AKTUALITET

Nga studentët tek administrata, Berisha thirrje për protesta: Koha t’i tregojmë vendin

07:39 - 23.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

MARIGLEN KUME/ Për herë të parë në të gjithë karrierën e tij politike, Berisha u ul dje në Parlament për pak minuta në karrigen e socialistëve.




Por teksa doli të mbante fjalën në Parlament, ai sqaroi se ulja e tij në atë karrige ishte një mesazh për socialistët se deputetët e PD në Parlament janë të vetmit që mbrojnë interesat e tyre dhe se u zotua se d të jetë zëdhënës i qytetarëve socialist. “Për herë të parë unë prita ulur në një karrige të deputetëve socialistë. E bërë këtë me qëllimin më të sinqertë, për t’ju thënë socialistëve shqiptarë se sot avoketër të vetëm të tyre në këtë Parlament janë demokratët dhe do të vazhdojnë deri në fund, të jemi zëdhënës të interesave qytetare, të shqiptarëve pa dallim bindjesh politike. Në këtë mënyrë, se si është katandisur ky Parlament, sot më shumë se kurrë, qytetarët shqiptarë kanë nevojë për përfaqësim në këtë aulë”, tha Berisha

PROTESTA

Ndërkohë, duket se protesta e parë e PD-së për këtë vjeshtë nuk është larg. Teksa ka paralajmëruar mbledhjen e këshillit kombëtar të hënën që vjen, dje Berisha fjalën e tij në Parlament e shfrytëzoi për të ftuar me radhë të gjitha kategoritë e shoqërisë për të protestuar kundër qeverisë. Ai e nisi duke renditur disa nga arsyet se përse duhet të reagojnë mësuesit.

“Ka ardhur koha që ne kësaj qeveria t’i tregojmë vendin. Koha ka ardhur dhe jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë mësuesve të Shqipërisë, me guxim dhe kurajë, të mbrojnë interesat e tyre, të mbrohen nga nënçmimi, përçmimi që ju bën ky regjim dhe kjo qeveri. Janë të vetmit mësues në rajon, që në 8 vite jo vetëm nuk njohën rritje, por krahasuar me inflacionin, ulje të ndjeshme të rrogës. Janë njerëzit më të përçmuar në administratë, ndërkohë që ata duhet të jenë qytetarët dhe njerëzit më të nderuar për misionin e tyre fisnik. Të nderuar mësuese dhe mësues, ju vetë e konstatoni se si po rrënohet sot sistemi arsimor, se çfarë sage vuajtje dhe mjerimi ju krijon portali i kësaj zonjës, portali Kushi, portali i partisë, portali i mashtrimit dhe i falsifikimit. Se si një mësues, qoftë edhe i ekselencës, por për bindjet e tij, duhet të presë 7-8 vite pasi të ketë mbaruar çdo gjë, për t’u sistemuar, ose nuk sistemohet fare. U bëj thirrje sindikatave, shkëputuni nga plogështia juaj dhe të organizojmë grevën e përgjithshme, e cila është grevë për dinjitetin e secilit në radhë të parë”, tha Berisha.

Studentët e pedagogët

Ndërkohë, u kujtoi studentëve dallimin mes qeverisë së Kosovës dhe kësaj shqiptare në trajtimin e studentëve. Sakaq sulmoi Kryeministrin Rama edhe në lidhje me protestën e pedagogëve. “U bëj thirrje të gjithë studentëve, bashkëmoshatarëve të tyre në Kosovë, qeveria u dha nga 100 euro, kurse kjo qeveri u jep mashtrimin, nënçmimin, përçmimin. Të organizohen në një lëvizje të fuqishme studentore. U garantoj se ne jemi 10-20-30 herë më të fuqishëm se këta që vjedhin çdo ditë qytetarët shqiptarët. U bëj thirrje pedagogëve të universiteteve që të ngrihen fuqishëm. Të mos lënë një copë injorant t’u përmendë rrogën dhe dijen. Një njeri që nuk është i denjë as për mësues vizatimi dhe që mburret se s’ka master e doktoratë. Por që ka injorancë deri në qiell. U bëj thirrje të organizohen. I bëj thirrje sindikatës që të qëndrojë fuqishëm sepse vetëm greva e përgjithshme është rruga për t’i prerë biletën aty ku e meriton kjo qeveri kampion në të zeza dhe vjedhje”, tha Berisha.

Duke iu referuar një email-i të dalë nga hakerat iranianë, Berisha kërkoi edhe nga policët dhe nga administrata që të dalin në protestë. Sipas tij, ata nuk paguhen për mundin e tyre.

“U bëj thirrje policëve të shtetit, policëve të vërtetë, që nuk u paguhet asgjë nga djersa që derdhin, të cilët mashtrohen nga mëngjesi deri në darkë, të cilët trajtohen si qenie inferiore nga shefat e tyre. E dëgjuat Panganikën çfarë i thoshte oficerit? Çfarë pësoi Panganika që i tha plehrë oficerit me uniformë? Asgjë. Sepse Panganika është mik i Veliajt dhe i Ramës, është një turp i dheut, është një turp oficer. Po atë marrëdhënie kanë ministrat me vartësit e tyre. I trajtojnë me mungesë dinjiteti. I terrorizojnë. U bëj thirrje të gjithë punonjësve të administratës: në grevë dhe vetëm në grevë. Koha po thërret. Ora po vjen. Ne duhet të jemi në lartësi dhe jo të shohim dhe të vajtojmë”, vijoi ish-Kryeministri.

Ndërsa mjekët dhe bizneset e vegjël i ftoj të dalin në grevë sepse qeveria pritet t’u shtojë barrën fiskale.

“U bëj thirrje mjekëve, bluzëbardhëve, që shohin rrënimin e sistemit shëndetësor, që e shohin se si shqiptarët vdiqën nga pandemia, 250 për qind më shumë se mesatarja e BE, vdiqën më shumë se në çdo vend tjetër të Europës, vdiqën sa në 3-4 vende me vdekshmërinë nga Covidi më të lartë në botë. Mjekë të shkëlqyer që largohen nga vendi, infermierë që ikin. Të gjitha këto sepse janë njerëzit më të keqpaguar, më të keqtrajtuar, më të keqvlerësuar. Atëherë, cila mbetet? Greva, greva dhe para së gjithash greva. I drejtohem këtu biznesit të vogël, që ka një armik të vërtetë në këtë qeveri, e cila pret fundin për dy muaj që t’u vendosë 23 përqindëshin, e cila rriti tarifën e energjisë në 200 lekë. Çfarë presin më? Thirrja e çdo biznesmeni, e fëmijëve të tyre, grave dhe miqve të tyre është: të ulen qepenat, grevë e përgjithshme, grevë e përgjithshme”, u shpreh ish-Kryeministri.

Panorama.al 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.