DOSSIER

“Asistonte në pushkatimin e të dënuarve politikë, ai merrte prej tyre amanetet e fundit”/ Historia e Hoxhës që e nderonte e gjithë Shkodra!

07:53 - 08.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Hafiz Riza Adem Boriçi – Çallma e fundit e Boriçve të Shkodrës




Familja e Boriçëve është ndër më të njohurat e familjeve shkodrane. Ajo dallohet nga shtrirja e gjerë dhe nga përmasat e mëdha në karrierën fetare, në veprimtaritë administrative, në fushën e drejtësisë, në lëmin e arsimit dhe lidhur ngushtë me këto në kontributin e veçantë atdhetar.

Nga kjo familje dolën jo vetëm njerëz të ditur, por edhe patriotë të shquar, si Daut Boriçi, që me veprimtarinë e tij të gjithanshme, arriti të hynte në panteonin e kombit, duke u bërë një nga patriotët më në zë të Rilindjes Kombëtare, për rolin e madh e ndihmesën e vyer si udhëheqësi i Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes së Prizrenit si dhe për degën e kësaj Lidhjeje për Shkodrën.

Monografi të ndryshme me karakter historik, shkencor, kulturor, arsimor e biografik, fjalorë enciklopedikë e pedagogjikë, botime dokumentare, libra me kujtime, historike institucionesh, përmbledhje sesionesh shkencore dhe shkrime të shumta në median e shkruar, si dhe programe radiotelevizive kanë pasqyruar gjerësinë e problematikës së trajtuar për këtë familje dhe vlerat e merituara që ajo ka fituar në opinionin shkencor e qytetar, lokal e kombëtar.

Familja e Boriçëve ishte një familje shqiptare e shpërngulur nga fshati Boriç i rrethinave të Tivarit, e vendosur në Shkodër nga fillimi i shekullit XVIII-të, më parë në lagjen Sudbege, afër xhamisë Plakë, pastaj në atë të Perashit dhe më vonë e shpërndarë në lagje të ndryshme të qytetit.

Përveç Daut Boriçit, nga kjo familje qenë hoxhallarë edhe Molla Halili, Hafiz Musai, Hafiz Shefqeti dhe Hafiz Rizai, të cilët shërbyen si mësues mejtepi, mësues besimi në shkolla shtetërore, imamë, vaizë e myderrizë.

Në këtë familje, ka vendin e vet për kontributin e dhënë në aspektin fetar edhe Hafiz Riza Boriçi, i cili u lind dhe u rrit në një mjedis të tillë, duke ruajtur me dashuri dhe nderim emrin, traditën dhe rrugën e paraardhësve të tij.

Riza Boriçi lindi në Shkodër më 04.02.1895. Jeta e tij qe e mbushur me shqetësimet që grumbullonte e paraqiste koha. Ai asnjëherë nuk qëndroi në pozita indiferente, por ishte aktiv, i matur dhe i kujdesshëm, duke ruajtur gjithnjë pozicione të caktuara e të patundura, të urta e të drejta të besimtarit e të drejtuesit fetar të nderuar e të devotshëm, të atdhetarit konsekuent e të qytetarit të kulturuar, humanist e shembullor.

Ai i konceptoi dhe i zbatoi të lidhura idetë e shqiptarizmit me parimet e fesë Islame, prandaj me vetëdije u bë trashëgimtar i çallmës së Boriçëve, duke mbyllur një cikël mbi tre breza hoxhallarësh të kësaj familjeje. Adem Efendi Boriçi, babai i Rizait, ishte një jurist shumë i njohur, hetues dhe gjykatës serioz, një personalitet i respektuar e autoritar. Ai kultivoi tek i biri dëshirën për dituri, duke pasur si parim porosinë islame “Kërkoje diturinë që nga djepi deri në varr”.

Edukata dhe trashëgimia familjare, qenë tharmi i brumosjes dhe i formimit të tij. Në familjen e Boriçëve, ishte kthyer në motiv thënia e Daut Boriçit në ‘Abetaren shqip` të tij me 1869: “Shqiptari me mënyrën e shkronjave që kam kallzue në alfabetin shqip, brenda pak kohe, mundet me shkrue në gjuhën e vet’ ose ‘xen me shkrue shqip`”.

Që në fëmijëri te Rizai u zbuluan vlera pozitive, ra në sy zelli i tij për shkollim. Pasi mbaroi shkollën fillore e qytetëse, ai vazhdoi studimet te gjimnazi turk “Ruzhdije” i Shkodrës, që për kohën ishte bërë një qendër e rëndësishme për formimin kulturor e arsimor të rinisë myslimane.

