DOSSIER

“Udhëheqja jeton në luks, populli në mjerim të madh”/ U rebeluan në Konferencën e Tiranës, si u goditën kineastët në prill ‘56: S’ka vend në parti për ata që nxinë realitetin!

07:57 - 10.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga AFRIM IMAJE memorizuar në kohë si sprova e parë e rebelimit të hapur kundër profilit stalinist të Enver Hoxhës, Konferenca e Partisë së Tiranës e prillit 1956 është njohur ndryshe si njollë e zezë në historinë e Partisë së Punës.




Vila e Enver Hoxhes në ish-bllok
Vila e Enver Hoxhes në ish-bllok

 

Për herë të parë në një forum partie, komunistët fshikulluan me forcë kultin e diktatorit dhe kontrastin e thellë të jetesës midis udhëheqjes së Partisë dhe njerëzve të thjeshtë.

Të nxitur nga fryma liberale e Kongresit XX të Partisë të BS, delegatë të shumtë për gjashtë ditë me radhë artikuluan si asnjëherë pyetje e kritika të rrepta, që e futën konferencën në një rrjedhë pa krye dhe tronditën nga themelet kupolën e regjimit. Gjendja e krijuar e detyroi Enver Hoxhën të ndërpresë pushimet në Vlorë e të kthehet në Tiranë për të rivendosur situatën me grusht të hekurt.

Me ndërhyrjen e tij, kuvendi i Partisë u shndërrua në një inkuizicion të tmerrshëm për delegatët rebelë, të cilët u flakën nga radhët e Partisë dhe mjaft syresh përfunduan në qelitë e burgjeve e në kampet e internimit. Mirëpo, diktatori hakmarrës nuk u mjaftua me kaq. Pas kësaj, urdhëroi një fushatë spastrimesh në organizatat e Partisë dhe kolektivat e delegatëve të pabindur, që kishin guxuar të kundërshtonin vijën e Partisë.

Ndër ngjarjet e bujshme të kësaj kryqëzate shpagimi ka qenë goditja e kineastëve të Kinostudios “Shqipëria e Re”, një aksion ky që i ishte besuar ta drejtonte Manush Myftiu, një nga eksponentët e lartë të Partisë së Punës.

Myftiu, që e kishte studiuar gjendjen me themel, konkludonte më tej se rasti i Zotos, nuk ishte i shkëputur në gjirin e kinieastëve.

Jo më pak të rrezikshme e armiqësore për të kishin qenë sjelljet e deklaratat e Viktor Stratobërdhës, Xhafize Kekos, Petraq Lubonjës, Niko Theodhosit e Abaz Hoxhës, në gjykimin e të cilëve Partia po gabonte që nuk rehabilitonte Tuk Jakovën e Bedri Spahiun, që rriste pagat e udhëheqësve dhe ulte ato të punëtorëve, që nuk distancohej nga kulti i Stalinit dhe mbyste shpirtin e kritikës. Por si rrodhi debati, çfarë u konkludua në mbledhjen maratonë të organizatës së Partisë së Kinostudios që u zhvillua më 23 dhe 24 prill të vitit 1956…

Gazeta “Panorama” publikon sot protokollin e Mbledhjes së jashtëzakonshme, që u zhvillua në organizatën e këtij institucioni menjëherë pas Konferencës së Tiranës, ku për dy ditë me radhë u debatua me tone të ndezura për të vënë me “shpatulla për muri” elementët antiparti. I deleguari i Byrosë Politike, që në krye të herës, shënjestroi qëndrimin armiqësor e komplotist të delegatit Nesti Zoto, i cili kishte befasuar udhëheqësin me “trillimin” për privilegjet e udhëheqjes dhe varfërinë e popullit.

Protokoll

manush myftari

I mbajtur në mbledhjen e organizatës së Partisë të Kinostudios, më 23 dhe 24 prill 1956, për të punuar rezolucionin e Konferencës së Partisë për qytetin e Tiranës. Mori pjesë i deleguari i KP për qytetin e Tiranës, kandidati i Byrosë Politike, Manush Myftiu, i cili punoi rezolucionin e konferencës dhe letrën e KQ drejtuar organizatave të Partisë. Morën pjesë gjithashtu Seit Bushati, sekretari i KP i qytetit, Myfit Vigani, instruktor i KP Tiranës dhe Vaskë Aristidhi nga drejtoria e Agjitacionit të KQ.

Shoku Manush Myftiu, pasi foli mbi zhvillimet e konferencës së Partisë dhe demaskoi veprimtarinë armiqësore dhe antiparti të elementëve të degjeneruar në konferencë, mes të cilëve edhe Nesti Zoto, tha: “Këta elementë kanë vepruar jashtë rregullave të Partisë, ata kanë pasur pikëpamje revizioniste dhe kanë dashur të godasin Komitetin Qendror dhe udhëheqjen e Partisë.

Pyetjet që ka bërë Nesti Zoto, pjesëtar i organizatës suaj, të cilat nuk janë pyetjet tuaja, por pyetje që ai i ka konsumuar me elementë armiqësorë nëpër kafe, janë fund e krye armiqësore.

