DOSSIER

“Ishin në një varkë sa një mizë!”- Ish-ushtari që dëshmoi në Hagë për incidentin në Kanalin e Korfuzit rrëfen prapaskenat: E vërteta e ndjekjes së anijes dhe shpërthimit 

16:32 - 30.11.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

AFRIM IMAJ/ Ka pak kohë që ka ndërruar jetë Lutfi Cane, njëri nga dëshmitarët shqiptarë të procesit të bujshëm të incidentit të kanalit të Korfuzit. Rrëfimi i tij në Hagë ka qenë sa unikal, aq dhe interesant. Zhurma në vite për ngjarjen e ka eklipsuar emrin e tij. Rastin në redaksi na e solli kineasti Ilia Dede, kur botonim një cikël nga dosja e incidentit që solli përplasjen e madhe.




“Përtej dokumenteve që zbardhni, mos harroni se keni dëshmitarë të gjallë!”, na rekomandoi ai me një sjellje fisnike dhe një pasdite shtatori, bashkë me të trokitëm në derën e dëshmitarit që nuk i kishte qëlluar kurrë të fliste për atë që kishte parë me sy në mesditën e 22 tetorit 1946.

Në apartamentin e dëshmitarit disi të harruar diku përballë Shkollës së Kuqe në Tiranë, u ulëm shtruar e folëm gjatë për historinë e asaj përplasje që 80-vjeçari, me një kujtesë brilante për nga mosha, e kujtonte me detaje…

Atë që ka parë mesditën e 22 tetorit ‘46 në kanalin e Korfuzit, e ka raportuar fillimisht tek eprorët e Sarandës. Pastaj e kanë thirrur zyrtarët e Tiranës dhe ka rrëfyer për ta gjerë e gjatë. Më vonë e kanë njoftuar se do të shkojë në Amerikë për të dëshmuar në OKB. Madje, ka përfituar dhe një kostum për t’u paraqitur aty sa më denjësisht.

Ajo që ka ndodhur me Lutfi Canën, ish-ushtarin e kufirit nga Smokthina e Vlorës, është një histori interesante që fillon e mbaron me të vërtetat e incidentit të Korfuzit. Dëshmia e tij për ngjarjen e bujshme, është pjesë e përjetimeve rrëqethëse nga çastet e shpërthimit të anijeve britanike në ujërat shqiptare. I ka qëlluar t’i ndjekë ato nga deti, madje shumë pranë zonës së shpërthimit, ka komunikuar nga afër me ushtarët e huaj gjatë tragjedisë dhe ka prekur me dorë trupat e copëtuar.

Një moment ka mbetur edhe vetë në kurthin e vdekjes, por fati kishte qenë me të. Llahtaria e asaj dite nuk i është shqitur nga sytë tërë jetën.

Në rrëfimin për “Panorama”, 80-vjeçari Lutfi Canaj na tregonte si u gjend në zonën e shpërthimit, kush e urdhëroi për të lajmëruar anijet britanike, çfarë komunikoi me ekuipazhin e tyre, cili ishte reagimi i marinarëve në çastet e tragjedisë, çfarë dinte për minat e vendosura në det, si u dokumentua ngjarja nga eprorët e tij dhe pse iu refuzua udhëtimi në Amerikë ku do të dëshmonte për incidentin..

Njëra nga dëshmitë e palës shqiptare për incidentin e Kanalit të Korfuzit në Gjykatën Ndërkombëtare mban firmën tuaj. Në çfarë rrethanash dhe me çfarë statusi u bëtë pjesë e këtij procesi të bujshëm?

Unë isha një dëshmitar që kisha parë ngjarjen nga afër. Pas asaj që ndodhi mesditën e 22 tetorit, na thanë se do të shkonim për të dëshmuar në OKB. Fillimisht na thirrën zyrtarët e Tiranës. U ulëm shtruar me ta. Shkruam me kujdes detajet e ngjarjes. Në një zyrë të mbyllur folëm orë të tëra për shpërthimin në ujërat e Sarandës. Në fund, njëri ndër ta, na porositi mos të largoheshim pa marrë rrobat e reja që ishin përgatitur posaçërisht për ne. Ashtu bëmë.

