DOSSIER

Të pathënat për heroin e filmit “Njësiti gueril”/ Historia e operativit që debatoi me Mehmet Shehun me pistoletë në dorë!

21:00 - 01.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Në analizën vjetore, në fund të vitit 1956, në aparatin e Ministrisë së Brendshme, Lilo Zeneli (babai i Bashkim Zenelit), në diskutimin e tij do t’u drejtohej ministrit Mehmet Shehu dhe zv.ministrit Kadri Hazbiu: “Ju keni liruar nga organet tona padrejtësisht kuadrin më të aftë, shokun Ramadan Gjoka.




Për katër vjet me radhë, ai ka asgjësuar banda të rrezikshme e jo derra e dhi të egra, siç bëjnë disa të tjerë”. Përgjigjja do të ishte e menjëhershme: “Na fal shoku Lilo, bëhen edhe gabime!”. Ishte ky debat që në një farë mënyre u bë shkak për rikthimin e Ramadan Gjokës në radhët e ushtarakëve të Ministrisë së Brendshme ku militoi për disa vite me radhë dhe la emër të mirë. Po kush ishte Ramadan Gjoka?

Me katër nga nëntë fëmijët e tij nga Macukulli i Matit kemi të njëjtën vendlindje, Muhurrin e Dibrës. Po këtu kemi bërë tetëvjeçaren, madje me Ladin kam qenë për katër vjet në të njëjtën klasë. Kjo rastësi ka të bëjë jo me shokët e miqtë e mi të ngushtë, vendorigjina e të cilëve ishte rreth 50 km larg Muhurrit, por me babain e tyre, Ramadanin, që shërbeu dhe la emër të mirë në vendlindjen time për 14 vjet (1957-1971).

Dhe ndonëse bazuar në bilancin tragjik të viktimave të gjenocidit komunist, shumë bashkëkohës të tij janë ende nën akuzë, me Ramadan Gjokën si një nga ish- punëtorët operativë për më shumë se një dekadë në zonën time, ndodh e kundërta. Ka kaluar gjysmë shekulli që kur është larguar nga lokaliteti i Muhurrit (në përbërje të të cilit ishte edhe Luznia, por që Ramadani mbulonte edhe Selishtën, Lukanin, Qafë Murrën e Kacninës) dhe Ai kujtohet me nderim të veçantë.

Kjo, për faktin se krijoi lidhje të ngushta me komunitetin dhe në asnjë rast nuk tregoi “grushtin e hekurt”, por edhe kur nga lart e urdhëronin të kryente ndonjë ndëshkim të pamerituar ndaj ndonjërit, do të gjente mënyra efikase për ta mbrojtur, madje edhe duke e lajmëruar që të “arratisej” për disa ditë.

Ndaj edhe u bë dhe mbeti simbol i mirësisë, urtësisë, mençurisë e trimërisë, virtyte këto të trashëguara, por edhe të kalitura në karakterin e tij, si gjatë Luftës Nacionalçlirimtare edhe në vitet e pasçlirimit kur kreu me devotshmëri e përkushtim të rrallë detyra e funksione të rëndësishme në disa rrethe të vendit. Pikërisht pse radhitet ndër personalitetet me emër të spikatur në panteonin e vlerave tona kombëtare, më i madhi nga djemtë e tij, Petriti, “një ish-ushtarak me emër, autor edhe i librit me poezi ‘Rruga është e gjatë’ e ka skalitur mjeshtërisht portretin e babait, si një nga personazhet kryesorë të librit Rexhep Haxhiu i Macukullit.

RAMADAN GJOKA, NDËR ATA QË SHPËRTHYEN BURGUN E TIRANËS

Ramadan Rexhep Gjoka lindi më 10 prill 1921 në Macukull të rrethit të Matit, në një familje të varfër fshatare. Mësimet e para për shkrim dhe këndim i mori nga mësuesit e parë të fshatit, Halit Kryekurti, Hasan Demiri e Mustafa Neli.

