Intervista

Shembja e “Prestige”, flet analisti Kim Mehmeti: Rama duhet rrëzuar! Do bëhet edhe më i dhunshëm! Po sundon si diktator, po e kthen shtetin në pronën e tij

13:34 - 12.12.22 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

VALENTINA MADANI/ Dikur për të, Tirana ishte kryeqyteti i ëndrrave rinore. Përtej kufirit ndjeheshin si të mallkuar nga pamundësia për të parë tokën amë.




Por sot, për Kim Mehmetin, publicistin dhe shkrimtarin e njohur, Tirana dhe mëmëdheu janë bërë dekor për spektaklin gënjeshtar që sipas tij, ka për qëllim ta mbulojë kriminalizimin dhe plaçkitjen që i është bërë vendit, që ta fshehë të vërtetën se popullit i është lënë vetëm një e drejtë: Që lirshëm ta jetojë varfërinë e vet.

Z. Mehmeti thotë për gazetën “Panorama” se kryeqendra e Shqipërisë duket si e zaptuar nga “armiku”, e dhunuar nga pushtetmbajtësit aktualë. Ndaj, Kim Mehmeti u bën thirrje shqiptarëve që të ngrihen në protesta dhe ta rrezojnë Edi Ramën. Në të kundërt, shprehet ai, ashtu si në rastin e shembjes së “Prestige Resort” dhe sulmit fizik ndaj liderit të opozitës Sali Berisha, Kryeministri, mund të bëhet edhe më i dhunshëm, mund të bëjë shumëçka që t’i frikësojë të padëgjueshmit.

Z. Mehmeti, një njohës i mirë i realitetit shqiptar, akuzon Kryeministrin Edi Rama se po e shndërron shtetin në pronë të veten dhe se Shqipëria sot e jeton periudhën më të dhembshme të saj, boshatisjen. Ndaj, ai apelon se Shqipëria ka nevojë për lëvizje të përmasave gjithë popullore, protesta që do e vërshojë Tiranën, që do i mbyllin të gjitha udhët dalëse të saj, me çka pushtetarët e “Rilindjes” do e shohin se mund t’u ikësh gjykatave dhe institucioneve të shtetit, por jo edhe popullit tënd që e ke plaçkitur dhe gënjyer.

Z. Mehmeti, çfarë ndjesie keni kur vini në Tiranë…?

E dua shumë Tiranën, sepse është kryeqyteti i ëndrrave të mia rinore, e viteve kur ne këtej kufirit, ndjeheshim si të mallkuar vetëm pse nuk mund ta vizitonim mëmëdheun. Dhe vazhdoj ta dua me po atë dashuri të dikurshme rinore edhe pse duhet ta pranoj se kohëve të fundit më duket se asaj i pakësohet gjallëria dhe vrulli rinorë që e kishte dikur. Siç më duket se Tiranën, si edhe të gjithë Shqipërinë, e ka përfshirë egërsia politike, egërsi e cila në vend që atë ta bëjë kryeqendër të pajtimit dhe bashkimit mbarë shqiptarë, e ka bërë kryeqytetin e grindjeve dhe përçarjeve ndërshqiptare.

Kohëve të fundit më duket se Tirana, njësoj si edhe i tërë mëmëdheu, është bërë dekor për spektaklin gënjeshtar që ka për qëllim ta mbulojë kriminalizimin dhe plaçkitjen që i është bërë vendit, që ta fshehë të vërtetën se popullit i është lënë vetëm një e drejtë: që lirshëm ta jetojë varfërinë e vet! Dhe gjithnjë e më shumë habitem se si Tirana, me aq njerëz të ditur në gjirin e saj, nuk e kupton se sa më jetëgjatë do jenë politikisht ata që e kriminalizuan Shqipërinë, se sa më gjatë vendin do e drejtojnë rrënuesit e Teatrin Kombëtar, aq më shumë kryeqendra e mëmëdheut do duket si e zaptuar nga “armiku”, i cili si çdo “pushtues”, donë që shtatorja e tij të jetë më e lartë se e gjithë të tjerëve dhe që bënë çmos që banorëve t’ua shlyejë vëmendjen për atë që kanë qenë e që kanë dashur të jenë.

