BOTA

Sonda e NASA-s përplaset me sukses me një asteroid

12:55 - 27.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Sonda Dart e agjencisë hapësinore amerikane, NASA, është përplasur me sukses në një asteroid, duke shkatërruar veten në këtë proces.




Përplasja ishte e qëllimshme dhe ishte dizajnuar të testonte nëse shkëmbinjve hapësinorë, që mund të kërcojnë Tokën, mund t’iu ndryshohet kursi në mënyrë të sigurt.

Kamerat e sondës Dart kapën pamjen e përplasjes në objektin 160 metra të gjerë të quajtur Dimorphos.

Kontrollorët në Laboratorin e Fizikës së Aplikuar të Universitetit Johns Hopkins, pritën me gëzim pamjet e kapura nga kamerat në sondën Dart. Sipas të dhënave të para, vendi ku u përplas sonda ishte vetëm 17 metra larg qendrës së asteroidit Dimorphos.

Do të duhen disa javë para se shkencëtarët e misionit të udhëhequr nga NASA, të kuptojnë me saktësi nëse ky eksperiment ka funksionuar, por Lori Glaze, drejtoreshë e shkencës planetare në NASA, tha se është e bindur se është arritur diçka e jashtëzakonshme.

“Ne po hyjmë në një epokë të re të njerëzimit, një epokë që potencialisht ne do të kemi aftësinë për të mbrojtur veten nga diçka siç është një goditje e rrezikshme e një asteroidi. Është diçka e jashtëzakonshme, ne kurrë më parë nuk e kemi pasur këtë aftësi”, tha ajo për gazetarët.

Sonda Dart po lëvizte me një shpejtësi relative prej 22.000 kilometrash në orë kur hasi dy asteroid, një më i madh dhe një më i vogël, dhe më pas softueri i navigimi rregulloi trajektoren e sondës dhe ajo u përplas me asteroidin Dimorphos.

Nga pamjet e marra nga sonda, shkencëtarët thanë se asteroidi kishte formën e një diamanti dhe në disa pjesë të sipërfaqes së tij kishte gurë, por disa zona ishin të lëmuara.

Shkencëtarët në javët në vazhdim do të studiojnë ndryshimet teksa Dimorphos do të bëjë rrotullimin rreth asteroidit tjetër të quajtur Didymos.

Para përplasjes, Dimorphosit i duheshin 11 orë e 55 minuta që të rrotullohej rreth orbitës së tij. Kjo kohëzgjatje pritet të shkurtohet për disa minuta, pas përplasjes me sondën e NASA-s.

Por, dëshmitë e para që erdhën nga pamjet e incizuara rreth 11 milionë kilometra larg Tokës, duket se plani ka funksionuar./Evropa e lirë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.