Jeta e vështirë ekonomike në fshat do ta detyronte babain e tij Rexhepin, që nga viti 1933, Ramadanin dhe vëllain e tij, Saliun, t’i sistemonte në punë të ndryshme në Tiranë dhe në Durrës. Në Tiranë, Ramadani banonte në lagjen e Jorganxhinjve, lagja “Tabakaj”, sot “Ali Demi”. Te furra e Shaban Kazazit, ai bie në kontakt me shokët Rexhep Hani e Ali Demi dhe aktivizohet me grupet e para guerile antifashiste.

Në vitin 1942, me porosi të shokëve Rexhep Hani e Xhemal Punavija, bashkë me shokun e tij, Musa Dani, nga Lisi i Matit, vishen gardianë në burgun e Tiranës.

Aty gjen të veshur gardianë edhe dy bashkëfshatarët e tij Dem Dinin e Ahmet Canin, megjithëse ata nuk pranuan të bashkëpunonin, por u zotuan se do të qëndronin të heshtur dhe asnjanës.

Asnjanësia e tyre qe ndihmë dhe meriton të vlerësohet. Ndërkohë, Ramadani dhe Musai siguronin ndërlidhjen midis njësiteve guerile e të burgosurve antifashistë që ishin në burg, shpërndanin trakte, furnizonin me mjete pune si dalta, tuba, ruanin gjatë gërmimit të tunelit dhe fshihnin dheun, veprime këto që kërkonin kujdes, guxim e trimëri.

Aksioni përfundoi me sukses të plotë. Më 26 prill 1943, arratisen nga burgu nëpërmjet tunelit 28 të burgosur, si Koçi Xoxe, Sejdin Avdia etj. (I biri i tij Petrit R. Gjoka shkruan në librin “Rexhep Haxhiu i Macukullit”, se “para se të xhirohej filmi ‘Njësiti guerril’, skenaristi e regjisori nga Kinostudoi ‘Shqipëria e Re’ kanë vajtur në Burrel dhe kanë intervistuar Ramadan Gjokën e Musa Danin”.

Pas shpërthimit të burgut të Tiranës, Ramadani e Musai inkuadrohen në çetën partizanë të Pezës, ku do të njiheshin e bashkëvepronin me partizanë të vjetër, si Shem Kolli, Nuz Hakrama, Shaban Rexha, Pandi Nezha, Shyqyri Peza, Xhaferr Vokshi, Ziso Dako, me Babë Myslimin e Kajo Karafilin.

Në Çetën partizane të Pezës, me komisar Mahmut Agollin dhe komandant Nuz Hakrama, Ramadani tregon vendosmëri e trimëri, që në aksionet e para. Nami dhe trimëria e dy matjanëve në Pezë, Ramadan Gjoka e Musa Dani, kish vajtur gjer në Mat, në vendlindjen e tyre. Komisari i Çetës së Matit Mustafa Kaçaçi, do t’i kish kërkuar Myslim Pezës transferimin e tyre në Mat, por Babë Myslimi, shkurt, prerë dhe qartë do t’i përgjigjej: “Në asnjë mënyrë, ata i kam më trimat e Pezës”.

Me organizimin e ri të formacioneve partizane, inkuadrohet në Batalionin e I të Grupit të Pezës, me komandant Fadil Dashi dhe komisar Maliq Muça. Nga partizan i thjeshtë arrin të caktohet komandant skuadre, toge e deri zëvendëskomandant kompanie.

AKSIONET LUFTARAKE KU MORI PJESË TRIMËRISHT RAMADAN GJOKA

Ramadan Gjoka gjatë LANÇ ka marrë pjesë në këto aksione kryesore: Në 14 qershor 1943, në Qafë Helmës. Në qershor 1943, me një grup partizanësh të zgjedhur me komandant njësiti Kajo Karafilin, merr pjesë në kryerjen e një aksioni të rëndësishëm, në Pezë të Vogël kundër fashistëve italianë.