Po pra, kohëve të fundit Tirana më duket si e dhunuar, me asgjë nuk i ngjanë vetvetes, më duket se ka bërë çmos që ta pëlqejnë të huajt e jo shqiptarët, me çka e pasqyron fytyrën e atyre që duan të ngjiten lartë e më lartë në piramidën pushtetmbajtëse, por duke u zhytur thellë e më thellë në paturpësinë e vet. Dhe Tirana e dekadës së fundit vazhdon të ngjitet lartësive qiellore, duke u shkëputur kështu nga e vërteta e saj shqiptare dhe, sa më shumë ajo lartësohet, aq më e thellë bëhet gropa e krimit ku zhytet Shqipëria, ky “kalbet” mëmëdheu ynë, i drejtuar nga regjimi i “Rilindjes”, i marr peng nga aleanca e “qelbësirave”, aleancë që është shumë, shumë pro “perëndimore”, por thuajse aspak, aspak pro shqiptarë.

Si e shikoni realitetin e brendshëm në Shqipëri? Sa shqetësuese është për ju kur shihni se toka amë po ia jep fëmijët e saj Perëndimit…?

Gabojnë ata që mendojnë se Shqipëria e sotme hall më të madh ka demokratizimin dhe ndërtimin e shtetit ligjor. Jo, viteve të fundit ajo përballet me pamundësinë për ta shpëtuar vetveten, për të mos u bërë vend ku do ketë kush të vdes, por jo, edhe kush t’i varrosë të ndjerët dhe kush të lindë fëmijë, të mos bëhet vend që fëmijët e vet do ia jep Perëndimit. Shqipëria sot e jeton periudhën më të dhembshme të saj: ajo e shton numrin e banorëve të botës, por duke e pakësuar atë të shqiptarëve. Andaj shpeshherë, në Shqipëri duken absurde betejat ndërpartiake. Edhe atë jo vetëm pse në mëmëdhe thuajse nuk ka parti po “sekte” politike, por sepse në Shqipëri thuajse të gjithë njësoj kanë dështuar. Dhe asnjëra palë nuk do mund ta fshehë dështimin e vet. Kështu që nëse do të plotësohet dëshira e regjimit të “Rilindjes” që Shqipëria të popullohet me pjesëtarë të popujve më të mjerë se ne, të ardhur nga rajonet ku vdes nga uria dhe plumbi, nga shtetet ku vota kushton më lirë se në Shqipëri, atëherë ne me duart tona do e murojmë përmendoren e barbarisë.

A ka zgjidhje sot Shqipëria…?

Shqipëria sot ka dy zgjidhje: o të bëhet e jetueshme dhe shpresëdhënëse për rininë e saj, o të bëhet me dy piramidat të tragjedisë dhe turpit të saj, atë të dikurshmen të Enverit dhe këtë të renë të piktorit, të cilën do duhet ngritur mbi rrënojat e Teatrit Kombëtar. Në Shqipëri gjithnjë e më shumë e humbin kuptimin si zgjedhjet vendore po ashtu edhe ato parlamentare, sepse shumica e të rinjve e ka bërë zgjedhjen e vet: nuk i besojnë vendit ku kanë lindur. Dhe ky është dështim i të gjithëve, pra përfshi edhe neve që “shesim” mend, që për çdo natë e mësojmë popullin si duhet të sillet, kujt duhet t’i besojë, duke e hutuar atë deri në ato përmasa sa të mos i besojë as vetvetes.

Në të vërtetë, Shqipërinë e sotme e ka mbuluar “plehu” politik i tri dekadave pas socialiste, “pleh” që e kalbë më të vlefshmen që kemi si popull: vrullin dhe shpresat rinore. Dhe gabojnë ata që mendojnë se ky “pleh” përbëhet vetëm nga mbeturinat partiake. Jo, në atë grumbull bëjmë pjesë edhe ne që i ndihmuam hajdutët e partisë sonë që t’i mundin hajnat e partisë kundërshtare, ne që e gënjyem popullin po aq sa edhe politikanët, ne që majmeshim duke ngrënë në grazhdet partiake e qeveritare, pra edhe ne që nuk qartësonim gjë por edhe më shumë i hutonim ata që na dëgjonin.

