Kryesore

Prishja e resortit turistik dhe heshtja pa prestigj e ndërkombëtarëve të Tiranës

17:48 - 02.12.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndërkohë që në Golem luhet drama me disa akte e prishjes me skrepa, fadroma e tritol të “Prestige Resort”, është momenti për të bërë një bilanc solidariteti të aktorëve dhe faktorëve kryesorë në vend.




Opozita ka qëndruar në bllok kundër arbitraritetit të qeverisë dhe këmbënguljes destruktive për të rrëzuar në tokë, një kompleks turistik, lejen e të cilit e ka firmosur vetë. Opinioni publik, madje shumë votues e simpatizantë të majtë kanë mbledhur buzët nga habia e përbuzja për mënyrën se si po operon IKMT-ja nën dirigjimin e Edi Ramës. Po kështu, një pjesë e medias është solidarizuar kundër presionit dhe shantazhit që qeveria po përdor ndaj “Hysenbelliu Group”.

Por, disa aktorë e faktorë po shkëlqejnë me indiferencën dhe heshtjen e tyre. Drejtësia e pavarur është strukur e tmerruar nga frika e pushtetit, shoqëria civile mbetet në pritje të ndonjë projekti qeveritar dhe komuniteti ndërkombëtar, mbetet i verbuar e i shurdhët, sikur të mos jetë duke ndodhur asgjë.
Po si shpjegohet që ambasadat dhe përfaqësitë e komunitetit ndërkombëtarë në Tiranë kanë zgjedhur të heshtin? A nuk janë ata që në çdo tryezë a konferencë japin leksione demokracie dhe ligjshmërie?

Si mund të zgjedhin heshtjen përballë pamjeve absurde të skrepave që shpojnë një kompleks turistik, ku vetëm verën e kaluar kanë pushuar përpos shqiptarëve edhe qindra të huaj?
Heshtja e tyre bëhet në emër të stabilokracisë. Mbyllin sytë pëpara shkeljeve, abuzimeve dhe vjedhjeve qeveritare sepse për ta ka rëndësi fasada. Kjo fasadë duhet mbajtur e paprekur aq më tepër në prag samitit të Madh të Tiranës. Le të qelbet shtëpia nga brenda, rëndësi kanë xhamat e larë. Ndërkombëtarëve aq u bën.

Aq u bën se këtu po goditet biznesi ditën për diell. Aq u bën se po përdoren fadromat si mjet shantazhi për qepjen e gojës së mediave. Për ta ka rëndësi t’u raportojnë shefave në Uashington, Bruksel e gjetkë që formalisht demokracia shqiptare e mentoruar nga vetë ata, funksionon.
E pra, kjo nuk është e vërtetë. Nëse kjo demokraci e përçudnuar do të funksiononte, shqiptarët nuk do t’i hipnin gomoneve duke rrezikuar jetët njësoj si 32 vite më parë.
Demokracia shqiptare është dëshpëruese dhe e dëshpëruar. Mender-reforma në drejtësi ka prodhuar një hiç e gjysëm. Sipas raportit të fundit të KLSH, abuzimet dhe vjedhjet qeveritare në vitin 2021 kapin shifrën 1 miliardë euro. Kë çoi pas hekurave kjo mender-drejtësi për këto abuzime? Askënd.
Kjo situatë tragjike vazhdon të bekohet nga ndërkombëtarët e Shqipërisë.

Pak javë më parë, një sondazh i televizionit “Euronews” konfirmoi se mbështetja e shqiptarëve për faktorin ndërkombëtarë ka zbritur në nivelet minimale historike.
Kjo, jo për faj të shqiptarëve pro-europianë e pro-amerikanë, por për faj të heshtjes dhe indiferencës së ambasadorëve para çdo abuzimi, si rasti i fundit i shembjes së paligjshme të një kompleksi turistik.
Me gjasë “Prestige Resort” do të rindërtohet, do të rimbursohet ose do të kompensohet.
Por, shija e hidhur e indiferencës së ndërkombëtarëve pa prestigj të Tiranës, zor se do të harrohet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.