DOSSIER

Mercenarët e “isopolifonisë”, skllevër të qasjes antishkencore!

09:30 - 14.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fitim Çaushi – Gazeta ”Sot” e 11 Nëntorit 2022, shkruan për veprimtarinë e Drejtorisë Rajonale të Trshëgimisë Kulturore Gjirokastër, e cila paska organizuar një takim me Mjeshtrin e Madh të iso-polifonisë, Roland Çenko, me fëmijë të shkollës Naim Frashëri. “Në fjalën e tij mjeshtri u shpreh se isopolifonia është e vjetër sa vetë historia jonë”. Për ta prezantuar Roland Çenkon, duhet të kujtojmë hedhësin e talentuar të grupit të të Rinjve të Gjirokastrës, i cili shkëlqeu veçanërisht me dy këngët për Enver Hoxhën: “Ulet mali se vjen maja”, dhe “Anetë të mira shumë, në çdo hap në mes e vunë”, që do të mbeten kurorë lavdie për krijimtarinë artistike të atij Grupi polifonik.
Mjerisht, Mjeshtri i Madh Çenko, jo për difekte të tij, por për parapëlqim, mbaroi vetëm shtavjeçaren dhe preferoi profesionin e vozaxhiut, në të cilin ishte me të vërtet mjeshtër. Por çuditërisht ai ka harruar detyrën e vozaxhiut dhe paska marrë përsipër detyrën e lektorit të etnomuzikologjisë, vënë në dispozicion të Drejtorisë Rajonale të Trshëgimisë Kulturore të Gjirokastrës!
Çenko propagandon se “isopolifonia” është e lashtë sa “historia jonë”, duke sfiduar edhe vetë akademikun Tole, pagëzuesin e termit të shpifur “isopolifoni”, i cili sipas faqes zyrtare elektronike të UNESCO-s ka deklaruar se: “Termi “iso” i muzikës tradicionale shqiptare lidhet me ison e muzikës kishtare bizantine… E prerjardhur nga muzika kishtare bizantine iso-polifonia shqiptare është një formë e sofistikuar e të kënduarit në grup, kryesisht nga burrat”.
Vozaxhiu Çenko nuk e di se kori kishtar bizantin, është vetëm 1500 vjeçar, nuk është sa vetë historia e popullit shqiptar, sepse Perandoria Bizantine ka lindur në shek e V të erës sonë, me perandor Kostandinin, prandaj edhe është quajtur Kostandinopoja.
Etnomuzikologët shqiptarë kanë argumemtuar, se trashëgimia shpirtërore e popullit shqiptar, ka ekzistuar para korit kishtar bizantin si krijimtari artistike e këtij populli. Prof. Ramadan Sokoli në ligjëtarën e tij në Universitetin e Bolonjës dhe Venecias, në vitin 2001 ka sqaruar: “Meqenëse në muzikologji mbizotëron mendimi se grekët dhe romakët e lashtë nuk këndonin këngë polifonike, është shtruar çështja nëse polifonia e siujdhesës ballkanike është me prejardhje të lashtë dhe ka mbijetuar deri në kohën tonë apo kemi të bëjmë me diçka të ardhur nga vende të largëta! Disa hulumtues e kanë kundruar polifoninë popullore të kësaj siujdhese, si rrjedhojë e ndikimit të liturgjisë bizantine, por ky hamendësim, as është vërtetuar, as është miratuar, madje është pohuar e kundërta: huazimet e liturgjisë kishtare nga traditat popullore. Polifonia popullore shqiptare, e cila shtjellohet në shkallë të gjymta pentatonike, nuk ka ndonjë lidhje morfologjike me literaturën bizantine, e cila shtjellohet në shkallë modale heptatonike”.( “Amza Letrare, 20 mars 2004, f. 16)
Me sa duket akademiku Tole nuk e njeh kollosin e etnomuzikologjisë shqiptare, prof. Sokolin, dhe, vozaxhiu Çenko, nuk i di dobësitë shkencore të “mikut” të tij, akademikut Tole.