Pse kaq e vështirë për shqiptarët që të prodhojnë pushtetarë për shqiptarët…?

Jam shumë larg asaj që të mund të shpjegojë pse edhe sot e kësaj dite, në masë të madhe, burrështetasit tanë u jargaviten të huajve e i përbuzin shqiptarët. Mbase pse jemi popull i vetmuar në këtë Ballkan e në këtë kontinent, ndoshta pse na është vulosur bindja politike se nuk mundemi të arrijmë asgjë pa ndihmën e tjerëve. Po, ne jemi popull i “vetmuar” në Ballkan dhe me shekuj ndershëm dhe pa u ankuar e kemi jetuar vetminë tonë. Kuptohet, vetmia është barrë e rëndë, posaçërisht kur je i rrethuar nga “vëllazëria” e të ngjashmëve për nga fisi apo feja, e të cilët më shumë e duan të huajën se sa të veten dhe si të tillë, shpesh janë bashkuar për ta dëmtuar “vetmitarin”.

Ne edhe sot në këtë Ballkan jemi po aq të “vetmuar” sa çdoherë, por kemi diçka që nuk e kemi pasur kurrë më parë: një rini, e cila e njehë dhe komunikon me tërë botën, rini që jo vetëm se nuk jeton me barrën e popullit të vetmuar, por ndjehet pjesë e barasvlershme e civilizimit botërorë. Por sidoqoftë, shumëçka dëshmon se politikën shqiptare thuajse gjithmonë e ka dominuar mendësia vasale, se kurrë nuk na kanë munguar politikanë që u kanë qenë besnik sunduesve tanë, që deri në vdekje u kanë mbetur besnik perandorëve, mbretërve, ideologëve…, që vetvetja dhe populli i tyre u është kujtuar pasi kanë mbetur të papunë në kryeqendrat perandorake. Pra, neve kurrë nuk na kanë munguar politikanë që u kanë pëlqyer të huajve, që kanë qenë e mira e fqinjëve tanë, por e keqja jonë, siç është për shembull, Kryeministri i sotëm Shqipërisë që flijon interesat e Kosovës për t’i shpërlarë duart e përgjakura të Vuçiqit, por thuajse përherë na kanë munguar burrështetas që me të gjitha i janë përkushtuar idealit për një komb, një gjuhë e një shtet.

Gjatë shekujve, sa këto hapësira i sundonin perandoritë e ndryshme, shqiptarët ishin thuajse më të besueshmit dhe më të pëlqyerit e perandorëve. Kështu, për shembull, për sa kohë shqiptarët bëheshin “copa” mes veti për mbretin e tyre, ai strehohej në Beograd dhe për të kujdeseshin dhe e kthenin në Tiranë të huajt. Apo gjatë periudhës së komunizmit, shqiptarët ishin e mbetën leninistët dhe stalinistët më të devotshëm se vetë rusët. Edhe sot, ne jemi më “evropianë” se të gjithë perëndimorët tjerë, mbase pse jemi popull i vetmuar në këtë Ballkan e në këtë botë, popull pa asnjë të “afërm”, çka edhe ndoshta na bënë që të duam të jemi më të pëlqyerit dhe më besnikët e të fortëve, që na verbëron të mos shohim se të gjithë sunduesit që erdhën e shkuan, vepruan njësoj, na jepnin vetëm aq sa ne mund të paguanim me deshqiptarizimin tonë!

Ju e keni parë Kryeministrin Rama sesi u gjunjëzua përpara një Kryeministri të huaj. E patë të buzëqeshur përballë të huajve në Samitin e BE-së në Tiranë. Por, jeni shprehur se kurrë nuk e keni parë të qeshur përballë një shqiptari. Përse thoni se politikanët tanë nuk janë pro shqiptarë…?

