DOSSIER

Debatet/ Mbledhja e Byrosë 8 tetor ’82 / Ramiz Alia: Kadri, në informacionin që përmendi shoku Enver, për Vullnet Thanasin, nipin e shokut Hysni, flitet edhe për kur*ëritë e Feçorit, si…!

08:22 - 11.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pjesa e gjashtëmbëdhjetë




Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”.

Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj.

Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”.

Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti.

Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet.

Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum
Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU ENVER HOXHA: E këndove, po Mehmet Shehu i shkruan Hysniut që të vihet sa më parë në korrent shoku Enver. Kjo do të thotë se shoku Enver nuk e ka ditur më parë këtë gjë, prandaj ai i sugjeron Hysniut që të vihet sa më parë në korrent shoku Enver. Unë isha i sëmurë në atë kohë, por as Mehmeti dhe as Hysniu, nuk kanë ardhur që të më informonin. Në ditarin tim, janë të gjitha se ç’i ka folur unë, jo Mehmet Shehut, por Hysniut, për sa i përket forcimit të Ushtrisë e deri për agjenturën tonë, që ishte një farë Shyti, apo si quhej ai, Sheti. Mua nuk më ka thënë asgjë. Prandaj, nuk është aspak ajo që thua. Ti nuk shkelje asnjë parim që të vije dhe të më thoshje, kur një çështje e tillë del në shesh pas 12 apo 13 vjetëve, kur ty, t’u dhanë dokumentet. Atëhere duhej të vije në këtë rast te unë dhe të më vije në dijeni: shoku Enver, kështu dhe kështu ka ngjarë. Nuk më thua, pse nuk erdhe të më informoje?

SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk e di shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Po duhej ta dije, se ishe kuadri kryesor i Sigurimit të Shtetit.

SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Po si se di, ti the kemi biseduar bashkë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë mo, ku e dini ju se çfarë kam biseduar unë me ta?

SHOKU SIMON STEFANI: Po të ishte se ta dinte, nuk do dilte në letër nga shoku Hysni, që thotë se për këtë çështje nuk dinte gjë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Këtu ndiqet një taktikë nga shoku Kadri, po ai duhet të ketë kujdes se në autokritikën e vet, thotë: “Është fatkeqësi, se nuk është gjallë shoku Hysni”, po duke njohur tiparin dhe karakterin parimor e të palëkundur të shokut Hysni, edhe po të ishte gjallë ai, këtij shënimi nuk do t’i hiqte, asnjë presje.

SHOKU ENVER HOXHA: Unë e njoh tërë jetën shokun Hysni.

SHOKU HEKURAN ISAI: Prandaj ajo që thotë Kadriu, është një akuzë që i bëhet shokut Hysni.

SHOKU KADRI HAZBIU: Të lutem shumë, mos shko deri këtu në ndërgjegjen time. Unë nuk e akuzoj shokun Hysni, për këtë çështje.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kjo është e qartë Kadri, kështu e kemi lexuar ne autokritikën tënde dhe e kemi kuptuar të gjithë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Të lutëm shumë shoku Adil, por jo për këto hollësira që po më kërkoni, mbase edhe kujtesa ime është e dobët, që ma ka thënë, apo e ka biseduar, unë se mbaj mënd mirë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ja, ti thua se kam biseduar shumë gjëra me Hysni Kapon, kurse nga ana jonë, ne që e njohim Hysni Kapon më përpara nga ty, themi se ai ishte parimor, nuk binte kurrë në dhogë të kalbur. Mbase nuk të kujtohet fare ty, po këtë çështje janë të shkruara, ka letra që Feçor Shehun, e akuzojnë. Bile, Hysni Kapo ka bërë një letër me dorën e tij, një letër shembullore, me të cilën qorton Feçor Shehun, për nipin e tij, ku thotë se, unë nuk pranoj njeri të fisit të tim, ta favorizojnë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ai me këtë, në fakt kritikon Ministrinë e Brendshme.