Nga fundi i muajit korrik 1943, me detyrë komandant toge ngarkohet me ruajtjen e Shtabit të Përgjithshëm që ishte dislokuar në Arbanë, në shtëpinë e Petrit Arbanës. Në gusht 1943 merr pjesë në kapjen e 50 mercenarëve, në Qafë Krrabë. Në tetor 1943, merr pjesë në luftimet në Domjan dhe Arbanë të Tiranës.

Në nëntor 1943, merr pjesë në luftimet kundër gjermanëve në Petrelë e Krrabë. Në librin “Rexhep Haxhiu i Macukullit” (faqe 106), reeferuar kujtimeve të Ramadanit mësojmë se: “Në operacionin armik të Dimrit 1943-1944, njësiti partizan, me Andrea Mema nga Korça, Ramadan Gjoka nga Macukulli, Ramazan Abazi dhe Ibrahim Osmani nga Burgajeti i Matit dhe motra e Xhevdet Petrelës, dhe kjo partizane, gjatë një aksioni në zonën e Krrabës, u gjendën të rrethuar nga forcat gjermane e balliste.

Binte shi dhe dëborë. Për t’i shpëtuar rrethimit u futëm në lumen Erzen, u maskuam me mjete rrethanore dhe vetëm kokat kishim mbi ujë. Qëndruam mbi 10 orë. Pas largimit të gjermanëve natën, ne vazhduam lëvizjen dhe arritëm në Pezë shëndoshë e mirë. Myslim Peza na falënderoi për taktikën që kishim përdorur, për ruajtjen e shoqes partizane dhe të armëve”.

Nga qëndrimi në ujë e shi për disa orë, Ramadani do të merrte ftohje të rëndë që nuk do t’i ndahej gjatë gjithë jetës. Ilegalisht, në janar 1944 do të shtrohej në spitalin e Tiranës i maskuar si fshatar pezak. Pas 10 ditësh, pa u shëruar plotësisht, do të rikthehej në Pezë. (Bashkëkohësit kujtojnë se edhe pas çlirimit, ai do të shtrohej në spital disa herë si në Tiranë, Kukës e Peshkopi dhe sa bëhej më mirë kthehej në punë.

Madje, disa herë u thoshte djemve se plaga e ftohjes i dhemb më shumë nga plaga e plumbit të gjermanit). Në maj 1944 merr pjesë në luftime në Kazisaj të Peqinit. Në 1 qershor 1944, batalioni partizan ndeshet me gjermanë e ballistë në German të Kavajës, ku Ramadani plagoset rëndë. Në këtë betejë është vrarë komisari i Batalionit, Maliq Muça. Referuar sërish kujtimeve të Ramadanit në librin e Petrit R.Gjokës “Rexhep Haxhiu i Macukullit”, (fq.107) mësojmë se ai ia dinte për nder shokut të tij të luftës, Tahir Minxhozit, që e mbajti në krah dhe e nxori nga luftimi.

Madje, disa herë, megjithë dhimbjet e mëdha që kishte, pasi këmbën nuk e ndjente veçse i kullonte gjak, i thoshte Tahirit ta lëshojë, pasi kërcënohej edhe jeta e tij. Por dashuria për shokun gjatë luftës partizane qëndronte në shkallën më të lartë. Në spitalin partizan të Pezës qëndroi 4 muaj. Operacionin për nxjerrjen e plumbit nga këmba ia ka bërë doktor Petro Cani në kushte mjaftë primitive.

Gjatë gjithë kohës së operacionit me sharrë druri, nuk lëshonte klithma, por vetëm shtrëngonte veten, kërciste dhëmbët e kafshonte një shkop druri që mbante në gojë. Ardhja e nënës së rij në spitalin partizan e çuditi pa masë, e bëri me krahë, pasi përjetoi dashurinë e saj për të birin, sakrificat dhe guximin e saj.

