AKTUALITET

I jepet lamtumira e fundit artistit Sali Shijaku

19:02 - 25.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në hollin e Teatrit të Operës dhe të Baletit për gati 2 orë, nga ora 10:00-12:00, të afërm, miq e dashamirës i kanë dhënë lamtumirën e fundit artistit të njohur, Sali Shijaku.




Homazhet në nder të artistit të njohur janë organizuar nga Bashkia e Tiranës. Shumë qytetarë dhe dashamirës të artit të tij të veçantë patën mundësi që të nderojnë artistin e talentuar.

Sali Shijaku ishte një nga mjeshtrit e rrallë të pikturës. Një artist ekspresionist që u bëri sfidë edhe metodave të ngurta të realizmit socialist gjatë periudhës së komunizmit. Ai mbeti artisti i ngjyrave origjinale dhe triumfator i lirisë krijuese në art.

Vokacioni i artistit është të ndriçojë thellësitë e shpirtit njerëzor me dritë dhe sot mjeshtri i madh i pikturës shqiptare, Sali Shijaku ndriçohet nga drita e parajsës.

Shijaku është cilësuar nga studiuesit si një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Ai krijoi vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve 1965-1980. Shijaku ishte piktor kolorist, dekorativ dhe krijuesi I kompozimeve, një figurë shembull në artin piktorik shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX.

Mjeshtri i madh i pikturës shqiptare, Sali Shijaku u shua në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit në moshën 89-vjeçare, pasi prej disa ditësh ishte në gjendje kome.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.