EKONOMI

Punësimi në sektorin bankar, drejt rritjes për të tretin vit radhazi!

07:14 - 29.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Punësimi në sektorin bankar po vijon rritjen edhe gjatë këtij viti. Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të muajit shtator bankat raportuan 6745 të punësuar, në rritje me 2.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.




Shifrat tregojnë se punësimi në sektorin bankar është i orientuar drejt rritjes për të tretin vit radhazi, pasi kaloi një periudhë disavjeçare në tkurrje, kryesisht të lidhur me procesin e konsolidimit dhe uljen e numrit të bankave në treg.

Në vitin 2016 punësimi në sektorin bankar pati arritur nivelin më të lartë historik, me rreth 7 mijë të punësuar. Në atë moment nisi cikli i shitblerjeve dhe i bashkimeve mes bankave tregtare, që solli shkurtimin e rreth vendeve të punës gjatë tre viteve në vazhdim.

Përqendrimi solli dublim të pozicioneve administrative, por edhe të degëve në zona të veçanta, çka çoi në mënyrë të paevitueshme shkurtim të vendeve të punës. Pjesërisht, punësimi u ndikua negativisht edhe nga frenimi i strategjisë së zgjerimit të rrjetit të degëve dhe fokusit të shtuar drejt automatizimit të shërbimeve.

Pavarësisht tendencës për të ulur numrin e degëve fizike, me sa duket punësimi në sektorin bankar është mbështetur nga ecuria pozitive e biznesit dhe nga zgjerimi i shërbimeve të bankingut në distancë.

Rritja e dixhitalizimit po sjell më pak nevojë për punonjës në degë, por ajo po kompensohet nga zgjerimi i stafeve të lidhura me shërbimet që mbështeten te teknologjia, si edhe rritja e punësimit në pozicionet administrative, duke ndjekur edhe një cikël të natyrshëm të rritjes së biznesit.

Sidoqoftë, punësimi në sektorin bankar mund të vendoset së shpejti përballë efekteve të një faze të re konsolidimi. Vitin e kaluar, numri i degëve të sektorit bankar u rrit për herë për parë pas një dekade në rënie të vazhdueshme. Por, këtë vit numri i degëve ka pësuar sërish një rënie të lehtë në 415, nga 417 që kishte qenë në fillim të vitit.

Alpha Bank është drejt bashkimit me Bankën OTP Albania, bashkim që pritet të bëhet ligjërisht efektiv nga data 1 janar 2023. Kjo do ta ulë numrin e përgjithshëm të bankave nga 12 në 11 dhe pritet të ketë një ndikim negative edhe në numrin e përgjithshëm të degëve dhe të të punësuarve.

Ndërkohë, ekspertët mendojnë se një përqendrim i mëtejshëm i sektorit ngelet mjaft i mundshëm. Këtë vit, grupi austriak Raiffeisen hyri në negociata për shitjen e filialit të saj në Shqipëri te Tirana Bank dhe Grupi Balfin.

Megjithatë, në fund austriakët vendosën ta refuzonin ofertën dhe muajin e kaluar konfirmuan me një njoftim zyrtar vendimin për të qëndruar në tregun shqiptar. Pavarësisht kësaj, shitblerje dhe bashkime të tjera në treg ngelen të mundshme, edhe për shkak të një procesi gradual të shtrëngimit rregullator, që vendos kërkesa kapitalizimi më të larta për bankat. Në veçanti, bankat me pjesë të vogël tregu do ta kenë të vështirë të jenë eficiente dhe të justifikojnë koston e kapitalit për investitorët gjatë viteve në vazhdim./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.