OPINION

Të protestuarit është diçka e rrezikshme për tiranin

13:35 - 03.12.22 NDRIÇIM KULLA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Zhurmërima e mediave te mazhorancës, por edhe e mediave përtej saj, që gjoja duan të duken korrekte nëpërmjet qasjes së moderuar shqiptare në favor të interesave të vendit, duket hipokrite që në vështrimin e parë për disa arsye. Protesta është shenja e vitalitetit të një demokracie, dhe Shqipëria, po njëlloj sic e kanë deklaruar edhe miqtë tanë perëndimorë ( SHBA dhe BE), nuk mund të rrojë brenda qytetërimit perëndimor pa një lloj të tillë demokracie. Le ti vendosim kujdesin dhe theksin shprehjes “ nuk mund të rrojë”, sepse është pikërisht ky realiteti i vërtetë në të cilin ndodhemi: pamundësia për të rrojtur në demokraci funksionale, të paktën normalisht. Falë këtij ndërgjegjësimi se po rrojmë në një rregjim që ka rrëmbyer gjithçka demokratike, shfaqet si hipokrite zhurmëria e pohimit qeveritar se nuk duhet të turpërohemi apo njollosemi si komb në ditën tonë më të madhe. Po si turpërohesh vallë, duke e zbuluar në sy të të gjithë botës të vërtetën e lëngimit tënd të pafund apo duke e fshehur dhe duke bërë ? Dinjiteti i një proteste simbolike dhe paqësore, nënkupton që halli i shqiptarëve që po ikin cdo ditë është aq i madh, aq i rëndë dhe aq i pandreqshëm, sa arrin të kapërcejë edhe mirësjelljen dhe anashkalimin e protestimit të paktën në një ditë si kjo. Pasi, pikërisht në një ditë si kjo zëri i tyre, që deri tani është britur në manifestime të jashtëzakonshme proteste, por ka gjetur vetëm mur regjimor qeveritar, ka një mundësi, një shpresë, një fat, të dëgjohet e të bëhet fuqi ndryshimi. Pse vallë duhet humbur ky shans i artë , pasi kemi provuar në kaq e kaq raste ti dërgojmë mesazhe të fuqimshme Perëndimit, se gjëndja në Shqipëri është ajo e një vendi që po tretet e po shkon në humnerë. Opozitës, në po këtë ditë, me dëshirën e mazhorancës, i është servirur me skenën e një të varuri që pret litarin në fyt, “ekzekutimi” i saj verbal, me një proces të pakuptimtë gjyqësor. Edhe kjo zhurmërimë, është pjellë e propagandës ulëritëse e mediave qeveritare që ka frike dhe si hipiokrite e paparë qaravitet për të etiketuar popullin që vërshon nëpër protesta, si gjysëm-opozitë. Me Alibeajn,Bardhin ,Bashën ,Tabakun,Collakun e grushtin e bashkuar të shokëve rreth tyre , cdo njeri që e njeh situatën e përditshme të nevojave dhe halleve të njerëzve të këtij vendi, jo vetëm qesh e tallet, por beson akoma dhe më fort se pushteti është në krizë të thellë derisa mendon se me këtë zgjidhje vulë-grabitëse do ta përçajë valën e zemërimit opozitar. Është njësoj sikur të kacaviresh nëpër pasqyra. Këtë cdokush duhet ta ketë të qartë sot. Ndaj gjithcka, e gjithë kjo zhurmëri mediatike është si ajo komedi e Shekspirit “Much ado about nothing”, pra, “shumë zhurmë për asgjë”. Asgjë e keqe,asgje kundra evropiane, perëndimore, sdo të ndodhë. Përkundrazi, do të marshojë në rrugë dinjiteti, e vërteta e realitetit shqiptar, kurajoja civile dhe intelektuale, e pse jo edhe politike. E këto janë vyrtyte që në Perëndim veçse nderohen, respektohen e përshëndeten. Demokracia presupozon edhe protestet e fuqishme edhe revoltat me force, kur gjithçka e gënjeshtërt po vazhdohet të shitet e vërtet me dredhi dhe presion . Sigurisht në kontekstin e kësaj ngjarje mund të lind edhe pyetj pse pikërisht kjo protest ditën e Samitit Europian në Tiranë ? Ky debate i çuditshëm dhe kjo pyetje më kujton dramën e Albert Kamysë Galigula në fundin e luftës së dytë botërore.Mos vallë kishte diçka në këtë dramë që shqetsonte të fuqishmit e asaj bote, që kur shihnin dramën shpreheshin se koha e tiranëve kishte mbaruar ? Mesazhi i shkrimtarit të madh francez ,se njerëzit nuk duhej të mendonin se koha e tiranëve kishte mbaruar është jo vetë aktual por jashtëzakonisht real në Shqipërinë e sotme, kur diktatori i instaluar në Tiranë me ndihmën e lobistëve të huaj, me frerët e pushtetit qëndror dhe lokal në duar po e detyron popullin opozitar të marrë udhët. Të protestuarit është diçka e rrezikshme për tiranët. Në tirani nuk duhet protestuar. Kjo zhurmënaj mediatike kundra protestës, por edhe ekstremit të saj (sepse ajo mund të kthehet edhe në revolt të mundshme) është provë e qartë se tiranët drejtohen nga kapriçot e forces dhe të frikës në të njëjtë kohë dhe kurrë nga arsyeja. Eshtë e njohur e vërteta se një tiran është një njeri që sakrifikon popullin e tij ndaj ambicieve dhe aventurave.Dhe këtë tirani ynë po e bën.Ai po hakmerret ndaj kujtëdo që i del përpara dhe kundërshton marrëzitë e tij.Ai i ka thënë qartë dhe publikisht ndaj çdo kujt ,se do ta shkatërroj dhe këtë e ka bërë me forcën absolute që ka grabitur prej nesh,prej gabimeve të politikanëve renegat të opozitës dhe ndihmës hileqare që i kanë dhuruar ndërkombëtarët.Të protestuarit me mirësinë e mirseardhjes para vendimarrsve europian kuptohet që është e rrezikshme për tiranin, por për ne që na ka vjedhur, na ka shtypur dhe po na shkretëton mirqënien, arsimin ,kulturën dhe demokracinë është rast i rrallë , që ata,miqtë tanë të na shikojnë drejtpërdrejt për një cast me fytyrat dhe shpirtin tone të revoltuar , pa filtrat dhe dizajnin marramëndës të manipulatorit . Le ta kthejmë pra këtë ditë, në një ditë feste të vitalitetit të demokracisë dhe të inagurimit të ndryshimit të madh për Shqipërinë, në udhën dhe me ndihmën e Europës, ku mezi kemi pritur të aderojmë gjithë këto vite.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.