DOSSIER

“Takova Mehmetin e Kolekën dhe gjatë bisedave, Mehmeti më tha që të ndërmerrnim kontakte zyrtare me Francën, Zvicrën e ndonjë vend skandinav, por unë…”/ Ditari sekret i Enverit, korrik ‘73!

07:23 - 19.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi




Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet edhe ditari politik i sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Enver Hoxha, për periudhën 1973 -1980, ku ai ka mbajtur shënime dhe ka bërë analiza e konkluzione për takime dhe biseda të ndryshme, që ka pasur në atë kohë, kryesisht me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, me sekretarin e Komitetit Qendror të PPSh-së, Hysni Kapon, me zv/kryeministrin dhe anëtarin e Byrosë Politike, Spiro Koleka, etj., me të cilët ai ka diskutuar çështje të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe kryesisht marrëdhëniet e raportet me Republikën Popullore të Kinës, si dhe ndikimin që kishte ajo në arenën ndërkombëtare, etj.. Por krahas këtyre, edhe me raportet e marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me një sërë shtetesh të tjera të Lindjes Komuniste dhe Perëndimit, kryesisht në marrëdhëniet tregtare, si: Jugosllavia, Polonia, Çekosllovakia, Bashkimi Sovjetik, Greqia, Austria, Italia, Franca, Zvicra, Gjermania Perëndimore, Kanadaja, etj.

Në dokumentet arkivore në fjalë ku ndodhet ditari politik i tij, Enver Hoxha ka mbajtur shënim edhe për disa biseda, që ai ka bërë me Mehmet Shehun, si ajo e 15 korrikut të vitit 1973, i cili i ka sugjeruar që të ndërmerrnin disa hapa në politikën e jashtme, duke zhvilluar bisedime fillimisht me Francën, Zvicrën e ndonjë vend skandinav, gjë të cilën Enveri nuk i’a ka aprovuar, duke i thënë se ato gjë, po priste me padurim, SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, etj. Lidhur me këtë, në ditarin politik të tij, ndërmjet të tjerash ai shkruan: “Isha në klubin tonë me Mehmet Shehun dhe me Spiro Kolekën. Duke biseduar për zhvillimin e ngjarjeve në botë, Mehmeti shprehu mendimin: “Sikur të merrnim kontakte zyrtare për bisedime politike, për të shfaqur pikëpamjet tona, në fillim me Francën, pastaj me Zvicrën e me ndonjë vend skandinav, etj. Kjo të bëhet duke dërguar ministrin tonë të Punëve të Jashtme dhe ata reciprokisht të dërgojnë të tyret”.

Këtë moment ai e gjen të arsyeshëm për faktin se Franca aktualisht paraqitet e pakënaqur nga marrëveshjet Brezhnjev-Pompidu. Unë nuk e mbështeta këtë propozim, pse ne nuk fitojmë gjë, vetëm humbasim në arenën ndërkombëtare dhe ua shpjegova përse. Është e vërtetë se në këto koniunktura, Franca është e pakënaqur dhe bën përpjekje të çajë dhe ne duhet të ndihmojmë në thellimin e këtyre kontradiktave”.

Dokumenti arkivor me ditarin politik të Enver Hoxhës për periudhën 1973-1980

DURRËS, E DIEL 15 KORRIK 1973

TE VEGJLIT DUHET TE NDËRTOJNË NJË POLITIKË TË TYREN

Isha në klubin tonë me Mehmet Shehun dhe me Spiro Kolekën. Duke biseduar për zhvillimin e ngjarjeve në botë, Mehmeti shprehu mendimin: “sikur të merrnim kontakte zyrtare për bisedime politike, për të shfaqur pikëpamjet tona, në fillim me Francën, pastaj me Zvicrën e me ndonjë vend skandinav”, etj. Kjo të bëhet duke dërguar ministrin tonë të Punëve të Jashtme dhe ata reciprokisht të dërgojnë të tyret.

Këtë moment ai e gjen të arsyeshëm për faktin se Franca aktualisht paraqitet e pakënaqur nga marrëveshjet Brezhnjev-Pompidu. Unë nuk e mbështeta këtë propozim, pse ne nuk fitojmë gjë, vetëm humbasim në arenën ndërkombëtare dhe ua shpjegova përse. Është e vërtetë se në këto koniunktura, Franca është e pakënaqur dhe bën përpjekje të çajë dhe ne duhet të ndihmojmë në thellimin e këtyre kontradiktave.

