AKTUALITET

Nuk ka asnjë marrëveshje për t’i dhënë fund grevës që ka “paralizuar” arsimin në Kosovë

20:49 - 21.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Drejtoresha e përgjithshme e Komitetit Evropian të Sindikatave për Arsim, Susan Flocken, nuk ka arritur që të gjejë një zgjidhje për t’i dhënë fund grevës në sektorin e arsimit në Kosovë.




Flocken, së bashku me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar për Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), u takua më 21 korrik me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por palët nuk arritën pajtim.

“Kam ardhur këtu nga Brukseli për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, teksa mësuesit janë në grevë, duke kërkuar shumë qartë rritje të rrogave. Por, ata po kërkojnë zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore, edhe kanë kërkesë për reformën në skemën pensionale. Kemi pasur një takim të gjatë [me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti], por nuk ishim në gjendje të gjenim një zgjidhje”, tha Flocken gjatë një konference për media në Prishtinë.

Ajo tha se do ta informojë Komisionin Evropian për takimin me Kurtin, ashtu siç ka bërë gjatë gjithë kësaj kohe, qëkur sektori i arsimit në Kosovë hyri në grevë më 25 gusht.

“Ne e mbështesim SBASHK-un në kërkesat e tij dhe anëtarët e SBASHK-ut, mësuesit e Kosovës”, tha Flocken.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se ishte në takim, por takimi u përqendrua në bisedë midis Kurtit dhe Flocken. Ai akuzoi Qeverinë se nuk po jep “asnjë shenjë” se është e gatshme që të dialogojë me sindikalistët.

Që nga 25 gushti, punëtorët e arsimit në sektorin privat kanë hyrë në grevë, së bashku me punonjësit e administratës në nivelin qendror dhe lokal.

Sindikalistët po kërkojnë që të përfitojnë nga 100 euro në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për pagat.

Qeveria e Kosovës tha se në takim u theksua nevoja që sindikatat të marrin pjesë në diskutimet publike për Ligjin e pagave, që sipas ekzekutivit “ka për qëllim të sigurojë barazi dhe trajtim të dinjitetshëm të sektorit publik në vend”.

“Në Projektligjin e ri për paga, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë, ndërsa mësimdhënësit do të kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë, u tha në takim”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kurtit.

Qeveria e Kosovës, përmes një pakoje të miratuar së fundmi për të ndihmuar qytetarët për ta kaluar krizën e inflacionit, ka ndarë nga 50 euro në muaj për punonjësit e sektorit privat.

Sindikalistët kanë thënë se kjo shumë është e pamjaftueshme.

Greva është thyer vetëm në disa shkolla nga mësimdhënës që në mënyrë individuale kanë nisur t’i mbajnë orët.

Teksa greva në arsim po vazhdon, mbi 300.000 nxënës mbeten jashtë bankave shkollore. REL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.