DOSSIER

“Tirana ziente kudo, shumë e cilësonin Festivalin e 11–të si të mrekullueshëm, por thuhej edhe se ishte imitim i Sanremos, madje dëgjova se, vetë shoku Enver…” / “Refleksione të publicistit të njohur nga Franca!

08:01 - 20.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e ç’gënjime nga më të ndryshmet.




Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si:

Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!

Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.

Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes!

Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

Erdh pranvera, por unë nuk e besova…!

Ish fund dhjetori i vitit 1972.

Në Çorovodë mbërrita mbasi kisha bërë tetë orë udhë në këmbë, nëpër pyje, gryka e përrenj. Nga fshati i thellë malor i Backës, ku punoja mësues, kisha përshkruar mes borës, Potomin, Qafën, Zogasin e, rreth orës shtatë të mbrëmjes, kisha mbërritur në qytet. Mbasi mora pak veten duke kthyer një konjak dopio tek “Kafe Skrapari”, nxitova në hotelin e vetëm të qytetit.

– Vende s’ka! – më tha prerë hotelxhiu, një ushtarak i dalë në pension. Dola jashtë e ndenja pak çaste në verandë. Nata ish e rendë dhe e zezë pis. Qyteti i vogël dhe i heshtur, qe zhytur nënë një brymë të dendur e të akullt, e cila zbriste që lart nga malet me borë të Tomorricës, së bashku me ujërat e vrullshme të Osumit. Po tani, si t’i a bëja? Ku të vija mes atij acari…!?

Për fat, mendja më shkoi tek një shoqe arsimtare nga Vlora, e cila punonte si kujdestare në konviktin e të vetmes shkollë të mesme në qytet. Vendosa të shkoja ta takoja! Ajo mund të më ndihmonte. Mjaftonte të fusja kokën diku, nuk pretendoja më tepër. Dhe ashtu bëra. Vajta në konvikt e, mbasi u përshëndetëm miqësisht, i qava hallin.

“S’ka problem! – më qetësoi – Punë që rregullohet! Për fat, sonte, një nxënës nga Gjerbësi ka shkuar në shtëpi e krevati i tij është bosh. E, përveç kësaj, e di që je edhe me shans? Ke për të ndjekur natën e fundit të festivalit. S’ka pak ditë që, me ndërhyrjen e sekretarit të parë, seksioni i arsimit na ka blerë një televizor, të cilin e kemi instaluar në mensën e konviktit…”!

Qenkam vërtet me fat, thashë me vete. Ndjehesha i lehtësuar dhe i gëzuar. Problemin e fjetjes e kisha zgjidhur e, tani kisha dhe privilegjin të ndiqja Festivalin e XI-të të Këngës në Radio-Televizion. Dhe qysh, pa…?! Nëpërmjet ekranit të televizorit…! Ndërkohë që, gjithë të tjerët e ndiqnin atë, vetëm nëpërmjet radios. Sepse, si kudo, dhe në Çorovodë, nuk kish më tepër se tre a katër familje, të cilat kishin televizorë.

Zbrita poshtë në mensë e, sa hyra brenda, ndjeva erën e athët të bukës së fermentuar përzier me firomën e ngrohtë të rreth dyqind djemve e vajzave që kishin zënë vend nëpër stola. Salla qe mbushur plot e përplot. Televizori ish instaluar në një kënd të mensës, brenda një lloj dollapi me çelës, kanatat e të cilit qenë hapur plotësisht. Zura vend, aty nga radhët e fundit, e ndeza një cigare. Transmetimi i festivalit nga salla e Teatrit të Operës në Tiranë, sapo kish nisur. Spikerja po prezantonte orkestrën e interpretuesit, të cilët ishin në përgjithësi emra mjaft të njohur.

Këngët nisën të ndiqnin njëra-tjetrën. Pranë meje, dy vajza lëviznin vithet, sipas ritmit të tyre. Shumë shpejt edhe mua më pushtuan emocionet. Sa festival i bukur! Ç’farë skene! S’më besohej që po zhvillohej në Tiranë, po diku tjetër. Larg, në një vend të pa përcaktuar. Diku, ku s’kish censurë, klishe, zymtësi, ndrojtje e frikë shqiptare. Ndjeva ngazëllim por, njëkohësisht, edhe habi. Festivali ndryshonte, si nata me ditën, në krahasim me ata të viteve të kaluar.