Por lind pyetja: ne ndihmojmë më shumë duke qëndruar në pozitat tona aktuale ndaj Francës, domethënë duke demaskuar me propagandën tonë aleancën sovjeto-amerikane dhe me bisedime nëpërmjet ambasadorëve reciprokë, me Ministritë e Jashtme të të dy vendeve, apo të shkojmë më tej? Unë mendoj se nuk duhet të shkojmë më tej.

Ne duhet të vëzhgojmë zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve, të shohim më tej a do të acarohen situatat në mes Francës dhe Bashkimit Sovjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në ç’drejtim dhe në ç’masë? Ne nuk jemi si Kina, po jemi një vend i vogël, që nuk luan rol në zhvillimin e politikës franceze, në qoftë se do të marrim kontakte zyrtare. Influenca jonë në arenën ndërkombëtare është aq sa është, por ajo lidhet me qëndrimet tona revolucionare.

Ne na mbajnë vesh kundërshtarët e kapitalizmit dhe të qeverive e klikave në shërbim të tij, ata na kuptojnë, na mbështetin, pse shprehim mendimet dhe ndjenjat e tyre dhe luftojmë për të drejtat e tyre. Diplomacia borgjeze ka hyrë në një llum të madh e të ndyrë. Ajo përpiqet të na tërheqë edhe ne në këtë llum. Ne duhet të evitojmë këtë kontakt të qelbur.

Të gjitha këto shtete kapitaliste, që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik, na bëjnë thirrje për kontakte dhe të tëra janë gati, po t’u japim shenjën më të vogël. Shtetet kapitaliste duan që ne ta ulim flamurin që po mbajmë lart.

Është e vetmja arsye pse na “buzëqeshin” për të na futur në kurth dhe t’i thonë botës, nëpërmjet një propagande shurdhuese: “Ja, edhe Shqipëria u fut në vallen tone”, pavarësisht se ne nuk futemi në atë valle.

Në këtë karusel politike, ku me mijëra e me mijëra politikanë shkëmbejnë vizita në mes tyre, thurin intriga e shesin te njëri- tjetri interesat e vendeve dhe të popujve të tyre etj., duan të na futin edhe ne. Ne kurrë nuk duhet të gabohemi, nuk duhet të shpejtohemi. Kjo nuk do të thotë se ne do të lidhim duart. Jo, ne edhe kontakte duhet të marrim, por duke zgjedhur momentet, që të kemi fitime ne dhe jo ata.

Por më parë se të mendojmë të marrim kontakte me Francën, ne duhet të marrim, gjithashtu, kontakte, nëpërmjet ministrit tonë të Jashtëm me kolegët e tij në Kinë, në Kore, në Vietnam, që të vëmë dhe të vijnë. Ne duhet t’i ndezim kontaktet më parë këndej sesa nga Perëndimi. Me Perëndimin duhet të bëjmë më shumë kujdes.

Pikërisht këto pozita tonat e bëjnë Perëndimin dhe Lindjen “të na respektojnë”, natyrisht nga zori, po të na respektojnë! Me qëndrimet tona të drejta ne luftojmë lirisht dhe dorën kurrkujt s’ia nderim, por edhe rreth e rrotull nesh kanë gjetur karar nga qëndrimet tona.

Në qoftë se ne veprojmë të nxituar, armiqtë do t’i fryjnë “kontaktet” tona, do të intrigojnë, do të na ngacmojnë. Interesi ynë është të mos lëvizim nga pozitat që kemi zënë, qoftë edhe në anën formale. Ne nuk dimë akoma mirë ç’rrugë do të marrë Kina. Ajo lëkundet, ka hapur rrugën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të mëdhenjtë kanë konsiderata për të vegjlit, prandaj të vegjlit duhet të ndërtojnë një politikë të tyren dhe kjo jona mendoj se është e drejtë, mbasi bazohet kurdoherë në analiza marksiste-leniniste.