Sa erdhi makina me to, i veshëm me kujdes dhe dolëm. Kur mbërritëm në repart, shokët i çuditi pamja jonë. Qenkan bërë dhëndurë bandillët, thumbuan ata. Vetëm kaq është pak, ia kthyem ne dhe aty për aty u përmend faktin që së shpejti do udhëtonim për në Amerikë. Ideja e kësaj vizite ishte lajmi më interesant i takimit me zyrtarët e Tiranës. Ishim vetëm 20 vjeç dhe kuptohet mënyra si i përjetonim ato çaste…

Lutfi Cane, kur ishte me detyrë në Ministrinë e Brendshme
Lutfi Cane, kur ishte me detyrë në Ministrinë e Brendshme

Pra, u thirrët për të dëshmuar atë që patë nga Saranda ditën e incidentit…

Në Sarandë ka pasur me mijëra që e kanë parë shpërthimin e asaj dite nga toka. Unë me dy të tjerë e kemi ndjekur nga deti, bile vetëm pak hapa larg. Sa herë e kujtoj, më rrëqethet trupi e çuditem si mbetëm gjallë…

Si u ndodhët në det në çastin e shpërthimit?

Në det dolëm kur pamë anijet që dolën nga Korfuzi dhe morën kursin për nga Saranda. Na urdhëroi komandanti dhe u nisëm me skaf për t’u prerë rrugën. Njësiti ynë ishte pjesë e postës së kufirit, që pasluftës kishte marrë detyrën e ruajtjes së ujërave territoriale. Gati çdo ditë anije të ndryshme kapërcenin kufirin dhe afroheshin në brigjet tona. Me ato mjete të pakta që kishim, na duhej t’u vendosnim “postbllokun” në det. Dilnim, u bënim thirrje, u kujtonim shkeljen dhe i shoqëronim deri sa kalonin ujërat neutrale. Në përgjithësi deri në atë periudhë operacione të kësaj natyre ishin zgjidhur pa incidente, pavarësisht provokimeve të ndryshme. Megjithatë, gjendja mbetej kritike…

Kur flisni për situatë kritike, keni parasysh vetëm rastet e lundrimit të anijeve të huaja në ujërat tona…

Në atë periudhë, ujërat tona shkeleshin shpesh nga anije luftarake, cisterna e peshkarexhe të ndryshme. Mjaft syresh bëheshin miq të paftuar, kryesisht nga mungesa e orientimit, por kishte dhe raste të qëllimshme. Ky lloj kaosi në hapësirën detare, krijonte një situatë pasigurie, që bëhej më kërcënuese nga gjendja e luftës e shpallur nga Greqia. Ditaditës përballeshim me të papritura të ndryshme. Ajo e 22 tetorit me anijet britanike ishte njëra ndër to…

Si reagonit ndaj anijeve të huaja kur kalonin në thellësi të ujërave tona?

Me mjetet modeste që kishim, dilnim në det dhe u bënim thirrje duke u kujtuar se kanë kaluar kufirin. I vëzhgonim sa tërhiqeshin dhe ktheheshim në bazë. Të paktën deri në ditën e incidentit, raste të tilla i kemi mbyllur pa shqetësime…

Lutfi Cane, kur kryente shërbimin ushtarak në bazën ushtarake në Sarandë
Lutfi Cane, kur kryente shërbimin ushtarak
në bazën ushtarake në Sarandë

E keni fjalën për anijet greke…

Kemi pasur para incidentit të 22 tetorit një përplasje me një anije tjetër britanike. Ndryshe nga shkeljet e tjera, këtë herë apeli ynë u shpërfill hapur nga pala tjetër. Këtij qëndrimi ushtarët e baterisë bregdetare ju përgjigjën me zjarr të menjëhershëm. Pati, me sa më kujtohet, përplasje të forta lidhur me këto veprime. Nuk e di si u mbyll zyrtarisht, por ishte diçka e mirë që nuk pati viktima.

Pra, ka pasur dhe një incident tjetër me anijet britanike para atij të 22 tetorit…

Në mos gaboj, ai ka ndodhur diku nga mesi i majit të ‘46- tës, disa muaj para shpërthimeve të Korfuzit. Në këtë rast nuk pati shpërthime minash, nuk pati të vrarë e të lënduar. Po vetëm një zjarr paralajmërues në drejtim të anijes britanike…

Të vijmë tek incidenti i 22 tetorit. Ju pohoni se keni qenë shumë afër zonës së shpërthimit, madje keni komunikuar edhe me marinarët britanikë para incidentit…

Ne shkonim për të lajmëruar anijet e huaja që lundronin në ujërat tona dhe ramë në zonën e minuar bashkë me to. Një moment thamë se na përpiu deti. Nëna ime, ç’kanë parë sytë e mi. Anija sa një mal mbi dallgë shkërmoqej sa hap e mbyll sytë. Pastaj britma e njerëz të copëtuar gjithandej. Vetëm në pak sekonda hapësira për rreth u mbush me uniforma e pajisje ushtarake, blloqe të shkatërruara e pjesë dërrasash të djegura.

