DOSSIER

28 apo 29 nëntori?/ Studiuesi zbulon librin e ‘gjermanit të fundit’: Largimi paska ndodhur më 25 dhjetor 1944!

12:34 - 29.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Nga Armand Plaka




Një libër i botuar në 2017 me kujtimet e njërit prej ushtarëve të fundit të Wehrmacht-it që la Shqipërinë, pohon se gjermanët u larguan në Natën e Krishtlindjeve! 28 apo 29 nëntori? Kjo është çështja. Në fakt ka kohë që debati nuk është më vetëm çështja e datës, por edhe nëse do të duhet ta festonim këtë datë si simbolikë e Çlirimit në tërësi? Kuptohet: nga këndvështrimi majtist, komunist, internacionalist (sot mund t’i themi edhe globalist), socialist nga një krah, dhe ai nacionalist, antikomunist e sovranist nga krahu tjetër.

Kam përshtypjen se debati paskësh qenë i destinuar të vijojë edhe më tej në të dyja aspektet. Por nëse i përmbahemi vetëm atij rreth datës, do të sjell sot një prurje tërësisht të re, duke mos tentuar një trajtim të gjatë, pasi bëhet fjalë vetëm për një njoftim, ku theksi vihet vetëm tek data se kur mund të jetë larguar gjermani (gjermanët) e fundit ndërsa niseshin drejt Veriut për të vijuar rrugëtimin e tyre drejt vendlindjes.

I kthyer thuajse në qesharak vitet e fundit, ku e gjithë çështja dukshëm shoqërohet shpesh me ironi, batuta e humor, ky debat më kishte bërë edhe mua t’i shmangesha fare si temë trajtimi, edhe pse ndihem sigurisht shumë i afërt e i mirëinformuar rreth tij. Një arsye tjetër ishte se po prisja një moment oportun për ta njoftuar e në këtë kontekst, sigurisht se sot ky qëllim përmbushet tërësisht.

Tri vite më parë rashë në kontakt me faktin se në vitin 2017 në Gjermani ishte botuar një libërth në terma të volumit (duke përfshirë diçka më shumë se 100 faqe ose më saktësisht konkretisht 112 të tilla) nën titullin: “Mik mes armiqve” – Si i mbijetova unë si ushtar i ri Luftës së Dytë Botërore” (origjinali në gjermanisht: Freund unter Feinden – Wie ich als junger Soldat den Zweiten Weltkrieg überlebte”, shkruar nga Werner Schimke, i biri i autorit të vërtetë, dmth personazhit që fliste në vetë të parë, Max Schmke, babait të tij të ndjerë.

Gjithçka ka ndodhur vite më parë ndërsa Werner-i ka renditur me kujdes e durim materialet e shkruara nga i ati në formë kujtimesh, për t’i sjellë për lexuesit gjermanë në formë të përmbledhur, pa e ditur se me këtë pikësëpari do të duhej të zgjonte kësisoj edhe interesin e shqiptarëve.

Mirëpo nuk ka ndodhur aspak kështu. Pasi gjatë këtyre viteve qysh nga botimi i librit, nuk kam hasur në asnjë lajm, njoftim, e për më tepër recensë, kritikë apo analizë për librin, për risinë të paktën që ai pretendohet se sjell; në asnjë ndër burimet shqiptare, në print apo online qofshin. Asnjë gjurmë, asnjë shënim, asgjë. Kjo deri diku më stepi dhe mua e më dërgoi drejt heshtjes apo shtyrjes së paafat të njoftimit rreth ekzistencës së tij, edhe pse librin dhe kritikën mbi të e kisha lexuar e qëmtuar qysh prej tri viteve, pasi vëllimin e porosita në Gjermani dhe e lexova me një frymë.

