DOSSIER

“Ish-laboranti i spitalit tregonte se trupi i Mirash Ivanajt, gjendej te fakulteti i Mjekësisë, por kur shkuan të afërmit aty…”/ Historia tragjike e ish-ministrit që i preu bursën Enver Hoxhës!

07:39 - 09.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Nga Dr. Uran Butka




Pjesa e tretë 

Mirash Ivanaj, është një personalitet i jashtëzakonshëm, ndër të paktët e njerëzve të zgjedhur, për të shprehur fuqishëm vetveten, elitën kulturore dhe kombin shqiptar. Një figurë poliedrike: krye atdhetar, vigan i mendimit dhe i veprimit shqiptar në vitet 1930-’40-të të shekullit të kaluar, ideator dhe reformator i arsimit kombëtar, shtetar model, një nga intelektualët më të ditur të kohës, studiues, poet, publicist, kronikan, përkthyes, kundërshtar i pathyer pushtimit fashist të Shqipërisë dhe i diktaturës komuniste, martir i kombit.

Ai u largua nga atdheu bashkë me vëllain Martin Ivanaj, jurist i shquar, kryetar i Gjykatës së Diktimit si dhe miqtë e tij, arkitektin Qemal Butka dhe filozofin Branko Merxhani, si një refuzim ndaj pushtimit Italian të Shqipërisë dhe si një shpëtim për jetën e tyre. E shpjegon vetë këtë mërgim në ditarin e jashtëzakonshëm “Na, që shpëtimin e gjetëm në t’ikun”, pas protestave qytetare e studentore antiitaliane, që i përkrahu edhe Mirashi.

Tiranë, më 2 prill 1949

AKT – AKUZË

Sikurse do të konstatohet edhe nga proces-verbali që bashkëngjitur ju sillet, i pandehuri Mirash Ivanaj, i biri i Dodës dhe i Zogës, vjeç 57, lindur në Titograd, i rreshtuar, akuzohet:

Si ministër i regjimit të Zogut, mundohet që në çdo mënyrë të mbajë të fortë këtë regjim, duke tentuar të dizorientojë elementët antizogistë me anë reformash të dekretueme vetëm në letër. Aftësia dhe besnikëria për regjimin antipopullor të Zogut, e çon kryetar të Këshillit të Shtetit deri në prill 1939.

Në ditët e okupacionit arratiset për në Greqi bashkë me klikën dhe prej këndej në Turqi, ku jeton duke qenë i furnizuar prej agjentëve të huaj, si anglezin Sterling etj. Për qëllime të imperializmit anglo-amerikan, formon komitete në Jeruzalem e vende të tjerë. Në vitin 1945, nën urdhrat e anglo-amerikanëve kthehet në Shqipëri për të kundërvepruar pushtetin popullor, i rekomanduar prej agjenturave të huaja për elementët që do të bashkëpunonte, merr kontakt me Kostë Boshnjakun, Ali Bakiun, Gjergj Kokoshin etj., dhe së bashku me ta shtron çështjen e organizimit dhe të rrugës që duhej ndjekur për të rrëzuar pushtetin popullor.

Kudo propagandon ndër elementë të njohur, të cilët mundohet t’i hedhë në aktivitet kundër pushtetit popullor. Është në dijeni të ekzistencës së organizatës së deputetëve tradhtarë dhe përkrah programin e tyre terrorist.

       …Prokurori Ushtarak

                             Kap. II Petrit Hakani  d.v.

I’u këndua akt-akuza dhe tha se nuk e pranonte.

“Gjatë kohës së Zogut isha drejtor i Liceut të Shkodrës dhe në fillim të vitit 1933, u bëra ministër i Arsimit, ma vonë kryetar i Këshillit të Shtetit deri më 1939, kur kam dalë jashtë shtetit. Unë kam qenë admirues i Zogut, siç ishin gjithë të tjerët. Partina politike në kohën e Zogut nuk ka pasë, por unë kam përkrahur elementët me tendenca demokratike. Unë nuk kam qenë kundërshtar i Zogut.

Këshilli i Shtetit nuk kishte ndonjë fuqi politike, por ishte vetëm për të shfaqun mendime. Unë kam ikur me qerren e Zogut pse na thanë se do të organizoheshim në Korçë. Kam ikur jashtë pa marrë asgjë me vedi, ika ja kështu siç po më shihni sot. Unë kam qenë besnik i Zogut deri më 7 prill 1939. Gjatë kohës që kam qenë jashtë, kam qëndruar në dhe, ma vonë, bashkë me Qemal Butkën, kemi vajtur në Jeruzalem…!

