AKTUALITET

Porti i Durrësit/ Ironia e Açkës, sjell bisedën e politikanit italian me investitorin arab: I bekuam qeveritarët shqiptarë “te vendi që s’thuhet”

12:57 - 26.11.22 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i projektit të Portit të Durrësit pa dakordësinë e opozitës, ka sjellë reagime të shumta, një ndër to është deputetja e PD-së Flutura Açka.




Përmes një postimi në “Facebook”, Açka nuk i kursen ironinë me historinë e një personazhi të saj, një politikan i njohur italian (pa emër) dhe biznesmenit që do të ndërtojë portin e ri.

Postimi i Açkës:

Nga Dubai në Durrës

Rrëfim i një politikani italian n’dashni me Shqipëri

Një politikan i lartë italian, i spektrit të djathtë, i njohur për jetën e tij luksoze dhe marrëzitë e shpeshta duke hyrë e dalë nga politika italiane në tridhjetë vitet e fundit, vendosi të vizitojë Dubain.

Muzgu e zuri në një kat të lartëm të një prej ndërtesave më të larta, tek rehatohej në ndenjëset luksoze përballë murdritës ku po argëtohej me dinjitarët e qytetit të ndërtuar në ajër.

Befas, tek shihte dritaret e errëta të ngrehinave përballë, vërejti se ato u ndezën menjëherë, si me urdhër, në të njëjtën kohë. Bëri një gjest të dukshëm habie, por nuk e çoi deri në fund.

– Çfarë ndodhi? – pyeti i hutuar.

– Po ja, – tha dinjitari dubajez, i cili edhe vetë habitej shpesh me pasurimin e tij të përbindshëm, – e sheh këtë butonin këtu? E shtypa dhe u ndezën. Unë e kontrolloj këtë qytet, paratë e mia janë shteti, ajri, bursa, mileti. A t’i shuaj për ty?

– Jo, e kam frikë errësirën.

Dinjitari i bëri shenjë një shërbëtori aty dhe tjetri shtriu fët e fët një hartë të Mesdheut. Politikani i lartë italian u përkul të shihte dhe i ndali sytë te forma prej çizmeje e atdheut të tij.

– Këtu e kemi projektin e radhës, – tha dinjitari dubajez dhe shtriu gushtin mbi gjirin e Durrësit, këtu do të bëjmë portin më luksoz të ish-perandorive. Luksi është perandoria e re.

– Në mare nostrum? – klithi politikani italian.

– Nuk e di si i thoni ju, në kontratë shkruhet Durrës.

Politikani italian vuri duar në kokë. Sa shekuj ishte përpjekur atdheu i tij ta bënte të vetin atë gji, dhe nuk ia kushte dalë. Çfarë nuk i erdhën në mend, por nuk ishte vendi t’ia rrëfente këtij dinjitari më paralli se ai këtë histori kombesh. Por pati edhe një kureshtje të fundit.

– Po si ia dolët t’i bindni?

– E thjeshtë fare, i bekuam “te vendi që s’thuhet”. Dhe e kishin pasur të thellë, mezi ngopej, por ia dolēm. U zumë keq me vite, por u mirëkuptuam.

– Po pse ne nuk ua dolëm dot?

– Ju keni Bisteça alla Fiorentina, por ne kemi Bisteçhi di Nustreti. Kushtojnë më shumë, shumë më shumë…

“O Zot!” thirri pa zë italiani i tronditur dhe përfytyroi tisin që do të mbulonte ngadalë Durrësin, bashkë me antikitetin e tij në vendin e politikanëve të shkollës së ”imbelice”-ve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.