AKTUALITET

“E dimë që po shkelet ligji”, punonjësit e IKMT-së, Policisë dhe të xhenios ngrenë duart: Jemi urdhëruar me forcë për aksionin në Prestige, kemi frikë të kundërshtojmë

12:34 - 03.12.22 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Puna për shkatërrimin Prestige Resort vijon me ritme të papara. Forcat e xhenios dhe IKMT kanë punuar edhe gjatë natës duke u gdhirë e shtunë dhe sipas burimeve mësohet se e tillë do të vazhdojë edhe gjatë ditës dhe natës së ardhshme.




Me sa duket drejtoresha e IKMT e ka shkatërrimin e resortit turistik provën e jetës; ajo kërkon me ngulm nga vartësit e saj dhe forcat e xhenios të mbarojnë sa më shpejt punën për hapjen e vrimave në strukturën e hotelit dhe vendosjen e eksplozivit. Edhe pse specialistët e xhenios e kanë informuar Bicin se nevojitet një sasi e madhe tritoli për shkatërrimin e ndërtesës dhe se shpërthimi mund të ketë pasoja të rënda për zonën përreth, ajo ka kërkuar me ngulm shpërthimin sa më të shpejtë, pa marrë parasysh pasojat që mund të shkaktohen.

Të gjithë punonjësit e IKMT, Policisë së Shtetit, Forcat e Ushtrisë dhe forcat Xhenio janë shprehur se janë të urdhëruar me forcë për të bërë këtë aksion.

“Ne nuk duam ta bëjmë këtë gjë pasi e dimë që jemi në shkelje me ligjin dhe na vjen shumë keq që po shkatërrojmë një hotel si Prestige. Jemi të gjithë të prekur. Nuk na bëjnë duart të hapim këto mure. Jemi me ju në këto momente, por na mirëkuptoni se kemi frikë të kundërshtojmë se nuk e dimë se çfarë fati na pret”, janë shprehur punonjësit gjatë bisedave me stafin e Prestige Resort.

Pavarësisht paligjshmërisë, Dallëndyshe Bici ka dhënë ultimatum që gjithçka të përfundojë para datës 5 dhjetor, ditë kur gjykata Administrative e Durrësit ka caktuar seancën gjyqësorë ku do të shqyrtojë kërkesën e përfaqësuesve ligjorë të kompanisë për pezullimin e veprimeve të IKMT.

Por Bici e di mirë se nëse ndërtesa shembet përpara seancës gjyqësore, atëherë s’ka më çështje, dhe gjykata nuk ka çfarë të shqyrtojë. Ajo ka përvojë në këtë pikë, nëse kujtojmë atë që ndodhi gjatë sulmit të parë në Prestige Resort në fillim të shtatorit, kur fadromat shkatërruan pishinat dhe mjediset e jashtme të resortit dhe gjykata në seancën e saj konstatoi se nuk kishte çfarë të shqyrtonte.

Teksa prej së enjtes vijon sulmi i paprecedentë ndaj “Prestige Resort”, në pronësi të Hysenbelliu Group, përfaqësuesit e kompanisë paralelisht me gjykatën i janë drejtuar me një shkresë zyrtare edhe drejtoreshës së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, duke i kërkuar të ndalojë aksionin, deri sa organet e drejtësisë të flasin. Shoqëria “Erjoni Sh.P.K” i cilëson abuzive dhe të paligjshme veprimet e IKMT në “Prestige Resort”, dhe thekson se institucioni i drejtuar nga Dallëndyshe Bici po konsumon disa vepra penale.

Ndërkohë ka qenë pikërisht Dallëndyshe Bici e cila me firmën e saj ka vërtetuar lejen e ndërtimit të resortit. Punonjësit e IKMT nuk kanë paraqitur asnjë shkresë në lidhje me vendimin për të shembur objektin edhe pse institucioneve i është kërkuar disa herë një gjë e tillë që nga dita e djeshme kur edhe nisi aksioni. Burimet njoftojnë se shkresa mbahet në kasafortën e Bicit dhe do të nxirret pas prishjes se “Prestige Resort”./BW


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.