KULTURË

U shua sot në moshën 89-vjeçare/ Rrëfimi i Sali Shijakut për tablonë e heroit të luftës: Portreti i Vojo Kushit nga fotoja e morgut, me një plumb në ballë

10:30 - 24.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nëse ndonjëherë do të përmendej emri i Vojo Kushit, pa dyshim që gjithkujt i vjen ndër mend tabloja e heroit mbi tank, me gjoksin zhveshur e një këmishë ngjyrë flake. Në të vërtetë, ai është Vojoja i Sali Shijakut, por aq e goditur është ajo tablo, saqë heroi identifikohet me të…




“Panorama.al” risjell sot një intervistë të realizuar nga mjeshtri i madh i pikturës shqiptare, Sali Shijakut, i cili sot, më 24 shtator 2022, mbylli sytë përgjithmonë në moshën 89-vjeçare.

Intervista është realizuar me gazetarët në vitin 2015, kur Sali Shijaku çeli ekspozitën e tij personale në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe ku ka treguar ndër të tjera mbi historinë e kësaj tabloje të vitit 1969.

Jeni shprehur skeptik të ekspozonit në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe ja ku ktheheni pas çerek shekulli, si u bindët?

Është meritë e drejtorit të GKA-së, Artan Shabani, që, ndonëse nuk e njoh mirë, u tregua shumë i gatshëm dhe dashamirës për realizimin e kësaj ekspozite. Është punuar shumë për realizimin e saj. Në fillim u mendua një ekspozitë retrospektivë, por në kushtet që jemi nuk mund të bëhej, sepse janë 1500 punë në pikturë dhe nuk mund të mblidhen. Ndaj me punët nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, si dhe disa vepra që janë nga fondi i familjes Shijaku, arritëm këtu ku jemi.

Krijimtaria juaj është zhvilluar në dy periudha, para dhe pas viteve ’90, si do t’i përcaktonit të dyja?
PO, e vërtetë, këtu dalin dy periudha, gjysma e dytë e shekullit XX dhe pas ’90-s. Nuk mund ta mohoj se periudha përpara viteve ’90 ka qenë shumë gazmore, por edhe e vështirë. Kemi punuar me shumë pasion, me entuziazëm. Më pëlqente që të punoja tërë natën deri në mëngjes, madje kur vinin këta (djemtë) dhe më thoshin “Mirëmëngjes!”, unë u thosha “Natën e mirë!”. Përgjithësisht na duhej të realizonim një pikturë të angazhuar, ku duhej të vinim në pah punën dhe luftën e kombit, megjithëse përpiqesha që herë pas here të isha edhe rebel në disa detaje. Atë periudhë do ta kalonin fundi-fundit edhe kombe të tjera.

Si e përjetuat ju ndërrimin e sistemeve?

Shumë njerëz përjetuan trauma pas viteve ’90. Unë nuk pësova asnjë traumë. Unë vazhdova të punoja, vetëm e dija që nuk do të kisha më komisione që do të më kontrollonin punët dhe do të më thërrisnin për të rregulluar këtë apo atë.

Një nga veprat tuaja më të njohura është pa dyshim tabloja kushtuar Vojo Kushit, si e keni realizuar atë?
Vojo Kushin e mbaj mend që fëmijë. Kemi qenë fqinjë. Ishte luftë. Kam qenë 9 vjeç dhe kur mitralozi kërciste, nëna më thoshte se ishin patat. Kujtoj që ditën kur ndodhi ngjarja, kam parë njerëz me kobure që ecnin rrëzë një muri, të kërrusur dhe të frikësuar, që gati nuk po ecnin këmba-doras. Një nga ata ishte Vojoja. Ai i afrohet portës, me një çibuk të vogël në dorë, edhe thotë: “Nënë, nënë çele derën”. “Ik, të keqen nëna, i thotë, ka ngado policë, duhet që të kesh kujdes se do të vrasin”. Ata kaluan përmes bahçeve tona. Atje ishte dhe një shtë- pi me qerpiç, ku kishin fshehur mjaft armë ata dhe prandaj zhvilluan luftë kundër tankeve.

Pra, ju e keni pikturuar si mbanit mend, kur ishit fëmijë?

Unë Vojon e kam bërë mbi një fotografi, që e kam gjetur në Arkiv. Është një fotografi morgu, ka një plumb në ballë. Madje, një herë nisa një portret të tijin, por nuk mund t’i bëja një portret si i vrarë. Im bir më thotë: O babi, ky është i vrarë tani. I them: A e do të gjallë? Dhe e ktheva ndryshe, sikurse e donte ai. E vazhdoj që ta pikturoj të gjallë.

Me tablonë tuaj njerëzit identifikojnë Vojo Kushin, si ju duket kjo?

Nëna ime, kur shikonte pikturën, qante. Më thoshte se e kisha bërë tamam, me ata flokët që i binin si bisht dhelpre mbi ballë. Shumë vite më vonë, kur kam qenë në Divjakë, më thanë se dikush donte që të pinte kafe me mua. Ishte shoku i Vojos që kishte mbetur gjallë prej asaj dite. Më tha se e kisha pikturuar Vojon si të vërtetë. Më tregoi historinë e tij, se si e kishin kapur të gjallë dhe për 40 vjet nuk u përmend emri i tij. Ajo ishte e katërta figurë.

Si e priti udhëheqja pikturën?

Për këtë pikturë është bërë një mbledhje, sepse e kisha pikturuar heroin këmbëzbathur. Ishte një mbledhje, ku morën pjesë shumë veta. Shumë bënin pyetje nga salla. Kryetari i komisionit ishte një burrë i zgjuar. Kur më pyeti nëse i kisha shtuar këpucë, i thashë se: këmbëzbathurit e kanë bërë luftën, jo ata që vishnin këpucë të mira. Dhe ai e mbylli dosjen e kësaj çështjeje dhe piktura nuk u ndalua.

Ju keni realizuar edhe nudo, në një kohë që ishin të ndaluara, a nuk rrezikonit?

Nudoja asokohe nuk lejohej, por ne e bënim. Një herë ekspozuam nudot e Institutit të Arteve, e më pas u vendos që punët të bëheshin me reçipetë sërish. Më vonë përsëri u hoqën dhe më vonë sërish u bë nudoja…. Sot ekspozohen si një gjë krejt normale.

Mendoni se tani arti dhe artistët mbështeten mjaftueshëm?

Me siguri duhet edhe pak mbështetje, dhe këtë Kryeministri duhet që ta dëgjojë mirë. Fondet për Galerinë janë të vogla, edhe pse siç thotë drejtori, këtë vit është tre fish më i lartë. Por problemi nuk është vetëm këtu. E kam parë edhe në raste të tjera që ka probleme financiare. Galeria ka vite që nuk blen vepra, nuk ka buxhet. Po të mos kisha sjellë edhe punë të tjera nga studioja ime në këtë ekspozitë, vepra ime do të dilte e cunguar, do të dilte vetëm gjysmë. Që nga 1991 nuk kam futur asnjë punë në fondin e GKA. Koleksionistët kanë blerë nga veprat e mia, madje dhe disa që shikoni këtu janë pjesë koleksionesh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.