OPINION

Pse sulmi ndaj “Prestige Resort” lidhet me lirinë e medias?

08:56 - 06.09.22 ENDRI TAFANI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA ENDRI TAFANI




Jo po ndërtimi pa leje, jo po borxhet e tatimeve, etj., etj., njerëzit kanë harruar që ne i paguajmë 140 milionë euro Beketit për mbylljen e paligjshme me motive politike të “TV Agon”. Dhe ngelet fakti që Irfan Hysenbelliu u godit vetëm… në momentin që grupi i tij mediatik doli kundër Ramës në TV.

Ky është problemi kryesor. Liria e medias. Në Shqipëri ka me qindra mijë ndërtime pa leje, ka me mijëra biznese me borxhe tatimore, duke përfshirë dhe ata që i shikoni si oligarkë. Nuk janë këto thelbi i çështjes. Mbase u duhet rikujtuar njerëzve që media është pushteti i katërt dhe problemi më të është esencial në një demokraci. Tani marrim rastin e dikujt që do të hapë një media. Nëse flet pro qeverisë, merr leje ndërtimi, toka publike koncesione etj. Nëse flet kundër qeverisë, ia mbyllin TV, e kërcënojnë me prokurori, tatime etj. Po të ishit ju në vendin e tij, çfarë do bënit? Mos bëni moralistin nëse nuk e ndjeni! Mund të ketë ndonjë që thotë nuk e hap median fare.

Ok. Nuk e hapni median. Jeni një biznes që iu bien në qafë inspektorët e Tatimeve. Në ministri i gjeni dyert mbyllura e gjykata e prokurori kur keni shtetin për ballë i humbni të gjitha. A nuk i drejtoheni medias si pushtet i katërt? Sa raste të tilla keni parë? Me qindra. Po kur në media i gjeni dyert mbyllur sepse ata vetë e kanë mirë me shtetin? Çfarë do bëni? Nëse jeni dhe ju biznes i madh, atëherë edhe ju tentoni të hapni një media, minimumi për të mbrojtur biznesin tuaj. Si më sipër ka dhe biznese të tjerë që hapin media thjesht për të shantazhuar shtetin e përfituar. Kjo është situata me median në Shqipëri.

Por çfarë është konstante në të gjitha këto raste? Qartazi abuzimi i shtetit me fuqinë e tij, qoftë ky abuzim ekzekutiv, parlamentar apo gjyqësor. E para sepse nëse një pushtetar, qoftë ky ministër, gjykatës, prokuror, parlamentar apo dhe një drejtor drejtorie nuk do të bënte punë të pista, nuk do të binte pre e shantazheve nga media e nuk do kishim këtë sjellje nga media. E dyta sepse një pushtetar, qoftë ky ministër, gjykatës, prokuror, parlamentar apo dhe një drejtor drejtorie nuk do të abuzonte me pushtetin e vet për ta bërë median të flasë siç do ai, nuk do mbyllnin media kur e kritikonte dhe media do ishte e lirë në qëndrimin e vet. Modeli i medias aktuale është rrjedhojë e abuzimit të 3 pushteteve të tjera nga politika. Këtu është problemi kryesor.

Media si pushtet i katërt në Shqipëri është kapur apo përpiqet gjithmonë të kapet nga ekzekutivi dhe rasti i Resortit “Prestigj” ashtu si dhe rasti i “TV Agon” me Beketin janë dy anët e një medaljeje. Dy anë të një medaljeje, por që kanë një gjë të përbashkët. Goditen nga shteti fiks kur i dalin kundër, jo më parë. Goditën me të drejtë apo pa të drejtë, kjo nuk ka pikë rëndësie për qeveritarët tanë. Ironike që ka rëndësi për ata të verbuar nga propaganda e nuk kuptojnë thelbin. Kush do ta kuptojë, e kupton.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.