Kryesore

Filmimi i rrallë/ Motra e Zogut, princesha Sanije martohet në Tiranë me princin turk Abid. Ceremonitë në pallatin mbretëror

08:00 - 06.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pastaj, pamje të plota nga sheshi i Tiranës, ku qindra njerëz kërkojnë me vështrime princeshën nuse. S’dihet çfarë i shtyn më shumë, kureshtja e kudondodhur e këtyre rasteve apo nderimi ndaj princeshës e mbretit Zog. Thuhej se ajo ishte më e dashura e bujarja ndër gjithë motrat e Zogut. S’linte kurrë rast pa bërë ndonjë bamirësi dhe të gjithë ata që i kërkonin ndihmë gjithmonë e merrnin prej saj. Mbase janë aty pikërisht për këtë, ar për të motrën, princeshën Senije. Kamera fikson tavolinat e tejmbushura me ushqime gjithfare, të ftuarit që drejtojnë vështrimet nga princesha dhe mbreti Zog, veshjet, zbukurimet…
Mbreti dhe princesha janë ulur pranë njëri-tjetrit. Ajo mban kokën lart dhe vështrimin përdhe. Ndërsa mbreti sheh mënjanë me një vështrim gati të papërcaktueshëm.
Më tej, sërish pamje jashtë. Njerëz pafund që vështrojnë me kureshtje. Sërish hyrja e pallatit mbretëror, në krye të shkallëve shfaqet mbreti, sërish i veshur me uniformë, dhe princesha, tashmë pa fustanin e bardhë. Në krah të saj një burrë shtatlartë veshur me shik, me flokët e krehur pas e me një palë syza të dukshme. Është princi Abid, ndërsa ecën bashkë me gruan e tij dhe mbretin Zog, e marrin rrugën drejt sheshit. Në dy anët e rrugës ku ecin, qindra ushtarakë nderojnë me armët ngritur në ajër. Mes tyre, princesha Senije me kostum të errët, pallton prej gëzofi e kapelën në anë të kokës. Në krah të djathtë të saj, mbreti Zog, ndërsa në të majtë princ Abid. Komentatori, në gjuhën italiane, njofton se në këtë moment princesha dhe bashkëshorti i saj po bëhen gati të nisen drejt Italisë për muaj mjalti. Një makinë e pret çiftin pak hapa më tej. Princesha ndalon. Mbreti Zog i mallëngjyer e puth të motrën në ballë. Princi Abid hap derën e automobilit, e me hapa të kujdesshëm princesha ngjitet në makinë. Përshëndet me dorë. Për një moment duket e trishtuar. Por pak, vetëm pak sekonda më vonë, shenja nervozizmi i duken në portret.
Princi Abid nis të ngasë automobilin dhe kamera fikson një grup të madh vajzash veshur me kostume kombëtare, që përshëndesin çiftin e sapomartuar.




