Kryesore

Primaret/ Armand Dervishi prezanton kandidaturën në Bashkinë e Durrësit: Porti po u zhvatet qytetarëve!

16:02 - 26.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Armand Dervishi prezantoi sot kandidaturën e tij për garën në Primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë e Durrësit. Në një deklaratë për mediat, ai tha se vendimin për të garuar e mori për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet qyteti bregdetar, që sipas tij është e mjerueshme.




Për portin e Durrësit Dervishi deklaroi se po u zhvatet qytetarëve nga duart në mënyrë spektakolare, pa garë dhe me zero transparencë. Ndër të tjera, ai përmendi si më problematiket papunësinë, përmbytjen, zhvatjet e hapësirave publike, infrastrukturën e degraduar, parkingjet e munguara, një turizëm në nivelet më të ulta në historinë e qytetit, gjendje ekonomike e mjeruar.

DEKLARATA E ARMAND DERVISHIT:

Të nderuar bashkëqytetarë të Durrësit, ju përshëndes përzemërsisht.

Përshëndes themeluesin e PD-së që demokratizoi këtë proces të primareve, duke i mundësuar të rinjve si unë hyrjen në garë dhe mundësinë për të kontribuar për vendin tonë.

Unë quhem Armand Bedri Dervishi, kam mbaruar studimet në një nga vendet më demokratike të botës (Mbretërinë e Bashkuar – Londër) për Financë-Bankë dhe Kontabilitet dhe jam diplomuar me grada te larta.

Në Angli gjithashtu kam zhvilluar një karrierë të suksesshme në fushën profesionale dhe në biznes.

Kam vendosur të paraqes kandidaturën time për Bashkinë Durrës.

Këtë veprim e ndërmarr duke parë gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet qyteti ynë.  Papunësia, përmbytjet, zhvatjet e hapësirave publike, infrastruktura e degraduar, parkingje të munguara, një turizëm në nivelet më të ulta në historinë e qytetit, gjendje ekonomike e mjeruar, ky është realiteti që une dhe qytetarët e Durrësit hasin çdo ditë.

Vazhdimisht dal në terren, dhe shpesh kam takuar qytetarë që u vijnë faturat e dritave dhe e ujit më shumë se pensioni që marrin në muaj.

Studentë që detyrohen të lënë studimet nga gjendja ekonomike e mjerueshme pa asnjë mbështetje nga Bashkia. Studentë që kanë mbaruar studimet, por nuk u ofrohet punë dhe asnjë llojë shprese për të ardhmen.

Çfarë mund të bëjnë tjetër këta durrsakë dhe shqiptarë veçse të detyrohen te marrin rrugët e emigrimit, deri aty sa rrezikojnë edhe jetën për t’u larguar nga atdheu i tyre.

Shpesh pyes veten: pse duhet këta të rinj të ndjehen kaq të dëshpëruar dhe ta braktisin vendin e tyre duke shpopulluar këtë qytet 3 mijë vjeçar.

Durrësi, ky qytet historik dhe me potencial ekonomik të lartë, i një rëndësie strategjke ekonomike të veçantë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin, duhet të jetë motorri ekonomik dhe i zhvillimit i të gjithë vendit.

Por, në këtë gjendje te mjerueshme ku e kanë sjellë, nuk u ofron as mundësitë minimale qytetarëve të tij. Edhe Porti, e vetmja mënyrë për të siguruar ekonominë dhe punësimin e qytetarëve të Durrësit ndër qindra vite, po u zhvatet qytetarëve nga duart në mënyrë spektakolare, pa garë dhe me zero transparencë.

Unë si i ri dhe djalë i këtij qyteti, ju premtoj sot që do të punoj me ekspertët e fushave të ndryshme, vendas dhe të huaj, dhe do të bej çdo gjë që qytetit të Durresit t’i kthehet shkëlqimi dhe zhvillimi që meriton.

Qytetarëve do t’u rikthej besimin, do t’u rikthej hapësirat publike, rimodelimin e infrastruktës. Nuk mund të vazhdohet më me vjedhje fondesh, me investime me shuma marramendëse në letër dhe asgjë konkrete.

Të punojmë së bashku me gjithë potencialet tona, për një Durrës me turizëm të niveleve europiane,  që të mund të krijojmë mundësinë e hapjes të sa më shumë  vendeve të punës për të rinjtë dhe të gjithë qytetarët e Durrësit, me rroga dhe kushte të standardeve europiane.

Problemet e Durrësit i vuajnë të gjithe qytetarët, si te majtë edhe të djathtë, përmbytjet në Durrës nuk njohin kahe politike.

Unë premtoj që do të jem një administrator i përgjegjshëm, do të punoj për çdo qytetar të Durrësit, pa asnjë dallim politik, prandaj u bëj thirrje të gjithë durrsakëve të dalin dhe të përdorin të drejtën e tyre të shenjtë, duke votuar për kandidatin që ata pëlqejnë, për kandidatin që reflekton shpresë dhe tek i cili ata besojnë.

Shpeshherë dëgjoj që ky vend nuk behet. Po po, ky vend bëhet, Durrësi bëhet, por vetëm duke u bashkuar të gjithë kundra kësaj të keqe të madhe që e ka gjunjëzuar qytetin tonë për vite me rradhë.

Ndaj kërkoj mbështetjen e çdo simpatizanti dhe anëtari të Partisë Demokratike Dega Durrës, si një i ri  i pastër, me entuziazëm , energji  dhe me dëshirën e madhe për të kontribuuar sa më shumë për qytetin tonë. Bashkë do ia dalim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.