EKONOMI

INTERVISTA/ Amnistia Fiskale, eksperti i Ekonomisë: Rama po legalizon paratë e veta të korrupsionit!

17:28 - 10.10.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

VALENTINA MADANI/ Eksperti i Ekonomisë, Panajot Soko, akuzon Kryeministrin Edi Rama për keqqeverisje, e cila po rrënon jetesën e qytetarëve shqiptarë. Sipas tij, qeveria del “me fitim” në kohë krizë, ndërsa qytetarët humbasin çdo ditë.




Soko thotë për gazetën “Panorama” se përmes amnistisë fiskale, qeverisë i duhet një ligj që të formalizojnë paratë e veta të korrupsionit. Kjo shprehet ai, me qëllim që kur të zbresin nga pushteti, të shijojë të qetë paratë e tyre. Amnistinë fiskale e sheh eksperti i ekonomisë e sheh si një ftesë e hapur për të gjithë paratë e aktiviteteve kriminale për t’u pastruar, pavarësisht se ato vijnë nga droga, trafiqet apo krimi i organizuar. Kurse rihedhja për konsultim e nismës së qeverisë për legalizimin e kanabisit mjekësor sipas Panajot Sokos u paraprin zgjedhjeve. “Ndodh me qëllim! Dhe arsyeja është që në çdo fushatë elektorale ne kemi një rritje të prodhimit të kanabisit që vjen si pasojë e mbylljes se syve që ndodh nga ana e shtetit për shkak të fushatës elektorale…”, shprehet z.Soko.

Kush po i varfëron shqiptarët, kriza ekonomike globale apo qeveria që në vend që t’ua lehtësojë jetesën po ua vështirëson atë…?

Në fakt, qeveria thjesht është një barrë e rëndë më tepër në kurriz të qytetarëve dhe kjo pikërisht për shkak të sjelljes së saj në këto kushte krize ekonomike. Ashtu siç edhe mund ta dini, sot rritja e çmimeve është e ndikuar nga dy burime kryesore. E para është rritja që vjen nga importi dhe kostot e lidhura me importin, që kanë ardhur si pasojë e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

E dyta është rritja që vjen si pasojë e rritjes së taksave që ndodh pikërisht për shkak të kësaj rritje çmimesh. Për ta kuptuar është TVSH-ja si taksë që llogaritet me përqindje mbi çmimin. Kur çmimi rritet, rritet dhe sasia e TVSH, çka e rëndon akoma më shumë çmimin, pra, e rrit atë më shumë. Në këtë prizëm, qeveritë e tjera kanë ndërmarrë paketa lehtësuese me ulje taksash, gjë që nuk është bërë nga ana e qeverisë sonë. Dhe kjo e kthen qeverinë në një barrë më tepër në kurrizin e qytetarëve. Paketat e shpërndara me rritje pagash e pensionesh janë totalisht të papërfillshme nëse krahasohen me të ardhurat shtesë që qeveria ka përfituar nga taksimi shtesë. Deri më tani qeveria planifikon të marrë mbi 400 milionë Euro të ardhura shtesë nga rritja e taksave, ndërsa paketat që janë çuar në drejtim të qytetarëve shkojnë jo më shumë se 100 milionë Euro. Dhe këtu qëndron absurdi. Qeveria që del “me fitim” në kohë krize, ndërsa qytetaret humbasin çdo ditë.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike ka sjellë shumë pakënaqësi tek qytetarët. Si mund t’i përballojnë shpenzimet me pagesat e tyre mujore, ndërkohë që Enti Rregullator i Energjisë vendosi për shtyrjen e fashës 800 kë/h në nëntor?. Janë 70 mijë familje që pritet të kenë një dimër më të kushtueshëm këtë vit sesa herë të tjera..

Qeveria nuk mund t’ua faturojë qytetarëve dështimet e saj në administrimin e sistemit energjetik. Në 2015 kur qeveria realizoi reformën në sistemin energjetik dhe rriti çmimin e energjisë për qytetarët dhe biznesin, ajo premtoi që qytetarët shqiptarë do të kishin një sistem energjetik të pavarur nga importi, pasi rritja e çmimit të energjisë do të shkonte për investime që do ta pavarësonin atë nga energjia e importuar. Sot po flitet për një krizë energjie sepse është rritur çmimi i energjisë në import, çka e bën absurd të gjithë rritjen e çmimit që u vendos në 2015.

Ku shkuan lekët e çmimit të rritur të energjisë?

Ti s’mund t’ua rrisësh çmimin qytetarëve duke iu premtuar një pavarësi të sistemit energjetik nga importi dhe 7 vite pasi ua ke rritur çmimin t’iu thuash që duhet rritur çmimi se është rritur energjia në import. S’mund t’iu faturosh qytetarëve dështimet e tua. Qeveria nuk duhet të rrisë, madje as ta zërë me gojë rritjen e çmimit të energjisë. Të paktën kjo qeveri që rriti çmimin në 2015, s’e ka ketë të drejtë.

Pse po këmbëngul qeveria për amnistinë fiskale, ndërkohë që partnerët ndërkombëtarë janë shprehur kritikë ndaj saj?