SHOKU ENVER HOXHA: Ministrinë e Punëve të Brendshme kritikon ai, etj., etj. Tashti, ne nuk mund të supozojmë, se ti ja ke thënë shokut Hysni, gjënë kryesore, që ke shitur agjenturën tonë te sovjetikët, se Hysni Kapoja nuk dinte gjë dhe se këtë ai e ka lënë me shkrim, dhe e kanë parë të tërë.

SHOKU KADRI AHZBIU: Po qysh e kam shitur shoku Enver?!

SHOKU ENVER HOXHA: Po ja, agjenturën tonë, ua ke dhënë sovjetikëve.

SHOKU HEKURAN ISAI: Dhe ua ke dhënë atyre komplet dhe zyrtarisht bile.

SHOKU SIMON STEFANI: Ua ke dhënë komplet, kur ke qenë ministër në vitin 1955. 

SHOKU KADRI HAZBIU: Kjo nuk është ekzakt në 1955.

SHOKU SIMON STEFANI: O, nuk qenka ekzakt. Po ai e ka të shkruar atje vitin 1955.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë, mirë. Është ajo atje, le të shikohet, po ne kishim njerëzit tanë atje dhe me sa del tashti dhe kështu duhet të jetë, ne u kemi thënë që në raste të veçanta, mund t’ua tregonim atyre.

SHOKU ENVER HOXHA: More për çfarë raste të veçanta thua ti?

SHOKU PALI MISKA: Jo në raste të veçanta, po të gjitha, me dokumente e me të tëra.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po dale ore, se nuk është ashtu.

SHOKU PALI MISKA: Si nuk është ashtu? Pa shikoje një çikë. Është e shkruar ajo, le ta lexojmë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kadri, letra e Hysniut është e datës 13 janar të vitit 1975. Ai thotë atje se nuk di gjë për këtë çështje dhe as dokumente nuk ka në Komitetin Qendror për këtë. Është logjike që ti je shqetësuar për këtë. Ndoshta nuk e mban mënd, por ne kemi dokumentet që ti vetë ke ngarkuar Koli Shuken dhe Mustafa Kondin, të cilët të kanë bërë ty një raport prej 8 faqesh, ku i ka të tëra gjërat sipas kërkesave, me numër protokolli, me të gjitha, që mban datën 16 prill 1975. Kjo do të thotë se ky material, është përgatitur mbas letrës së Hysniut. Këtu shtjellohen të tëra çështjet dhe ajo që lexoi Hekurani, shpjegohet edhe se si është vepruar me çekët, si është vepruar me hungarezët, me bullgarët dhe me gjithë të tjerët. Tani dua të pyes, këtë relacion, pse nuk ja dërgove shokut Hysni?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk e di, në qoftë se nuk ja kam dërguar.

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, jo, në Komitetin Qendror nuk ka asnjë relacion të tillë, është dërguar vetëm ajo tjetra, të cilën ja ku e kam, është dërguar në janar të vitit 1975.

SHOKU ENVER HOXHA: Kjo është vetëm një faqe e gjysëm.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ja ku është ajo, e kam këtu, është një informacion i Ismail Qinetit, që mban datën, 6 janar 1975.

SHOKU RITA MARKO: Po këto janë konkluzione, pse nuk ja ke dërguar, shoku Kadri?

SHOKU RAMIZ ALIA: Domethënë kjo i është dërguar Komitetit Qendror dhe ne këtu e gjetëm atë, në Komitetin Qendror, siç gjetëm edhe letrën e shokut Hysni. Ja ku është origjinali i kësaj letre, pas së cilës gjetëm edhe letrën e Mehmet Shehut. Ja edhe origjinali i kësaj.

