DOSSIER

Dokumentohet 29 Nëntori

10:00 - 29.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Hamza Kazazi – Dokument me vlerë është ditari që Jup Kazazi mbajti për katër muaj rrjesht që prej daljes në mal nga 25 nëntor deri me 15 mars 1945. Atë ia ka pasë çuar të shoqes, Nasibe, mbasi po ta kapnin ose vritnin bëhej i rrezikshëm për mjaft persona që e kishin strehuar e takuar, megjithëse ishin vetëm sigla me një germë dhe shkruar sipër, por në laborator me një germë e katundin mund ta gjenin personin. Nëna e ka ruajtur me guxim e ma ka pasë treguar kur jam bërë 16 vjeç. Ajo e ka pasë bërë rrul, mbeshtjellë e futë në një vrimë muri në shtëpi. Më pati thënë se sido që të vinte puna, unë nuk e kisha parë e nuk dija gjë. Ai dokument bëhej i rrezikshëm po të na e gjenin. Ditari ndodhet në Arkivin e Shtetit në formë të dixhitalizuar (ja kam pasë dhënë Drejtoreshës), mbasi origjinalin e ruaj si kujtim shumë të shtrejtë që nga Babai im. E ka shkruar në një bllok shenimesh me kuadrate 10×12 cm.
Ditari fillon me 25 nëntor 1944 kur i vjen Salvator Kurti e i thotë se Partia komuniste kishte shpallë denimin me vdekje të Jupit me 4 vllezër dhe të atij. Atëherë ata u detyruan të marrin pushkët e të luftojnë për liri e për jetën. Me çfarë ligji e në emër të kujt dënonte me vdekje “nëna parti”? Po pse Hamidi krejt i ri? Edhe Nëna më thonte se qe krim dënimi i 5 vllezërve, por së paku Hamidit pse, e pse ja shkatrruan jetën? Ai bëri 10 vjet burg e 23 internim. Edha këto arsye e detyruan Jupin që më me vendosmëri të vazhdonte përpjekjet për organizimin e luftës per liri, pluralizëm e demokraci, që populli shqiptar i humbi. Ky ditar ka edhe diçka me shumë rëndësi, pse vërtetohet dita e “çlirimit” që vazhdon të diskutohet dhe për këtë arsye në vazhdim do të paraqes tekstualisht faqet e ditëve deri mbas 29 nëntorit. Ditari konsiderohet dokument në vendet e përparuar dhe njihet nga historia, edhe ajo moderne, kur është shkruar pa pasë interes ndryshimi. Gjithashtu duhet kuptuar e vlersuar sakrifica e vuajtjet, kur merr pushkën e del në mal.
Faqja 1 dhe me rëndësi: 25 Nanduer e Shtunde
Çë në nadje (mëngjez) asht fillue pregatitja për të dalë jashta Shkodret.
Në ora 11 kanë ardhë disa djelm të Ballit dhe asht bisedue me ta mbi qendrimin që lypset të mbajnë prej kësajë dite e mbrapa.
Në ora 12 ardhë Salvator Kurti e njoftue se ai dhe unë me 4 vllaznit jemi denue me vdekje prej partisë Komuniste.
Në ora 15.30 nisë prej Shkodre për në dy drejtime, në njenin Zeneli me shokë e në tjetrin unë.
Fq. 2 e 2/1: Në ora 21 jemi takue afër (emër i mbuluar) me nji çetë Komuniste.
Me kenë se dy prej njerzve që na bajshin teshat mbetne të bllokuem në mes të tyne, për të mos i damtue u tërhoqëm pa ba pushkë. Dy shokët t’onë bashkë me kuaj e tesha u morne prej çetës dhe u dërguan në Drisht.
Na të ndamë prej përcjellsit të tretë u drejtuam kah A (e shkruar sipër emrit që e ka mbuluar me vija me stilograf) pa mujtë me hy mbrenda pse u kuptue se të gjitha shpitë ishin të xanuna prej partizanësh.