Pra, inkursioni juaj në det, nuk ishte një lundrim rutinë, por i urdhëruar nga komanda e kufirit…

Ideja për të ndjekur nga afër anijet që dolën nga Korfuzi, lindi pas raportimit të vrojtuesit që ndiqte situatën në det. Si gjithmonë në të tilla raste, grupi i gatshëm përgatiste skafin dhe nisej për të lajmëruar anijen shkelëse që të korrigjonte kursin. Atë ditë përballja në det u shoqërua papritur me një tragjedie të tmerrshme…

Çfarë ndodhi konkretisht?

Njësiti ynë u nis me një skaf të vogël që e përplaste dallga sa andej-këtej dhe brenda pesë minutave u gjendëm tek anija e parë. Shpjet e shpejt zumë pozicion përballë saj dhe drejtuam grykën e mitralozit për andej. Nuk zgjati shumë dhe një uturimë e zgjatur i dha vrull anijes vërshimi së cilës na fluturoi 30-50 metra larg. Për fat skafi mbeti mbi ujë. Mblodhëm për një çast veten dhe u çuam në këmbë. Nazua, kolegu nga Sevasteri, lëshoi mitralozin në tokë dhe filloi të tundte flamurin që të lajmëronte palën tjetër për lundrimin e paligjshëm. Në pritje të përgjigjes, u dëgjua sërish një zhurmë shurdhuese që e bëri shpejtësinë e anijes të paparë.

Dallgët e tërbuara na përplasën tutje si një pupël. “O Luto, o burrë, se na mbytën!”, thirri i alarmuar Nazua duke i dhënë gaz motorit. Instinktivisht hodha sytë përballë kur ç’të shikoj. Anija që dukej si mal në këmbë na afrohej gjithnjë e më shumë si për të na kapur të gjallë. “Djall-o punë!”, thashë me vete i befasuar. Tashmë, nuk ishim ne në gjurmim të saj, por ajo që na ndiqte kërcënueshëm. Dueli fund e krye ishte i tmerrshëm: Skafi ynë në tërheqje, anija tjetër në sulm! Madje, në kushte krejtësisht të pabarabarta. Një moment na erdhi aq pranë, sa kujtuam se na mbyti. Pikërisht atëherë ndërroi kurs dhe mori drejtimin për nga

Faksimile e dokumentit me dëshmine e komandantit të bazës së Sarandës në Gjykatën e Hagës
Faksimile e dokumentit me dëshmine e
komandantit të bazës së Sarandës në Gjykatën e Hagës

Nuk ra në mina anija e parë?

Minat shpërthyen gjatë afrimit të anijes së dytë që vinte pas saj. Ky ishte dhe momenti më i rëndë. Ende nuk kishim marrë veten nga përballja me anijen e parë, kur u shfaq tjetra. E madhe, e shpejtë, agresive si dhe ajo. Në pak minuta u gjend te këmbët tona me një zhurmë marramendëse. Nuk bëhej fjalë të komunikonim me të, pa le ta urdhëronim për të ndërruar kurs. Mëndja na punonte vetëm si t’i shpëtonim goditjes fatale. Të ftohtit dhe paniku na ishin futur në palcë. Çast pas çasti prisnim fundin e tmerrshëm.

Sakaq, u dëgjua një shpërthim i madh. Në pak sekonda tymi pushtoi gjithçka. Anija përballë që u këput në mes ngjante si një kalë i ngordhur. Mbi dallgë nuk dukeshin më shkumë të bardha, por tesha ushtarake dhe gjymtyrë të copëtuar. “Luto, vëllai, çfarë ndodhi?”, dëgjova zërin e Nazos që më kapi për këmbe. “Tërmet, tërmet!”, ia ktheva unë duke u munduar të çohem. “Pa shiko se jam plagosur”, mërmëriti si me vete Nazua dhe vuri dorën në krahun e majtë që me sa dukej e kishte shembur gjatë shpërthimit. “Shyqyr që shpëtuam kokën, thuaj”, e qetësova duke e ndihmuar për tu çuar…

A komunikuat pas shpërthimit me marinarët britanikë?