SHOKU ENVER HOXHA: Dhe ky s’ti hedh ty të tëra.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pra Mehmeti, ta hedh ty të tërë përgjegjësinë për këtë veprim, këtu i kemi ne këto, kurse kjo çështje, nuk ka ardhur në Komitetin Qendror, nuk figuron fare që të jetë dërguar, pse është këtu sipas rregulloreve që kemi në Ministrinë e Punëve të Brendshme, sipas së cilës thuhet: “Ekzemplar Nr.1”, që do të thotë se nuk ka ekzemplar tjetër dhe ky qëndron atje te ju, në dikaster.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë e di se e kam dërguar edhe këtë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Pse kjo është tabloja e plotë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pse kjo është tabloja e plotë dhe kjo tregonte çdo gjë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë, pa na thuaj një çikë, duheshin dërguar këto apo nuk duheshin dërguar në Komitetin Qendror dhe përse nuk i dërgove?

SHOKU KADRI HAZBIU: Sigurisht që duheshin dërguar, po ç’të them unë tani për këtë!

SHOKU SIMON STEFANI: Pse e keni fshehur atëherë nga Komiteti Qendror?

SHOKU ENVER HOXHA: E mirë, nxirreni ju atëhere konkluzionin, është e lejueshme kjo?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, nxirreni ju konkluzionin, shoku Enver, si të them unë tani, ja kam dërguar apo jo Komitetit Qendror.

SHOKU ENVER HOXHA: Faktet tregojnë se nuk ja ke dërguar.

SHOKU RAMIZ ALIA: Të paktën, nuk kemi gjë ne këtu.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë, o shoku Ramiz, mirë, dakord jam edhe unë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për këto që kemi, po të themi ne.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po miro, dakord, edhe unë mendoj veç në qoftë se këtë e kam bërë me qëllim, që të sqaroj situatën, se ka mundësi që edhe t’ja kem dërguar shokut Hysni dhe ai ta ketë kthyer përsëri në Ministri, po ka mundësi që edhe të mos ja kem dërguar, ose mund të jem mjaftuar që ta kem njoftuar edhe me gojë. Si të them unë tani?

SHOKU RAMIZ ALIA: Më fal Kadri, po unë kam ca dokumente të tjera që shoku Hysni i ka kthyer në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe janë gjetur.

SHOKU KADRI HAZBIU: Ku, në Ministrinë e Punëve të Brendshme? Mendoj se edhe atje duhet të ketë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po përse nuk është gjetur kjo? Se ia ke dërguar ti shokut Hysni! Urdhëro, ja ku është letra jote, një shënim i yti, lidhur me informacionin që përmendi shoku Enver, për për Vullnet Thanasin që ka dërguar në Ministrinë e Punëve të Brendshme për çështjen e Feçorit. Mbi këtë letër, ku flitet edhe për kurvëritë e Feçorit, janë shënimet e tua, me dorë. Në parantezë, dua të të vë në dukje, se veç aspekteve politike, ti thua në autokritikë, që nuk e dije se Feçor Shehu, është marrë edhe me të tilla gjëra!

SHOKU KADRI HAZBIU: Çfarë kam dëgjuar tani për Shkodër, e njërën tjetrën.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po unë po të them, ja ku e ke relacionin që është shkruar në vitin 1975, që është dhe me emra. Por nuk ka rëndësi kjo. Ti këtë ja dërgove shokut Hysni të shoqëruar me këtë letër. Ai të është përgjigjur me një letër tjetër, për të cilën foli pak shoku Enver dhe të tëra këto dokumente, siç e shikon, nuk janë te ne, këto u gjetën atje, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku drejtuar ti.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po.

SHOKU RAMIZ ALIA: Me një fjalë, të tilla materiale, shoku Hysni nuk mbante, edhe letrën tënde nuk e ka mbajtur, t’i ka kthyer atje në mënyrë të rregullt, të gjitha.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mund të jenë dhe të gjenden të gjitha ato atje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po të ishin atje, patjetër do të gjendeshin.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse e përdor ti termin “mundet”?! /Memorie.al/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.