Amnistia fiskale u nis si një amnisti që do të ndihmonte emigrantët shqiptarë që kishin punuar në të zezë që të sillnin dhe legalizonin në Shqipëri paratë e punës së tyre në të zezë, por që kjo tezë qesharake u rrëzua shumë shpejt. Bashkë me të u rrezua dhe alibia po aq qesharake e të ashtuquajturit “Pyetësori Kombëtar”. Kjo, pasi në pyetësor njerëzit u pyetën nëse ishin dakord që të formalizoheshin lekët e emigrantëve, jo lekët e evazorëve fiskalë, siç thuhet në draftin e ligjit që qeveria është duke servirur aktualisht. Në thelb, ky projektligj, në gjykimin tim, është një ftesë e hapur për të gjithë paratë e aktiviteteve kriminale për t’u pastruar, pavarësisht se ato vijnë nga droga, trafiqet apo krimi i organizuar. Por qëllimi kryesor i këtij ligji, unë besoj se nuk janë as këto, pra, paratë e krimit, trafiqeve apo drogës. Kjo, sepse këto lloj parash kanë vite që e kanë gjetur lavatricën e tyre në industrinë e ndërtimit dhe atë të turizmit. Ato nuk kanë pasur nevoje për një ligj. Në thelb, unë besoj se kjo gjë po bëhet për paratë e vetë qeveritarëve. Atyre iu duhet një ligj i tillë që të formalizojnë paratë e veta të korrupsionit, me qëllim që kur të vijë dita të zbresin nga pushteti, të kenë mundësi të shijojnë të qetë paratë e tyre. Besoj se ky është qëllimi dhe prandaj Kryeministri këmbëngul aq fort, sepse bëhet fjalë për paratë e tyre.

Qeveria rihodhi për konsultim publik draftin për legalizimin e kanabisit mjekësor. Pse ky nxitim? Çfarë ndikimi do të ketë te qytetarët kjo nismë e qeverisë?

Debati që u hap për çështjen e legalizimit të kanabisit mjekësor në optikën time ishte thjesht një taktike e zakonshme paraprijëse e fushatave elektorale. Nëse kujtojmë, sa herë që ka zgjedhje, në Shqipëri hapet debati i legalizimit të kanabisit dhe kjo nuk ndodh pa qëllim. Ndodh me qëllim! Dhe arsyeja është që në çdo fushatë elektorale ne kemi një rritje të prodhimit të kanabisit, që vjen si pasojë e mbylljes së syve, që ndodh nga ana e shtetit për shkak të fushatës elektorale.. Dhe mesazhi i parë për të gjithë ata që kërkojnë të përfitojnë nga mbjellja dhe tregtia e hashashit është “jepini, mbillni sepse do ta legalizojmë”. Edhe ky debat që mori spunto nga gjoja “konsultimi me popullin” është pikërisht në vazhdën e kësaj strategjie. U thua “çunave” vazhdoni mbillni se do ta legalizojmë, ndërkohë që për këtë i detyroheni qeverisë, kështu që duhet ta ndihmoni të fitojë zgjedhjet. Ky është thelbi i së gjithës. Shqipëria ka nevojë për shumë pak kanabis apo vaj kanabisi për qëllime mjekësore. Sasia vjetore e kërkesës nuk i kalon disa dhjetëra kilogramë kanabis apo vaj kanabisi. Nëse është për kaq pak Shqipëria mundet fare mirë ta importoje atë, pa iu dashur të hyjë në aventura të tilla me legalizim kanabisi. Prandaj mendoj që hapja e diskutimit për legalizimin e kanabisit ka një qëllim tjetër, nuk vjen prej faktit që Shqipëria do të përfitojë ekonomikisht nga pak dhjetëra kilogramë. Qëllimi është thelbësisht për përfitim elektoral.

Tirana po përjeton një bum të lartë ndërtimesh, një pjesë e madhe e të cilave në zonën qendrore të kryeqytetit. Nga po financohet industria e ndërtimit?

Industria e ndërtimit në vendin tonë mund të klasifikohet fare mirë si një flluskë financiare, e cila po rritet dita-ditës. Nëse u referohemi të dhënave, ka nje mospërputhje të thellë mes kërkesës reale të qytetarëve që kërkojnë të blejnë apartamente të reja për të banuar në to (dhe këtu u referohem çifteve të reja që ndërtojnë familje) dhe shitjeve aktuale që po ndodhin në tregun e apartamenteve. Kjo vjen për shkak së industria e ndërtimit ka kohë që shërben si një lavatriçe e parasë së krimit, drogës apo trafiqeve dhe rritet sa herë që rriten prurjet që vijnë nga këto industri. Aktualisht, pjesa më e madhe e parasë që furnizon industrinë është para e pistë. Këto para bëjnë që kërkesa për apartamente të rritet artificialisht dhe çmimi të rritet po artificialisht. Kur të vijë dita që paratë e drogës dhe trafiqeve të stopojnë se hyri në Shqipëri, në atë moment do të plasë dhe flluska e ndërtimit dhe çmimet e apartamenteve do të bien aq shpejt saqë mund të kolapsojnë gjithë sistemin ekonomik. Ndërtimi aktualisht është ndoshta me rrezik që kërcënon stabilitetin e ekonomisë shqiptare.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Edvin Kristaq Rama, nje person me te meta mendore, duhet te arestohet ME patjeter, eshte bere personi me I rezikshem per vendin dhe nderkombetaret, nje alarm boteror, I cili po shkakton luften e trete boterore, arestoeni sa nuk eshte vone. I cmenduri e ka vendin ne psikiatri.

    Përgjigju ↓