar, sidomos atë të çastit”. Drejtoi më përqafoi…
Ju njohin shumë për këto episode interesante
Një rast tjetër midis shokësh: kur nuk merrja pjesë tek ndonjë skeç dhe regjisori punonte me aktorë të tjerë, mua menjëherë më shkonte mendja për ndonjë djallëzi. Mora tre kapakë të shisheve të birës, i shpova me gozhdë dhe përmes vrimës kalova një gjipërë me kokë. Tek jaka e xhaketës së aktorit Lekë Mosi, që ndodhej në garderobë, në krahun e majtë vendosa tri kapakë birre. Kur mbaruan provat, Leka mori xhaketën e veshi, por nuk pa gjë. Sa hyri në shtëpi, gruaja e Lekës shikon kapakët në xhaketën e burrit dhe me dialektin shkodran i tha me të qeshur: “O Lekë, të paskam dekoru me dekorata trimnie! Të paska vlerësu kolektivi”. “I kam dekorata nga Theofili, se ai nuk rri dot pa bërë shaka me ndonjë shok”, – iu përgjigj Leka.
Ku qëndronte forca e artit të estradës, siç ishte trupa e Sarandës në atë periudhë?
Ne përpiqeshim të ndihmonim spektatorin të qeshnin me atë që dukej serioze dhe e rëndësishme, por që në të vërtetë dukej qesharake. Ky ishte parim estetik i gjithë punës sonë. Arti i estradës ishte arti më masiv, më popullor që militonte në problemet e ditës për aktualitetin, si gazetë artistike e kohës. Gjinia e estradës krijonte optimizëm në jetë dhe ndihmonte zhvillimin kulturor të shoqërisë së kohës. I fliste spektatorit me mjetet artistike, duke goditur burokracinë, dembelët, zakonet prapanike, servilizmin, skeptikët, matrapazët, mikroborgjezët, spekulatorët, dëmtuesit e pasurisë së përbashkët, abuzimet, qëndrimin jo të ndërgjegjshëm të shumë punonjësve ndaj detyrave shtetërore e shoqërore, figurat negative që kanë qenë mbartës të zakoneve të shoqërisë së vjetër, godiste ndërmarrjet e prapambetura, kualitetin e dobët të prodhimit dhe një sërë dobësisht të tjera. Për të arritur këtë objektiv, punonim shumë për të ngritur vazhdimisht nivelin kulturor dhe profesional tonin, për të çmuar thellë e qartë faktet e jetës, të cilat do t’i interpretonim në skenë. Duhet të demonstronim interesa të gjera kulturore, sepse interesat kulturore, shpirtërore dhe intelektuale të spektatorëve u ngritën mjaft në vitet e socializmit dhe spektatori nuk e pranonte vulgaritetin.
“Njeriu nga natyra e tij është artist, përpiqet të fusë në jetën e tij të bukurën” ka thënë një artist i madh. Si punonit ju në skenën e estradës?
Për natyrën artistike të njeriut, unë kam pasur vazhdimisht respekt dhe jam përpjekur të qëmtoja në jetë shembulltyra që t’i ballafaqoja me negativen dhe ta nxisja spektatorin ta braktiste të shëmtuarën, të përqafonte të bukurën. Objekti i satirës sonë ishte fenomeni negativ dhe qesharak. Për hir të një ideali pozitiv, goditet një fenomen negativ, duke i dhënë spektatorit faktin satirik dhe duke mbajtur qëndrim ndaj këtij fakti. Me lojën e vet, aktori përcjell mendime me një dendësi të madhe përjetimesh të drejtpërdrejta nga jeta, shprehur me një pasuri mjetesh artistike të përdorura me mjeshtëri, me goditje të mprehtë politiko-sociale, ku hapur e ku me nëntekst, merrnin formën e sintezës dhe të përgjithësimit emocional.
Ju ishit një krijues antikonformist, që nuk e shpërdoronit shijen e spektatorit, përkundrazi synonit edukimin estetik të tij. Si e realizonit këtë?
Ne e vilnim artin në popull dhe ia kthenim atë të kultivuar. Natyra njerëzore e ka të nevojshme të qeshurën, me anën e saj ne mjekonim si ai mjeku, jo plagët fizike, por ndihmonim në zbutjen e plagëve të ndërgjegjes që na kishte lënë e kaluara e prapambetur, ndihmonim në prekjen e problemeve sociale që nxirrte jeta.