Shënim: Duke i’u referuar këtyre veprimeve të Mehmet Shehut, shoku Enver ka thënë: “Mehmet Shehut i kishin caktuar detyra padronët, që vendi ynë të hapej drejt Perëndimit ekonomikisht, politikisht e diplomatikisht dhe këto çështje ai i shtronte gjoja si rastësisht, bile edhe duke shëtitur në rrugë, i shtronte gjoja për diskutim, si të lidhura me gjendjen, me nevojat.

Ne mbronim vijën, mbanim qëndrim të drejtë dhe ai tërhiqej, sipas taktikës së tij të njohur, për të mos u komprometuar. Ai lëvizte me kujdes gurët në drejtimet e tij, tatonte pulsin, po t’ia arrinte qëllimit mirë, përndryshe tërhiqej. (Plenumi i 7-të i KQ të Partisë, 20-21 shtator 1983.)

E SHTUNE 20 NËNTOR 1976

NJË LETËR QE NUK DUHET BERE

Sot Mehmet Shehu, që sapo është kthyer nga Vlora, pse ishte në Sazan, më propozoi t’i shkruante një letër Hua Kuo Fenit ku t’i thoshte: “Shoku Enver Hoxha i kishte dërguar një mesazh Mao Ce Dunit dhe nuk kishte marrë përgjigje, që kemi dërguar dy letra zyrtare nga ana e Qeverisë, ku thoshim se ishim të pakënaqur që nuk na u akorduan kreditë që kërkuam, prandaj ju lutemi që të rishqyrtohen përsëri kërkesat tona”, etj.

Të them të drejtën nuk e prisja një propozim të tillë dhe i thashë: «Në asnjë mënyrë ne jo vetëm nuk duhet ta bëjmë një gjë të tillë, por as ta mendojmë, pse ky veprim do të jetë një gabim i rëndë për ne. Po ta bëjmë këtë ne ulim dinjitetin e shtetit tonë dhe pranojmë tezat e grupit të Hua Kuo Fenit, sipas të cilit “është katërshja” që i ka shkaktuar këto gjëra dhe që është po kjo “katërshe”, që “sabotoi rëndë edhe ekonominë kineze”.

Po të bëjmë këtë, atëherë ne pranojmë që Çu En Lai, Ten Hsiao Pini, Li Hsien Nieni dhe Hua Kuo Feni janë burra të mirë, kurse mendimi ynë është krejt i kundërt, se këta janë revizionistë dhe armiqtë tanë, se janë këta dhe askush tjetër që nuk na i akorduan kreditë e kërkuara e që na kanë bërë edhe gjëra të tjera.

Personalisht ne në punë nuk i njohim të katërt, por, derisa ata akuzohen nga këta njerëz të ligj që i njohim mirë, kjo do të thotë se: “katërshja ishte në ujëra më të pastra”. Po ç’fitojmë ne, – e pyeta Mehmet Shehun, – po ta bëjmë këtë letër nga ana jote?

Si mendon, do të na japin kredi? – Jo, – u përgjigj ai, – po ta kemi dhe këtë dokument. – Po pse pak dokumente kemi depozituar ne në Pekin? Le t’i hapin ato, po të duan dhe le t’i lexojnë, po janë vetë këta që i hodhën ato në shportë. Prandaj, -vazhdova t’i them Mehmetit, – ne nuk duhet të nderim dorën dhe me këtë letër t’u japim vetë ne të drejtë mjeshtërve të puçistëve që të thonë se ndërruam mendim dhe të na përgjigjen siç na përcollën me fjalët se: më vonë, kur ta kemi rregulluar ekonominë tonë kineze që na e ka sabotuar “katërshja-, do t’rishikojmë kërkesat tuaja”.

Në asnjë mënyrë nuk duhet ta futim Partinë tonë në këtë rrugë. Ata mund të bëjnë vetë çfarë të duan, të na japin ose jo këto që na kanë akorduar, të na i shtyjnë, apo të na i shtojnë (gjë që nuk do të ngjasë) dhe kjo është punë e tyre.

Ne do të protestojmë, në rast se do të na i shtyjnë këto që na kanë dhënë, do të pranojmë, në qoftë se i rishikojnë kërkesat tona, por në asnjë rast nuk duhet të kërkojmë dhe të pranojmë tezat dhe pikëpamjet e tyre antimarksiste. Mehmeti, ashtu sikurse ka bërë edhe herë tjetër, pranoi se kishte menduar gabim.