Pas shkollimit me arsim të përgjithshëm, ai vazhdoi rrugën e arsimimit të tij teologjik. Nuk pati fatin të shkonte në universitetet islamike jashtë vendit, prandaj ndoqi formimin e tij teologjik sipas një tradite shumë të përhapur e të transmetuar brez pas brezi, nëpërmjet teologëve të përmendur me përvojë e, të autorizuar për këtë lloj arsimimi.

Riza Boriçi, si udhëheqës pati teologun e myderrizin e njohur shkodran, Haxhi Hafiz Isuf Kelmendi. Ai përfundoi shkëlqyeshëm përgatitjen e tij teologjike, duke fituar titullin “Hafiz”. Në tubimin madhështor dhe në gostinë tradicionale të diplomimit (ixhazetit), profesori i tij, Haxhi Hafiz Isuf Kelmendi, në një mjedis festiv ceremonial, i vuri Rizait çallmën, në qershor të vitit 1917. Këtë çallmë ai do ta mbante me dinjitet, deri kur ndërroi jetë më 24 nëntor 1960.

Rizai ka pasur formim të gjerë intelektual. Ai ka zotëruar tri gjuhët orientale: arabishten, turqishten dhe persishten, si dhe ka përdorur edhe frëngjishten. Krenohej me bibliotekën personale të trashëguar, por edhe të pasuruar, të administruar dhe të shfrytëzuar me kujdes nga ana e tij.

Ajo përmbante vepra të shumta teologjike, gjuhësore, kulturore e të shkencave të ndryshme, deri në ato të mjekësisë. Biblioteka e tij kishte të aneksuar edhe dokumente arkivore që lidheshin me veprimtarinë e familjes e personale.

Formimi teologjik me mësues ka qenë i bashkërenditur me studimin individual. Hoxhallarët kanë qenë autodidaktë të admirueshëm dhe  shumicën e kohës pas kryerjes së detyrave fetare, e kalonin në bibliotekën personale, duke lexuar e studiuar, duke ngritur horizontin e tyre të përgjithshëm.

Jeta e tij mbeti e lidhur fort e ngushtë jo vetëm me nivele të larta përkushtimi prej besimtari e prijësi fetar, por edhe të një qytetari të respektuar, të një bashkëshorti shembullor dhe të një prindi model.

Gjatë gjithë jetës së tij ai qe aktiv, u dallua për përkushtimin e disiplinën në punë, për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e xhamive. Ai kurrë nuk e kuptoi veprimtarinë e tij fetare, jashtë interesave kombëtare, të ndarë nga nevojat e problemet qytetare. Propagandimi i ndërthurur dhe i bashkërenditur i vlerave fetare, atdhetare e qytetare ka qenë në vëmendjen e tij të vazhdueshme, në marrëdhëniet e tij familjare, me besimtarët e qytetarët.

Ai kishte një pamje të përgjithshme tërheqëse dhe portreti i tij fizik ishte mbresëlënës. Uniforma e tij ishte gjithmonë e pastër, e hekurosur, e rregullt, me një çallmë që binte në sy për palat e renditura me shumë kujdes që shprehte fisnikëri, kulturë dhe edukate islame. Vërtet ishte model i hoxhës në xhami, në mjediset publike dhe në familje.

Jeta dhe përgjegjësia për detyrën e zhvendosën sa andej-këtej nëpër Shqipëri. Fillimisht ai ishte imam në qytetin e Shkodrës dhe më pas u emërua imam në Ishëm të rrethit të Durrësit. Këtu fitoi simpatinë jo vetëm si njeri, por edhe si hoxhë.

Fjala e tij dëgjohej me interes, kishte peshë në zgjidhjen e problemeve shoqërore të besimtarëve, jetonte me gëzimet e hallet e tyre. Ligjëratat e tij si vaiz, ishin bindëse e ndikuese, pa cenuar njeri, plot ëmbëlsi, përherë dashamirëse e edukuese. Pas disa vitesh punë por edhe hallesh e brengash, diku nga viti 1933-1936, larg familjes, Hafiz Rizai kthehet në qytetin e tij të lindjes.

Tashmë me një përvojë më të madhe, ai shërbeu si imam në xhami të ndryshme të qytetit, si në Luguçesme, në xhaminë e Bardhë, atë të Kuqe të Perashit, në Fushë-Çelë, në Ndocej, në xhaminë Plakë dhe në atë të Parrucës, duke shërbyer pothuajse në gjeografinë e të gjithë qytetit.