Qëndrimi historik i Mjeshtrit Çenko është i drejtë përsa i përket vjetërsisë së polifonisë popullore shqiptare ; sepse vjetërsia e këngës polifonike shqiptare është sa vetë historia e popullit tone, ndërsa kënga “isopolifonike” është e kufizuar në kohë, vetëm 1500 vjet, sikurse e ka reduktuar akademiku Tole në UNESCO. Nuk është faji i vozaxhiut Çenko që ngatërohet, e detyron emërtesa “isopolifoni” të gaboj në periodicitetin historik të këngës polifonike.
A do ta kishte guximin Mjeshtri Çenko ta kundërshtonte akademikun Tole për këtë kufizim kohor të “isopolifonisë” popullore shqiptare, vetëm 1500 vjet, ndërkohë që ai e do këngën polifonike sa historia jonë?! A do ta kishte guximin vozaxhiu mjeshtër, të kundërshtonte mediokritet e Drejtorisë Rajonale së Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës, që e përdorin artificialisht vozaxhiun mjeshtër për biseda “iso-plifonike” me fëmijët, kur vetë ai dhe mercenarët e Toles, nuk i njohin problemet e etnomuzikologjisë? Dhe përderisa ata vetë nuk i njohin probleme të tilla të vështira shkencoe, si do t’i njohin fëmijët?!
Në përfundim të jetës së tij, prof. Sokoli i vendos këtij problemi një kapak të florinjtë: “Polifonia jonë popullore në djepin e saj dhe në shtresimet e saj më të hershme, mund të duket si më e zhvilluar se në rrezatimet anësore. Nga kjo pikëpamje mund të mendohet se qendra e rrezatimeve të polifonisë sonë popullore është Labëria, aty ku kemi frakturat katërzërëshe, të cilat vijnë duke u pakësuar sa më shumë largohemi së andejmi”. (“Amza Letrare, 20 mars 2004, f.14)
Sikundër shihet, as akademiku Tole e as, vozaxhiu Çenko, as mercenarët e Tole matrapozit, nuk e dinë se polifonia shqiptare ka lindur në Shqipëri, e konkretisht në Labëri, ku ekzistojnë frakturat katërzërëshe, prandaj propagandojnë në mënyrë të sforcuar “isopolifoninë” që ka lindur në djepin e sirenave greke, sikurse e ka argumentuar akademiku i shquar Vasil Tole.
Vozaxhiu Çenko ka pasur babain mjeshtër të vërtet të grupit polifonik të Xhevat Avdallit. Babai i tij vdiq, para se të dilte në orbitën muzikore termi “isopolifoni”, i cili është relativisht i ri, gati 17 vjet. Si mundet që vozaxhiu mjeshtër dhe mercenarët e Drejtorisë së Monumenteve Kulturore Rajonale, e drejtuar prej kryesejmentit të Vasil Toles, ta proganadojë “isopolifoninë”, sa historia e popullit tonë, kur “isopolifoninë” nuk e njihte as babai i tij, artist i madh këngës polifonike gjirokastrite?!