POGRADEC, E DIEL 7 GUSHT 1977

NJË PROPOZIM I PAMENDUAR

Mehmet Shehu më mori dje në telefon dhe në mes të tjerave më tha: “Sikur t’u thoshim shokëve të sektorit të agjitacionit e të propagandës që të grumbullonin të gjitha ç’kanë thënë kinezët kundër Titos, që nga Maoja, Cu En Lai e të tjerët me radhë dhe këto t’i botojmë kur të vejë Titoja në Pekin”. Nuk isha dakord me këtë propozim, prandaj i thashë se ne mund të japim urdhër që të grumbullohen këto thënie të kinezëve, por për sa i përket botimit, nuk jam i atij mendimi dhe duhet ta diskutojmë. Megjithatë mendoj se nga ana jonë nuk është e përshtatshme të nxjerrim dhe të vëmë në dukje tash që Titoja vete në Kinë, ç’kanë thënë kinezët kundër tij.

Një gjë e tillë nga ana jonë nuk do të bëjë efekt të mirë edhe jashtë, për arsye se opinion botëror e di fare mirë, siç e dimë edhe ne, se çfarë fushate kanë bërë edhe vetë kinezët kundër tradhtarit Tito. Prandaj, më duket me këtë rast nuk është nevoja hëpërhë ta bëjmë një gjë të tillë.

Kinezëve, natyrisht, nuk do t’u vinte mirë në qoftë se ne do ta bënim këtë dhe jo vetëm kaq, por ky nga ana jonë do të ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj tyre dhe kjo do të shkatërronte edhe ato pak fije që na lidhin me ta. Kinezët politikën e tyre e kanë kthyer 180 gradë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt Titos dhe revizionistëve.

Kjo është e qartë dhe e di gjithë bota, por mua më duket se aktualisht ne duhet të vazhdojmë të mbrojmë marksizëm-leninizmin, të mbrojmë Partinë tonë, të mbrojmë partitë marksiste-Ieniniste dhe të demaskojmë revizionizmin modern sovjetik, kinez, polak e gjithë të tjerët me radhë.

Ne kemi mundësi që të botojmë në gazetat tona artikuj të vjetër e të rinj, që ta bëjnë këtë punë dhe gjithë bota të kuptojë se ata atakojnë në përgjithësi vijën revizioniste moderne, imperializmin amerikan, social-imperializmin sovjetik dhe, në veçanti, revizionizmin kinez. T’ua lëmë kinezëve radhën të na sulmojnë të parët me emër, pastaj dimë vetë ne, se kemi ç’të themi për ta.

Prandaj “të shpejtojmë ngadalë”, se do t’u vijë koha edhe thënieve të kinezëve kundër Titos, që të botohen e të përdoren nga propaganda jonë. Aktualisht mendoj se artikulli “Hrushovi në gjunjë përpara Titos”, i ribotuar në gazetën “Zëri i popullit” dhe i shpërndarë nga ATSH-ja në të gjithë botën, do të bëjë efektin e duhur dhe bota do të bëjë analogjinë në mes Hrushovit të Bashkimit Sovjetik dhe Nikita Hrushovit të Kinës.

Në këtë mënyrë kemi goditur tre zogj me një të shtënë, kemi demaskuar social-imperializmin sovjetik, kemi demaskuar titizmin, kemi demaskuar edhe Hrushovët e rinj kinezë. Ky artikull ribotohet në momentin e duhur, demaskon revizionistët kinezë që puthen me Titon dhe që i bien në gjunjë. Kështu kinezët nuk kanë ç’të thonë. Po të duan, fundja le të thonë e le të flasin, por atëherë edhe neve na hapet rruga të flasim më shumë.

Kam biseduar me Hysniun që bisedën që kemi bërë me Çu En Lain më 1965, ta botojmë pasi të vejë Vensi, sekretari amerikan i shtetit, në Kinë dhe para vajtjes së Titos. Kjo bisedë më duket se është shumë aktuale, për arsye se atje përcaktohen strategjia dhe taktika e Partisë sonë në lidhje me luftën e ashpër e të pandërprerë kundër imperializmit amerikan, si dhe kundër social-imperializmit sovjetik.

