DOSSIER

Reportazhi/ Arratisja e guximshme e një familjeje shqiptare gjatë komunizmit: U trajtuam si armiq, jo si fëmijë!

12:49 - 13.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Familja Fezollari u largua nga regjimi represiv komunist i Shqipërisë në vitin 1975 duke lundruar fshehurazi me një varkë të bërë vetë natën për në territorin jugosllav. Njëri prej tyre tregoi për BIRN historinë e jashtëzakonshme se si ata ia dolën mbanë.




Natën e 3 korrikut 1975, 16 anëtarë të familjes Fezollari u nisën me një varkë që e kishin ndërtuar fshehurazi në shtëpi, nga Pogradeci në Shqipëri për në Ohër, në atë që ishte Republika Socialiste e Maqedonisë, pjesë e Jugosllavisë.

Një nënë, tre djemtë dhe vajza e saj, së bashku me fëmijët e tyre, lundruan për tetë orë përtej liqenit, duke u frikësuar vazhdimisht se mund të ndesheshin me agjentë të Sigurimit të Shtetit ose oficerë të policisë kufitare gjatë rrugës.

Arratisja nga Shqipëria e izoluar nën sundimin komunist konsiderohej si një nga krimet më të rënda dhe shkelësit do të përballeshin me gjyq për “tradhti ndaj atdheut” dhe mund të ekzekutoheshin.

“Ne kishim tritol me vete, me një detonator dhe nëse do të zbuloheshim, do ta shpërthenim”, tha për BIRN Ethem Fezollari, një nga tre djemtë.

“Nëse do të na kapnin, vëllai i madh që kishte qenë dikur në burg do të ishte dënuar automatikisht me pushkatim. Pastaj vëllai i dytë, ai që ndërtoi varkën, që isha unë, do të isha vrarë gjithashtu”, shpjegoi ai.

“Të tjerët do të ishin internuar ose burgosur. Ky ishte fati që na priste.” Ata kaluan liqenin gjatë natës, por pasi arritën, tre meshkujt e rritur u arrestuan dhe më pas u burgosën nga autoritetet maqedonase.

“Ndenjëm tre javë në burg për kalim të paligjshëm të kufirit”, tha Ethem Fezollari.

Vite më parë, në vitin 1949, edhe babai i tyre ishte arratisur nga Shqipëria. Ai kishte përfunduar në Australi dhe ata e takuan atë vetëm kur u rritën dhe arritën të largoheshin përtej liqenit të Ohrit në vitin 1975.  “Babai më la kur isha katër vjeç dhe më gjeti në moshën 30 vjeç, me fëmijë. Babai ynë as që na njihte. Edhe ne nuk e njihnim babanë tonë. Kjo ishte shumë e dhimbshme”, tha Ethem Fezollari.

“I arratisuri më i ri ishte një foshnjë”
ethem-fezollari-2-600x337

Varka me të cilën u arratis familja Fezollari ekziston ende. Ajo tani ruhet në Muzeun e Krimit në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut. Muzeu është një vend ku koha duket se ka ngecur. Në këtë muze gjysmë të hapur mund të gjenden mbi objekte të ekspozuara nga krime të ndryshme, shumica prej tyre më të vjetra se gjysmë shekulli.

Të ekspozuara janë sende të përdorura për të kryer vrasje të tmerrshme, grabitje bankash dhe madje edhe aborte të paligjshme.  Në një cep të muzeut ndodhet varka që bëri udhëtimin nëpër ujërat e trazuara të liqenit të Ohrit në vitet 1970. Pranë saj janë fotot e anëtarëve të familjes Fezollari në varkë.

“Struktura është bërë vetëm me vegla dore, sëpatë dhe kazmë. Këto dërrasa janë të sharruara me dorë dhe të lidhura së bashku vetëm me litarë dhe tela. Është e dukshme që nuk është përdorur as edhe një gozhdë”, tha Bile Ivanovska, kuratore në Muzeun e Krimit.

“Ajo është e veshur me pëlhurë kamioni dhe një pëlhurë e gomuar kuzhine për të mos lejuar futjen e ujit. Dhe në skaje është qepur me tela metalike për ta bërë më të fortë”, shtoi Ivanovska. Ajo shpjegoi se të 16 personat u mblodhën në varkën e cila ishte pak më shumë se tre metra e gjatë dhe një metër e gjysmë e gjerë.

“Pasagjeri më i ri ishte një foshnjë. Ndërsa udhëtonin, foshnja qëndroi në prehërin e motrës së tij, e cila ishte atëherë 11 vjeçe, dhe gjatë gjithë kohës që lundronin, ajo i mbante dorën mbi gojë që ai të mos qante”, tha ajo.

