KULTURË

Sulejman Pitarka, gjiganti i mendimit dhe veprimit, në teatrin dhe kinematografinë shqiptare

09:34 - 17.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sinqerisht, më duhet të theksoj se ky artist bën pjesë në kupolën e liderëve të kohës dhe plejadës së tij, madje duhet theksuar se ishte nga më të mirët në një nivel dhe lartësi artistike, që në shumë raste e vendoste atë në rresht të parë. Personalisht e kam ndjekur “lojën e tij”, si në teatër dhe kinematografi, ku Sula të bënte për vete në radhë të parë me nivelin e lartë profesional, ku spikaste me individualitetin e tij krijues dhe origjinalitetin e tij të veçantë, aq shprehës dhe tingëllues realist, si dhe komunikues, u pazëvendësueshëm për ndjeshmërinë dhe komunikimin aktor-publik. Natyrisht, me të dhënat dhe nivelin e tij artistik, Sulejman Pitarka spikati për fuqinë e lartë shpirtërore realist dhe natyrshëm në çdo rol, qoftë ato kryesore, ashtu edhe ato te “dorës së dytë”, gjë të cilën erdhi duke e ngritur nga roli në rol dhe nga viti në vit. Ai bëhej njësh me personazhin, të cilin interpretonte, duke e përafruar atë me realitetin njerëzor, a thua se personazhet e tij ishin vetëm të tij dhe të askujt tjetër… Si i veçantë në personalitetin e tij aktoresk, mbajti dhe ruajti të pacenuar asnjëherë një profil plot ngjyra dhe do me thënë duke i vërtetuar dhe pasuruar ato rrugë e sipër. Sulejman Pitarka i përket një talenti të lidhur me tri periudha kohore e ku spikati në fillimet a para në moshë të re, para çlirimit, në vitet e para të pasçlirimit të vendit, deri sa arriti të kapte atë që e kishte ëndërruar, si aktor në Tetarin Popullor. Kuptohet që vitet e para ishin përpjekjet dhe nismat individuale në rrugën e artit, që shpërthyen jo papritmas… Zhytur në morinë e roleve të afruara, aktori i madh, Pitarka, nuk i bëri naze, asnjërit nga këta, por i përqafoi dhe me mjeshtri i interpretoi suksesshëm në teatër dhe kinematografi, ashtu si e dinte vetëm ai…




Në aspektin njerëzor, Sulejman Pitarka plotësonte të gjithë parametrat pozitive si: urtësia, dituria, vizioni dhe dashuria e tij profesionale dhe shoqërore, veti primare këto, për çdo njeri dhe kuptohet sidomos, për çdo artist. Me rolet e tij në teatër dhe kinematografi, ku ai u bë kaq i dashur për spektatorin, ashtu qetë e qetë pa u ndjere, siç ishin ato të fillimit, por që më vonë falë punës së palodhur dhe talentit të tij, u bënë kaq të spikatura dhe të goditura, saqë po te shohësh pothuajse të gjitha rolet e tij, thua se në skenë ishte vetë personazhi i tij, dhe kishte zbritur e luante në skenë, duke u ngjitur kështu në maja, se bashku me kolegët e tij të kohës, si Naim Frashëri, Loro Kovaci, Marie Logoreci, Pjetër Gjoka, Liza vorfi, Drita Pelingu, etj., etj., të cilët e panë dhe e ndjenë nga afër rritjen cilësore të tij. Me kalimin e kohës, aktori ynë i madh mendoi dhe për krijimtarinë artistike duke shkruar dramën “Familja e Peshkatarit”, një nga dramat e renditura krahas atyre që do të mbahen mend si arritje të suksesshme të dramaturgjisë shqiptare. Me sprintin shpërthyes, vullnetin dhe punën e palodhur, Sulejman Pitarka arriti majat, ku kolegët e tij e inkurajuan, por edhe e patën në mjaft raste si model referimi, në veprimtarinë e tyre artistike dhe aktoreske. Pitarka nuk e ndiente vetminë edhe kur ishte vetëm, sepse ai kishte në mendje dhe në zemër personazhet e tij, që me aq dashuri “bisedonte” në intimitet për t’i bërë ata sa më bashkëkohorë dhe të dashur me qenien e tij dhe spektatorët që e pëlqenin dhe e donin aq shumë. Kam ndjekur personalisht lojën e këtij aktori të madh, e cila më ka shërbyer dhe ndihmuar mjaft në krijimtarinë time artistike dhe hapur dyert aq të dashura të saj…

Në karakterin e Pitarkës, mbizotëronte qetësia, maturia, ndjeshmëria dhe ekspresiviteti, sa herë e donte puna, me mendimet e tij të vlefshme, jo rrallë ai plotësonte me njohuritë e veta ndonjë mangësitë e procesit regjisorial të ndonjë pjese, ku luante vetë, ku sigurisht pritej me shumë mirëkuptim dhe dashamirësi. Në veprimtarinë e tij, Sula ishte ekzigjent, sepse i çmonte kolegët dhe shokët dhe ushqente për ta dashuri dhe respekt. Të flasësh për Sulejman Pitarkën duhet të hulumtosh rolet e tij pa mbarim, nga fillimi e deri në fund, atë fund që ai nuk e njohu kurrë deri sa ishte në jetë, aq aktiv dhe i veçante si një histori me vete jeta artistike e tij. Sulejman Pitarka kurrë nuk përdori “bërrylat” në rrugën e gjatë të aftësimit profesional, por ngjiti shkallët dy e nga dy deri sa arriti majat si artist. Patriotizmin e tij për vendin ku ka lerë, Sulejman Pitarka e ka thënë kaq bukur e kuptimplotë, në një dialog te drama “Familja e Peshkatarit”, kur i flet djalit të tij, i cili bashkëpunonte me fashistët duke i thënë: “Përtej këtyre brigjeve o bir, çdo gjë mund të gjesh, por vendin tënd kurrë”. Rolet e këtij artisti, në jetën e tij artistike janë të shumta si në teatër, ashtu edhe në kinematografi, ku mund të veçojmë rreth 17 në teatër dhe 18 në kinematografi, me një shkëlqim të paparë, të cilat janë e do të jenë frymëzim për brezat që janë e do të vijnë… Edhe sikur dhjetëra shkrime të tjera për këtë artist të madh të shkruheshin, nuk do të mjaftonin për të treguar madhështinë e veprës dhe jetës së tij!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.