OPINION

110 vite shtet shqiptar

09:00 - 29.11.22 FATOS ÇOÇOLI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Si sot 110 vite më parë, atdhetari më i madh që ka njohur kombi ynë, Ismail Qemali, ngriti flamurin në Vlorë dhe njëkohësisht shpalli pavarësinë e shtetit shqiptar. Atë ditë, Kryetari i Kuvendit të Vlorës, Ismail Qemali, propozoi një qeveri të përkohshme, zgjidhjen e një pleqësi në ndihmë e kontroll të qeverisë, si dhe të dërgohej një komision në Evropë, për të mbrojtur çështjen shqiptare përpara fuqive të mëdha evropiane të kohës. Megjithatë, një vit pas pavarësisë, fuqitë e mëdha vendosën për copëtimin e Shqipërisë, duke lënë jashtë shtetit shqiptar Kosovën, Çamërinë dhe trojet e tjera të banuara me shqiptarë, si ato në Mal të Zi dhe Maqedonine e Veriut. Harta e sotme e Shqipërisë, sikurse e vlerësojnë historianët, do të ishte shumë më e zvogëluar, në mos nuk do të ekzistonte fare, po të mos ishte vendosmëria e presidentit amerikan, Wodroow Wilson, i cili ndaloi përpjekjet e fuqive të mëdha evropiane dhe të vendeve fqinje të Shqipërisë për copëtimin e mëtejshëm të vendit. Historia 110 vjeçare nuk ka qenë e lehtë për Shqipërinë, e cila u përball me përçarjet nga brenda, por edhe me sfidat e kohës, pretendimet territoriale të fqinjëve, si dhe pasojat e dy Luftërave Botërore 1914-1918 dhe 1939-1945. Për periudhën 1928-1939, vendi ynë u shndërrua në monarki nga Ahmet Zogu, i cili u vetëshpall mbret i shqiptarëve, për t’u shfuqizuar dhe shndërruar në republikë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur erdhën në pushtet komunistët. Epoka gjysmëshekullore(1944-1990) e drejtuar nga Enver Hoxha dhe më pas(viti 1985) nga pasuesi i tij komunist, vlerësohet si më e errëta e vendit. Komunistët në pushtet e izoluan Shqipërinë nga bota dhe shënuan me mijëra viktima, të burgosur dhe të internuar, vetëm për faktin që e mendonin ndryshe nga rregjimi i kohës. Nga viti 1990 e deri tani, vendi ynë zotëron një demokraci të brishtë, që ka prodhuar një ekonomi me zhvillim spontan dhe shërbime publike jo shumë funksionale, të cilat kanë motivuar mbi 1.2 milionë shqiptarë ta braktisin Shqipërinë, në kërkim të një jete më të mirë në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, ne Britaninë e Madhe, SHBA dhe Kanada. Krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës më 17 shkurt 2008, vepër e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet sulmit ushtarak të NATO-s ndaj diktatorit serb Sllobodan Millosheviç, i cili aplikoi genocid ndaj kosovarëve, si dhe e kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shënoi fuqizimin e faktorit shqiptar në Ballkan. Një vit më vonë, Shqipëria u anëtarësua në NATO. Ismail Kadare, shkrimtari ynë i madh me famë ndërkombëtare, është shprehur se “Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të ndryshme, por nuk duhet harruar që janë dy shtete shqiptare. Ato do jenë dy shtete, por kombi shqiptar mbetet një. Kombi shqiptar ka një histori të dytë që ecën paralelisht me historinë politike shtetërore. Uniteti i kombit shqiptar është tjetër gjë dhe dy shtetet shqiptare janë tjetër gjë. Natyrisht, ato i bashkon koncepti shqiptar”. Shqiptarët janë bërë një faktor përcaktues në zgjedhjet qeveritare në Maqedoninë e Veriut, si edhe në Mal të Zi, gjatë dy viteve të fundit. Më 1 janar 2022, u mbajt ceremonia e vendosjes së flamurit shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në kuadër të marrjes së mandatit të Shqipërisë, si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022-2023. Në këto njëmbëdhjetë muaj, vendi ynë ka luajtur një rol aktiv dhe konstruktiv, duke bashkuar përpjekjet me të gjitha ato vende që synojnë ta bëjnë Këshillin e OKB-së më efiçient, më të përgjegjshëm, më transparent dhe më ndërveprues. Shqipëria u shqua në nismat e përbashkëta me SHBA-të, për të dënuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës. Prania e NATO-s në rajon është fuqizuar nga manovrat e saj në tokën shqiptare. Më 19 korrik 2022, në Bruksel, Shqipëria dhe Bashkimi Evropian mbajtën Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes tyre. Ajo shënoi hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka përpara një rrugë të gjatë dhe të vështirë të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, e cila është tashmë e sigurtë. Si Shqipëria dhe Kosova kanë qëllime të përbashkëta dhe synojnë integrimin e plotë në BE dhe në NATO.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.