asssasasa faqe 1ssss6 17 faqe 16 17
<
>

Këtu filmimi ndërpritet. Më tej? Me siguri, princesha u nis drejt Durrësit. Pastaj nga Durrësi në Bari. Pastaj kthimi nga muaji i mjaltit. Vendosja në pallatin e caktuar enkas për të, aty ku është vendosur sot familja mbretërore… më tej jeta e përditshme e saj, më studime, këshillime, bamirësi, angazhime shoqërore e politike, deri në kohën kur u largua drejt Francës, në Nice, Kanë, ku edhe vdiq në mërgim, me 15 prill 1969 në moshën 60-vjeçare, pa lënë asnjë pasardhës.
Në Arkivin e Filmit
Filmimet e kësaj dite janë realizuar nga ndërmarrja Kinematografike Shqiptare, në Itali. Viti i prodhimit është 1936. Janë plot 94.9 metra film, me xhirime bardhë e zi me zë (folës italisht) me titullin “Martesa e princeshës Sanie”.
Këto janë të dhënat e para që gjejmë në kartelën bazë të filmit në Arkiv. E përmes saj, orientohemi edhe për materialet që gjenden brenda saj. Në mënyrë integrale në kartelë shpjegohet: “Pamje e përgjithshme e Tiranës. Në ceremoninë e dasmës vijnë për të marrë pjesë të ftuar në martesën e princeshës Senie me princin Habib.
Ceremonia e darkës. Nga pallati, Zogu përcjell të motrën me burrin e saj për në Itali. Vajza të veshura me kostume kombëtare.”
Nëndrejtori i këtij Arkivi, Flori Slatina shpjegon se ky filmim është hedhur në një kasetë, bashkë me disa sekuenca nga martesa e Zogut, dhe tjera imazhe nga një paradë për nder të mbretit. Kësisoj, është më e lehtë t’i shfaqësh këto filmime të hershme, të cilat i joshin shpesh studiuesit dhe të interesuarit ndaj këtyre materialeve të rralla. Këto filmime hyjnë në radhën e materialeve më të hershme dhe më interesante që ruhen në Arkivin e Filmit në Kinostudio.
Mbi çiftin e sapomartuar
Atmosferën e kësaj dasme e gjejmë edhe në gazetën e përdishme politike, “Besa”, në faqen e parë të së cilës me shkronja të mëdha shkruhet: “Gazi na u trashëgoftë…”. Në dy foto ovale janë princesha e Senije, me veshje elegante e krehur sipas stilit të kohës, dhe princi Abid. Në shkrim, shumë detaje nga lidhja e tyre, martesa dhe biografia dhe urime të shumta, që nga Parlamenti e deri tek persona të veçantë. Në anë të fotos së princeshës shënohet N.S. Mbretnore, princesha Senije, ndërsa në foton tjetër, N.T. Imperiale, prince Abid.
Ndër të dhënat e publikuara ato ditë në shtypin e kohës mësojmë se Senije Zogu, njëra prej motrave të Mbretit Zog, e lindur në Burgajet, pas tre fëmijëve, dy motrave më të mëdha, Adila dhe Nafije dhe mbretit Zog, ishte këshilltarja më e afërt e këtij të fundit. Me të dhëna të mira intelektuale, ajo e këshillonte mbretin në shumë çështje politike. Ishte kryetare e Kryqit të Kuq në kohën kur organizata njohu rritje dhe autoritet.
Asokohe, ministri i Punëve të Mbrendeshme, Ahmet Zogu propozoi dhe me 30 djetor të vitit 1921 u themelua Kryqi i Kuq Shqiptar. Pas më shumë se një viti, me 2 gusht të vitit 1923, u bë anëtare e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Dhe me themelimin e Monarkisë, parlamenti caktoi si patroneshë të Kryqit të Kuq Shqiptar, princeshën Senije. Nën kujdesin e Kryqit të Kuq u hapën shkolla, jetimore, streha varfërore, azilet e para të pleqeve, ndaheshin dhe gjellë për të varfrit në disa qendra. Këto veprimtari hynin ndër angazhimet kryesore të princeshës.
Ndërsa të dhënat biografike për princin Abid i gjejmë në gazetat ku u publikua lajmi i martesës së princesësh me këtë princ turk.
Fjalë për fjalë, nota e tij biografike shënohet kështu: “Naltësia e tij imperiale, princi Abid është biri më i vogël i të ndjerit Abdyl Hamidit të II-të, sulltanit të Turqisë. Ka lemun para tridhetë vjetëve në pallatin Ylldiz-Qoshk të Stambollit. Ka filluem mësimet e tij në lyceum e Gallata Sarajit të Stambollit dhe kur shkoi në Francë u regjistrue në Fakultetin e Drejtësisë t’Universitetit të Parisit, ku mbaroj simvjet mësimet e tij me sukses”. Vetëm një vit pas martesës më princeshën Senije (1937), princi Abid u emërua i ngarkuar me punë i Shqipërisë në Paris. Duke u emëruar më vonë ministër fuqiplotë, e ushtroi këtë detyrë deri në prill 1939. Martesa e Senijes me Abid ftohu sërish marrëdhëniet e Zogut me Ataturkun, por ky i fundit i sëmurë, nuk reagoi si në vitin 1928. Për t’u shënuar është fakti se Senija më 31 tetor 1938, përuroi godinën e re të Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Senija dhe Abid nuk patën fëmijë. Princesha vdiq në Kanë, në moshën 60-vjeçare, larg atdheut të saj dhe prehet në të njëjtën varrezë ku prehet dhe vëllai i saj, mbreti i shqiptarëve, Ahmet Zogu. Mbase momente te fundit ndërmend ka sjellë mes qindra kujtimeve edhe ditën e martesës së saj në Tiranë, rrugët e kryeqytetit mbushur plot me kureshtar e adhurues, ushtarakët që nderonin anës rrugëve, banketin e dasmës, urimet dhe dhuratat, sigurisht dhe ankthim e atyre orëve, e njësitë kundërshtuese të asaj dite të fillimdimrit të 1936.

