Speciale

Gratë iraniane dhe roli i tyre në historinë e Iranit diktatorial

20:17 - 12.01.23 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Xheni Shehaj




Kur flet për gratë iraniane mendja të shkon menjëherë te gratë muxhahedine që qëndrojnë në kampin Ashraf 3 në Manëz. Ato janë shembulli më i pastër i grave të forta, luftëtare e liridashëse. Që prej vitit 1979 kur Ayatollah Khomeini mori pushtetin në Iran, gratë iraniane kanë luftuar për liritë dhe të drejtat e mohuara. Revolucioni i gjeti ato përkrah burrave, vëllezërve e djemve të tyre. Regjimi nuk i kurseu aspak. I lidhi, i burgosi, i torturoi dhe i vrau njësoj si dhe burrat e atij vendi. Në kampin Ashraf 3, muzeu i ngritur nga vetë muxhahedinët, mes gjithë atyre historive njerëzore të shkruara me gjak, mbart gjakun e qindra grave të vrara nga regjimi i mullahëve. Historitë personale, dhembja, torturat, ëndrrat dhe dëshirat janë pjesë e pandashme e jetës së tyre. Mjafton të shoshësh fotografi të revolucionit në Iran për të kuptuar sa e madhe ka qenë prania e grave dhe sa i rëndësishëm roli i tyre në ato ditë ndryshimesh.

Gratë në vijën e parë të protestave

Që nga periudha e revolucionit e deri më tani gratë iraniane kanë marrë pjesë në protesta e demostrata të cilat populli i Iranit nuk i ka ndalur. Të drejtat e mohuara, hixhabi, arsimi, punësimi, ekonomia, shëndetësia, mëmësia, kanë qenë çështje që i kanë ngritur gratë në protesta. Tërbimi dhe furia e regjimit jo rrallë herë janë zbrazur tek këto gra luftëtare. Të jesh në rreshtin e parë të prostestës do të thotë të të tërheqin zvarrë, të të godasin me shkopinj, të të fusin në makinë e pastaj drejt e në burg. Të jesh në krye të protestave do të thotë të sfidosh drejtpërdrejtë regjimin. Është e padurueshme për një regjim diktatorial që ta sfidojnë e aq më tepër që ta sfidojnë gratë. Protestat aktuale në Iran morën shkas nga vrasja e një vajze të re vetëm sepse nuk kishte vënë si duhet mbulesën. Vrasja e Mahsa Aminit ngriti peshë shoqërinë iraniane dhe sigurisht që gratë ishin edhe këtë herë në krye të protestave, të cilat vijojnë edhe sot pa u nuk ndalur.

Torturat në burgjet iraniane

Gratë iraniane kanë vuajtur në burgjet e mullahëve dhe vuajnë ende sot. Trajtimi i tyre në burgje nuk ndryshon shumë nga trajtimi që u bëhet burrave. Torturat janë nga më çnjerëzoret. Më poshtë përmenden vetëm disa prej tyre:
1. Fshikullim i rëndë/i egër dhe i vazhdueshëm i shputave të këmbëve, kurrizit dhe kokës.
2. Goditje të forta e të papritura të të burgosurve me sytë e lidhur.
3. Djegia e pjesëve të ndjeshme të trupit me cigare.
4. Ekzekutim falls.
5. Shpimi i pjesëve të ndjeshme të trupit me hekur të nxehtë.
6. Goditja me kabëll mbi plagët dhe koret e plagëve.
7. Përdhunimi.
8. Kafazi.

Këto dhe shumë të tjera janë buka e përditshme e të burgosurave iraniane. Shumë prej tyre nuk kanë mundur të mbijetojnë, shumë të tjera ia kanë dalë edhe pse kanë si kujtim të burgut sëmundje të ndryshme me të cilat tashmë ju duhet të bashkëjetojnë. Megjithatë, ajo çka vajzat dhe gratë iraniane po i tregojnë botës shkon përtej forcës fizike, torturave, dhembjes. Ato po tregojnë shpirtin e tyre luftarak, të pamposhtur, ëndrrën e tyre për një atdhe të lirë. Ato janë shembulli më i pastër i një force të paimagjinueshme që gjinia femërore bart. Aspiratat e tyre qëndrojnë shumë më lart se dhembja, izolimi, frika e dhuna.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.