OPINION

Realiteti shqiptar i tranzicionit, në fokusin e mendimtarëve amerikanë

10:33 - 22.11.22 PËRPARIM KABO
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

(vijon nga numri i kaluar) – Fareed Zakaria tërheq vemendjen edhe për sjelljen ndaj pasurive kombëtare, si edhe janë burimet natyrore. Ka vende që janë të bekuara nga natyra, por nuk janë të zhvilluar, madje atje ka varfëri deri në nivele ekstreme për shtresa të ndryshme të shoqërisë. Si ka edhe raste, kur në vende që janë të varfra në pasuri natyrore, por qeveritë atje, që të shtojnë fondet publike, nxisin zhvillimin. Nuk është paradoksal përfundimi i studiuesit Zaharia, se: “Pasuria në burime natyrore pengon si modernizimin politik, ashtu edhe rritjen ekonomike.”. Duket sikur, Ai ka parasysh edhe Shqipërinë në këtë përfundim; e cila ka krom, bakër, naftë, bitum, ujëra, eco-sisteme, minerale të rralla dhe reliev të pasur, fusha në ultësirën bregdetare dhe kodra, të cilat ofrojnë mundësi për agrokulturën, por ka edhe varfëri. Madje, paradoksalisht; atje ku ka krom, ka varfëri; atje ku ka naftë, ka papunësi dhe pasiguri për jetën. Dy ekonomistë të universitetit të Harvardit, Jeffrey D.Sachs dhe Andrew M. Waner, vëzhguan nëntëdhjetëeshtatë vende në zhvillim, përgjatë dy dekadave (1971-1989) dhe mbërritën në përfundimin se: “Dështimi ekonomik është i lidhur ngushtësisht me dhuratat e natyrës. Mesatarisht, sa më i pasur të ishte vendi në bujqësi, në rrezerva minerare dhe në naftë, aq më e ngadalshme është rritja ekonomike.” Këtë problematikë, në lidhje më pasuritë, varfërinë dhe sjelljen e politikës, e analizon edhe filozofi dhe manjati-filantropist, George Soros. Ai i referohet termit që njihet si “MALLKIMI I BURIMEVE” DHE QË DO TË THOTË SE: “VENDET E PASURA ME BURIME NATYRORE, KANË SI MALLKIM QEVERITË E KORRUPTUARA.” Një nga OJF-të më të njohura, Global Witness, formuloi sloganin provokues, “Botojeni atë që paguani!” “Ideja,-mëton Sorosi,- ishte që kompanitë e naftës dhe kompanitë e minierave, të detyroheshin të nxirrnin në shesh pagesat që u bënin qeverive të ndryshme. Pastaj shumat mund të mblidheshin dhe populli mund t’u kërkonte llogari qeverive për paratë që kishin marrë.” Qeveria britanike krijoi “Nismën për Transparencë të Industrive Nxjerrëse, e cila bashkoi qeveri, kompani dhe shoqërinë civile në një përpjekje për të vendosur standarde ndërkombëtare transparence, që do të zbatoheshin, si ndaj kompanive, ashtu edhe ndaj qeverive.”Si përfundim,- konkludon në lektrimin e tij George Soros,- “…Menaxherët e kompanive ndërkombëtare të naftës dhe minierave, përfaqësojnë për bukuri interesat e kompanive. Ato kanë arritur aq larg, sa t’u japin ryshfete qeverive, për të marrë koncensione. Dhënësit dhe marrësit e ryshfeteve me dëshirë, përbëjnë “rrënjën e mallkimit të burimeve.” Kjo situatë është tipike edhe në Shqipërinë e tranzicionit. Mineralet, nafta dhe ujërat, janë dhënë me koncensione, por publiku i gjërë nuk ka informacion të nevojshëm se ç`ka ndodhur, dhe është fakt që, me kompanitë e huaja, ka pasur goxha problematika, të cilat, ashtu si aisbergu, janë marrë vesh në një pjesë të tyre, vetëm kur kanë plasur skandale apo ka pasur protesta nga punëtorët e këtyre sektorëve ose nga operatorë të shoqërisë civile. Pjesa e errët (e zhytur nën ujë), nuk është mësuar. Shqipëria, vend i pasur dhe i varfër, “i bekuar me pasuri mbi dhe nëntokësore dhe i mallkuar me varfëri të skajshme”. “Shqiptarët gëzojnë pasuri natyrore për frymë, më shumë se çdo vend i Rajonit, madje më shumë se vendet me standarde të larta jetese, të tilla si: Gjermania, Franca dhe Zvicra, Italia