Në ora 22 jemi tërhjekë në nji pyll afër katundit dhe aty kemi kalue natën nen nji shi të randë e të vazhdushëm. Për darkë as nuk duhet të flasim pse s’kishim ku e marrim.
Fq, 3-6: 26 Nanduer, e Dile. Dita na zbardhi aty ku kishim kalue naten. Shiu vazhdon gjithnji sikurse natyra t’ish marrë vesht me komunistat e të na kish denue edhe ajo.




 

J-Kazazi-Ditari-27-XI-44 J-Kazazi-Ditari-28-XI-44 H-Kazazi_portret J-Kazazi-Ditari-29-30-XI-44 Jup Kazazi_foto
<
>

Kah ora 8 mbrrini në katund edhe nji tjetër çetë komuniste. Ndodhemi shum afër tyne dhe i ndigjojmë çë flasin. Mbasi ndejëm pak në kambë, filloi të bjerë nji shi i randë e prandaj u futëm në nji shtëpi ku hangrëm edhe dreken. Na tue pasë frigë se mos shifemi prej tyne, aty kah ora 10 u futëm ma mbrenda në pyll.
Të gjith ishim të lagun e të lodhun prej pa hejet (ngrënie) e pa fjetje, por durojshim tue shpresue se do të shifshim ndonji çoban ose tjetër vendas e do të na sillte buk e tjera gjana të nevojshme. Kështu pritëm deri afër ores 16, por askush nuk kaloi andej.
Në ora 16 ndigjohet nji za: R (i korigjuar). Me njenin prej shokëve u futëm nepër pyll për të mujtë me u pa me personin, por së qe e mundun pse u largue në drejtim të pa ditun.
Në ora 16.30 njeni prej shokëve më tha: Po kalojnë dy persona. Unë menjihetë u afrova kah ata dhe pashë se ishin A e Z. Këtyne ju luta të na çojshin pak buk për ndokend tue caktue edhe vendin se ku. Në kët vend pritëm deri n’ora 21 por kot. (Shtoj se dy germat nuk i ka mbuluar, pse atyre nuk ju bëhej keq, përkundrazi, mbasi nuk i kishin ndihmuar.)
Atëherë, mbasi kishim bisedue me shokë se çka me ba, d.m.th. 1) a me u nisë kah Drishti tue e hapë rrugen edhe me pushkë po qe nevoja. 2) a me pritë aty deri në nadje pse ndoshta largohen kom. e futemi në katund. 3) a por me u largue prej vendit ku ishim e me ndezë nji zjarm dhe në të nesërmen me u nisë për poshtë tue udhtue nepër pyll.
Të gjitha këto bisedime i bajshim pse të lodhun tepër prej ujet (urije) dhe së lagti e së ftofti, kishim frigë se mos dobësohemi tepër e së mund udhtojmë ma.
U zgjodh pika e trtë e kështu u larguem në nji gropë ku ndezëm nji zjarm të mirë, u xemë dhe u terëm (thamë) e shokët fjetën ka pak.
Fq. 7-8-8/1: 27.XI e Hane
Në ora 4.30 të nadjes çova shokët prej gjumit, bamë edhe nji zjarm të mirë e, po sa filloi me zbardhë drita, u nisëm në drejtim Ura e Mesit. Në ora 6.30, kur me urën na ndante kodra që ndodhet para sajë, zbrazën nji shumicë pushkësh e mitaljoza. Në fillim kujtova se dolën njerzija prej xhamijet, ish Bajram e qesin simbas zakonit. Ma vonë u kuptue se luftohesh e prandaj shpejtuam ecjen e mbrrijtëm në nji prozhëm në B. Afër prozhmit pamë nji grua së cilës i kërkuam pak bukë, pse kishim 48 orë pa hangër. Kjo grua ishte e vobegët e nuk kishte as për vedi. Atëherë e lutëm që të lajmonte nji mashkull të H (e korigjuar) që të vinte deri aty. Erdhën dy djelm ka nja 12 vjeçarë të cilet më njoftën. Këtyne u kërkuam buk dhe na e prunë pa vonue shum.