Sa herë që e shoh Kryeministrin e Shqipërisë si u jargavitet të huajve e u gjen të meta drejtuesve të Kosovës, nuk mund ta shmang pyetjen se mos vallë ne shqiptarët jemi bërë aq përbuzës ndaj vetvetes sa më shumë i besojmë dhe e çmojmë kriminelin e huaj se sa kundërshtarin tonë politik.

Dhe të jemi bërë aq të pandjeshëm ndaj fatit tonë kolektiv sa të ndjehemi më të afërt me atë që ka aprovuar projekte shfarosëse për shqiptarët, se sa me burrështetasit e Kosovës?! Ku ta dish, them shpeshherë në vetvete, mbase njësoj si gjatë së shkuarës, edhe sot, fati politik i burrështetasve të Shqipërisë më shumë varet nga poltronizmi i tyre ndaj Beogradit, se sa nga përkushtimi i tyre ndaj shqiptarisë?! Dhe si mos e mendosh këtë kur e sheh se sot, kur duhej të ishim më të bashkuar e më të konsoliduar, Beogradi më lehtë se kurdo qoftë më parë e realizon projektin ruso-serb për “Ballkanin e Hapur”, projekt që i defaktorizon shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Deri vonë kam besuar se piktori është një ndër “kopilët” e paktë politik, siç i ka çdo popull, por gjithnjë e më shumë bindem se dashuria e tij ndaj Beogradit shprehë një degradim më të thellë të një kaste politike, se “dashuria” e tij ndaj Beogradit dhe “urrejtja” ndaj Prishtinës e shpërfaqin edhe pandjeshmërinë tonë ndaj fatit kolektiv.

Dhe që të mos e dëgjoni nga kundërshtarët e mi, ja unë po ua them: gjitha këto që u thanë më lartë, i thotë një ish-”pionier i Titos” , i cili jo vetëm që ka jetuar në Beograd, por qysh si i ri, në “shkollën beogradase”, pra në “mësimoret” e kryeqendrës së një shteti kishtar, siç është Serbia, e ka mësuar të vërtetën se meritat e një burrështetasi maten vetëm me kandarin e të mirave që ka bërë për popullin e vet, e jo me atë të përfitimeve vetjake dhe sa i dobishëm ka qenë për të tjerët. Por kuptohet, edhe sot, kur Tirana zyrtare, për shumë çka, është bërë djep i turpit tonë kombëtarë, ne duhet edhe më shumë ta respektojmë e duam mëmëdheun, siç duhet të jemi atë që piktori e konsideron si primitivizëm, patriotë sa më të mëdhenj, patriotë të cilët mburren me atë që janë dhe atë që kanë, por duke mos i përbuzur të tjerët.

A është Shqipëria në rrezik në një kohë kur Kryeministri godet biznesin me tritol si në rastin e “Prestige Resort” dhe kreun e opozitës Sali Berisha me grushte?

Kryeministri i Shqipërisë i rrënon ngrehinat e kundërshtarëve të vet politikë, duke shpresuar se pluhuri i tyre do e mbulojë kriminalizimin e shtetit, se do i bëjë të padukshme ato qindra pallate e mijëra kate të ndërtuara pa leje para hundës së tij, e që ia bëhet se nuk i ka parë. Por megjithatë, Shqipëria nuk është gjithaq e rrezikuar nga regjim i “Rilindjes” por nga e vërteta se mëmëdheu ynë ka me qindra “intelektualë”, si për shembull filozofë, piktorë, shkrimtarë, aktorë, historianë…, të cilët kanë lënë pas vetes vepra për mburrje dhe që janë bërë madje edhe pjesë e thesarit botëror, por nëse i merr të gjithë ata dhe i “shkrinë” në një kazanë, nga shkrirja e tyre nuk të mbetet thuajse aspak mendim kritik ndaj proceseve shoqërore, e që do i ndihmonte shqiptarët të kuptonin se çka është duke ndodhur me Shqipërinë e tyre.