etj, por dobësitë njerëzore në menaxhimin e tyre, e kanë bërë vlerën e pasurive të pashfrytëzueshme, – vë në dukje në një analizë të saj, revista me profil ekonomik, e përmuajshmja “Monitor” Pse? Le t’i adresohemi një studimi të Bankës Botërore, të vitit 2018, të cilit i referohet kjo revistë. “Banka Botërore mati pasurinë e kombeve, më 2018 dhe gjeti se shqiptarët kanë pasuri natyrore rreth 13,375 dollarë për frymë, nivel më i lartë se shumica e vendeve të Ballkanit. Madje, shqiptarët gëzojnë më shumë pasuri të natyrës edhe se grekët (12,546 USD) dhe turqit (12,854USD). Edhe italianët kanë me pak pasuri natyrore për frymë se shqiptarët, me vetëm 8,619 USD, dhe gjermanët gjithashtu, me vetëm 7071 USD. “…”Gati dy të tretat e vendeve që kanë mbetur me të ardhura të ulëta që nga viti 1995, klasifikohen si shtete të pasura me burime natyrore, të cilat janë plot me konflikte dhe demokraci të pazhvilluar dhe nivel të ulët jetese. Kjo tregon se vetëm burimet nuk mund të garantojnë zhvillimin. Banka Botërore këshillon se nevojiten institucione të forta dhe qeverisje të mira, për të siguruar përfitime të larta nga pasuritë natyrore.” “Tek kapitali natyror Banka Botërore ka klasifikuar energjinë me (naftë, gaz, qymyri i fortë dhe i butë), mineralet (10 kategori), toka bujqësore (toka bujqësore dhe kullota), pyjet (druri dhe disa produkte pyjore jo të zeza), dhe zonat e mbrojtura tokësore. Aktualisht nuk janë përfshirë zonat e mbrojtura nga zonat detare. Burimet natyre janë një mallkim i hershëm që ka zënë njerëzimin, pasi vendet me pasuri natyrore janë edhe më të varfrat. Ndërkohë që Shqipëria ka nivelin më të lartë të pasurive natyrore për frymë ka të ardhurat disafish më të ulëta për banorë se vendet në fjalë. Por gjithsesi niveli i zhvillimit ekonomik të një vendi është i lidhur fort me përbërjen e pasurisë së saj kombëtare. Kapitali natyror është komponenti më i madh i pasurisë në vendet me të ardhura të ulëta (47 për qind në 2014).Të pasuruarit nuk ka të bëjë me likuidimin e kapitalit natyror për të ndërtuar pasuri të tjera. Rritja vjen nga përdorimi efikas i kapitalit natyror dhe investimi i të ardhurave nga burimet natyrore të kapitalit, si mineralet, në infrastrukturë dhe arsim. Ky investim pastaj rezulton në rritjen e pasurisë totale, referon me tej Banka Botërore.Burimet e ripërtëritshme, toka bujqësore, pyjet dhe zonat e mbrojtura mund të sjellin përfitime në përjetësi nëse menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme. Në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, vlera monetare e aseteve të ripërtëritshme gati është dyfishuar në një dekadë, duke mbajtur konstant numrin e popullsisë. Në kontrast me burimet e ripërtëritshme, kapitali natyror siç janë lëndët djegëse fosile dhe mineralet ofrojnë shanse të fragmentuara dhe të shtrira në një periudhe kohore.” Është fakt që, qeveritë shqiptare gjatë tranzicionit, nuk i janë bashkuar nismës së qeverisë britanike për transparence dhe as që do të ishin në një mendje me mendimtarët amerikanë, në lidhje me shtrimin dhe arsyetimin për këto çështje, që nuk janë thjesht ekonomike, por që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm, me proceset politike dhe me demokracinë liberale. “Qeveritë me thesare nën tokë,- shkruan Fareed Zakaria,- e fitojnë pasurinë fare lehtë; ato janë shtete ‘fond-mledhëse'(trust fund states), pasurohen nga të ardhurat e mineraleve apo të shitjes së naftës dhe nuk u duhet aspak t’i përvishen punës për të ndërmarrë detyrën mjaft të vështirë të krijimit të kornizës ligjore dhe të institucioneve që gjenerojnë pasurinë kombëtare.”