Në Stamboll nuk kemi formuar ndonjë organizatë, se nuk lejonte qeveria turke. Ne kemi bërë disa akte politike e mbledhje kur ka filluar lufta italo-greke dhe kemi bërë një protestë lidhur me fjalimin e Çurçillit, si edhe një herë tjetër kundra Greqisë, kur kërkonte viset tona të Korçës e Gjirokastrës.

Këto i kemi bërë me pëlqimin e vetë qeverisë. Turqia nuk e ka njohur akoma okupimin e Shqipërisë dhe si ministër në Turqi, ishte Hasan Xhaxhilli. Ne takoheshim me të njëherë në vjet, kur ishte dita e 28 Nëntorit…! Ministri nuk kishte ndonjë fuqi për ne. Mua më ka mbajtur kolonia shqiptare për 7 vjet…! Nuk kam marrë pjesë në ndonjë komitet. Unë do të merrja pjesë në komitet, në rast se ky do të ish legal dhe jo ilegal. Kam takuar një herë Zogun në Stamboll dhe më tha se do të formohej një komitet, ku do të ishte Koço Kota dhe unë.

Unë i thashë se me Kotten nuk bashkëpunoj. Me kaq u ndava dhe nuk jam takuar më me të. Nuk kam pasur korrespondencë me Zogun. Kam qenë njeri i izoluar. Kur Stërlingu propozoi për të bërë independencën e Shqipërisë, nuk pranova se në të ishin njerëz si Musa Juka dhe se ky komitet, nuk mund të punonte vërtet për independencën e Shqipërisë. Anglezin për të cilin më akuzoni, nuk e njoh fare. Unë kam dalë përjashta pa e ditur se po dal jashtë. Unë erdha në Shqipëri, sepse Shqipëria u lirua. Ideja ime është të punoj në arsim.

Mbas ardhjes në Shqipni jam pa me shumë njerëz. Jam pa me Gjergj Kokoshin, Ali Bakiun dhe arsimtarë të tjerë. Përsa i përket gjendjes së Shqipërisë, kam pa ndryshime të mëdha. Unë nuk kam bisedue me asnjë person politikisht. Me Gjergj Kokoshin kam bisedue njëherë në hotel dhe kjo ishte para zgjedhjeve; më tha se donte të formonte një opozitë legale dhe se kandidaturën për deputet, do ta paraqiste në emrin e vet personal, jo në emrin e Frontit Demokratik.

Me Kolë Kuqalin njihem që kur ka pas ardhur një ministër amerikan, në vitin 1938. Mbas çlirimit të Shqipërisë, nuk jam takuar me të ndonjëherë. Me Kostë Boshnjakun, jam takuar vetëm njëherë për të marrë disa të holla me kambial, t’ue vu shtëpinë në hipotekë, por kjo mu refuzue. Më pyeti në lidhje me disa sende ushqimore dhe unë i’a thashë çmimet e tyre. Për ekzistencën e organizatës së deputetëve tradhtarë, unë nuk kam dijeni. Nuk jam paraqitë ndonjëherë në Misionin Amerikan në Shqipni…”!

Ndonëse Mirash Ivanaj nuk i pranon akuzat dhe i rrëzon ato një e nga një me argumente e fakte, Gjykata Ushtarake me Abdyl Hakiun në krye, i quajti akuza e fakte të provuara plotësisht dhe në bazë të nenit 3, paragrafi 8, dhe nenit 8, të ligjit famëkeq 372 datë 12.12.1949, e dënoi “për krime kundër shtetit”, me shtatë vjet burg dhe me pesë vjet të tjera humbje të të drejtave politike, si dhe me konfiskimin e pasurisë së luajtshme. Gjithashtu i ngarkoi edhe shpenzimet e gjyqit!

Kur u dha vendimi, Mirash Ivanaj ishte përhumbur e indiferent deri në kufijtë e harrimit. Prokurori Hakani kur e vuri re, i tha:

– A more vesh mor ti?

– Jo mor zotni, çfarë të marr vesh?

– Je dënuar me shtatë vjet burg!

– Po për çka jam dënue, zotni?

– Për agjitacion e propaganda, kundër pushtetit popullor!

– Po unë sa kam ardhur prej Turqie, s’kam folë me njeri përveç punës mësimore.

– Me atë mendim ke ardhur që të bësh propagandë!

– Po a ka ligj në botë, zotni- përgjigjet Ivanaj- që të dënojë mendimin?

– Mbylle gojën se je i dënuar!

Kishte një vend të tillë që dënohej mendimi dhe kjo ishte Shqipëria e asaj kohe.