Shkodranët e deshën, e respektuan dhe e vlerësuan birin e tyre, vaizin e njohur, për fjalën e bukur, artistikisht të zgjedhur, thellësisht të kuptueshme, gjithmonë të qartë e të mbështetur në burimet Kuranore, përvojën profetike e historinë e kulturën islame.

Tematika e ligjëratave ishte e larmishme, ajo harmonizohej me festat fetare, me shtyllat e Islamit, me obligimet e besimtarëve, me problemet shoqërore të qytetarëve. Kjo praktikë pune ishte fryt i shqetësimit të tij për t’u lidhur ngushtë me xhematin që e bëri atë një predikues të aftë e shembullor.

Hafiz Rizai ka pasur një vizion të qartë e largpamës në lidhje me faktin historik të përbërjes heterogjene të besimeve fetare në Shqipëri. Bashkekzistencën dhe tolerancën ndërfetare ai e shikonte si një vlerë kombëtare, por edhe si dukuri të rëndësishme të parimeve të moralit Islam në përgjithësi.

Për këtë ai qe propagandues e zbatues i mirëkuptimit, i respektit të ndërsjellë, i miqësisë, i vizitave dhe i krijimit të një atmosfere paqësore në qytet mes banorëve të tij.

Ndonëse ishte idealist në bindje, nuk është marrë drejtpërdrejt me politikë, por si atdhetar e me pikëpamje demokratike, qëndroi në një opozitë të heshtur si ndaj pushtuesit ashtu edhe ndaj diktaturës.

Ndryshimet shoqërore-politike që ndodhën në vendin tonë pas Luftës së Dytë Botërore, kanë ndikuar shumë tek ai dhe e kanë bërë të vuajë shpirtërisht si rezultat i situatave të reja historike, politike e ideologjike.

Hafiz Rizai, në periudhën 1945-1951, ka pasur ngarkesë të madhe emocionale e psikologjike, duke i shkaktuar një gjendje stresi që e lodhi dhe i solli pasoja më vonë. Ai u ngarkua me një detyrë shumë delikate e të rëndë, për të kryer shërbesat fetare të të dënuarve politikë me pushkatim, në ditën e ekzekutimit të tyre.

Familjarët kujtojnë gjithë trishtim drithërimën që përshkonte Hafiz Rizanë, kur mëngjesit, para sabahut, dëgjohej të ndalej makina para shtëpisë që e merrte atë dhe së bashku me një prift nisej atje, ku korrej jeta.

Kjo ka qenë ndër detyrat fetare më të vështira që ai ka përjetuar. Kur kthehej në shtëpi, mbyllej në dhomën e tij, nuk hante as nuk pinte, por lexonte Kuran me orë të tëra. Askush nuk guxonte t’i ndërpriste meditimet e tija që shoqëroheshin me gjendje tronditëse e pagjumësie shkatërruese.

Një tjetër moment të rëndë, Hafiz Rizai kishte me familjarët e të ekzekutuarve. Ata në grupe vinin ta takonin për të mësuar prej tij dramën e përgjakshme dhe amanetin e fundit të lënë para pushkatimit. Ai rrinte e bashkëbisedonte gjatë me ta në dhomën e tij, pa praninë e askujt tjetër.

Të pushkatuarit, zakonisht ishin figura të njohura patriotësh nacionalistë e personalitete të kohës, të nderuar e me tradita, madje edhe shokë e miq të tij. Ndaj me përlotjen e familjarëve, skuqeshin e përloteshin edhe sytë e tij, mjekrën e tij fisnike e lagnin lotët e tij, si të ishte fëmijë. S’ka arsye tjetër që, infarkti akut, ta këpuste në lulen e moshës, kur ishte vetëm 65 vjeç.

Hafiz Riza Boriçi, është shquar gjithashtu edhe për qytetari dhe ai gëzonte simpatinë e një mase të madhe njerëzish. Një gjë e tillë rriste përmasat e autoritetit të tij, jo vetëm në mjedisin familjar e në rrethin e besimtarëve, por edhe në raportet që krijonte me autoritetet fetare, me pushtetin vendor si dhe me elitën intelektuale të qytetit.

Hafiz Rizai, ishte gjithmonë i pranishëm mes tyre, merrte pjesë në diskutimet e bëra, jepte mendime, bënte propozime, mbante qëndrime dinjitoze, si i kishte hije një kuadri fetar.