Në vendin tonë kemi për gati tri dekada, një sjellje as kombëtare dhe as civile ndaj pasurive minerare e natyrore. Ato, ose u janë dhënë kompanive të huaja, shpesh krejt anonime, që vetëm kanë grabitur, ose është punuar në mënyrë okulte me njerëz të biznesit vendas, të cilët nga asgjëja, janë shndërruar në pasunorë të frikshëm. Kushti primordial i demokracisë liberale: “Marrëveshja reciproke mes taksimit dhe përfaqësimit”, nuk është zbatuar në realitetin e vendit tonë. Përkundrazi, herë hapur dhe më së shumti tinëz, kinse është vepruar, si edhe thotë Zakaria për qeveritë jo demokratike:”Cilado qeveri, që i mbledh të ardhurat e saj pa hedhur rrënjë në shoqëri, ajo nuk është shtet, po veç një oborr dhe biznesmenët e saj nuk janë sipërmarrës, por oborrtarë.”
Kam vite që jam i familjarizuar me librat e nobelistit amerikan, Joseph Stiglitz, ua kam përcjellë dhe studentëve, aq sa ata munden. Do dëshiroja të sjell idetë e tij për keqkuptimet me tranzicionin në ish vendet komuniste, bazuar në librin e hershëm të autorit titulluar:”Making Globalization WORK”(Duke e bërë Globalizmin të punojë, e kam studiuar, sa doli në qarkullim.) Ja si shprehet ai për privatizimet dhe për terapinë chock, që për dreq i dëgjuam dhe i provuam edhe në Shqipëri, menjëherë sa regjimi komunist ra, në hyrje të viteve 1990. E citoj:”Shumë besuan, në mënyrë të gabuar, se “Terapia Chock” ishte e nevojshme, se tranzicioni në kapitalizmin e stilit perëndimor do të vendosej brenda natës, përmes një privatizimi dhe liberalizimi të shpejtë.” Cilat kanë qenë pasojat e këtij nxitimi? Ekonomisti amerikan, nobelisti Stigltitz, këshilltari për ekonominë i ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, argumenton se kjo politikë solli disa pasoja të rënda, që ndihen në një kohë relativisht të gjatë edhe në Shqipëri. Liberalizimi i menjëhershëm i çmimeve, solli me vete parashikimin e hiperinflacionit. Dhe dihet që, çdo zhvleftësim i monedhës, ul fuqinë blerëse për konsumatorët dhe lë gjurmë dhe në sistemin bankar e monetar. Krijohet një ngushtim në politikat monetare, i cili shprehet në nivelin e lartë të interesit bankar, në kushtet me një mundësi të vogël të kreditimit si dhe në ashpërsinë fiskale, për shkak të një buxheti të shtrënguar, që sjell një inflacion galopant dhe e rrëzon ekonominë, e cila rrëshqet në recesion dhe depresion. Edhe në vendin tonë kjo panoramë u krijua, një bazë materiale e gjerë, e shtrirë në të gjithë vendin, që nga industria nxjerrëse përpunuese dhe ajo e lehtë, si dhe mjetet e transportit, dolën jashtë përdorimit. Ato, ose u shitën për “pesë lekë”, ose gjoja u privatizuan dhe shkuan në duart e disave, që kishin lidhje me qeveritarët e kohës, të cilat ndihmuan në këtë shkatërrim të ekonomisë. Në analizat e tij sa teorike, po aq edhe emperike e statistikore, mendimtari i shquar amerikan, Stiglitz, shkruan: “Ndërkohë që privatizimi i shpejtë (në ish vendet e lindjes, PK) ishte duke dhënë qindra miliarda dollarë, asetet më të vlefshme të vendeve ishin duke krijuar një klasë të re oligarkësh, të cilët nuk nguruan t’i nxirrnin paratë jashtë vendeve, shumë më shpejt se futja e miliardave të FMN-së, si ndihmë në këto vende.” Bazuar në këtë përfundim, unë pyes sot: Ku shkuan paratë që u fituan nga shitja e armëve dhe municioneve, mjeteve të motorrizuara dhe atyre detare, të cilat u shitën gjatë tranzicionit? Ku shkuan të ardhurat që u përfituan nga privatizimi i Flotës tregtare?