Për një çast, u shkëputa nga ekrani e pyeta veten: Çudi?! Si qe e mundur që autoritetet të lejonin një festival të tillë, aq modern? Por meloditë s’me lanë të reflektoja. U zhyta përsëri në kënaqësinë time. Për herë të parë po dëgjoja këngë plot rritëm. Këngëtarë që s’rrinin, si zakonisht, të ngrirë e palëvizur para mikrofonit. Orkestrime krejt origjinale. Për më tepër, shumica e teksteve, (e kjo, për herë të parë në historinë e festivaleve të gjer atëhershëm), flisnin për dashurinë, ëndrrat, shpresat, detin, pranverën. Për Partinë e ndërtimin e socializmit, kish a s’kish, katër a pesë këngë.

Po këngëtarët…? Ato ishin veshur bukur e me shije. Me flokë të krehura sipas modës. Të stolisura me bizhu e të grimuara fort. Nenë dritat e projektorëve dhe efekteve speciale të regjisë televizive, ato dukeshin të magjishme. Ndërkohë, nëpërmjet ekranit, vura ré dhe një element tjetër i cili m’u duk tepër origjinal. Në rrethe kryesore të vendit qenë ngritur zhuri të posaçme, të cilat, nëpërmjet lidhjeve direkte me regjinë në Tiranë, (ashtu si në festivalin italian të Sanremos), jepnin vlerësime për kompozimet dhe interpretimet e këngëtarëve.

O perëndi?! Ai festival ishte një mrekulli e vërtetë!

… Duke përfituar nga pushimet shkollore të janarit, mbasi kalova festën e Vitin e Ri pranë familjes, shkova në Tiranë. Kish kaluar më tepër se një vit që isha diplomuar e punoja si mësues në një vrimë të humbur të Skraparit. Ndjeja mall për miqtë, fakultetin, rrugët e rrëmujën e kryeqytetit. Ajo periudhë ndarje me jetën studenteske, (plus, trishtimin e rraskapitjen, aty mbrapa diellit, ku më kishin degdisur), më dukej si një jetë e tërë e kaluar në burg. Kisha përshtypjen e hidhur se, gjatë asaj kohe, kisha humbur jo vetëm shumë gjëra të shtrenjta, por edhe gjithçka të dashur e të bukur, për të cilat ia vlente të jetoje. Në thellësi të qenies ndjeja se isha flakur qëllimisht, tamam si leckë.

Pikërisht, për të më dërrmuar e vrarë. Për t’u harruar. Për të humbur një herë e përgjithmonë, atje larg, mes malesh. Kështu, pra, në kontrast të plotë me ato vizione, mendime e dhimbje shpirtërore, Tirana, m’u shfaq edhe më e bukur, më e gjallë e më e civilizuar se kurrë ndonjë herë tjetër…! Ato ditë që ndenja aty, kudo që shkova, në familjet e të afërmve, në shoqëri me miq e të njohur, dëgjoja të flitej e të diskutohej vetëm për Festivalin e XI-të. Shumë e vlerësonin dhe e cilësonin të mrekullueshëm. Por, kish që thoshin se, ai qe thjesht një imitim banal i Sanremos. Se, televizioni nuk ish në binarë e se, me veshjet e paraqitura nga këngëtarët, kish reklamuar modën e huaj etj. Bile, në një familje dëgjova se, vetë shoku Enver, nuk e kish pëlqyer festivalin dhe se, Partia, shpejt, do të merrte masa për organizatorët e tij.

Në xhirot që bëra në rrugën përreth Pallatit të Kulturës, të cilën studentët në zhargonin e tyre e quanin Broduej, vura re se modernizimi i jetës në kryeqytet, kish bërë përpara. Në një birrari, përballë gjellëtores Tymi, (ku gjatë viteve studenteske, shkonim shpesh për të ngrenë qofte e pilaf me fasule), dy çuna me kitara elektrike po këndonin Let it be të Beatles-it. Përbri, në trotuaret plot njerëz, kalonin djem të rinj që mbanin flokë e favorite të gjata, xhaketa të ngushta në bel e tek-tuk edhe pantallona blue – jeans. Vajzat, sidomos gjimnazistet, qenë bërë dhe më të hijshme. Ato i kishin prerë flokët alla – Caterina Caselli, sytë të lyera dukshëm me rimel dhe, fustanet e fundet të shkurtra, mbi gjunjë.

Në malin e Dajtit qe instaluar një përforcues i televizionit italian e, shumë të njohur më thanë se, shpesh mblidheshin mbrëmjeve te miqtë a fqinjët që kishin televizorë, për të ndjekur si në kinema emisionet me prezantuesin e njohur Mike Bongiorno, Rischia tutto, Lascio o radoppio, apo varietetë muzikore të mbrëmjeve të shtuna Canzonissima e Senza rete. Instalimi i përforcuesit të televizionit italian dhe ndjekja e lirë e emisioneve të tij, ajo atmosferë tolerante dhe e ngrohtë dukej se kish sjellë në jetën e njerëzve një fllad të ri. Një erë të këndshme, aromën e së cilës edhe pse qe endé janar e lulet mungonin, e ndjeje gjithandej.