Ai njëkohësisht ishte një bashkëshort e prind ideal. Me sakrifica rriti shtatë fëmijë dhe kishte harmoni të admirueshme me bashkëshorten, e cila i qëndroi afër dhe iu bë krah i djathtë, sidomos në ditët e vështira të jetës. Shumë afër i ka qëndruar dhe i vëllai, Qamili, që e prekte vështirësinë ekonomike të Rizait dhe që bënte që ta zbuste atë.

Hafiz Rizai, kurrë nuk pranoi të shtrinte dorën, duke e luftuar ashpër lëmoshën. Lidhur me këtë, familjarët tregojnë: “Ishte natë! Bajrami i vitit 1950. Rizaja ndodhej në xhami. Trokiti dera e shtëpisë dhe një person dorëzoi një pako me ushqime, gjoja të dërguara nga hoxha.

Kur Hafizi u kthye në shtëpi dhe mësoi për ngjarjen, u nevrikos shumë. Familjarët kujtojnë përgjigjen e tij: ‘U kam porositur vazhdimisht që, të mos pranoni asgjë nga të tjerët”. Kurrë nuk u mësua, se kush e solli atë pako. Ishte një vlerë qytetare e njerëzve të ndershëm, një akt njerëzor aq fetar e domethënës.

Hafiz Rizai, në ushtrimin e detyrës së tij është shprehur në mënyrë të prerë kundër praktikimit të nuskave. Gjatë jetës e veprimtarisë së tij veç shumë miqve, shokëve e dashamirëve ka pasur marrëdhënie të posaçme edhe me Hafiz Halim Hajdarin, Hafiz Myrto Vucin, Hafiz Sheuqet Boriçin, Hafiz Sabri beg Bushatin dhe Hafiz Muhamet Gogolin, për të cilët fliste vazhdimisht me konsideratë të lartë.

Bashkëkohësit dhe pasardhësit e tyre kanë folur e flasin me nderim, vlerësim e mirënjohje për Hafiz Rizanë. Jeta dhe veprimtaria e tij kanë lënë gjurmë në historikun e xhamive e myftinjve të qyteteve, ku ai ka shërbyer me zell e devocion.

Kontributi i tij  ishte vënë në dukje në median e shkruar dhe elektronike, me biseda e tema përkujtimore, vlerësimet janë pasqyruar në sesionin shkencor me temë: “Daut Boriçi, personalitet i shquar i historisë, kulturës dhe i arsimit shqiptar”, në vepra me karakter biografik si:

`Një jetë në shërbim të fesë”, në monografi me karakter enciklopedik si: “Shkodra dhe motet”, (i Hamdi Bushatit) dhe në librin: “Në kujtim të brezave”, kushtuar 40 dijetarëve, edukatorëve, atdhetarëve e hoxhallarëve të shquar të Shkodrës.

Janë kuptimplotë vlerësimet që Haxhi Hafiz Sabri Koçi, kryetar nderi i Komunitetit Mysliman Shqiptar, i ka bërë këtij personaliteti të shquar në dy raste, me rastin e hapjes së medresesë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër më 12.12.1991 dhe në rastin e inaugurimit të xhamisë Fushë-Çelë (Ebu Bekr), po në Shkodër me 27.10.1999:

“Ne i kujtojmë gjithmonë me nderim e vlerësim të posaçëm personalitete të tilla si: Sheh Shamia, Hafiz Jusuf Tabaku, Hafiz Ahmet Kalaja, Hafiz Ibrahim Repishti, Hafiz Jusuf Karakaçi, Hafiz Sali Muftia, Hafiz Shefqet Boriçi, Hafiz Abaz Golemi, Hafiz Muhamet Bekteshi, Hafiz Sabri Bushati, Hafiz Esat Myftia, Hafiz Sulejman Lluja, Hafiz Riza Boriçi, Hafiz Abdullah Bërdica, Hafiz Ymer Bakalli etj., etj. Ata janë shumë dhe është e vështirë të numërohen e të renditen.

Rinia shkodrane mori prej tyre edukatë të shëndoshë, me moral të thellë e me nderim të madh, kishte dëshirë të mësonte shumë e të përfitonte sa më tepër njohuri të përgjithshme dhe sidomos edukatë moralo-fetare”.

“…Xhamia e sotme na ringjalli të gjithëve, na zbukuroi vendin dhe shpirtin. Ah sikur të ishin sot mes nesh edhe Hafiz Sabri beg Bushati, Hafiz Sulejman Lluja, Hafiz Qamil Abdyli, Hafiz Riza Borçi etj., që sot nuk janë dhe që panë mjerimin me sytë e tyre dhe derdhën lot. Lotët e tyre dhe tonët sot u kthyen në gëzim e hare”! Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.