… Kush mban përgjegjësi për shkatërrimin dhe keqtrajtimin e të gjithë bazës materiale, të krijuar gjatë periudhës së komunizmit? Kush bën analiza dhe mban përgjegjësi për “terapinë chock” të zbatuar në ekonominë shqiptare? Askush! Në debatin që shpërtheu në BB, Stiglitz u rreshtua në ata që kishin rezerva për këtë lloj privatizimi. Së paku, për dy arsye,- shprehet ai në studimin e tij: E para, u gjeneruan të ardhura të ulëta për qeveritë.(Lexo…Ky është dhe rasti i Shqipërisë ku pasuritë kombëtare humbën). Mos flasim këtu dhe për PPP-të e famshme, që edhe kur u mbyllet afati, si ndodhi me Terminalin e aeroportit “Nënë Tereza”, të Rinasit, pa kaluar as edhe një ditë, pa bërë një bilanc ku ishim ku jemi, çfarë dhamë e çfarë fituam, iu kalua një partneri tjetër, po koncensionar. E dyta,- nënvizon prof Stiglitz,- u minua besimi në ekonominë e tregut. I gjithë procesi privatizimit u bë në kushtet e një kuadri ligjor, ose të mangët, ose të brishtë, dhe në jo pak raste, në mungesë të tij. Joseph Stiglitz, hapur godet, kur shkruan: “Pa ligjet e duhura, në lidhje me qeverisjen e korporatave, është e mundur vjedhja masive e aseteve nga administratorët e tyre(si edhe ndodhi në Shqipëri, drejtorët vodhën ndërmarrjet), pra, ka më shumë stimuj për të zhvatur pasuritë, sesa për t’i shtuar ato. Unë, -shprehet mendimtari amerikan,-u shqetësova gjithashtu për pabarazinë e madhe që mund të krijonin këto privatizime.” Edhe realiteti shqiptar i tillë është. Kontratat që firmosen nga ekzekutivi ynë, janë të pakonsultuara, pa sisteme të tillë, që të mbrojnë pasuritë tona kombëtare, si dhe të paraprijnë, në rastet e vështira, nëse shkohet në gjykatë apo në arbitrazh ndërkombëtar, kur gjendesh në mosmarrëveshje që nuk zgjidhen dot me mirëkuptim mes palëve. Rasti tipik ishte me CEZ-in. Pa shkuar në arbitazh ndërkombëtar, u pagua në dorë për prishje kontrate një goxha shumë e majme. Këtë lloj kapitalizmi, që u krijua në ish-vendet e Lindjes Komuniste, në librin e tij, me titull: “Kriza e Kapitalizmit Global”, George Soros, e quan “Kapitalizmi Grabitqar”. Ish drejtorët apo menaxherët e ndërmarrjeve dhe fabrikave, minierave apo qendrave të prodhimit, u shndërruan në pronarët e tyre, madje, si edhe e shtyn më tej përfundimin e tij autori: “Ata nuk druhen të shprehen se e kanë bërë këtë pasuri me korrupsion ose, si edhe flitet rëndom në realitetin shqiptar, me marifet apo allishverish”. Kulmi në Shqipëri është, kur maksima e drejtuesve në punët e shtetit, në të gjitha nivelet dhe llojet e detyrave, është KÇK-(kap çfarë të kapësh), një mentalitet tipik orientalist ky, i periudhës së sundimit Osman. Zhvat dhe mbathja!