Detyra e mjeshtrit vozaxhi, është të përcjellë besnikërisht traditën e krijimtarisë shpirtërore të babait të tij, i cili këndoi polifoninë shqiptare dhe jo “isopolifoninë” e sirenave greke. Këtë mision të shenjtë e kanë përcjellë edhe etnomuzikologët dhe muzikantët e qytetit të Gjirokastrës:
Mjeshtri i Madh dhe Artisti i Merituar Roland Çene, muzikanti që nuk do t’i vijë më Gjirokastrës për 50 vjet, ka shkruar: “Muzika popullore e Gjirokastrës dhe ajo e Labërisë, historikisht kanë rrugëtuar së bashku… Kënga polifonike katërzërëshe e burrave të Gjirokastrës, karakterizohet nga një dinamikë e larmishme e funksionalitetit të zërave përbërës të saj: Melodika e këngëve të burrave të Gjirokastrës ndërtohet zakonisht në mode pesëtingullore ku grada e katërt e modit fiton më shumë përparësi…Stili polifonik katërzërësh i burrave gjirokastritë, krahas që dallon nga stilet e tjerë të këndimit lab, ka edhe shumë të përbashkëta e të përafrëta me disa prej tyre si ato të Kurveleshit, Lunxhërisë apo Zagorisë…Prania e këngës polifonike katërzërëshe të burrave të Gjirokastrës, pothuaj, në të gjitha veprimtaritë kombëtare të llojit si dhe në shumë veprimtari ndërkombëtare është shprehje e vitalitetit emocional të saj, origjinalitetit që trasmeton, e identitetit të pakontestueshëm që ajo shfaq.”




Kosta Loli, ish drejtori i Shkollës së Muzikës në Gjirokastër, ka vlerësuar edhe babain e Roland Çenkos: ”Çdo ditë e më shumë hyja në labirinthet e në mrekullitë e të kënduarit polifonik…Xhevati me shokë këndojnë në mënyrë polifonike dhe harmonike këngët epike e lirike…kënga polifonike i ngjan rrapit shekullor…”.(Thanas Dino, Xhevat Avdalli – Laver Bariu, f. 60)
Etnomuzikologu i mirënjohur, prof. dr. Spiro Shituni, në vitin 2012, ka shkruar: ”Në një kohë të shkuar,muzika tradicionale polifonike shqiptare duhet të ketë qenë një polifoni dy-zërëshe pa iso. Shkurt mund të mendohet se marrësi dhe prerësi, historikisht kanë lindur së toku. Kohë më vonë, pas tyre, mendojmë se lindi isua, dhe bashkë me të, muzika tradicionale tri-zërëshe shqiptare”. (Muzika tradicionale shqiptare Hyrje. Outskirts press Denver, Colorado, f.152)
Në shkrimin e tij në gazetën “Koha Jonë”, prof. Shituni ka sqaruar: “Sapo u bë i njohur nocioni “iso-polifoni” u prit me irritim të madh, si nga qarqet shoqërorë në përgjithësi, ashtu edhe nga qarqet shkencoro-artistikë në veçanti. Me librin e tij të titulluar Folklori muzikor: Polifonia shqiptare (Tole 1999), etnomuzikologu Vasil S. Tole, erdhi me një varg deklaratash, të cilat, janë, në radhë të parë profesionalisht të gabuara. Ai mohon, nënvlerëson, ndihmesën kërkimoro-shkencore etnomuzikologjike të studiuesve etnomuzikologë shqiptarë paraardhës!… Ky studiues ende nuk ka bërë ndonjë ekspeditë kërkimoro-shkencore në Gegëri, Toskëri, Labëri, etj., për të regjistruar këngë tradicionale fshatare e qytetare. Në çdo rast, studiuesi i shpreh mendimet e tij plotësisht jashtë përvojës kërkimoro-shkencore. Tole, në të vërtetë, me qëllim mohon tërë arritjet e etnomuzikologjisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Duke mohuar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, arritjet e mëparshme të etnomuzikologjisë shqiptare në drejtim të terminologjisë, ai e shtrembëron dramatikisht përmbajtjen e nocioneve themelorë etnomuzikologjikë.
Këto nocione, si: “iso-polifoni”… janë të pakuptimtë, të panatyrshëm. Ato janë thjesht ide të paqarta, ide të rrëmujshme, janë thjesht absurditete në emër të shkencës së etnomuzikologjisë! Nocioni iso-polifoni është absurditeti profesional më i madh i parë ndonjëherë në etnomuzikologjinë shqiptare deri më sot! Studiuesit etnomuzikologë e muzikologë, shqiptarë e ndërkombëtarë, nuk mund të mos shprehin habinë e tyre të madhe ndaj një nocioni të tillë.” (Spiro J. Shetuni, gazeta Koha Jonë)
Vozaxhiu i qytetit të Gjirokastrës, nuk parapëlqen muzikantët dhe studiuesit e qytetit të tij, por si një i panjohur në këtë fushë, ndërsehet si t’i thotë Drejtoria Rajonale e Monumente të Kulturës, i bije matarave të “isopolifonisë” të akademikut Tole!
