Kryesore

“Asnjë alternativë tjetër veç fitores”, analiza e Rejas para duelit me Izraelin: T’i bëjmë të na respektojnë

08:10 - 24.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, ka dalë dje para mediave në konferencën e zakonshme për shtyp, për të folur për ndeshjen kundër Izraelit. Ajo mund të jetë përcaktuese për shanset e Shqipërisë për të siguruar vendin e parë në Ligën B, që garanton play-off të Europianit 2024, por edhe vazon e dytë në shortin e kualifikuesve të tij.




“Unë e njoh pak forcën e Izraelit se i njohëm në ndeshjen e parë. Është një ekip që ka padyshim cilësi, pavarësisht se kush mungon apo luan. Kushdo që luan do të jetë në maksimum, pasi edhe Izraeli e di që është një ndeshje vendimtare, të dy palët do të duam të fitojmë. Pastaj të shohim kush është vendosur më mirë në fushë, kush ka mentalitetin e duhur dhe kush ka dëshirën për të bërë rezultatin, kjo vlen. Këto jemi, do ta luajmë në fushë, urojmë të fitojmë.

E dimë se pikët janë këto, ata kanë 5 pikë, ne kemi 1. Nuk na mbetet gjë tjetër veç fitores nëse duam të shpresojmë për vendin e parë, se nuk ka alternativa. Atyre mund t’u mjaftojë edhe një pikë, ne do të mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë. Se kush zbret në fushë do të bëjë maksimumin, pastaj çdo ndeshje ka episode, ne do të mundohemi që episodet të na japin të drejtë. Kemi nevojë për një paraqitje të madhe, do të luajmë ndaj një presioni të lartë, pasi këtu do të ketë shumë njerëz. Edhe lojtarët kanë ritëm të lartë dhe nga kjo pikëpamje duhet të jemi të përgatitur, nuk duhet t’u japim hapësira. Pastaj do të bëjmë lojën tonë, kemi punuar një javë, kemi shfaqur vëmendje edhe në aspektin taktik dhe jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje të mirë.

Duhet parë fryma si hyn në fushë, duhet parë gjendja fizike dhe mendore. Solomon e njohim se na penalizoi, por përpara kanë lojtarë të tjerë të rëndësishëm, përtej faktit kush luan apo jo, kanë cilësi. Siç kemi edhe ne, kemi pasur vështirësi me mungesat, por kemi bërë paraqitje të mira. Këtu ka pak diskutime, duhet hyrë në fushë dhe të luajmë si duhet, me vendosmëri e besim, duhet të bëjmë të na respektojmë. Të kemi personalitet si gjithmonë. Nëse i hedhim në fushë këto, sa herë e kemi bërë, kemi bërë paraqitje të mëdha dhe kemi bërë edhe rezultat. Nesër pres këtë nga skuadra.

Pikët e dobëta janë, shpresojmë që t’i ketë Izraeli. Ne e dimë si luajnë, si t’i përballojmë dhe jemi përgatitur teorikisht. Pastaj në fushë duhet parë çfarë ndodh, nuk është e thënë që e nis në një mënyrë, pasi gjatë ndeshjes ndryshon, varet shumë nga rezultati, si shkon rezultati në fushë. Lojtarët në fushë duhet të kuptojnë cilat janë gabimet, duhet të jetë të kujdesshëm në fillim për të mos kaluar në disavantazh, nëse të jepet mundësia në kundërsulm duhet të konkretizosh. Në të kaluarën kemi krijuar shumë e kemi shpërdoruar, këtë herë duhet të jemi më konkret se kjo është ndeshja vendimtare, duhet të bësh sa më pak gabime të jetë e mundshme në të dy pjesët e lojës. Mendoj se është natyrale, është diçka që e kemi përgatitur, e dimë ne dhe lojtarët, e dinë rëndësinë, e dimë që të gjithë. Jam i sigurt se të gjithë që do të hyjnë në fushë nesër do të japin 100%”, tha Reja.


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to Fatmir Lohja Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.