Ajo çka e bën edhe më interesante librin, është pohimi i autorit, të cilin pas disa përpjekjeve arrita ta kontaktoj në telefon e ta pyes pikërisht për atë, “nyjen gordiane” që ka sjellë kaq shumë pështjellim, diskutime e ndarje mes shqiptarëve, duke kaluar siç përmendëm më lart, në limitet e një debati thuajse qesharak e tendencioz, ku i jepet udhë shpesh artikulimeve, qëndrimeve, anatemimeve, por edhe sharlatanizmave.

gjermani i fundit

Por çfarë përmban libri në lidhje me këtë aspekt dhe çfarë më tha autori i tij, z. Werner Schimke?. Për aq sa më lejohet, duke mos cënuar të drejtat e autorit, të cilat në një kontekst global nuk lejojnë publikimin e plotë, por edhe të pjesshëm të pjesëve të librit pa lejen e autorit, do ta shpreh me pak fjalë se në cilën datë personazhi rrëfimtar i librit, sikurse pohon ai vetë, si pjesëtar i njësisë së fundmit të Wehrmacht-it (Ushtrisë Gjermane) që u largua nga territori shqiptar, la kufirin dhe kaloi drejt Jugosllavisë dmth. drejt Malit të Zi.

Si parantezë, po theksoj se askujt s’ia ka marrë mendja se një dëshmi e tillë, e cila sipas disa përcaktimeve strikte shkencore mund të konsiderohet padyshim si “dëshmi historike e dorës së parë”, edhe pse tërësisht informale, do të sillte veç datës 28 apo 29 nëntor 1944, por edhe fillimdhjetori (sipas disa pretendimeve të rretheve alternative studimore, apo dhe grupimeve të tjera të interesuara), edhe natën e Krishtlindjeve të vitit 1944, pra mbrëmjen e 24-25 dhjetorit.

Më konkretisht, autori shkruan:

Ndodhi pikërisht në natën e Krishtlindjeve, kur ne si njësia e fundit gjermane, kaluam kësisoj Krishtlindjet e vitit 1944 në kufirin shqiptar me Malin e Zi. Nuk bëhej fjalë për festime këtë herë, pasi nuk kishim as një çati mbi kokë. Në ditëlindjen time, më 23 dhjetor, morëm dhe postën tonë të Krishtlindjes. Do të ishte postimi ynë i fundit deri në fund të luftës. Ishte aq mirë që moti kishte qenë bujar me ne deri tani, sepse në këtë periudhë të vitit ne ende kishim temperatura që shkonin midis dhjetë dhe pesëmbëdhjetë gradë mbi zero. Nga këtu nisi dhe tërheqja përmes Ballkanit deri në kufirin slloveno-austriak në Radkersburg.

Për të qenë më korrekt, do ta sjell edhe në gjermanisht këtë pasazh që gjendet në faqen 88 të librit, në fund të kapitullit që i kushtohet qëndrimit të autorit në frontin shqiptar.

So war es genau an Heiligabend, als wir als letzte deutsche Einheit das Weihnachtsfest 1944 an der albanischen Grenze zu Montenegro verbrachten. Von Feier konnte dieses Mal keine Rede sein, denn wir hatten noch nicht einmal ein Dach über dem Kopf. An meinem Geburtstag, am 23. Dezember, haben wir unsere Weihnachtspost bekommen. Es sollte unsere letzte Post sein bis zum Ende des Krieges. Es war nur gut, dass es das Wetter bisher so gut mit uns gemeint hatte, denn wir hatten zu dieser Jahreszeit noch Temperaturen zwischen zehn und fünfzehn Grad über null. Von hier begann jetzt der Rückzug durch den Balkan bis an die slowenisch-österreichische Grenze bei Radkersburg.

I pyetur nga unë rreth kësaj çështje, z. Schimke (i biri, Werner) pohoi se nuk e merr dot përsipër vërtetësinë e pohimeve të të atit, pasi siç tha ai, i ati nuk kishte mbajtur ditar gjatë Luftës e vetëm vite më vonë ai nisi të shkruante kujtimet e tij nëpër letra e me shkrim dore, e në këtë kontekst, mundet që të mos e ketë mbajtur mend mirë datën, ose sipas sugjerimit tim, të mos ketë qenë në gjendje të përcaktojë mirë as vendndodhjen në momentin për të cilin diskutohet, pra për datën 25 dhjetor 1944.