“Në këtë mënyrë, klithmat nuk do të dëgjoheshin dhe ata nuk do të zbuloheshin dhe kapeshin të gjallë nga policia shqiptare”, përshkruan Ivanovska. Ata e vendosën dinamitin në fund të varkës, gati për ta shpërthyer në çdo moment vetëm që të mos i kapnin të gjallë.

“Fakti që këta njerëz ishin gati të vrisnin veten na tregon shumë për atë që do të kishte ndodhur me ta, nëse do të kapeshin”, tha Aleksandar Andreevski, drejtor i Muzeut të Krimit.

“U trajtuam si armiq, jo si fëmijë”

Ethem Fezollari risolli në kujtesë sesi babai i tij u largua ilegalisht për në Australi në vitin 1949, sepse nuk mund të vazhdonte jetën nën regjimin e diktatorit Enver Hoxha. Ai la pas gruan dhe katër fëmijët; tre djem dhe një vajzë dhe jeta e tyre e vështirë u bë menjëherë edhe më e vështirë. Djali i madh u desh të kalonte mbi një dekadë në burg për shkak të arratisjes së babait të tij. Pjesa tjetër e familjes u dërgua në një kamp internimi për disa vjet.

“Ikja e tij ishte një katastrofë për familjen, sepse të nesërmen të gjithë ne, katër fëmijët, nëna dhe gjyshja, u internuam në kampin e Fushë Krujës, gjashtë anëtarë të familjes”, kujton Ethem Fezollari.

“Pavarësisht se isha katër vjeç, e mbaj mend shumë mirë, sepse kur përjeton gjëra të jashtëzakonshme, ato të mbeten në kujtesë, pavarësisht se sa vjeç je”, tha ai.

“U trajtuam tamam si armiq, jo si fëmijë të vegjël.”

Në fillim të viteve 1970, familja Fezollari më në fund arriti të ribashkohej në një shtëpi të vogël në Pogradec.

“Por mundimi vazhdoi”, tha Ivanovska. “Ata monitoroheshin vazhdimisht nga autoritetet shqiptare, nga policia dhe shpërfilleshin nga fqinjët”. Kjo i motivoi ata të arratiseshin me çdo kusht nga Shqipëria në Australi. Fshehurazi dhe në heshtje, në bodrumin e shtëpisë, ata arritën ta ndërtonin varkën për tre javë.

“Ata punonin vetëm natën, në heshtje. Kjo është arsyeja pse nuk përdorën gozhdë, që të mos bënin zhurmë dhe që fqinjët të mos i dëgjonin. Nëse do të dëgjoheshin, do të lajmërohej menjëherë policia”, theksoi Ivanovska.

Për të pasur një alibi, ata sajuan historinë se do të shkonin të punonin disa ditë në mal.

U nisën për udhëtim diku rreth mesnatës, por gjatë rrugës hasën disa vështirësi; materiali që ata përdorën për hidroizolimin e varkës ishte grisur, kështu që uji filloi të hynte. Por më në fund ata arritën në anën maqedonase të liqenit të Ohrit herët në agim, duke u dridhur nga të ftohtit dhe frika.

Në fund ata arritën në Australi, ku e gjithë familja u ribashkua përsëri. Nga mërgimi, ata ndoqën vazhdimisht situatën politike në Shqipëri dhe kur regjimi komunist ra në vitin 1991 dhe vendi u bë një shtet demokratik, ata vendosin të ktheheshin. Në vitin 2006, ata vizituan Muzeun e Krimit dhe panë varkën me të cilën kishin organizuar arratisjen e tyre të guximshme 31 vjet më parë.

Ethem Fezollari jeton ende në Shqipëri dhe beson se viktimat e regjimit komunist të vendit ende po vuajnë, ndërsa fëmijët e atyre që i shërbyen ish-autoriteteve po ecin përpara. “Po të shikoni në përgjithësi… djemtë dhe vajzat e tyre janë në parlament, në ministri, në drejtoritë e institucioneve shtetërore,” pohoi ai.

Ai vuri në dukje se fëmijët e disidentëve dhe “armiqve të shtetit” nuk u lejuan të arsimoheshin përtej moshës 14-vjeçare nga autoritetet komuniste dhe kështu perspektivat e tyre për të pasur një karrierë nuk ekzistonin edhe pas rënies së regjimit. “Fëmijët e tyre shkuan në universitete dhe sot kanë gjykatat në dorë, kanë prokurorinë, kanë gjithë pushtetin mediatik, pushtetin e shtetit… Ne jemi ende shërbëtorët e tyre”, tha ai./ Reporter


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.