Po çfarë ndodh me këto privatizime, kur vala e presionit popullor rritet? Privati nuk ndjen siguri, trembet dhe për fatin e atyre investimeve që mund të ketë bërë. Në këto kushte, ka shumë nga ata që pjesën më të madhe të fitimeve e nxjerrin jashtë vendit, ku e drejta e pronës dhe siguria është më e lartë. Kjo ndodh me të gjitha bankat në Shqipëri, të cilat përmes privatizimit, blenë bankat shqiptare dhe fitimet e tyre, në pjesën dërmues, ikin jashtë Shqipërisë, pa çka që rezervat e tyre në monedhë, janë paratë e qytetarëve shqiptarë.
“Liberalizimi i tregut të kapitalit,-mëton Stiglitz,-e shtyu FMN-në t’i bënte më keq gjërat, sepse fondi monetar ua bëri më të lehtë oligarkëve që kishin asete të zhvatura nga korporatat, të cilat ata i kontrollonin, që t’i merrnin paratë e tyre për t’i shpënë në bankat offshore, në vendet ku të drejtat e pronës së tyre ishin më të sigurta dhe të vendosura atje tashmë. Ata përfituan, falë kuadrit ligjor, i cili ishte i dobët në vendet e tyre dhe i shpunë paratë në vendet ku mbrojtja e pronave ishte më e sigurt.” Në ish vendet e lindjes ndodhën dy fenomene që dëmtuan zhvillimin: U rrit varfëria në mënyrë masive, si edhe u prish një traditë e mirë e arsimimit që kishte në këta vende, sepse shumë specialistë dhe profesorë u larguan, si dhe fondet për zhvillimin e një arsimi modern mungonin. Të ardhurat e qeverive ranë, shpezimet për infrastrukturën dhe shëndetësinë, -konludon Stiglitz, -erdhën në rënie. Mjafton të shohim % që i takon arsimit dhe shëndetësisë në Shqipëri, që të kuptosh se Stiglitz flet edhe për realitetin shqiptar të tranzicionit. Është i saktë përfundimi i Stiglitzit: “Rezultatet ishin të zymta…”Kontrasti mes pretendimeve të avokatëve të tregut, të cilët parashikonin çlirim të forcave që do të sillnin prosperitet rekord dhe rritjes së pashoqe të varfërisë, e cila ndodhi në të vërtetë, nuk mund të ishte më i madh.” Në librin e tij “The Great Divide”,(Çarja e Madhe), Joseph Stiglitz ka nënvizuar disa ide shumë të rëndësishme. Pse dhe si ndodh që të rritet pabarazia në ekonominë globale, por edhe çfarë ndodh në vendet ku mes shtresave shoqërore nuk ka politika publike, për uljen e pabarazisë, shtimin e të ardhurave dhe perspektivës optimiste tek shtresat në nevojë. E citoj profesorin e preferuar”: “Shumë nga pabarazia që vihet re në botë është e shoqëruar me kërkim të rentës (psh ushtrimi i pushtetit të monopoleve) dhe një pabarazi e tillë manifeston një dëmtim të eficencës ekonomike. Por ndoshta dimensioni më i keq i pabarazisë është pabarazia e mundësive, e cila si shkak dhe si pasojë e pabarazisë së të ardhurave dhe shkak i pamjaftueshmërisë ekonomike, e zvogëlon zhvillimin, sepse një numër i madh individësh nuk janë në gjendje të plotësojnë potencialet e tyre. Vendet me pabarazi të niveleve të larta, priren të investojnë pak në të mirat publike, të tilla si: infrastruktura, teknologjia dhe edukimi, të cilat kontribuojnë per nje rritje dhe prosperitet ekonomik afatgjate. Reduktimi i pabarazisë, nga ana tjeter, ka përfitime të qarta sociale dhe ekonomike, e bën më të fortë kuptimin te njeriu se shoqëria është e drejtë, përmirëson kohezionin social dhe mobilitetin, duke e bërë atë më të mudshëm, që më shumë qytetarë të jetojnë me potencialet e tyre; dhe e zgjeron mbështetjen për rritjen e iniciativës. POLITIKAT QE E DUAN RRITJEN, POR E INJOROJNE PABARAZINE, në fund të fundit mund të jetë