AKTUALITET

Mori ryshfet nga “Rrumi”/ Tjetërsimi i pronave, GJKKO urdhëron vijimin e masës arrest shtëpie për ish-avokatin e shtetit!

13:23 - 24.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar vijimin e masës së sigurisë arrest shtëpie për Irgen Kërçykun. Ky i fundit është ish-përfaqësues i Avokaturës së Shtetit i cili doli në përgjime me Aleksandër Lahon “Rrumin e Sukthit”, të akuzuar për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalëzit.




Kërçyku akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.

Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 409 datë 30.10.2021 ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe toke prej rreth 200 000 (dyqind mijë) metra katrorë që gjendet në zonën e quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.

Po ashtu, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, me vendimin nr.497, datë 18.11.2022, ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe prej 203 100 (dyqind e tre mijë e njëqind) metra katrorë me vendndodhje Shetaj, (Gjiri Lalëz) Durrës.

INVESTIGIMI

Më 13 qershor 2017, dy persona u filmuan me një telefon celular teksa po negocionin një çmim për një proces gjyqësor pronësie. Në transkriptet e Prokurorisë së Posaçme, njëri prej personazheve të videos identifikohet si “zyrtari”, ndërsa tjetri si “i interesuari”. Dy burrat debatojnë mbi shumën e parave që nevojiten për të blerë tërheqjen nga apelimi për çështjen gjyqësore. “Zyrtari” është i pakënaqur nga oferta prej 5 milionë lekësh, ndërsa “i interesuari” i reziston kërkesës për të paguar më shumë.

“Unë u thashë… Geni do 5 milionë lekë dhe mbaroi historia këtu, tani do themi nga 5 u bëka 12, duket sikur bëhem unë dallaverexhiu.Të besosh edhe m’u se nuk jam unë i zoti i punës,” thotë ai.

Sipas dokumenteve hetimore të siguruara nga BIRN, biseda në video zhvillohet mes zyrtarit Irgen Kërçuku, asokohe përfaqësues i Avokaturës së Shtetit për degën e Durrësit dhe Pëllumb Muharremit – një personazh i dyshuar për lidhje me krimin e organizuar, i njohur gjithashtu si Aleksandër Laho ose “Rrumi” – një nofkë që simbolizon kallirin e zhveshur të misrit.

Biseda mes tyre e regjistruar në video kishte si objekt procesin gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit. Videoja ra në duart e Prokurorisë së Posaçme pas atentatit të bujshëm ndaj Muharremit dhe prokurorit Arian Ndoja, i ndodhur pasditen e 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës.

Ky nuk është rasti i vetëm i përfshirjes së krimit të organizuar në zhvatjen e pronave.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dokumenteve hetimore nga dy procedime penale tregojnë se sekuestrimi i telefonit të Muharremit i mundësoi Prokurorisë së Posaçme hapjen e “kutisë së Pandorës” për njërin prej episodeve më të mëdha të tjetërsimit të pronave publike në bregdetin e Adriatikut.

Përveç tokës me sipërfaqe prej 45 mijë metrash katrorë, Muharremi dyshohet se qëndron edhe pas tjetërsimit të 14 parcelave të tjera në zonën e Gjirit të Lalzit, përmes një skeme masive falsifikimi dhe korruptimi të zyrtarëve publikë.

“Hetimi i deritanishëm ka krijuar dyshime se një grup i mirë strukturuar kriminal ka arritur që përmes një skeme kriminale të bëjë të mundur që të sigurojë një zinxhir dokumentesh të falsifikuara me qëllim që të regjistrojë pasuri të paluajtshme në një zonë shumë të preferuar të Shqipërisë, siç është fshati Lalëz, Durrës,” thuhet në njërin prej dokumenteve hetimore të siguruara nga BIRN.

Pas hetimeve 2-vjeçare, Prokuroria e Posaçme ka zyrtarizuar akuzën ndaj Muharremit për korrupsion aktiv dhe po heton një rreth zyrtarësh publikë për përfshirje në korrupsion dhe shpërdorim detyre me pronat në Gjirin e Lalzit.

Prokurori Altin Dumani që po heton të dyja procedimet e lidhura me Muharremin u rezervua të jepte detaje mbi fazën e hetimeve. “Çështja është në hetim prej dy vitesh dhe nuk mund të jap asnjë detaj,” tha ai. Muharremi dhe Kërçuku ishin të paarritshëm për koment edhe përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë./BIRN


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.