Ishte ky udhëtim heroik e historik i nënës së tij që lidhi luftën e Macukullit me Pezën partizane… Me shërimin e tij të pjesshëm, në shtator 1944, Ramadan Gjoka rikthehet në formacionet partizane, inkuadrohet në Brigadën XXII Sulmuese me komandant Sali Verdha e komisar Tuk Jakova. Merr pjesë në marshimin Brigadës për në Veri në itinerarin Pezë-Tiranë-Qafë Shtamë-Burrel-Vinjoll-Kacni-Lukan-Lurë.

Me urdhër të Komandës së Brigadës ngarkohet me detyrë delegat politik në Lurë, ku gjen mbështetje te Llan Kaci e Sadik Tollja; rigjallëron jetën dhe aktivitetin e këshillave Nacionalçlirimtare. Në Lurë, së bashku me vëllain e tij, Kurt Gjokën krijojnë 5 organizata rinie antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas qëndrimit për një kohë të shkurtër në Lurë transferohet delegat politik në Klos të Matit.

KRYETARI I PARË I KOOPERATIVËS BUJQËORE TË SUÇIT

Pas çlirimit të vendit nga okupatori nazifashist, në harkun kohor të 11 viteve (1945-1956) Ramadan Gjoka punon në organet e Punëve të Brendshme në zonat MatMirditë-Zerqan-Tropojë-Kukës; arrin me gradën Kapiten i Parë. Në prill 1956 lirohet nga organet e Punëve të Brendshme dhe emërohet kryetari i parë i Kooperativës Bujqësore në Suç të rrethit të Matit.

Ndonëse nuk ishte specialist bujqësie, në saj të mirorganizimit të punëve, duke udhëhequr me ndershmëri e shembull personal e duke krijuar lidhje mjaftë të ngushta me kooperativistët bëri të mundur që kjo kooperativë të kishte rezultate të larta në prodhim dhe të zinte vend të parë në gjithë rrethin e Matit.

SI I SHPËTOI PËPLASJES ME MEHMET SHEHUN

Pasi përshkruan bukurinë fizike e shpirtërore të babait të tij, me trup mbimesatar, të drejtë dhe muskuloz, i pamposhur, fjalëzjarrtë, i papërtuar e i kudondodhur, i vendosur, i ashpër ndaj mangësive e i thjeshtë mes të thjeshtëve; me karakter të fortë, të jashtëzakonshëm, trim e guximtar në luftë, gjatë e pas çlirimit. Petrit R. Gjoka, në librin e tij jep detaje nga përballja e Ramdan Gjokës me Mehmet Shehun (fq.126).

Në vitin 1949, Mehmet Shehu, asokohe ministër i Punëve të Brendshme, thërret në zyrë Ramadan Gjokën e do t’i drejtohej ashpër: “Ti Ramadan e babai yt Rexhepi, keni shpëtuar e nxjerrë nga rrethimi Bilal Kolën, dhe për këtë mbani përgjegjësi të plotë. Përse nuk u dogj kulla juaj në Macukull si e Hasan Minxhozit në Sholli dhe e Haki Fejzos në Lis?”. Kuptohet, Ramadani mund të lirohej nga detyra, por dhe mund të merrej i pandehur si armik.

Nuk kish rrugë tjetër. Ramadani vë dorën në brez e shtrëngon pistoletën, e me ashpërsi i përgjigjet Mehmet Shehut: “Unë jam Ramadan Gjoka, kam shpërthyer burgun e Tiranës mes fashistëve, jam partizan i vjetër i Pezës, kam derdhur gjak për çlirimin e atdheut, me dhjetëra herë jam ndeshur nëpër male me banda e kam dalë fitimtar, prandaj ato akuza për mua e familjen time tërhiqi mbrapsht. Urgjentisht shoku ministër, kërkoj takim me Komandantin e Përgjithshëm, shokun Enver Hoxha”.