Shqipëria është e rrezikuar edhe shkaku se ka me qindra “mendimtarë të pavarur”, të cilët nëpërmjet ekraneve televizive, thuajse për çdo natë kuvendojnë për gjithçka, duke nisur nga seksi te mizat e deri te pasojat e globalizmit, por nëse i merr dhe i “bluan”, nga “mielli” i dal prej tyre nuk mund të “ngjeshësh” as katër-pesë veta që nuk e kanë dhënë kokën me qira te ndonjë partie politike.

Pastaj në Tiranë, ka me qindra media, si për shembull televizione me godina të shtrenjta dhe studio marramendëse të nivelit botëror, por të gjitha ato, nuk vlejnë thuajse as sa RTSHja e kohës së Enverit, me atë dallim që këto “RTSH”-të e sotme nuk e kanë redaksinë te Partia e Punës, por o te zyra e piktorit, o tek ajo e kryebashkiakut të Tiranës. Po pra, Shqipërinë nuk e rrezikon vetëm e dukshmja që ka të bëjë me hajdutërinë, krimin, keqqeverisjen, paligjshmërinë…, por edhe e padukshmja në të, ajo që shpërfaq mëkatin tonë kolektiv, e të cilin e përbënë heshtja e elitave, mediat që e vënë popullin në gjumë me spektakle, mendimtarët që lirshëm e thonë atë që mendon partia…

Pse në rastin e shembjes së “Prestige Resort” duhej të shkohej te masa ekstreme…?

Nuk mund të pritet veprim racional dhe i logjikshëm nga një sundues që çdo gjë e ka të ndërtuar mbi themelet e ireales dhe spektaklit gënjeshtar politik, e ku ai është edhe ylli kryesor edhe regjisori i shfaqjes. Vallë nuk e vëreni se ai nuk ka më lidhje me botën reale, se ai gjitha i dinë, se ai është më i mençuri, më i drejti, se ai është pronari i të vërtetave…, por që ka një fatkeqësi: është i rrethuar nga budallenj e të paaftët siç jemi të gjithë ne kundërshtarët e tij politik dhe nga një popull që nuk është i denjë atë ta ketë Kryeministër?!

Ai është nisur udhës së pakthim që o t’i heshtë të gjithë kundërshtarët e vet, o të përballet me mëkatet e veta. Shkurt: atë e tmerron e vërteta për vetveten dhe ai trishtim atë e bënë joracional dhe të rrezikshëm për të gjithë ata që guxojnë t’i kundërvihen. Kryeministri i Shqipërisë e dinë se tani nuk mund të bëje thuajse asgjë që do e bënte atë të pranueshëm për popullin, por mund të bëjë shumëçka që t’i frikësojë të padëgjueshmit. Andaj do bëhet gjithnjë e më i dhunshëm dhe gjithnjë e më shumë do e shpërfaq të vërtetën se e ka humbur pushtetin mbi vetveten.

Sipas jush, pse Kryeministri ka arritur deri tek aktet e dhunës? Çfarë e ndalon Edi Ramën…? Po i qeveris apo po i sundon shqiptarët?

Sipas meje, piktorit sot i kanë mbetur vetëm dy zgjidhje: o të sundojë si diktator o sipas parimit se sa më keq e ka vendi e populli aq më mirë e ka sunduesi. Apo thënë ndryshe: ose vendin do e fut në destabilitet të përhershëm, ose ai vetë do bëhet diktator i tij. Nëse ndodh e para, pra nëse mëmëdheun e rrëmbejnë valët e destabilitetit të përhershëm politik dhe bëhet Kolumbia e Evropës, kjo do dëshmojë diçka të dhembshme për çka me vite është duke investuar Beogradi: se ne nuk mund të mirëmbajmë shtet pa ndihmën e të huajve.

E nëse ai do bëhet diktatori i radhës i mëmëdheut, kjo do dëshmojë se shqiptarët mund të “prodhojnë” vetëm diktatorë. Por, unë besoj se Shqipërisë i ka arritur një brez i ri politik që do dijë ta pastrojë plehun politik që prodhuan tri dekadat passocialiste, pleh që e ka mbuluar Shqipërinë dhe kalbëzon çdo gjë të vlefshme që ka ajo. Duke pritur që të bëhet ky pastrim i pashmangshëm i mëmëdheut, vazhdoj të pres që ekspertët e Uashingtonit e të Brukselit t’i japin shpjegim dukurisë aq të përhapur në këtë pjesë të Ballkanit, dukurisë të cilën ata e toleruan dhe u shtirën se nuk e shohin: që më pro amerikanë e më pro evropiane të jenë politikanët tanë më të korruptuar!?