Mbas 48 orë ninimi (agjërimi) të vërtetë e prishëm me pak buk e djath, pse me hangër shum kishim frigë se mos na bante keq. Mbas nja 2 orësh e plotsuam haen (ngrënien). Në mbramje n’ora 16 u nisëm për në C te T (korigjuar). Këtu na pritën mirë dhe hangrëm e fjetme si njerz.
Në këtë datë ishte e para ditë e Bajramit, por kërkush nuk u gzonte prej frigës se mos bombardojnë gjermanët me artiljeri.
Fq. 9-10: 28.XI e Marte
Përvjetor’ i indipendencës s’onë.
Luftimi vazhdon me shtimje herë të shpeshta e herë të rralla. Herë mbas heret ndihen edhe krisma topash. Mbas dreket prej Shkodret vjen nji lajm, simbas të cilit gjermanët kishin lirue Shkodren.
Na nuk ishim të sigurët pse te Ura e Mesit u luftonte gjithnji.
Në kët mbramje u mendonte se mund të vijshin Kom. në këtë nahìn (anën) ku ishim na e prandaj duhesh t’u largojshim ose t’u shpërndajshim nepër shpija të katundit.
Vendosëm të shpërndahemi në tri shpi: te T, O e H. Dy të parat e pranuan me qejf propozimin e bamë kurse i treti e refuzoi. Atëbotë e ndamë me dalë të gjith jashta katundit dhe megjithse T. insistoi që të rrimë aty, dolëm e shkuam në banesë të Sh. Këtu kaluem natën mjaft mirë.
Fq. 11: e Mërkurë 29.XI
Po sa u çuam prej gjumit e hangrëm nji kusi petulla me mjaltë ndihen krizma pushkësh kah B (e prishur fjala). Këto krizma ndihen edhe në C (e prishur fjala). Ishte nji bataljon partizan që kalote për në Shkodër e që prej gzimit qitëte pushkë e bombe. Këtyne qitjeve i u përgjigjshin edhe disa prej popullit. Unë me shokë kqyrshim kalimin e bataljonit dhe të ndonji katundarit që shkonte në punë të tij.
Prej mbramjet erdhne 3 ose 4 miq e na dhanë lajmet e ditës d.m.th. hymjen e partizanve në Shkodër. -(Pra partizanët kanë hyrë në Shkodër me datë 29 – Shënimi im)
Fq. 12: e Ejte 30.XI
Dita asht e mirë dhe ma e qetë se e përparshmja. Përsri ndihet ndoj krizëm pushke e bombje të shtime prej partizanësh që vijshin prej së largut.
Lajmrohemi se në Shkodër ishte ba nji paradë e fuqive partizane.
Në at Paradë kishin dashtë të futshin edhe nja 100 postribas që kishin shkue me Nuh Kazazin e Riza Danin. Keta nuk kishin ndigjue me ba pjesë ndër bataljone e kështu dikush kish ikë e dikush kish dalë me ndërmjetsinë e R. Danit.
Fq. 13-14: e Prende 1.XII
Koha asht e mirë dhe gjendja asht normalizue në Postribë. Dita kalon në qetsi. Prej mbramjet vijnë disa miq e na shofin. Ma vonë vijjnë dy të tjerë e na lajmrojnë se në katund kanë ardhë nja 30 partizan të dalun prej Shkodret. Qellimi i ardhjes së tyne nuk dihej prandaj u desht të largohemi për në nji pyll larg katundit. Aty kaluam të gjith naten që qe mjaft e ftoftë. Zjarm nuk mund të bahej pse mund të diktoheshim. U ulëm poshtë nji prronit e mandej dolëm në nji maje kodre për të kenë ma të sigurtë. Prej këtu dërguam njenin prej shokësh për të marrë vesht se ç’ishte dhe rezultoi se kishin qitë për qejf disa katundarë që ishin kenë marrë me kual prej partizanësh e ishin lirue ose kishin ikë. Mbas këtij lajmi zbritëm poshtë ku na prunë buken, hangrëm drekë, ndejëm deri që u err e mandej u nisëm për D (korigjuar) tue kalue kah shpija e A ku hangrëm darken. Në D (korigjuar) mbrritëm vonë, por me gjith …?… na shtinë mbrenda e na nxenë mandej erdhi e na përcolli për në vendin që caktuam për banesë ku fjetëm disi.