Atë fllad, dhe pse ndodhesha shumë larg jetës së kryeqytetit, e kisha ndjerë në distancë edhe unë, aty në fshatin malor të Backës. Aty, mes ditëve të trishtimit, vetmisë e varfërisë ekstreme të nxënësve të mi të vegjël. Atë vit, Radio-Tirana, qe për ne i vetmi argëtim. Mbas transmetimit për herë të parë të festivalit të këngës në Eurovision, ajo kish vijuar me një emision tjetër të ri, ku për çdo mbas dite, transmetoheshin muzikë e këngë të huaja. Tekstet e tyre, bile, së pari përktheheshin nga folësja në shqip, e pastaj jepeshin në gjuhën e tyre origjinale.

Po ndodhte ajo që as mund të mendohej…!

Radio-Tirana transmetonte këngë të huaja që gjer atëherë ishin të ndaluara. Këngë, dëgjimi i të cilave, pak kohë më parë, ish plot rreziqe e pasoja. Variete italiane e angleze, muzikë e lehtë e pjesë pop, beat e rock. Shumica e tyre qenë marrë nga repertori i festivalit të fundit italian të Sanremos. Të tjerat, ishin këngë të njohura të Minës, Celentanos, Reitanos, Solos, Morandit, Cinquettit. Po, edhe të grupeve të dëgjuara e me famë botërore, si Beatles, Rolling Stones, Bee Gis, Abba, Aferdite Childs etj.,…

Ç’po ndodhte kështu në Tiranë e krejt vendin…?!

Jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe shumë kuadro e militantë të Partisë, ndjeheshin të shushatur e nuk dinin të jepnin shpjegime. Njerëzit pyesnin me dyshim: A qe e vërtetë se, ato lëshime, bëheshin me orientim nga lart e me dijeninë e Udhëheqjes? Mos qenë ato, vallë, shenjat e para të një kursi më tolerant, i cili mund të sillte me lezet, një afrim gradual me Perëndimin? Apo, ndofta, një tentativë e kujdesshme për të dalë nga izolimi, duke dhenë sinjale që linin të kuptohej se edhe ne ishim pjesë e Europës?

Apo, mos qe diçka, krejtësisht tjetër..?

Thjesht një tatim pulsi. Një tentativë e çmendur e një pjese të inteligjencës e rinisë së moderuar të sektorëve të Artit e Kulturës? Apo, rezultat i presionit të anti konformizmit, i cili kish nisur të shfaqej në një shtresë të caktuar të shoqërisë, e që s’pranonte dot rregullin totalitar për të jetuar pa kurrfarë individualiteti? (Zhveshur nga çdo lloj ndjenje intime. Nga uni personal. Në kundërshtim me orientimet e propagandës intensive të Partisë, e cila fliste pa pushim për triumfin e shpirtit kolektiv, kundër individualizmit mikroborgjez e gjithçkaje që kish të bënte me botën e lirë shpirtërore të njeriut?!)

Por, cilët ishin, konkretisht, ata intelektualë që do të dëshironin të dilnin nga zgjedha duke rrezikuar aq shumë? Kush qenë ata që, me guxim, kishin zgjedhur rrugën e anti konformizmit?

Së pari, (sipas mendimit tim), ata ishin një numër i kufizuar personash që kishin edhe karakteristika të veçanta. Pjesa më e madhe e tyre, qenë njerëz të fushave të artit e kulturës që, sipas mundësive e rasteve që u krijoheshin, përpiqeshin t’u shmangeshin normave të ngurta konform moralit në fuqi. Ata, edhe pse nuk e shfaqnin hapur, ishin të bindur se shoqëria shqiptare, e cila jetonte jo vetëm gjeografikisht në Europë, (pavarësisht nga orientimi i saj ideologjik), nuk mund të qëndronte indiferente ndaj cilivizimit, traditave, kulturës e mënyrës së jetesës oksidentale.

Së dyti, në radhët e anti konformistëve, bënin pjesë, sigurisht, edhe shumë të rinj e të reja (veçanërisht mes radhëve të studentëve) që aspironin e ëndërronin një mënyrë jetese krejt tjetër. Më të lirë e më pak të politizuar. Jashtë sloganeve e dogmave. Jashtë tabuve ideologjike dhe propagandës absurde e aspak bindëse. (Ajo pjesë e rinisë, e cila e ndikuar kryesisht nga televizionet dhe radiot e huaja, përpiqej të mësonte e të imitonte kulturën dhe mënyrën e jetesës perëndimore. Që mbahej e vishej sipas modës. Që   mësonte gjuhë të huaja, mbante letërkëmbim me jashtë apo dëgjonte muzikë moderne…)!