Si dhe të na tregojnë sa jemi të mbrojtur nga ndikimi “rusolindorë” ne që drejtohemi nga burrështetas, deputet e kryetarë partish, që zemrën e shpirtin e politikanit e kanë në Bruksel e Uashington, e duart e hajdutit në xhepat tonë?!

Si duhet të reagojë një opozitë që dhunohet politikisht dhe fizikisht duke arritur deri tek ekzekutimi i aktit të grushtit ndaj kreut demokrat Sali Berisha…? A e shpëton Shqipërinë revolucioni dhe lufta për votën e lirë siç ka paralajmëruar kreu i PD-së?

Ka vite që Shqipëria prodhon vetëm dhunë politike. Që ajo sundohet sipas mendësisë së “hajdutit”, nga një regjim që rrënon natën, duke u fshehur nga populli i vet. Pra, ka vite që fjalori i Kryeministrit të Shqipërisë frymëzon rrugaçërinë politike dhe është inspirim për ata që besojnë se partia është mbi shtetin dhe popullin, se duhet ta japësh jetën për pushtetin e jo për shtetin, se shteti ekziston shkaku i pushtetarëve, e jo e kundërta. Sipas meje në Shqipëri nuk kanë më asnjë kuptim protestat partiake disa orësh në të cilat Kryeministri portretizohet i tillë siç e njohin, e opozita e shpërfaq mirësjelljen dhe kulturën e vet politike.

Mendoj se Shqipëria ka nevojë për lëvizje të përmasave gjithë popullore, protesta që do e vërshojë Tiranën, që do i mbyllin të gjitha udhët dalëse të saj, me çka pushtetarët e “Rilindjes” do e shohin se mund t’u ikësh gjykatave dhe institucioneve të shtetit, por jo edhe popullit tënd që e ke plaçkitur dhe gënjyer. Jam i bindur se regjimi i “Rilindjes” nuk rrëzohet me votë ngaqë ai është ndërthurje “qelbësirash” dhe si i tillë, ai nuk ka zgjidhje tjetër përpos ta shndërrojë shtetin në pronë të vet. Ai nuk duhet rrëzuar me dhunë por me protesta të cilat atij regjimi do ia kthejë atë që i mungon: frikën dhe respektin ndaj vullnetit politik të popullit të vet.

A mund të shkojë Edi Rama deri te vrasjet politike?

Unë nuk e di çka është i gatshëm të bëjë në të ardhmen Kryeministri i tanishëm i Shqipërisë për të mbetur në pushtet, por e di se ai qëmoti është “kufomë” politike dhe ka bërë vetëvrasje politike. I besoj edhe asaj se si “shef” i aleancës së “qelbësirave”, ai edhe nuk mund të tërhiqet dhe është i detyruar të vazhdojë tutje. Sipas meje, në historinë shqiptare, ai do mbetet si politikani i pari shqiptar që hapur ka bërë atë që e kanë bërë edhe të tjerë, por duke e ditur se është e turpshme dhe e dëmshme për shqiptarinë, atë e kanë bërë fshehurazi: defaktorizimin e Kosovës dhe forcimin e Serbisë.

Dhe si të tillë atë nuk mund ta mbaj në pushtet vota e shqiptarëve, por dhuna dhe nënshtrimi i të gjithë kundërshtarët politik. Gjë që vështirë arrihet në shoqëritë ku nuk mungon guxim qytetarë e mendim kritik, po që nuk është e pamundur të arrihet në një Shqipëri ku ajka rinore e braktisë vendin dhe shteti shndërrohet në një kënetë politike, kënetë ku dëgjohet vetëm krrokama e mbështetësve të regjimit./ Gazeta Panorama


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to Prof.Kenny K. Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.