Mehmet Shehu, pas ulërimave e të bërtiturave, duke parë vendosmërinë e karakterin e fortë burrëror të Ramadanit, ndryshoi taktikë: “Vazhdo punë, o Ramadan, armiqtë duan të na përçajnë!”. Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Burrel, asokohe Banush Goxhaj, do t’i drejtohej Ramadanit: “Të lumtë o Ramadan Gjoka, zbardhe faqen tënde, të familjes e të punës sonë në Mat”.

RIKTHIMI NË STRUKTURAT E MINISTRISË SË BRENDSHME

Në analizën vjetore, në fund të vitit 1956, në aparatin e Ministrisë së Brendshme, Lilo Zeneli (babai i Bashkim Zenelit), në diskutimin e tij do t’u drejtohej ministrit Mehmet Shehu dhe zv.ministrit Kadri Hazbiu: “Ju keni liruar nga organet tona padrejtësisht kuadrin më të aftë, shokun Ramadan Gjoka. Për katër vjet me radhë, ai ka asgjësuar banda të rrezikshme e jo derra e dhi të egra, siç bëjnë disa të tjerë”. Përgjigjja do të ishte e menjëhershme: “Na fal, shoku Lilo, bëhen edhe gabime!”.

Reflektimi i titullarëve të dikasterit qe i menjëhershëm dhe kështu, në fillim të vitit 1957 Ramadan Gjoka rikthehet përsëri në organet e Punëve të Brendshme në zonën e Dibrës, ku shërbeu me devotshmëri e përkushtim të rrallë ndaj atdheut e shoqërisë për 14 vjet, deri sa doli në pension në vitin 1971.

Këto vite kur Ramadan Gjoka shërbeu në Dibër, në zonën e Muhurrit, Luznisë, Selishtës, Qafë Murrës, Lukanit, Kacnisë, Bulaçit, Rreth Kales, Pratit, Masdejës, Balxhajit, Shupenzës etj., si Operativ i Sigurimit, qenë mjaft të suksesshme. Ai ishte model i bashkëpunimit me fshatarët e organet e policisë së shtetit. Arriti të marrë gradën e Majorit dhe shumë dekorata e lavdërime.

Profili i këtij luftëtari e qëndrestari të paepur ka frymëzuar dhjetëra poetë të cilët kanë shkruar e botuar për të poezi e balada. Meritë e veçantë e këtij personaliteti që rrezatonte kudo mirësi e paqe dhe që mishëronte vlerat më të mira njerëzore dhe intelektuale qe dhe krijimi i një familjeje solide.

Kështu, me bashkëshorten e tij shembullore Mihane Gjoka (Doda) lindën, rritën, shkolluan dhe miredukuan shtatë djem dhe dy vajza: Petritin dhe Naimin, oficerë shembullorë të ushtrisë shqiptare, Shkëlzenin dhe Florën, nga mësuesit e drejtuesit e mirënjohur të arsimit në Mat e Tiranë, Natashën që si mjeke e Përgjithshme në Poliklinikën te Bërryli në Tiranë shërben me kompetencë, profesionalizëm e humanizëm ndaj komunitetit dhe katër të tjerët: Kujtimi, Vladimiri, Iliri e Ylli mekanikë të talentuar të profileve të ndryshme.

Kanë kaluar 17 vjet nga dita e lamtumirës së tij (8 prill 2005) dhe jo vetëm nga familjarët, djemtë, vajzat, nipërit e mbesat e shumta, por edhe nga bashkëkohës e pasardhës të tyre në Dibër, Mat e Tiranë, Ramadan Gjoka kujtohet e nderohet për trashëgiminë e vyer që la pas, si pinjoll i një familjeje e fisi emërndritur./ Nga HALIL RAMA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.