Vozaxhiu mjeshtër, ka progadanduar te nxënësit se “isopolifonia” është studiuar nga gjuhëtarë e mbledhës folklori”. Sikundër shihet jo vetëm vozaxhiu jonë mjeshtër, por edhe mediokrit e Drejtorisë Rajonale, nuk e dinë, se nuk janë gjuhëtarët dhe mbledhësit e folklorit që merren me studimin e muzikës të këngës polifonike shqiptare, janë etnomuzikologët dhe etnofolkloristët.
Gjuhëtari i mirënjohur, prof. dr. Agron Fico, ka shkruar: ”Nuk kam kuptuar dhe as kam parë ndonjë ndryshim thelbësor nga ana gjuhësore midis emërtimeve polifoni dhe iso-polifoni. Në gjykimin tim thelbi i problemit, d.m.th gjeneza e iso-polifonisë e trajtuar në këto studime mbetet vetëm si hipotezë”.
Por as vozaxhiu mjeshtër dhe as mediokrit e Drejtorisë Rajonale të monumente të kulturës, nuk mund ta kuptojnë goditjen që prof. Fico i ka dhënë “isopolifonisë” me shprehjen : “gjeneza e isopolifonise mbetet vetëm hipotezë”.
Vozaxhiu Çenko dizinformon fëmijët se “isopolifonia” është një nga pasuritë e rrallë jona”. Si mund që mjeshtri Çenko të bëhet interpret i një të çmenduri që mohon origjinalitetin e kulturës shpirtërore të popullit tonë, duke e futur polifoninë shqiptare në UNESCO si “isopolifoni” e prejardhur prej korit kishtar bizantin? Jo Mjeshtër Çenko, “isopolifonia” është pasuri e korit bizantin, jo “pasuri e rrallë jona”. Pasuri e rrallë e popullit shqiptar është polifonia shqiptare.
Akademiku Tole ka mekanizma që i ndërsen sa here që i duhet të ekuilibrojë opinionin kur cënohet nga ndonjë kritikë për veprën e tij helenike. Në këtë rast mekanizmat e tij zgjodhën këngëtarin e talentuar, për ta marrë në mbrojtje “isopolifoninë”!
Vozaxhiu Mjeshtër, nuk e di se Vasil Tole ka futur në UNESCO, për llogari të Shqipërisë, një kulturë që i përket një populli tjetër, popullit grek, sepse ka shkruar, se “isolifonia” shqiptare ka lindur në djepin e sirenave greke në zonën e Epirit grek, ndërkohë që asnjëherë Epiri nuk ka qenë, grek, ka qenë një etni Iliro-Epiriote, sikurse e ka sqaruar përfundimisht akademiku i ndritshëm Pëllumb Xhufi në kryeveprën “Arbrit e Jonit”. Sa e poshtërojnë Mjeshrin e Madh kur e përdorin si megafon për shërbime antikombëtare!
Artisti i madh Gjirokastrit, Nikolla Llambro këto ditë i shkruante në fesibuk, mikut të tij Xhelil Aliut: “Kemi të bëjmë me bastard, shpellarë antishqiptarë të tërbuar dhe kriminelë të paskrupullt të Historisë të kombit. Shajmë fqinjët për veprime antishqiptare, por armiqtë i kemi brenda nesh dhe po na drejtojnë drejt katastrofës dhe zhdukjes kombëtare. Jo më shumë se dy tri dekada Shqipëria nuk do të ketë histori të 50 viteve të fundit.”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.