I dënuari Mirash Ivanaj, e apeloi vendimin e Gjykatës së Garnizonit të Tiranës, me këto fjalë që përbëjnë një ironi therëse: “Në rast se fakti që më atribuohet konsiderohet faj, deklaroj se nuk kam patur ndonjë qëllim të keq dhe i lutem të naltit gjyq që, në rishikimin e çështjes sime, të tregojë zemërgjerësi, tue parë gjendjen time ekonomike fare të këputun e gjendjen shëndetësore të keqe dhe, të ma transferojë dënimin në kondicionel, tue më dhanë kështu mundësi që ditët e fundit të pleqësisë sime, t’ia kushtoj, me atë kontribut që mundem, popullit…”! Mirash Ivanaj, 10.4.1948.

Edhe Gjykata e Lartë Ushtarake e kryesuar nga Niko Çeta që ka dënuar një pjesë të madhe të intelektualëve dhe, në prezencën e kryekriminelit, prokurorit ushtarak Nevzat Haznedari, aprovoi vendimin e Gjykatës Ushtarake të Tiranës, për dënimin e Mirash Ivanajt. Ky vendim ishte i formës së prerë!

Kështu u mbyll në burgjet komuniste personaliteti i madh i arsimit dhe kulturës shqiptare, demokrati Mirash Ivanaj. Vuajtjet e tij në burg janë të pafund, sikurse për të gjithë të burgosurit e tjerë politikë. Mirëpo ato bëheshin më të rënda e më të trishtueshme për Mirash Ivanajn, për shkak të karakterit krenar dhe sepse nuk kishte njeri të përkujdesej për të, përveç plakës Novkë- ish shërbyesja malazeze- e cila i çonte, kur i ndodhej, ndonjë dorë duhan, apo ndonjë ushqim, të cilat babushi i ndante me të tjerë të burgosur.

Në këtë kohë u krijua burgu i artizanatit ku u futën edhe ata të burgosur që kishin zanat gjuhët e huaja. Shteti totalitar kishte nevojë për përkthime në të gjitha fushat, ndaj i futi në mokrën e stërmadhe të përkthimeve të detyruara, intelektualët që zotëronin gjuhët e perëndimit e të lindjes, si Mitrush Kutelin, Jusuf Vrionin, Mit’hat Aranitin, Gjergj Bubanin, Lazër Radin, Beqir Haçin, Mihal Sherkon, Reis Hashon etj.

Aty përktheu ditë e natë nën kërbaç e kontroll të rreptë edhe Mirash Ivanaj. Përkthente kryesisht literaturë, nga fushat e matematikës e të ushtrisë, të filozofisë, të historisë etj. Siç dëshmon i përndjekuri Sabri Çelnikasi, në dhomën e përkthimeve ishin shumica intelektualë të shquar. E donin dhe e ndihmonin njëri-tjetrin. Më pas ata si të rrezikshëm, i mbyllën në burgun e Burrelit.

Mirashi përgjithësisht ishte i menduar e kishte një brengë të vazhdueshme në shpirt për fatin e zi të Shqipërisë, të cilën, sipas një shprehjeje të tij, e kishin futur në rrugën e të tatëpjetës, drejt greminës politike, ekonomike e morale që shpejt do ta çonte në katastrofë të plotë. Gjithashtu i qante shpirti për bibliotekën e tij, për librat, që ishin si fëmijët e tij të vetme dhe që ia kishin grabitur.

Në mungesë të tyre, në kohën që i mbetej e lirë, u mësonte të burgosurve gjuhë të huaja, sidomos më të rinjve. Ndërsa në kohën e punës së detyruar, sidomos në natën e qetë, ai përkthente e përkthente, shpesh i ngrirë kallkan nga lagështia, nga të ftohtit e nga mungesa e lëvizjes dhe me gishta që i kërcisnin, shkruante e shkruante sa mundte, për t’i kryer në kohë përkthimet që mbeteshin përgjithmonë anonime.

“Edhe kur ishte më mirë me shëndet – shkruan Mitrush Kuteli, – s’i pëlqente të dilte në oborr të burgut e të sillej si kali në lëmë. Njerëzit (të burgosurit) i dukeshin si ata peshqit jashtë ujit që, në grahmat e agonisë, shqyejnë gojën për të thithur etshëm pak oksigjen…”!