vetë-shkatrruese, ndërsa politikat që ulin pabarazinë, për shembull, duke rritur punësimin dhe arsimin, kanë efekte të dobishme në kapitalin njerëzor, për të cilin ekonomitë moderne kanë nevojë gjithnjë e më shumë.” Joseph Stiglit ka botuar një studim të tij për pabarazinë, bazuar në të dhëna për ekonominë amerikane dhe për të gjitha vendet që luajnë rol në tregun global. Analizat e tij shkojnë në përfundime shumë të rëndësishme për të gjithë realitetin në të cilin jeton shoqëria në shekullin XXI. Libri i tij titullohet:” The PRICE OF INEQUALITY”-(ÇMIMI I PABARAZISË). Është me shumë rëndësi fakti se profesor Stiglitz e sheh pabarazinë edhe në raportet me “Rule of Law, madje në një nga kapitujt e tij ai pyet: “Përse na duhet shteti ligjor”? Në analizën e tij ai shpjegon pse kjo pabarazi e rrënon shtetin ligjor dhe rolin e shtetit në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Si devijon vendimmarrja politike dhe si braktiset interesi publik? Kjo sjellje është prezente në realitetin vendimmarës edhe në Shqipërinë e tranzicionit, si në nivel lokal, dhe në nivel qëndror. Shoqëria,- nënvizon profesor Stiglitz,- drejtohet me rregulla, me ligje dhe me procedura që pasqyrohen në rregullore. Por çfarë ka ndodhur realisht, si pasojë e pabarazisë?Le ta shohim më nga afër tezën e profesorit amerikan.Ja si shkruan ai: “T`i përgjigjemi kësaj pyetjeje fondamentale, zhvillimi i shoqërisë, rregullat dhe rregulloret! Këto rregulla dhe rregullore-vijon arsyetimi i tij-së bashku kanë efekt tek efiçenca e sistemit të shpërndarjes; disa fitojnë në kurriz të të tjerëve. Ja përse pushteti, ‘pushteti politik’, ka shumë rëndësi. Nëse pushteti ekonomik në një vend bëhet shpërndarës i pabarazisë së madhe, atëherë do të kemi dhe pasoja politike. Ndërsa ne mendojmë në mënyrë tipike për “Shtetin Ligjor”, i cili është dizenjuar për të mbrojtur të dobëtin, kundër të fortit, qytetarin e zakonshëm, kundër të privilegjuarit, ata me pasuri do duhet të përdorin pushtetin politik për ta formësuar shtetin ligjor, që ai të sigurojë një kornizë, brenda së cilës ata të mund të shfrytëzojnë të tjerët. Ata do të përdorin pushtetet politike si të tyret, për të siguruar gjithashtu ruajtjen e pabarazisë më mirë, se sa arritjen e më shumë barazie dhe shoqërisë ekonomike të tillë. Nëse disa grupe kontrollojnë procesin politik, ata do ta përdorin atë për të formësuar një sistem ekonomik që favorizon vetëm ata, përmes ligjeve dhe rregullave që aplikohen në mënyrë specifike…që qeverisin falimentimin, konkurencën, pronësinë intelektuale, taksimin, dhe që në mënyrë indirekte edhe me koston që u lejon të kenë akses edhe në sitemin gjyqësor.” Shkurt dhe me fjalë të tjera, Stiglitz thotë se: “Ata që marrin pjesën më të madhe, e detyrojnë shtetin ligjor që të braktisë interesin publik dhe shndërrohet me mjete ligjore në shërbim të tregut dhe zotëruesve të tij”. Tek lexoj Stiglitzin, më vjen në mëndje një kapitalist shqiptar, më i pasuri sipas statistikave, i cili shkonte në një zyrë shteti dhe u thoshte punonjësve të saj. “Më thoni ju, si e doni ligjin, se jua bëj unë…!” Ka raste të panumërta në realitetin shqiptar të tranzicionit, që ligjet, rregullat dhe rregulloret, procedurat, mekanizmat administrative dhe ato ligjore janë hartuar se si të pasurohen më të pasurit dhe se si të varfërohen më të varfërit.
Fundi i pjesës së dytë





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.