Komunikimi ishte krejtësisht i pamundur. Së pari, nuk dinim anglisht, pastaj gjendja tronditëse pas asaj që ndodhi nuk na favorizonte për tu marrë vesh me ta. Duke menduar se ishte njerëzore, së paku për t’i pyetur për shëndetin, nxituam t’u afroheshim. Ashtu siç ishim përballë, u kthyem me fytyrë nga anija e goditur. Në kuvertë kishte dalë pjesa e marinarëve të mbijetuar dhe vështronte me dylbi. Përpjekjet për të vendosur kontakt rezultuan të kota që në fillim. Shpërfillja ndaj sinjaleve për t’u ofruar ndihmë, dukej e pakuptimtë dhe misterioze. Ç’të bënim? Të iknim kur aty kishte të vrarë, të plagosur, njerëz që lëngonin, ishte e rëndë. Të këmbëngulnim më tej, ishte e pamundur. Për çaste të tëra mbetëm të mbërthyer në mëdyshjen torturuese. Ndërkohë, pala tjetër nisi të reagojë në mënyrë të frikshme. Nga bashi i anijes hodhi një ganxhë të madhe mbi skaf dhe mundohej të na rrëmbente bashkë me të. “O boo, O boo!”, bëri Nazua i tmerruar.

“Ej, po na marrin peng!”, ia ktheva pa vetëdije duke parë krahun e skafit që kërciste nga shtrëngimi i dhëmbëve të çengelit. Kaq e patëm, thashë me vete, i bindur për më të keqen. E vetmja mundësi për të shpëtuar mbetej të braktisnim mjetin. Po ku të shkonim?! Të hidheshim në det, nuk dinim not. S’na mbetej gjë tjetër veç t’i nënshtroheshim fatit. E fati paskej qenë në anën tonë. Teksa arganella mblidhte zinxhirët për të na rrëmbyer lart, u këput pjesa e dërrasës ku ishte mbërthyer çengeli dhe skafi ra mbi ujë, si zogu nga kthetrat e skifterit. Menduam se më në fund shpëtuam, por nuk kishte qenë e thënë. “O burrë o Luto, të ikim”, thirri Nazua duke shtuar gazin e motorit. “Jepi, jepi!”, ia ktheva në formë urdhërore.

Aty për aty pashë nga anija e goditur me një ndjenjë urrejtje për gjestin e djallëzuar të ekuipazhit të saj. Ajo kishte nisur të lëvizte me shpejtësi në drejtimin tonë. Me sa dukej, ishim futur sërish në rrathët e rrezikut. Ne ec dhe ajo pas nesh, si një tigër i plagosur. Nuk mbaj mend sa vazhduan kështu, por më kujtohet që afër bregut skafi ngeci.

Pjesa e poshtme kishte mbështjellë me vete një trup njeriu dhe e kishte spostuar te krahët e motorit. Kjo kishte shkaktuar bllokimin e tij. Futëm duar anash dhe e nxorëm, por u tmerruam nga ajo që pamë. Ishte një kufomë pa kokë e krahë. Gjimastorka ushtarake dhe emblema e marinës mbi të, të linin të kuptoje se kishim të bënim me një ushtar britanik. Gjithsesi, nuk kishim kohë të mendoheshim gjatë. Rindezëm motorin dhe vazhduam lundrimin për në bazë. Pas nesh uturinte anija e goditur, e cila në afërsi të Limionit ngeci në cekëtinë.

Çfarë ndodhi më tej me anijen që ra në mina dhe a pati shpërthime të tjera atë ditë?