Kolosin Mirash Ivanaj, nuk e merrje vesh asnjëherë në ishte i ngrënë apo i pangrënë, i gëzuar apo i trishtuar. Kurrë nuk i dëgjohej zëri. Kur bashkëvuajtësit e lusnin të merrte diçka nga ushqimet që u sillnin familjarët, ai kurrë nuk pranonte. Profesor Beqir Haçi, tregon se kur ndau një portokall në thela, të parit ia zgjati Mirashit, por ai, duke e falënderuar, nuk e mori. Mbasi morën të gjithë nga një thelb, mbeti e fundit. Vetëm atëhere, kur kishin marrë të gjithë, për mirësjellje edhe Mirashi e mori.

Një ditë, në shtëpinë e vuajtjeve, sipas kujtimeve të Jakov Miles, erdhi Mehmet Shehu me Bedri Spahiun. Në dhomën e përkthimeve, takuan edhe Mirash Ivanajn. Plaku me respekt u ngrit në këmbë:

“Besoj se gjatë kohës së burgut do t’i kesh rishikuar pikëpamjet e tua”- i tha Bedri Spahiu.

“Jo pikëpamjet, por bindjet e mia’ – e korrigjoi Mirashi. – ‘t’ju them të drejtën: asnjë nuk kam ndryshuar”.

“Atëherë nuk qenke tjetër veçse një plak matuf”, – iu shfry Mehmet Shehu.

“Jam nji mendimtar dhe nji demokrat që edhe sikur të kthehesha mbrapa në jetë, do të ndiqja të njëjtën rrugë”.

Kështu i kaloi ditët e fundit martiri Mirash Ivanaj, në tortura e në punë të detyruar rraskapitëse: me fyerje e poshtërime, me mungesë të plotë të diellit e të lirisë, me mungesë të ushqimit minimal për të mbajtur shpirtin, i tretur deri në kufijtë e mjerimit njerëzor. Ai u sëmur, siç thanë, nga një ngatërrim zorrësh dhe u dergj në atë dhembje vdekjeprurëse. Formalisht e çuan në spitalin e burgut.

Sipas rrëfimit të Agron Çarçanit, i cili ndodhej në një dhomë në spitalin e burgut, Ivanaj vuante edhe nga tuberkulozi që ia kishte bërë mushkëritë copë dhe s’vinte gjë në gojë. Megjithatë, nuk u ankua kurrë, nuk rënkoi asnjëherë, nuk i kërkoi ndihmë askujt. Apoteoza e tij që shkon deri te Zoti, gjendet në poezinë e mbrame, në poezinë e burgut:

“O Zot, qysh i duron këto batërdi,

që bajnë veprat e krijueme nga Ti?

Kush sundon, më thuej, këta apo ti”?!

Si edhe të tjerë të burgosur para dhe pas tij, edhe Mirash Ivanajn, e lanë të jepte shpirt pa asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Pushtetarët e kuq ishin të interesuar që ai të mos e shihte më dritën e diellit dhe të jetës. Alibia e një vdekjeje të natyrshme në spital, ishte varianti më i mirë i një zhdukjeje pa lënë gjurmë. Shpirti djallëzor pervers e hakmarrës i Enver Hoxhës, do të kënaqej e do të qetësohej me vdekjen e Mirash Ivanajt.

Në çastet e fundit, sollën Doktor Shirokën i cili u trondit pa masë kur pa profesorin duke dhënë shpirt. I mbylli sytë përgjithmonë, për të shpëtuar nga gjithë vuajtjet e poshtërsitë e kësaj bote të nëmur, 12 ditë para se të përmbushte dënimin, pra 12 ditë para se të lirohej, Ivanaj vdiq!

“Vdiq: as në burg, as në shtëpi, as i lirë as i burgosur, as në mes të njerëzve as në vetmi fare, një vdekje absurde, një vdekje mister; vdiq i martirizuar po i papërkulur dhe në një heshtje mizore”

Bashkëvuajtësi Ibrahim Hasnai, si dhe ish-laboranti i spitalit Enis Boletini, tregojnë se në spital u muar vesh që trupi i Mirash Ivanajt, gjendej në auditorët e Anatomisë të fakultetit të Mjekësisë, për eksperiment e demonstrim mësimor. Kështu ai i shërbeu Shqipërisë edhe për së vdekuri.

Dhjetë vjet më pas më 1963-in, kur të afërmit e Nikolla Ivanajt e nxorën nga vendi ku e kishin hedhur, për ta varrosur njerëzisht në varrezat e Sharrës, e gjetën të hedhur në gropë pa emër, pa arkivol, përmbys me fytyrë përdhe, si një të burgosur, të cilin e dënojnë përsëri pas vdekjes.

Po koha dhe njerëzit që e kuptojnë atë, e kthyen me fytyrë nga qielli dhe dikur do ta vendosin në vendin e tij të merituar, në Panteonin e Kombit, martirin Mirash Ivanaj. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.