Shënimet e panjohura të një biografi

Motra e preferuar e Zogut

Zef Mark Harapi, mendohet se është autori i një varg shënimeve që gjenden në Arkivin e Shtetit mbi familjen e mbretit Zog. Shënimet e daktilografuara janë dorëzuar në arkiv nga Stefan Çapaliku, pasi janë dhuruar nga familja e Zef Mark Harapit. I lindur në vitin 1910, ai vdiq menjëherë pas çlirimit, në vitin 1946. Ai ishte dramaturg, tregimtar, përkthyes, studiues dhe biograf. Mes këtyre shënimeve për oborrin mbretëror kemi shkëputur vetëm shënimet që ai mban për princeshën Senije dhe po i botojmë sipas origjinalit, pa ndërhyrë në strukturën gjuhësore të përdorur prej tij
Senija
Ahmet zogu e kalonte jetën me Senijen, e cila ma të shumtën e kohës rrite në Tiranë e në Durrës, me ka 3-4 muej rresht. Senijen e sjellte nëpër pallat e zyrë të vet, ndërsa motrat e tjera i kishte rreth vedit në orë të caktueme.
Senija ishte e zgjuet e bujare. Zogun e kshillonte ndër çashtje politike. Dijte inglisht, frengisht, italisht e germanisht. Babatasi ka kenë profesori i princeshave e jetote me ta. Në spjazhë të Durrësit, oda e mbretit ishte dame prej asaj të Senijes me nji perde. Motra e preferuar e ZogutSi edhe me ba dhantina, pse Mbreti ishte serraf, ai gjithherë ia ka mbajtë premtimin Senijes.
Mbreti ka kenë frikacak.
Senija ka dhanë ndihma për martesa varzash, të vorfuna, nepte shpërblime. Kush nuk iu drejtonte kësaj jitte pa gja.
Vishej luks e ndrronte sipas ditës ka nji kostum. Për shërbim kishte nji austriake e nji djalë.
Sa ishte vajzë hante me familjen, pos të vllait Zogut i cili hante bukë veçmas. Pasi u martue hante me Zogun e me mbretneshën. Ishte qefli fotografinash. E ka pas msue me i la Palok Gurashi. U martue në Tiranë me Habibin,(Abidi) djali i Abdyl Hamidit, i cilli jetonte në Paris, e vinte në Shqypni për ndo’i festim me randësi.

RIBOTIM/ Nga suplementi kulturor i “Gazeta Shqiptare” “Milosao”. 21 Janar 2007

Ditë pas dite do të gjeni në “Gazeta Shqiptare” PRINT shkrime me foto të vecantat nga arkiva jonë e pasur ndërvite, Suplementet që kanë shoqëruar gazetën në ditë të ndryshme të javës. Shkrime nga autorë dhe vepra të ndryshme! Na lexoni!

“Gazeta Shqiptare” e gjeni në çdo pikë shitje të gazetave!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.