Ai dhe delegatët e tjerë që bënë pyetje të tilla, kanë dashur të revizionojnë Koçi Xoxen, por partia e ka thënë kush është Koçi Xoxe dhe dëmet që i ka sjellë Partisë dhe sot Nesti tuaj dhe shokët e tij thonë sikur mos ta kishim vrarë.

Vërtet që Partia hungareze rehabilitoi Rajkun, por ai kishte qenë i pafajshëm, sepse atij i ishin bërë akuza të falsifikuara, kurse për Koçi Xoxen nuk ka pasur asnjë akuzë të falsifikuar. Është kërkuar gjithashtu edhe rehabilitimi i Tuk Jakovës.

Për Tuk Jakovën janë bërë dy plenume dhe Partia për më se dy javë është marrë me çështjen e tij. Tuku, njeri me pikëpamje oportuniste, në vitin 1949 u shkarkua dhe përsëri në Kongresin e Partisë doli me autokritikë dhe u zgjodh në KQ. Tuk Jakovën vetë organizata e Partisë e ka përjashtuar nga Partia, pas 140 pyetjeve që iu bënë për gabimet e tij. Si Tuku, edhe Bedriu nuk kanë si të rehabilitohen, mbasi janë dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Në mbledhjen e sotme kërkohet që organizata juaj të analizojë me përgjegjësi çështjen e Nesti Zotos dhe ta vërë atë me shpatulla për muri.

SHKËLZEN SHALA(sekretar i organizatës): Le të procedojmë fillimisht me pyetje. Kush ka pyetje?

Enver Hoxha dhe Xhanfise Keko gjatë ceremonisë se përurimit të Kinostudios
Enver Hoxha dhe Xhanfise Keko gjatë ceremonisë se përurimit të Kinostudios

 

MANUSH MYFTIU: Na shpjego ti Nesti (Nesti Zoto, delegati i Kinostudios në Konferencën e Tiranës-shënim i red.) ku është arsyeja sipas teje që janë ngadalësuar marrëdhëniet me Jugosllavinë? Na thuaj cilat janë rrogat që janë ngritur për udhëheqësit dhe janë ulur për punëtorët, siç denoncove në Konferencë? Çfarë ke biseduar rreth këtyre me A. Frashërin, L.Omarin, K.Novën dhe me vëllain tuaj? Sa kohë keni që i bisedoni këto gjëra prapa krahëve të Partisë? A keni ndonjë pakënaqësi kundrejt Partisë?

NESTI ZOTO: Shoku Manush, pyetjet që kam bërë në konferencë, i kam bërë pa ndonjë qëllim, pasi ato m’u dukën normale. Dhe shokët, pasi m’i bënë këto pyetje në mbledhjen që zhvillua para konferencës, më thanë t’u bija përgjigje për to. Unë kam biseduar vazhdimisht me shokët jashtë, me shokët që i përmendet dhe që të gjithë janë anëtarë partie. Në fakt, unë nuk kam qenë dakord me ata shokë që thonë se gjendja e popullit është e mjeruar, por isha i detyruar t’i sillja në Kuvendin e Partisë. Kjo është mjaft e ulët dhe nuk i përgjigjet së vërtetës. Unë kam biseduar me shokët për çështjet ekonomike dhe në asnjë mënyrë për gjendje të mjeruar. Formulimi i bërë për këtë pyetje ka qenë jo i mirë. E vërteta është se kemi filluar të flasim për këto çështje qysh kur filluan të dalin materialet e Kongresit XX të Partisë së BS. Këto gjëra i kam biseduar edhe me Aleksandër Banushin dhe Ibrahim Uruçin. Me vëllain nuk kam biseduar asnjëherë për këto çështje. U çudita kur dëgjova Stavri Lekën, që pohoi në konferencë se im vëlla i ka thënë se udhëheqja e Partisë përbëhet nga vlonjatë dhe gjirokastritë. Për sa i përket pakënaqësisë kundër partisë, që më pyet shoku Manush, e them me sinqeritet se nuk kam dhe nuk kam asnjë arsye që të kem. Kam pasur vetëm një rast kur kam folur me shokun Karaman Ylli për problemin e rrogës. Kam kërkuar të ma çojnë të paktën 5000 lekë. I kam thënë që do të bisedoj dhe me ministrin dhe ai ma ka aprovuar. Jam kritikuar nga shokët që kam sjellë shokë të jashtëm për të parë filma. Në fakt, kam sjellë shokët Javer Malo, Agron Frashëri, Stefanaq Pollo, Arben Puto etj. vetëm një herë për të më ndihmuar, mbasi janë shokë të ngritur.

MANUSH MYFTIU: Për t’u bërë qejfin. Se këtu është han pa porta…

NESTI ZOTO: Ndoshta edhe për t’u bërë qejfin. Shokë të mirë janë ata, shoku Manush.

MANUSH MYFTIU: Po varfërinë e popullit ku e ke parë ti?