Sidoqoftë, një zhvendosje kaq e madhe në kohë (nga data 28 apo 29 nëntor siç pretendohet nga historiografia zyrtare, raportet zyrtare të Wehrmachtit) e bën të gjithë këtë pasazh t’a trajtojmë të paktën me vëmendje, edhe pse mbarsur me shumë dyshime të justifikuara.

Mjafton të citoj një pasazh nga studimi i historianit të mirënjohur Dr. Marenglen Kasmi, bazuar në burime zyrtare të Arkivit (Ushtarak) Gjerman, për të kuptuar më së miri diferencën në kohë mes dëshmisë së një dëshmitari okular si Max Schimke dhe raporteve zyrtare për të kuptuar se mbase pikërisht për këtë fakt, dëshmia e Schimkes duhet parë me shumë dyshim, por jo zhvlerësuar tërësisht:

Në ditarin luftarak të Wehrmacht-it është shënuar për datën 29.11.44: „ Fronti i Adriatikut: Në mbrëmjen e datës 28.11. është lëshuar nën presionin e bandave, pozicioni pengues Shkodra. Një kompani turkmene dezertoi dhe kaloi te armiku. Sulmet e bandave ndaj kryeurës Bioče janë sprapsur. Hapja e rrugës së tërheqjes është kryer deri në rajonin e Klopotit.“ Pra, në mbrëmjen e datës 28 Nëntor u lëshuan pozicionet mbrojtëse në jug të Shkodrës dhe filloi, sipas taktikës së mirënjohur, tërheqja me luftim dhe në orët e para të mëngjesit të 29 Nëntorit 1944, trupat gjermane lëshuan qytetin e fundit të madh të Shqipërisë, Shkodrën. 54 Në raportimin sekret të Komandës së Përgjithshme të Juglindjes të datës 30.11.1944 në Komandën e Lartë të Wehrmacht-it shkruhet: “b) Fronti i Adriatikut: Korparmata XXI Malore: Shkodra u lëshua, praparoja e div. 297 arriti në Koplik (15 km në veri – veriperëndim të Shkodrës). […]” 55 Me këtë veprim kishte përfunduar pushtimi gjerman i Shqipërisë dhe forcat e Wehrmacht-it vazhdonin tërheqjen e tyre në drejtim të Gjermanisë.

Çfarë përmban tjetër libri? Përveçse dëshmitar okular në “Natën e Kristaltë“ në Berlin në 9 nëntor 1938, ku nisi ai që do të cilësohej si “Pogromi ndaj Hebrenjve”, Max Schimke arriti t’i mbijetojë me shumë fat edhe tmerrit të Stalingradit (pasi më parë kishte shërbyer edhe në Francë, në frontin Perëndimor), duke u ripozicionuar në Ballkan, në ish-Jugosllavi e më pas në Shqipëri, ku kaloi kohë relativisht të qeta, në disa qytete të saj (kryesisht në qendër të vendit) dhe në kryeqytet, ku kaloi disa andralla edhe me shëndetin, por më shumë do ta mbante mend sepse në atë kohë u desh të merrte leje të posaçme për të kryer ritet martesore në vendlindje e u kthyer sërish në front, ku përshkruan edhe fragmente luftimesh.

Sigurisht se duke mos qenë një rrëfimtar profesionist, pra jo një shkrimtar, por edhe as historian e as gazetar, pajisur me dhunti normale njerëzore e një arsimim normal për kohën, ai arrin të ofrojë për lexuesin plot informacione interesante, çka kanë sjellë një reagim kryesisht pozitiv apo neutral të lexuesit gjerman, i cili vlerëson sidomos detajet që ai sjell nga jeta si ushtar i ri në të gjitha frontet ku shërbeu, përshkrimin e mentalitetit të kohës dhe gjykimin e njeriut në situatë lufte.

I brumosur qysh herët me një frymë religjoze e besimtare kristiane, në vitet e Pasluftës ai tenton të rishikojë në qetësi gjithçka kishte ndodhur duke ia atribuar pikërisht besimit dhe dëshirës së të Plotfuqishmit faktin se ai i mbijetoi një lufte kaq vrastare siç ishte Lufta e Dytë Botërore e për më tepër fronteve të tilla të rrezikshme e betejave epokale si ajo e Stalingradit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.