OPINION

Ismail Qemali, një portret i pambaruar!

08:23 - 29.11.22 ALDA BARDHYLI
GSH APP Get it on Google Play

NGA ALDA BARDHYLI




“Themeluesi, lidershipi i Ismail Qemalit” quhet libri që studiuesi i ri Evarist Beqiri, botoi në vigjilje të 110-të, vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjithnjë më ka pëlqyer të lexoj biografi të personazheve të njohur të historisë botërore, për të kuptuar më mirë jo vetëm thelbin e qëndrimeve të tyre politike, ideore por dhe për të hulumtuar kohën. Shpesh, biografitë përshfaqin biografi të tjera brenda tyre, po aq interesante, e kjo i bën ato të mbartin kureshtje për lexuesin, por dhe të jenë burim frymëzimi. Jetët e të tjerëve shpesh orientojë jetë tona.

Memuaristika dhe historia shqiptare nuk kane hyrë ende plotësisht, në zona ku ka rënë mjegulla e historisë, ndaj ky studim, mbart vlerën e një çlirimi të kësaj mjegulle, ndaj një personazhi që krijoi hartën shpirtërore e politike,  të një Shqipërie gjithnjë në konflikt me të shkuarën, dhe ndërton jetën e arkitektit tonë të lirisë.

I përfshirë herët në politikë, pas studimeve për shkenca juridike në Stamboll, Ismail Qemali ishte vetëm 20 vjeç, kur mori pjesë në mbledhjet që u bënë me nismën e Kostandin Kristoforidhit, më 1864 në Stamboll, për themelimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Porta e Lartë kërkonte të impononte një alfabet arab për gjuhën shqipe, ndërkohë komisioni i ngritur me patriotë shqiptarë, ndër të cilët dhe Ismail Qemali kërkonin alfabet latin ose një alfabet të vecantë për gjuhën shqipe. Hasan Tahsini krijoi një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Pashko Vasa, Ismail Qemali, dhe Kostandin Kristoforidhi ishin në favor të përdorimit të alfabetit latin.

Në moshën 23 vjeçare ai dashurohet me vajzën e një fisniku nga krahina e Endërnesë, Greqi, me të cilën martohet më 1867. Ajo quhej Kleoniqi, dhe kjo njohje do të hapte zemrën e djaloshit të ri, pas vdekjes së gruas së parë. Nëse e shohim këtë dashuri nën kontekstin e kohës, ajo ishte gati e pamundur për të riun shqiptar, për shkak të besimit fetar.

Por nën pasionin e dashurisë së vërtetë, Ismail Qemali do ta rrëmbente atë. Ai thirri dëshmitarë në shtëpinë e tij dhe nënshkroi “kontratën e martesës” një prej të cilëve ishte konsulli belg.

Akti i martesës ishte hartuar në mënyrë të tillë që përjashtonte përgjithmonë çdo mundësi për një martesë të dytë nga ana e bashkëshortit. Kjo martesë me gjithë bujën që shkaktoi do të kthehej në një simpati për Ismail Qemalin, duke sfiduar mjedisin,  i cili kundërshtonte martesën mes të krishterëve dhe myslimanëve.

Interesante nëse shohim profilin e tij sot, është raporti i tij me lirinë. Ka një moment në jetën e tij kur kërkon të heqë dorë nga jeta politike aktive dhe të merret me kërkimin e jetës. Ai nuk pranon detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Krimeve Penale në Pera, për të cilën ngulte këmbë Mid’hat Pasha, mentori i tij dhe as detyrën në Legatën në Uashington. Ai kalon një pjesë të kohës në Itali, Francë dhe Angli. Lexon, takon miq dhe shijon vende që e frymëzojnë. Në Londër ai u prit nga Ministri i Jashtëm i atëhershëm dhe tri herë kryeministri konservator Lordi Derby.

Një personazh me një kulturë  të thellë filozofike e politike, me vizionin e tij perëndimor, përcaktoi imazhin  e një Shqipërie që sheh drejt modernitetit herët. Mes ideve dhe tablove lirike të formimit të lidershipit, të një të riu që parapëlqente ngjyrën e zezë për të kuruar imazhin e tij, si një ngjyrë përmes së cilës tregonte nevojën për një reflektim e ndryshim të brendshëm, lexuesi      do të arrijë të njohë me mirë, themeluesin e  Shqiperisë europiane, një figurë qe e kuptoi  herët rëndësinë e lidhjeve perendimore të Shqiperisë.

Ai është kritikuar shpesh sepse i kushtoi më tepër vëmendje çështjes së politikës së jashtme sesa ndikimit të faktorit të brendshëm. Por Ismail Qemali ishte i ndërgjegjshëm se roli i faktorit ndërkombëtar ishte vendimtar për të ardhmen e shtetit të pavarur shqiptar, prandaj e përqendroi shumicën e energjive të tij në këtë betejë. “Për çështjen e Shqipërisë nuk mund të luftohet në Vlorë, por diku gjetiu sidomos në Londër , ku po zhvillohen bisedime rreth fateve tona të ardhshme”, shprehej ai për gazetën Giornale d’Italia më 2 prill 1913. Që  në  fillim të karrierës sē tij, Ismail Qemali mban lidhje të ngushta diplomatike me botën anglofone. Në një Ballkan nën pushtetin e orientalizmit, Ismail Qemali, që vinte nga një e shkuar si nëpunës civil i perandorisë deri në nivelet më të larta, një nga hartuesit e kushtetueses osmane, përcolli një fryme e imazh tërësisht liberal, në qasjen drejt një shteti të ri.

Koncepti  i tij  për shtetin ishte një koncept vizionar, sipas modeleve të vendeve europiane që kishte pasur mundësi t’i vizitonte në rininë e tij si një student drejtësie, si Anglia apo Franca.  Por përtej rëndësisë se një koncepti të qartë mbi shtetin e ri, për historinë politike  dhe historike të vendit, ky libër na njeh me jetën e tij nën pushtetin e pasionit, diturisë  dhe detyrës, të një lideri ‘të vetmuar”, në tablonë politike te kohës. Ky libër na njeh me mendimet, teoritë, aspiratat e tij për shtetin, diskutimet, polemikat, duke pasuruar njohjen me këtë personazh kaq të fuqishëm të historisë sonë, të cilin studimet nuk kanë arritur ta zbërthejnë në përmasën e tij të vërtetë. Kjo ndodhi, sidomos gjatë periudhës së komunizmit, ku deformimet historike, personazhet, faktet, u nënshtroheshin skemave të kohës. Ky libër na shpalos një tablo të jashtëzakonshme të kohës në të cilën Ismail Qemali hodhi themelet e ndërtimit të institucioneve të shtetit modern shqiptar dhe konceptoi vijën politike mbi të cilën do të ecte shteti modern shqiptar. Trashëgimia e tij janë themelet e shtetit dhe modeli që udhëheq politikën e jashtme shqiptare në këto 110 vite. Doktrina politike e Ismail Qemalit e konceptoi Shqipërinë si një faktor ekuilibri, stabiliteti dhe paqeje në Gadishullin e Ballkanit, një rol që Shqipëria e përshfaq ende në gadishullin ilirik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.