Atje dalin gjendja dhe situatat siç ishin, përmenden kontradiktat në të dy kampet, qëllimet e njërit kamp dhe cila duhet të jetë politika e dy partive dhe e dy shteteve tona, Shqipërisë dhe Kinës. Njëkohësisht, me këtë rast, ne përcaktojmë në vija të drejta ndihmën që duhet t’i japim lëvizjes komuniste ndërkombëtare në botë, luftës së popujve për çlirim etj. Me një fjalë, në këtë bisedë që kam bërë me Çu En Lain, shtrohen të gjitha problemet dhe mendoj që, megjithëse është një analizë e bërë që më 1965, vërtetohet të jetë e drejtë edhe aktualisht, me përjashtim që Kina ka kthyer fletën.

Dhe është pikërisht për këtë arsye që ne duhet ta botojmë; për të vënë në dukje se Kina ka qenë në të tjera pozita; kishte tjetër strategji në atë kohë dhe aktualisht ka rruar këmishën dhe strategjinë e saj drejt miqësisë me amerikanët dhe me vendet kapitaliste.

Nga ana tjetër, mendoj se botimi i kësaj bisede me Çu En Lain vë në dukje për botën jashtë se qoftë kampi revizionist, qoftë kampi imperialist gaboheshin kur mendonin se ne ishim bishtrat e Kinës dhe bënim ç’na thoshte ajo. Biseda me Çu En Lain tregon fare qartë se ne ishim të pavarur dhe ia thoshim Çu En Lait haptazi mendimet tona jo vetëm për çështjet tona të brendshme, por edhe për çështjet ndërkombëtare dhe për qëndrimet e vetë Kinës.

Bota e jashtme ka rastin të mendojë tash për Shqipërinë dhe për Partinë e Punës të Shqipërisë drejt dhe jo siç mendonte përpara që na konsideronte si satelit të Kinës. Të dy këto materiale janë si thika për kinezët, tët cilët nuk kanë se ç’të bëjnë, nuk kanë se ç’thonë as për artikullin “Hrushovi në gjunjë përpara Titos”, po kështu nuk kanë ç’thonë edhe për bisedën që kam pasur unë me Çu En Lain, për arsye se ata e dinë që kjo bisedë ekziston, se ajo është e vërtetë, pse edhe vetë kanë proces-verbalet, siç i kemi edhe ne.

Kinezët kanë, gjithashtu, edhe bisedën që ka bërë Çu En Lai pas bisedës sime, dinë ç’ka thënë ai. Nga ana tjetër, konkluzionet e dy delegacioneve i kemi edhe ne të stenografuara. Kështu ne bëjmë punën tonë. A do të mund të tërheqin vëmendjen e opinionit botëror këto dy materiale? Ta shikojmë. Qëllimi ynë është që këto dy shkrime të kenë po atë jehonë që pati artikulli “Teoria dhe praktika e revolucionit”.

Po të arrihet ky sukses, atëherë është një gjë e madhe për Partinë e Punës të Shqipërisë dhe për demaskimin e revizionizmit modern. Të dy këto materiale ua kemi shpërndarë shokëve të Byrosë Politike dhe të tërë ishin plotësisht dakord për botimin e tyre. Tash duhet të mendojmë dhe të vendosim se kur duhet t’i botojmë. Artikullin “Hrushovi në gjunjë përpara Titos”, mendoj ta botojmë pasi të jenë bërë ceremonitë në Pekin dhe të jenë mbajtur fjalimet.

Për sa i përket bisedës me Çu En Lain mendoj se, duhet botuar pak më përpara se të vejë Vensi në Pekin, për arsye se koha në mes largimit të Vensit dhe vajtjes së Titos në Pekin është shumë e ngushtë, kështu që botimi i artikullit tonë gjatë këtij intervali kohe mund të mos krijojë atë jehonë që duam ne.

Prandaj, po ta botojmë disa ditë përpara vajtjes së Vensit, atëherë koha zgjatet diçka më shumë dhe artikulli do të bëjë më tepër jehonë e kështu do të demaskojë vajtjen e Vensit, tratativat që do të bëjnë kinezët me të në Pekin etj. Të gjitha këto taktika do t’i bisedoj me shokët e Byrosë kur të kthehem pasnesër në Tiranë, sidoqoftë, gjatë kësaj kohe mund të dalin edhe situata të tjera. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.