NESTI ZOTO: Unë kam sjellë në konferencë ato që më ngritën shokët e organizatës. Pastaj dihet që gjendja ekonomike nuk është e mirë…

MANUSH MYFTIU: Kështu siç flet ti, mendon se shfajësohesh, por Partia tashmë di gjithçka jo vetëm për qëndrimin tënd dhe të shokëve të tu, por edhe për qëllimet e mbrapshta që keni kohë që i bluani në kokë…

NESTI ZOTO: Shoku Manush, unë në Konferencë kam sjellë vetëm mendimet e shokëve, nëse ato cenojnë Partinë, atëherë…

MANUSH MYFTIU: Atëherë, çfarë? Ke sjellë mendimet e shokëve, apo ke transmetuar ato që janë kurdisur në ndonjë ambasadë të huaj?

NESTI ZOTO: Unë flas me sinqeritet, siç na ka mësuar Partia..

MANUSH MYFTIU: Lëre sinqeritetin ti Nesti. Do ta shikojmë dhe atë. Po të pyesim një herë këtë tjetrin. Pa çohu ti, Viktor Stratobërdha, e fol për ato që ke shprehur kundër vijës së Partisë. Pse nuk i ke ngritur më parë këto gjëra në organizatën bazë? Po me nënën e Petro Lalës çfarë ke biseduar?

VIKTOR STRATOBËRDA: Një pyetje për Jugosllavinë që kam bërë, e kam bërë pa as më të voglin qëllim. Kujtoja se do të bëhej si në demokracinë popullore…

MANUSH MYFTIU: Ke ngritur edhe problemin e filmave jugosllavë. A e di ti ku është pengesa që nuk vijnë filma jugosllavë?

VIKTOR STRATOBËRDA: Unë nuk di gjë rreth kësaj. Për sa i përket pyetjes që bëra nëse KQ e njeh gjendjen e varfërisë së popullit, unë e bëra këtë duke parë gjendjen e ulët dhe masat e fundit që janë marrë për heqjen e triskave që niveli është ulur dhe, mbasi shtypi nuk e shpjegon që kjo është një masë ulje provizore, përkundrazi, shtypi shkruan se kjo është një fitore dhe një sukses i madh. Thelbi i këtyre pyetjeve është se Partia nuk na i ka shpjeguar këto gjëra. Në qoftë se dyshohet se këto pyetje i kam bërë me qëllim të keq, atëherë mund të bisedohet në pozita të tjera. E ritheksoj që thelbi i këtyre pyetjeve lidhet me faktin që Partia nuk na i ka shpjeguar këto gjëra. Me nënën e Petro Lalajt nuk kam biseduar për çështje buke, por kam folur për gjëra krejt të tjera. Sa për atë që kam pyetur shoferin sa herë mish ha në muaj, kjo ka qenë thjesht një shaka. Sot e konceptoj që ky ka qenë gabim.

MANUSH MYFTIU: Po ti Dhori Siliqi, pa na e thuaj atë pyetjen tënde për rrogat e larta të udhëheqësve!

THEODHOR SILIQI: Unë bëra pyetjen mbi ngritjen e rrogave të ministrave dhe uljen e rrogave të punëtorëve. Këtë pyetje e bëra aty në mbledhje dhe e dëgjoi edhe Nesti, i cili tha që KQ kish thënë që niveli ishte ulur 11 për qind. Kjo më bëri përshtypje. Pra, tani që ulen rrogat e punëtorëve, rriten ato të ndihmës së ministrave.

MANUSH MYFTIU: Ministrave nuk u është rritur rroga, përkundrazi, rrogat janë rritur për teknikët e mesëm dhe për arsimtarët dhe kjo i kushton shtetit 25 milionë lekë në vit.

SHKËLZEN SHALA: (sekretari i organizatës): Byroja mori në shqyrtim këto pyetje dhe konstatoi se ato janë bërë nga papjekuria. Strumbullari i gjithë këtyre është Nesti Zoto dhe Viktor Stratobërdha. Mes këtyre të dyve ka ekzistuar një familjaritet. Viktori ka provokuar shokët si në rastin e shoferit Hamdi Kullojka, të cilin e ka pyetur sa herë mish ha në muaj, duke e nxitur që të protestojë. Më e rënda nga të gjitha është ajo që Viktori i ka thënë Abazit, që Enver Hoxhës i thyen hundët në konferencë.

MANUSH MYFTIU: Si, si, është kjo punë, kush e ka thënë këtë? A ka më armiqësore se kjo!…

SHKËLZEN SHALA: E ka thënë Viktori. Për të gjitha këto Byroja ka dalë me këto masa dhe ka kërkuar që Nesti Zoto dhe Viktor Stratobërdha të përjashtohen nga Partia. Për shokët e tjerë dhe konkretisht për shokët Petraq Lubonja, Niko Theodhosi, Abaz Hoxha dhe Xhanfize Keko kemi vendosur t’u hiqet vërejtje e rëndë në protokollin e organizatës… /panorama.com.al

vijon…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.