Prova për DITËN E “ÇLIRIMIT”:
Të shikohen e analizohen me kujdes datat nga 27 deri me 30 nëntor 1944 të ditarit që janë më sipër. Aty thuhet se me datë 28 patën një informacionn se kanë dalë gjermanët nga Shkodra por në zonën e Urës Mesit, që është shumë afër Shkodrës, luftohej dhe nuk është në drejtim të largimit të tyre. Pra gjermanët do të kalonin nga Shkodra dhe Mesi është shumë afër. Janë rreth 6-7 km. nga qendra e qytetit. Kur isha i ri, në verë shkonim në këmbë për t’u larë tek Ura e Mesit.
Siç ka shkruar Jupi, për hyrjen e partizanëve në Shkodër lajmërohen në darkë se kanë hyrë me 29 nëntor dhe ishte lajmi i ditës. Kështu e kanë ditë dhe nuk e harronin njerëz të fisit tim, që nuk ishin të rij.
Pra me 29 duhet konsideruar çlirimi. Vërtetohet se me datë 30 është bërë parada në Shkodër, ashtu siç dihet. Gjithashtu atë ditë me insistim kanë refuzuar të parakalojnë 100 postribas. Me këtë akt del antikomunizmi i tyre dhe me sa di unë, nuk e ka thënë ose shkruar njeri tjetër. E kam thënë disa herë edhe në Postribë.
Mendoj, jam i sigurtë e ta gjykojnë historianë e studiues dhe kush e lexon, se dita që janë larguar gjermanët nga Shkodra është data 29 nëntor e provohet. Dihet se edhe mbas datës 29 kishte gjermanë në veri, por është konsideruar largimi nga Shkodra. Nga arkivat gjermane rezulton me 4 dhjetor largimi i tyre nga Shqipëria, pra është data më e saktë. Fatkeqësisht edhe për këtë ngjarje jo të largët nuk ka dokumente të saktë e kanë folë e shkruar me të thëna.
Ditari vazhdon me peripecitë, vuajtjet e rreziqet në ilegalitet. Duke qenë dimër, duhen imagjinuar vështirsitë e vuajtjet. Aty del se ka pasë ndonjë refuzim për t’i ndihmuar ose dhënë pak ushqim, por në përgjithsi i kanë ndihmuar, strehuar e dhënë bukë shumë persona e familje, sidomos në zonën e Postribës, por edhe në anë të tjera, kur edhe pushkatonin ata që strehonin, ndihmonin ose i u jepnin ushqim antikomunistëve që kërkoheshin dhe ka ndodhë sa herë.
E them me shumë keqardhje pse arritëm që një pjesë e mirë e popullit shqiptar nuk e konsideron se u çliruam. U bë robërim, pse humbëm lirinë dhe u masakruan e vuajtën qindra mijëra njerëz. Pa pasë lirinë e fjalës e të lëvizjes nuk je i lirë e nuk e patën as komunistat për vehten e tyre. Ata përveç privilegjeve, nuk ishin të lirë, deri sa nuk mund të thonin mendimin e tyre dhe asnjë fjalë o vrejtje e nuk mund të mos aprovonin gjithëçka pse dilte kundër vijës së partisë, pra armik. Duke vrarë, arrestuar, internuar e persekutuar familjarët e kundërshtarve politikë dhe të personave absolutisht të pa përzier por të konsideruar kundërshtarë të mundshëm, duke burgosë vetëm për fjalë goje me akuzë agjitacion e propagandë, duke masakruar klerin, duke zbatuar me fanatizëm luftën e “kllasave”, nuk ka si të jetë çlirim. Nuk është patriotike kjo që them unë e të tjerë? Përkundrazi, por fatkeqsi e madhe që arritëm në atë gradë e të arrijmë ta vëmë në thojza atë fjalë të madhe si “çlirimi” ose ta quajmë “të quajturin çlirim”.
