OPINION

Mëshirë për Edi Ramën!

07:32 - 08.09.22 XHEVAT MUSTAFA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA XHEVAT MUSTAFA




Gjatë 9 vjetëve të kryeministërllëkut të Edi Ramës ka pasur shumë përfolje apo thashetheme, interpretime subjektive apo të sakta, për veprime dhe mosveprime të tij; për emërime dhe shkarkime zv.kryeministrash, ministrash, drejtorësh të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit…

Po kështu, edhe për deklarime kritike, “pa doganë” apo pa vetëkontroll dhe etikë diplomatike, sidomos gjatë samiteve të BE-së si dhe gjatë 3 vjetëve të fundit apo të parat në kuadër të “Minishengenit ballkanik” ose “Ballkanit të hapur”; për fotot shumë miqësore dhe “vëllazërore” me Xhorxh dhe Alex Soros si dhe me Aleksandër Vuçiçin… Apo në Shqipëri, me Vangjush Dakon, Gjergj Lucën… dhe disa të tjerë “investitorë strategjikë”, ose me disa ish-ministra, ish-deputetë dhe ish-kryebashkiakë socialisto-rilindas, aktualisht nëpër qeli burgjesh…

Duke vijuar, ai është bombarduar në media dhe rrjete sociale, në Shqipëri, Kosovë, MV, Diasporë, me komente mospëlqyese dhe diskredituese edhe për pamjen e jashtme, veshjen, modelet dhe ngjyrat e tyre, për sytë dhe pjesët e nënsyve; për afeksione dhe maniera të tij, për kartelën e tij mjekësore, botuar së pari nga “gazeta e tij”, domethënë nga “TEMA” e mikut të tij, Mero Baze… Më 2 shtator 2022, Edi Rama u përmbyt nga komentet, kritikat, kërcënimet, mallkimet… për çka bëri e tha në Beograd, gati në një kohë, së bashku me sivëllanë Vuçiç dhe nëpërmjet fadromave tek “Prestige Resort”, pronë e biznesmenit të madh shumëfushash, Irfan Hysenbellu.

Si i lidhur qysh nga krijimi me një nga mediat e tij të para, me gazetën “Panorama” dhe më vonë në “GAZETA SHQIPTARE”, ku në vitet e tyre të para kam botuar me reklamim në f.1 rreth 300 analiza, komente, opinione, të paguara me honorare të mira, dhe për disa muaj edhe me pagë mujore të mirë, ndjeva një dozë të lehtë keqardhje për çka përjetoi ai dje. Por, kjo ka edhe të mirën se Irfanit, dhe, nëpërmjet tij shumicës së SHQIPTARËVE, iu dha një mësim i ri apo një mesazh i vjetër, që ai duhej t’i dinte mirë prej shumë vitesh më parë. E kam fjalën për faktin se këta socialisto- rilindasit e kanë traditë 78-vjeçare të hanë bukën e të përmbysin mbi kokë kupën.

Po nga Beogradi, më 2 shtator 2022, Edi Rama, më pak dhe Vuçiç më shumë, u dendën në verëra të kuqe e të bardha. Presidenti i Serbisë me perspektivë “rritjeje disaformëshe”, nëse “Ballkani i hapur” marshon nga “fitorja në fitore”, ka të drejtë të dehet nga gotat me verë e nga gëzimi!!! Falë “vëllazërisë” me Edi Ramën dhe “bujarisë” së tij, duke mos qenë edhe i dehur, ka arritur personalisht dhe si vend një fitore të re, të pamerituar e të papritur.

Të dy, domethënë Vuçiç dhe Rama, u shprehën me tone euforie dhe doza ekstazizmi se “dy vendet po dhe do të përjetonin një periudhë bashkëjetese…”. Duke e dashur sinqerisht që serbët të heqin dorë nga tradita rreth 14-shekullore e luftërave, pushtimeve, masakrave masive genocidiste në trojet shqiptare, kujtesa historike nuk na lejon, që ndryshe nga ata, të jemi skeptikë. Për këtë ndihmojnë edhe zhvillimet e një dite më parë.

Ndërsa Vuçiç e Rama mburreshin për një projekt bashkëjetese shqiptaro-serbe, jashtë sallës së konkursit të verërave e të takimit, sipas një tradite e praktike të hershme, më 31 gusht, u shklyen dhe dogjën flamurë shqiptarë??? Shumëkush nga skeptikët mund të pyesë: projekt bashkëjetese shqiptaro-serb, i paraprirë nga një konkurs verërash, “shoqëruar” me shumë lloje sallatash, çorbash, turlish, shishqebapesh, biftekësh, bërxollash, sallamërash, djathërash… ballkanike dhe vëzhguar live nga Putini në Moskë, nëpërmjet kompjuterit të tij në kabinetin në Kremlin, së bashku me ndonjë mik a mike…???!!!