Ju kërkonit vazhdimisht pasuri tematike, për të dhënë figura të gjalla, karaktere që do të mbeteshin në jetën e përditshme të spektatorit, krijonit afinitet të sinqertë me spektatorin dhe nuk abuzonit me duartrokitjet e tij, por kërkonit vazhdimisht mjete të reja shprehëse. Si e arrinit këtë objektiv?
Kompozitori i mirënjohur Agim Prodani gjatë ditëve të provave në komedinë “Me plot dëshirë”, muzikën e të cilës e kishte kompozuar ai, i thoshte kolektivit të estradës: “Theofili është një artist krijues, me një fantazi të pasur, mjafton t’i japësh idenë dhe ai me mjeshtëri e pasuron atë artistikisht, e plotëson figurën brenda karakterit që kërkon regjisori dhe kompozitori, me një fjalë e ngre atë në art, madje edhe të pa parashikuar nga regjisori”. Kjo ndodhte ngaqë unë i qëndroja teorisë së Stanislavskit: “Një herë talent dhe dhjetë herë punë”. Punoja shumë edhe me partneren time në shtëpi, me të cilën kisha shumicën e roleve. Një ditë nëna, që gatuante në kuzhinë u shqetësua. Violeta, bashkëshortja ime, edhe ajo aktore e estradës së Sarandës, në dhomën tjetër më bërtiste. U ndez sherri keq. Violeta më thoshte: “Ma hiq vjehrrën nga shtëpia se nuk e duroj dot”. “Po e kam nënë moj – i përgjigjesha unë i përgjëruar”. Ajo bërtiti : “O unë, o ajo në këtë shtëpi”! Bërtita dhe unë. Duroi sa duroi nëna dhe hapi derën. “Përse ziheni bijtë e mi, ju të jini mirë, pa unë iki që nesër”. “Nuk zihemi moj nënë – ia plasi të qeshurit Violeta. – Bëjmë prova, se na e kërkon regjisori nesër në punë”. “Pse punë është kjo? – ndërhyri nëna disi e qetësuar. – I thoni atij regjisorit të mos u japë punëra të tilla, se tmerruat dynjanë, ju dëgjoi gjithë pallati, do thonë zihet Filua me Letën”! Një herë vajta në ndërmarrjen e ndërtimit, se kisha një rol punëtori që punonte pa cilësi. Aty ndërtohej një pallat. “More djem, po ç’është ajo punë që bëni, pa cilësi, kurize, kurize suvaja”, – fola unë si i shqetësuar. Një dalë nga lartë skelës, me një kapele prej thesi çimentoje të palosur si varkë me kokë poshtë, mu përgjigj: “Avash Filo, s’e na bëre për qeshur, nuk jemi në skenë këtu. Kur ankohesh dhe ti që vetë drejtori vinte tri herë ditën për të kontrolluar pallatin tënd, ç’mbeti për të tjerët”, – “Ku e di ti ku e kam pallatin unë? – Uaaaa, avash Filo, pallatin tënd e di gjithë dynjaja, ti banon me ajkën e qytetit, me sekretar, kryetar, komisar. Qyteti thotë se Filua është emëruar në administratën e lartë, po nuk të lë populli të largohesh nga estrada, kush do të na bëjë për të qeshur neve kur të dalim nga puna”?! Vajta për lesh dhe dola i qethur! Më komod isha me peshkatarët, ishin tërë natën në det. Shkoja në orën pesë të mëngjesit kur vinin në mol për të dorëzuar peshkun, sepse atje derdhej humori dallgë. Sa më shikonin nga larg bërtitnin: “Hajde Filo se të kemi rezervuar një cironkë, kocë do ta bëjmë po e këndove edhe një herë parodinë për drejtorin, që nuk realizon planin. – I ke mënd në kokë ti? – thoshte tjetri – Planin e bëjmë ne, jo drejtori, Filua e kishte kritikën për ne, prandaj edhe cironkën e ka tepër”. Pasi dorëzonin peshkun, më ngjitnin te “Lenigradi” dhe më jepnin nga një fërnet. Shkuleshin së qeshuri. Tërë qytetin ta sillnin përpara. I merrnin nëpër gojë nga i madhi tek i vogli. Ishin krejt të shpenguar. Aty zgjidhja detaje humori që më duheshin.