Së treti, në kategorinë e anti konformistëve, (edhe pse kjo mund të duket krejt absurde), bënin pjesë edhe vetë fëmijët e nomenklaturës së lartë. Ata, që kishin mundësi të dilnin jashtë apo që i kishin prindërit anëtarë të Komitetit Qendror, ministra, drejtorë, ambasadorë a diplomatë, e siguronin me lehtësi, disqe, magnetofon, kaseta me muzikë moderne, libra e revista të ilustruara, veshje të modës etj. Kështu, me a pa dashje, indirekt apo indirekt, edhe ata bëheshin kontingjent i anti konformistëve. Sepse, me mënyrën e tyre të jetesës, shijet e paraqitjen e tyre të jashtme, influenconin te të tjerët duke u bërë kësisoj, burim imitimi e përçues të ndikimeve të huaja…!

Gjuetia e shtrigave…!

Kish ndodhur një mrekulli, të cilën, as që mund ta imagjinoja!

Mbas tre vjetësh pune rraskapitëse si mësues mes maleve në thellësi të Skraparit, isha transferuar e emëruar telekronist, në qytetin tim të lindjes. Këtej e tutje, me kamerë e laps në dorë, do të punoja si korrespondent i Televizionit Shqiptar. Kjo qe një punë e re e cila më nxiste plot ëndrra e fantazi. Filmimet e mia të ardhshme i përfytyroja me ngjyra e frymëzime poetike. Ato, do të ishin peizazhet e Jonufrës, deti i kaltër, perëndimet e diellit, netët me peshkatarë, kopshtet me agrume e fshatrat aq të dashura të bregdetit…!

Por, shumë shpejt, do të bëhesha i ndërgjegjshëm se, qëllimi i punës që më ish besuar, nuk qe aspak poezia, as ëndërrimet e, as roli i reporterit artistik. Unë do të isha thjesht një propagandues i politikës së Partisë. Për më ters akoma, si për ta shtuar edhe më shumë zhgënjimin tim, kisha nisur punë në një nga situatat më të tendosura politike që vendi kish njohur gjer atëherë. Pikërisht në kohën e gjuetisë së shtrigave. Mbas një periudhe fare të shkurtër liberalizmi, në vitin 1972, mbarë vendin po e përshkonte një valë e pashembullt terrori, e cila zgjati tri vjet e morri në qafë e shkatërroi dhjetëra mijëra fate njerëzish.

Fushata, kish nisur fill mbas Festivalit të XI-të të Këngës në Radio-Televizion. Partia, e kish cilësuar atë, “komplot e tentativë për kundër-revolucion”. Në gjithë gazetat, ishin çelur rubrika të posaçme, ku individë e grupe të ndryshme, shkruanin e shprehnin mendimet e tyre për të e për shfaqjet e huaja në përgjithësi. Orientimet e ardhura nga lart nxisnin që, kushdo duhej t’i dënonte ato pa frikë e me guxim revolucionar, duke parë njëkohësit edhe veten si në pasqyrë. Ish kjo arsyeja pse, letrat e shkrimet e ardhura nga poshtë, tepër kërcënuese e të egra, kërkonin me ngulm që Partia të merrte masa. Që organizatorët e Festivalit të XI-të, e jo vetëm ata, të ndëshkoheshin ashpër…!

Në një fjalim të mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor, Enver Hoxha, kish folur pa mëshirë kundër Drejtorit të RTSH-së, Todi Lubonja si dhe sekretarit të propagandës në Komitetin e Partisë të Tiranës, Fadil Paçrami. Dukej se, zemërimi i ‘Zeusit’ dhe furia e tij, kishin nisur: pikërisht për shkak të një koncerti ose më saktë për shkak të një fustani të gjatë të një prezantuese. Një letër e dërguar diku nga një fshat i largët, bëri që diktatori shqiptar të ruhej nga ky kërcenim i madh që rrezikonte Shtetin. Autori i letrës kish zbuluar të Keqen, pikërisht në gjatësinë ekstravagante të fustanit…!

Pas kësaj, me tërbim të paparë, në mbarë vendin filloi një luftë e egër e frontale kundër shfaqjeve të huaja. Konkluzionet e punimeve të plenumit të IV-të, i cili u mbajt nga 26-28 qershor 1973, e në mënyrë të veçantë raporti i Enver Hoxhës: “Të thellojmë luftën ideologjike kundër shfaqjeve të huaja e qëndrimeve liberale ndaj tyre”, nisën të punohen në çdo qendër pune, në fakultete, shkolla, miniera, reparte ushtarake, fshatra, lagje. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.