AKTUALITET

“U kërkoj falje fëmijëve të mi”/ Vrau bashkëshorten dhe shkoi të hante mëngjes, gati dosja për Petrit Mamajn!

11:40 - 25.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka depozituar në Gjykatë dosjen për shtetasin Petrit Mamaj, i cili rreth tetë muaj më parë vrau bashkëshorten e tij. Valdete Mamaj u qëllua për vdekje me thikë nga bashkëshorti i saj më 8 shkurt të këtij viti në banesën e tij. Fillimisht, ngjarja u paraqit si vetëvrasje, por më pas Mamaj ka zbërthyer para hetuesve gjithë ngjarjen.




“U pendova për çfarë kisha bërë.  Pas ngjarjes, unë dola nga shtëpia, ku derën e jashtme e mbylla nga jashtë, vajta në këmbë në restorant afër Gjendjes Civile për të ngrënë mëngjes dhe më pas jam kthyer po në këmbë në shtëpinë time. Me të mbërritur në shtëpi, u pendova për çfarë kisha bërë dhe kam njoftuar në telefon tim vëlla i cili jeton disa shtëpi më tutje në lagjen ku banoj, dhe kur ai erdhi në shtëpinë time, i thashë që Valdetja ka vrarë veten. Më pas, vëllai im G.M ka njoftuar policinë. Deklaroi edhe një herë se për vrasjen e bashkëshortes time Valdete Mamaj unë ndihem i penduar dhe u kërkoj falje fëmijëve të mi”, ka deklaruar ai.

NGJARJA

Ka qenë kunati i gruas ai që e ka gjetur 50-vjeçaren të masakruar me thikë brenda banesës, duke kërkuar ndihmë dhe më pas ka lajmëruan menjëherë Policinë, pa e ditur se krimin e rëndë e kishte kryer vëllai i tij. Ky i fundit i kishte deklaruar se gruaja kishte kryer vetëvrasje dhe ky ishte edhe versioni i njoftimit të parë të Policisë.

Pas hetimeve paraprake, u zbulua se gruaja kishte gjashtë plagë thike në trup, një prej të cilëve në pjesën e zemrës. Pas ekspertizës mbi trupin e gruas, u bë e qartë se nuk bëhej fjalë për vetëvrasje, por vrasje për shkak të plagëve të shumta. Trupi i pajetë u gjet në krevatin e dhomës së gjumit dhe krimi dyshohet të jetë kryer rreth orës 06:30 minuta të mëngjesit. Edhe vetë burri i saj ka thënë se është vetëvrarë, por nuk ka dhënë detaje për arsyet që mund ta kishin çuar gruan drejt këtij vendimi fatal.

Më pas, Policia duke pyetur të afërm e miq të familjes si dhe të njohur të tyre, ka nisur të dyshojë se nuk bëhej fjalë për vetëvrasje. Të njohurit dhe familjarët e familjes Mamaj i kanë thënë Policisë së çifti kishte shpesh sherre për shkaqe xhelozie. Kjo ka bërë që blutë ta shoqërojnë në Polici, jo më si person që mund të kishte dijeni mbi ngjarjen, por si autor të dyshuar të ngjarjes.

“Pas njoftimit të marrë në sallën operative se në lagjen ‘Sheq i Madh’, Fier, në banesën e saj një shtetase është vetëvrarë, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, kanë vijuar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Nga provat e grumbulluara, deklarimet e marra, këqyrjes së trupit të viktimës nga eksperti mjekoligjor dhe veprimet e mëtejshme hetimore të kryera nga grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, rezulton se shtetasi Petrit Mamaj, bashkëshorti i viktimës, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasen Valdete Mamaj, e cila për pasojë ka gjetur vdekjen”, sqaroi Policia.

Pas shoqërimit në Komisariat dhe pranimit të krimit, 56-vjeçari është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”. Policia tha se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë), me të cilin dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.