Keni qenë mjeshtër i rrallë i bashkëbisedimit me spektatorin, edhe për faktin se shumica e krijimeve tuaja ishin të shoqëruara me muzikë. Në interpretimin e parodive dhe kupleteve, kishit një zë brilant, ndjehej fryma entuziaste. Si ishit kaq i larmishëm në meloditë muzikore pa përsëritur qoftë edhe një në 30 vite karrierë?
Falë veshit muzikor, e ndiqja rregullisht muzikën, e ndjeja cila këngë ose pasazh klasik mund të sillte unitet ideoemocinal me tekstin, sipas karakterit që kishte pjesa letrare. Në se melodia që zgjidhja, kishte përputhje emocionale me vargjet, suksesi ishte i plotë. Këtë e praktikoja me disa melodi dhe zgjidhja atë që sillte më shumë ritëm. Në këtë proces krijues, unë manovroja edhe me muzikën greke, e ndiqja atë vazhdimisht dhe e njihja mirë.
Nuk pate probleme me propagandimin e muzikës së huaj, aq më tepër greke?!
Kishte ndonjë tentativë ankimi tek organet e larta të rrethit, se muzika që përzgjidhte Theofili për paroditë e tij ishte popullaritet për muzikën greke. Ky si problem nuk u diskutua asnjëherë, por unë e merrja vesh thashethemin dhe i thosha drejtorit: “Pse nuk duhet ta propagandojmë muzikën e bukur, ajo është art”?! Pas kësaj, mbaja edhe një argument rezervë: “Fundja për të tallur e përdorim muzikën e huaj në parodi, nuk e përdorim në këngë”! Por ky mbetej si argument rezervë.
E kishe problem popullaritetin?
Ndonjëherë krijonte probleme. Në maj të vitit 1979, në Vlorë zhvilloi punimet Kongresi i 5 i Frontit Demokratik të Shqipërisë. Isha delegat me Sarandën. Në Fier u bë një pushim. Kishin dalë shumë njerëz për t’i pritur dhe përcjellë delegatët. Me një shok delegat u drejtuam për në dyqanin e veshmbathjes. Një pjesë e banorëve fierakë më njohën. Disa kureshtarë që më vinin nga pas, donin të më shikonin nga afër dhe tentuan të futen në dyqan. Unë po shikoja mallin e ekspozuar. Nxënësit tentuan të futeshin të gjithë njëherësh dhe xhami i portës u thye. Shikimi im u ndesh me atë të shitëses, e cila më buzëqeshi dhe më tha: “Paguaje! Ti je fajtori”! Për të parë ty u thye”. “Keni të drejtë – ia ktheva, sa bën dëmi? – bëra të bindurin. – Mos u shqetësoni – më tha, – se nuk u thye me dashje. Xhami u thye për të parë artistin, aq më tepër që është edhe delegat kongresi”.
Një incident më i madh më ndodhi në familje. Më 22 janar 1978, Televizioni Shqiptar transmetoi komedinë njerëzore “Me plot dëshirë”. Po e shikonim familjarisht në televizor. Kishte ardhur vëllai familjarisht dhe disa gjitonë. Ishim si në kinema. Në komedi unë kisha rolin e Sokratit, ndërsa Violeta rolin e Luizës. Të gjitha personazhet e vinin Sokratin me shpatulla në mur si burokrat. Erdhi momenti kur Sokrati do të binte në kanal. Doli andej i lagur, i rraskapitur. Të gjithë fshatarët qeshnin me të. Vilma, bija jonë, atëherë ishte tre vjeçe, po ndiqte komedinë, kur papritur shpërtheu me të qarë në dënesë. U trembëm. U ngritëm të gjithë të alarmuar. Violeta e merr në duar e përkëdhel dhe me shumë kujdes e pyet: “Ç’ke të keqen mami?. Vilma siç ishte në krahët e Violetës, i këputi ca baca në kokë, duke i thënë me të qarë: “Ti mami e ke fajin, që e le babin të tallen me të. Pse nuk e ndihmove? Pse e le të binte në kanal”? Ajo komedi më ndryshoi emrin në Sarandë, më flisnin shoku Sokrat!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.