Po sipas skeptikëve, kjo do të ishte thuajse njësoj sikur të bënin në ferr një takim kompromisi e bashkëjetese shpirtrat e shokëve Tito dhe Enver!!! Më herët, qysh në ditën e parë, pra, më 1 shtator, në “Festën e verës” (Verërave), pa filluar akoma pirjen e tyre, Edi Rama, për humor dhe për të fituar sa më shumë vëmendjen dhe pëlqimin e të pranishmëve, lëshoi një broçkull fyese për gjuhën shqipe dhe të gjithë shqiptarët, duke i gëzuar serbët, maqedonasit, rusët, grekët, malazezët… e pranishëm me cilësimin “gjuhë e çuditshme”.

Nuk është as e para dhe as e fundit që del nga goja e këtij “Kryeministri të çuditshëm” për shumëçka mban “autorësinë” apo firmën e tij, pra, edhe për humorin e trashë apo talljet me popullin, vendin, shtetin, kombin, gjuhën… e vet. Natyrisht, një ish-basketbollist dhe piktor i rëndomtë mund të bëhej Kryeministër vetëm në një vend e nga një popull, prej 78 vjetësh, të çudirave apo “të çuditshëm”!!! Dy nga më të mëdhatë dhe absurdet: partishmëria majtiste dhe durimi përtej njerëzor, sidomos i “popullit të majtë”, për të pritur 78 apo 156 vjet t’i përjetojë premtimet përralleske të partisë së zemrës dhe të kryetarëve të tij!!!

Si për t’i vënë kapakun, emrin apo vulën, takimit të 1-2 shtatorit 2022 në Beograd, në kuadër të “Ballkanit të hapur”, Presidenti serb, mes dehjes dhe euforisë, deklaroi se nëpërmjet “Ballkanit të hapur”, “në këta 3 vjet kemi marrëdhëniet më të shkëlqyera me Shqipërinë…” Duke mos ia ngrënë hakun, Vuçiç është i sinqertë. Falë Edi Ramës ka rilindur “dashuria”, “vëllazëria”, “bashkimi”, “bashkëjetesa”… të ndërprera më 1948 mes shokëve Tito dhe Enver.

Gjatë rreth 1300 viteve Kosovës dhe Shqipërisë, nga veriu, të gjitha të këqijat, rreziqet, ushtritë pushtuese… u kanë ardh nga Serbia!!! Në të kundërt, Serbia nuk ka përjetuar, në asnjë rast, agresione, pushtime, masakra masive genocidiste nga shqiptarët. Edhe për sot e nesër kërcënimet e rreziqet më të shumta vijnë prej saj. Takimet në kuadër të “Ballkanit të hapur” zgjasin 2-4 ditë, marrëveshjet më së shumti mbeten në letër ose çojnë ujë në mullinjtë e Serbisë, ndërsa urrejtja histerike serbe, koncentruar në qëndrimet e pandryshuara ndaj Kosovës, vazhdojnë për gjithë një vit e për shumë e shumë vite. Në këto kushte: kujt duhet t’i besojmë? Historisë, përjetimeve dhe realitetit fare të freskët apo euforisë, ëndrrave, iluzioneve, premtimeve të pasinqerta apo tipike serbe, pompozitetit ceremonial në aeroport, për pritjet e Edi Ramës… si dhe në mjediset e brendshme të sallës së Samitit të radhës në kuadër të “Ballkanit të hapur”???

Referuar gjithë dosjes 9-vjeçare me veprime dhe deklarime, me masakra apo gjëma urbanistike dhe ambientaliste, edhe mbi identitetin dhe trashëgiminë historike, tradicionale, demografike, kulturore; me eksperimente, dështime, skandale, me fatura tmerrësisht të larta korruptive… të Edi Ramës dhe kryeministërllëkut të tij, mund të thuhet se për plot SHQIPTARË Edi Rama “është shqiptar sa dhe si Enveri”. Domethënë, shqiptar me fjalë, premtime, parulla, përralla, parada, këngë, valle…, për shumicën e popullit me barkun bosh dhe gjunjët gati me u këput dhe me sytë nga Perëndimi, sa më shpejt prej këtij vendi apo “ferri tokësor” me u zhduk…!

Të gjithëve atyre që e urrejnë, përbuzin, mallkojnë, jo subjektivisht, jo thjesht për motiv politik apo partiak, pra, edhe jo pa të drejtë Edi Ramën, qysh kur erdhi nga trotuaret dhe koshat e plehrave të Parisit; për gjithçka ka bërë e thënë gjatë 13 viteve si kryebashkiak i Tiranës dhe në këta 9 vjet si Kryeministër, me kulm “të bërat dhe të pabërat”, shprehjet me humor apo seriozitet, me “zgjuarsi” apo “naivitet”, në Beograd, më 1 dhe 2 shtator 2022, do t’u këshilloja fare shkurt: Mos ia vini re: është një ishbasketbollist, më shumë rezervë apo stoli dhe një piktor pa… një kryevepër! Kaq di e këto bën…! Mos prisni prej tij që të bëjë punë dhe veprime që t’ju lënë pa gojë e pa…mend! Pra: mëshirë për Edi Ramën, kryeministër “vanë e vunë”, pa e ditur sa shumë mend kërkon dhe do kjo punë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.