Ajo u imbarkua në afërsi të Limionit dhe qëndroi aty deri sa mbërriti një anije tjetër, e cila filloi ta tërheqë për nga Korfuzi. Pikërisht në kthim, rreth 800 metra nga bregu, ajo ra në mina. Ishte një tjetër katastrofë me dëme të pallogaritshme. Autoritetet tona ofruan ndihmë të menjëhershme, por ekuipazhi huaj refuzoi duke e zgjidhur gjithçka vet. Anija e porsaardhur, u detyrua të ndërroj rolin me anijen tjetër. Tanimë ishte kjo e fundit që e tërhiqte dhe ashtu pas njëra tjetrës afër mbrëmjes mbërritën në Korfuz. Mbaj mënd që shpërthimet e asaj dite në det thyen krejt xhamat e dritareve në Sarandë dhe rrethina…

Dokumenti: Çfarë ndodhi mesditën e 22 tetorit 1946

Dokumenti i parë zyrtar i autoriteteve shqiptare për incidentin në kanalin e Korfuzit mban datën 23 tetor 1946. Ai është hartuar mbi bazën e dëshmive të ushtarakëve që kanë ndjekur nga afër ngjarjen në terren dhe është nënshkruar nga komandanti dhe komisari i kapitenerisë së Sarandës. Pastaj është arkivuar në dosjen e zyrtarëve shqiptar të pranishëm në procesin e Gjykatës Ndërkombëtare që ka shqyrtuar denoncimin e palës britanike rreth shkaqeve për shpërthimin në kanalin e Korfuzit. Në të risillet me detaje kronika e plotë e ngjarjes së 22 tetorit 1946. Po çfarë kanë regjistruar nga ngjarja e bujshme autoritet ushtarake shqiptare…

RAPORTI ZYRTAR

Dje, në orën 13:35 u dukën në largësi anije lufte që vinin nga Korfuzi. Mbas pak u dallua flamuri i tyre anglez dhe u panë se ishin katër copë, një kryqëzor i lehtë që printe dhe pas tij dhe tre kaçeterpediniera. Dy kaçet e fundit rrinin larg nga dy anijet e para më tepër se tre milje. Në kalimin e tyre bateritë tona bregdetare nuk shtinë. Ndërsa kaçeterpedineri që vinte fill pas kryqëzorit, lundronte në jug të Baladhës, diku një mije e gjysmë larg ndeshi në orën 13:50 në një minë në anën e djathtë dhe u dëmtua shumë mbasi mori flakë. Sirena e anijes lëshoi zënin të gjatë për ndihmë nga anijet e tjera. Kryqëzori vazhdoi rrugën e tij, por shpejtuan lundrimin dy kaçat që ishin prapa dhe njëra prej tyre u ndal afër anijes së djegur, ndërsa tjetra vazhdoi lundrimin mbas kryqëzorit.

Anija e djegur mundi me u tërheq deri jashtë grykës Limionit dhe aty qëndroi e batume në të djathteë mbushur në tym e flakë. Anija tjetër i rrinte roje aty afër. Në këtë kohë në det motoskafi ynë MS 12, ku ishte imbarku komisari i kapitanerisë bashkë me një aspirant të M.P dhe u afrohen anijeve për me i pyet nga vinin dhe ku shkonin, por ata iu përgjigjën: “Raportin ua u japim më vonë”. Anija roje aty nga ora 15:05 filloi me rimorku anijen e djegur dhe në orën 15:15, ndërsa gjendej duke lundruar dy mije afër nga punta e Baladhës, anija roje që rimorkionte anijen e djegur ndeshi dhe ajo në një minë afër bashit dhe iu shkatërrua krejtësisht bashi deri te të tretat e topave të rëndë. Atëherë ndaluan të dyja anijet dhe qëndruan aty një kohë prej gati një gjysmë ore duke kërkuar me motoskafët e tyre njerëzit që kishin rënë në det gjatë plasjes së minave. Mbas pak anija e djegur tërhiqte anijen e dëmtuar në bash dhe lundruan deri në afërsi të Limionit, por përsëri u kthyen e kësaj here anija e dëmtuar në bash duke tërhequr anijen e djegur lundruan në drejtim të Korfuzit me ngadalësi të madhe. Aty afër orës 6 u kthyen dhe dy anijet e tjera luftarake që kishin vazhduar rrugën dhe u drejtuan për në Korfuz… Në brigjet e Limionit për rreth janë gjetur e tërhequr veshmbathje marinari e ndër to një xhaketë me garda togeri, një pallto, një palë pantallona dhe një palë këpucë. Nëpër det gjendeshin dhe libra të shkatërruar si dhe dërrasa. Sa sipër raportojmë për njoftim.

Oficeri i portit Koli Nano

Komisari i Kapitanerisë,

Toger Ramazan Peza


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.