Nuk po flas për 10 të vrarë (7 të zhdukur) e 12 të burgosur dhe me internime nga Babai e Nëna. Nuk po flas për vuajtjet e Nënës, që grua intelektuale bëri punët më të rënda edhe për burra dhe që i shkurtuan jetën, pse vdiq 67 vjeç me arrest kardiak, pse duhet një libër. Do të shkruaj pak gjëra për mua, që nu kanë krahasim me masakrimin e vuajtjet e të mijëve:
Më futën 5 vjeç në klasë të parë. Më thonë fëmijët se ju kishte thënë udhëheqsja e pionerëve të mos rrinin me mua e ma thanë. Nuk i thashë as Nënës por mendoja vazhdimisht se “çka kam unë”. Nuk harrojmë unë e motra 7 e 5 vjeç, kur erdhën të na marrin për të na internuar në kampin e tmerrshëm të Tepelenës, ku patën vdekë rreth 200 fëmijë. Nëna ishte e smurë në dyshek me 39.5° dhe e tërhoqën zvarrë. Fatmirësisht oficeri nuk takoi aq kriminel dhe i u tha: lëreni se po na vdes në dorë dhe e lanë me dyshekun për gjysë të varun tek shkallët e ikën. Nuk harrojmë unë e motra e të qarat, sidomos të saj. Unë ndoqa violinën 11 deri 16 vjeç në Shtëpinë e kulturës dhe dy vetë na futën në orkestrën sinfonike, mbasi na provoi Prenk Jakova, por vetëm për prova e jo në çfaqje. Unë aty do t’u bëjsha violinist i plotë, por një darkë më thërret drejtori e më thotë: “ti nuk do të vijsh më pse nuk të takon”!!! Të nesërmen vjen Nëna, e gjen në sallon në hyrje e i thotë: Pse djalin tim? – Jo, atij nuk i takon. – Këtu sipër keni shkruar me të madhe: “Arti i takon popullit. Lenin”. A nuk është popull djali im? – Kur po doli, dy nga të orkestrës i shtërnguan dorën e i thanë: Ja bëre shumë mirë, moj zonjë.
Mbarova gjimnazin shkëlqyeshëm e nuk më dhanë të drejtë studimi duke e kërkuar 12 vjet rrjesht. Në Shkodrën time nuk më jepnin as për puntor krahu në ndërtim ose hamall në fabrikën e fermentimit duhanit. Përgjigjet prej të gjithë autoritetve ishin: “Ti, vetëm në fermë!” Falë dajës Prof. Selaudin Bekteshi dhe i kishin nevojën, që ka bërë për nipat e pati kurajo si shumë pak në Shqipëri, i shpëtova punës së krahut dhe me 1974 arriti të më bënin “pasaportizimin” në Tiranë, që të rijtë sot nuk e kuptojnë, dhe ma hoqën mbas 6 muajsh me kërkesë të Manush Myftiut, Komitetit ekzekutiv. Punova kryesisht larg në kantjere të Rruga urës, por kisha një strehë tek Daja, kur një herë në javë ose edhe në muaj vija në shtëpi.
Pra përfundimisht çfarë lirije e çfarë çlirimi pata unë dhe qindra mija shqiptarë?
Hamza Kazazi – djali i Jup Kazazit, dekoruar nga Presidenti i Republikës me “DEKORATËN E ARTË TË SHQIPONJËS” mbas vdekjes e “Qytetar Nderi i Shkodrës”.
Torino, 25-11-2022


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.